

Polifonia shqiptare, kjo formë e rrallë dhe e lashtë e këndimit shumëzërësh, e ruajtur ndër shekuj nga komunitetet shqiptare, përfaqëson një dëshmi të gjallë të identitetit kulturor, kujtesës historike dhe krijimtarisë artistike të popullit tonë.
Më 25 nëntor 2005, polifonia shqiptare u shpall nga UNESCO-ja “Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe jomateriale e njerëzimit”, duke marrë një nga vlerësimet më të larta ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore. Ky vlerësim njohu vlerat e jashtëzakonshme artistike, historike dhe identitare të një tradite shekullore, e cila ka shoqëruar jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe ka mbijetuar brez pas brezi si një nga shprehjet më autentike të kulturës sonë popullore.
UNESCO e shpalli polifoninë shqiptare fillimisht kryevepër të trashëgimisë gojore dhe jomateriale të njerëzimit në vitin 2005, ndërsa në vitin 2008 ajo u përfshi në listën e përfaqësuese të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit. Tradita e saj karakterizohet nga bashkëveprimi harmonik i zërave dhe i isos, që krijojnë një strukturë muzikore origjinale dhe të papërsëritshme, e cila ka shoqëruar jetën shoqërore të shqiptarëve në festa, rite, dasma, kuvende e ngjarje të rëndësishme të komunitetit.
E trashëguar brez pas brezi dhe e ruajtur veçanërisht në trevat jugore të Shqipërisë, polifonia shqiptare përfaqëson një pasuri të rrallë muzikore, ku ndërthuren në harmoni zërat individualë dhe gruporë, duke krijuar një formë të veçantë të këndimit shumëzërësh. Njohja nga UNESCO jo vetëm vlerësoi rëndësinë e saj kombëtare, por e vendosi këtë traditë në fondin e trashëgimisë kulturore të mbarë njerëzimit.
Bartësit, këngëtarët, krijuesit dhe studiuesit shqiptarë kanë kontribuar në ruajtjen, dokumentimin dhe përcjelljen e polifonisë shqiptare në listën e trashëgimisë botërore, si njërën prej dëshmive më të vyera të identitetit dhe kulturës sonë kombëtare.
Shpallja e polifonisë shqiptare si kryevepër e trashëgimisë gojore dhe jomateriale të njerëzimit nga UNESCO ishte edhe fryt i punës shumëvjeçare studimore e dokumentuese të institucioneve shkencore shqiptare. Në këtë proces, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm përmes kërkimeve në fushën e etnomuzikologjisë, evidentimit të vlerave të polifonisë popullore dhe mbështetjes së përpjekjeve për njohjen e saj ndërkombëtare si një pasuri unike e kulturës shqiptare.
Për më shumë klikoni linkun; https://ich.unesco.org/…/albanian-folk-iso-polyphony-00155