
Prof.dr. Peter Bartl, studiues dhe historian është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Bartl ka lindur më 26 nëntor të vitit 1938 në Cottbus, Gjermani, buzë lumit Spree, rreth 125 km në juglindje të Berlinit dhe shumë pranë kufirit me Poloninë.
Karriera akademike e Peter Bartl nisi në vitet 1960 në Gjermaninë Perëndimore, ku ndoqi studimet për historinë e Europës Lindore dhe Juglindore, sllavistikë dhe turkologji në Göttingen dhe më pas në Universitetin Ludwig-Maximilians të Mynihut. Nën mentorimin e historianit Georg Stadtmüller, ai u përqendrua te historia shqiptare.
Në vitin 1968 ai u emërua asistent shkencor pranë katedrës së Stadtmüller-it në Mynih dhe nisi bashkëpunimin e ngushtë me Ernest Koliqin si redaktor i pjesës gjermanishte të revistës “Shêjzat”, ku ai shënoi nisjen e rrugëtimit të tij të gjatë në studimet albanologjike.
Pas studimit të historisë së Europës Lindore, sllavistikës dhe turkologjisë, ka botuar një sërë studimesh historike rreth Europës juglindore e më tepër rreth Shqipërisë.
Prej vitit 1980 e deri më 2004 ishte profesor për historinë e Europës Juglindore e Lindore në universitetin e Mynihut. Këtu drejtoi edhe Institutin e Shqipërisë, qendër studimore me bibliotekë të pasur që i kushtohej tërësisht vendit tonë. Udhëtime e hulumtime të shumta, sidomos në arkiva italiane, i dhanë brumin për një numër studimesh, si ato për lëvizjen kombëtare shqiptare: “Myslimanët shqiptarë në kohën e lëvizjes për pavarësi“, 1968, “Ballkani perëndimor midis Monarkisë spanjolle dhe Perandorisë osmane“, 1974, ose për një libër popullarizues për historinë e Shqipërisë: “Shqipëria. Nga mesjeta në ditët tona“, 1995.
Së bashku me Martin Camajn, Gerhard Grimmin etj., prof. dr. Peter Bartli është një ndër mentorët e serisë Albanische Forschungen, pa dyshim më e mira seri albanologjike deri në ditët tona, ku janë botuar, ndër të tjera, monografitë për Hahnin (1964) e Ippenin (1967), “Fjalëformimi i shqipes“ i Camajt, dy vëllimet për ndikimin e turqishtes në shqipe të N. Boretzkyt, triologjia e A. Pipës për vargëzimin popullor shqiptar, De Radën dhe perspektivat sociale të letërsisë shqipe etj.
Prof. dr. Peter Bartli është autori i studimeve albanologjike “Albania sacra. Relacione klerikësh nga Shqipëria” me dokumente mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipëri të veriut gjatë periudhës së pushtimit turk., etj.
Ai ishte edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës. Eshtë është nderuar, ndër të tjera, prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë me “Medaljen e Mirënjohjes“ dhe prej Universitetit Urbaniana (Romë) me “Medaljen e Artë“.
Albanologu i shquar gjerman prof.dr. Peter Bartl, u nda nga jeta në Mynih të Gjermanisë më 29 mars 2022, në moshën 83-vjeçare.