
Ambasador Flamur Gashi/
Arbëreshët u mblodhën në Koriliano në vitin 1895 dhe Ungër në vitin 1897, në dy kongrese për gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare shqiptare.
“Për ne vetë, për kombësinë tonë, për gjuhën tonë, për letërsinë tonë.” (…nga ftesa për Kongresin e Ungrës, sipas Giovanni Laviolës).
Në gusht të vitit 1895, gazeta “Il Mattino” e Napolit botoi një ftesë për shqiptarët e Italisë. Një komitet i kryesuar nga Jeronim De Rada i thërriste të mblidheshin në Koriliano të Kalabrisë për të kuvenduar mbi shkrimin e gjuhës shqipe.
Më 1–3 tetor, në gjimnazin Garopoli të Korilianos, u mblodhën 25 kongresistë arbëreshë. Deri te “Kongresi i Manastirit” mbeteshin trembëdhjetë vjet, deri te shpallja e “Pavarësisë së Shqipërisë”, shtatëmbëdhjetë.
Në krye të nismës ishte kryerilindasi ynë Jeronim De Rada. Kishte kaluar pothuajse gjysmë shekulli qëkur kishte nxjerrë në Napoli gazetën “L’Albanese d’Italia”, më 1848. Pas “Këngët e Milosaos”, Flamuri i Arbërit” dhe punimeve për gjuhën, De Rada kërkonte që përpjekjet e arbëreshëve për shqipen të merrnin edhe një formë të përbashkët organizimi.
Puna për njësimin e shkrimit të shqipes kishte nisur prej kohësh. Shqiptarët përdornin disa alfabete, ndër ta alfabetin e Stambollit të vitit 1879. Në Koriliano u mor për bazë varianti që De Rada kishte paraqitur në gramatikën e tij të vitit 1894. Synimi ishte një alfabet i njësuar për shqipen. Hapi i menjëhershëm, njësimi i shkrimit në botimet arbëreshe.
Më 2 tetor u themelua “Shoqëria Kombëtare Shqiptare”, me seli në Shën Mitër. Programi i saj përcaktonte pesë detyra: alfabetin, fjalorin, abetaren, botimin e një reviste italo-shqiptare dhe vendosjen e marrëdhënieve me mëmëdheun.
De Rada u zgjodh kryetar nderi, Pietro Camodeca de’ Coronei kryetar efektiv, ndërsa Anselmo Lorekio dhe Achille Tocci u përfshinë në drejtimin e shoqërisë.
Në atë program më ndal veçanërisht fjala mëmëdhe. Pas disa shekujsh në Itali, arbëreshët e vendosnin lidhjen me shqiptarët përtej Adriatikut ndër detyrat e një shoqërie që e quanin kombëtare shqiptare.
Nga Koriliano doli edhe revista “Ili i Arbëreshvet”, e drejtuar nga Antonio Argondizza. Numri i parë u botua më 1 gusht 1896.
Kongresi i dytë u mblodh në Ungër më 20–21 shkurt 1897. Ftesa u drejtohej edhe atyre që nuk mund të merrnin pjesë, duke u kërkuar ta mbështetnin nismën në një mënyrë tjetër. Kryetarëve të bashkive arbëreshe u bëhej thirrje e posaçme të merrnin vendime mbështetëse.
De Rada e mbajti fjalimin e hapjes në shqip. Shqip foli edhe kapiteni Pasquale Trifilio. Nicola Irianni, kryetari i bashkisë së Ungrës, u zgjodh nënkryetar i kongresit, ndërsa profesori Camillo Vaccaro sekretar. Merrnin pjesë veprimtarë nga disa vendbanime arbëreshe, ndër ta Vincenzo Bugliari, Francesco Chinigò, Raffaele Corrado, Anselmo e Luigi Lorekio dhe Giosafatte Bellizzi. Zef Skiroi e Pietro Kamodeka dërguan telegrame mbështetëse.
Një nga debatet më të rëndësishme lidhej me nenin 10 të statutit, i cili përjashtonte diskutimet politike nga shoqëria dhe revista e saj. Sipas Laviolës, Angelo Damis kërkoi ndryshimin e këtij kufizimi. Raffaele De Marco argumentoi se puna për kulturën e gjuhës nuk mund të ndahej plotësisht nga politika. Vaccaro propozoi heqjen e nenit. Kongresi e hoqi.
Kongresistët nuk kishin të njëjtat bindje për të ardhmen politike të Shqipërisë apo për rolin e Italisë. Vetë Damis mbrojti idenë e aneksimit të Shqipërisë nga Mbretëria Italiane, por ky ishte qëndrim i tij, jo vendim i kongresit. Ajo që vendosën bashkërisht ishte që çështja politike shqiptare të mos mbetej jashtë veprimtarisë së shoqërisë.
Në Ungër u rishikua statuti, selia e shoqërisë u zhvendos nga Shën Mitri në Ungër dhe kryetar u zgjodh Anselmo Lorekio. U vijua puna për alfabetin e fjalorin, u diskutua krijimi i një biblioteke me libra shqip dhe vepra për shqiptarët, si dhe u kërkua një katedër e shqipes në Institutin Oriental të Napolit. U propozua edhe një subvencion për Kolegjin “Shën Adriani”.
Pak përpara kongresit, më 15 janar 1897, Lorekio kishte nxjerrë numrin e parë të “La Nazione Albanese” – “Kombi shqiptar”. Gazeta u bë organ i shoqërisë dhe vijoi të botohej deri më 1924, duke mbajtur të hapur një hapësirë komunikimi për çështjen shqiptare përtej kufijve.
De Rada u nda nga jeta më 1903, pa arritur ta shihte e të merrte pjesë në Kongresin e Manastirin. Alfabeti i tij nuk u bë alfabeti i përbashkët i shqiptarëve. Por Koriliano dhe Ungra mbeten dy ngjarje të rëndësishme të Rilindjes sonë Kombëtare, si përpjekje të organizuara për t’i dhënë shqipes një shkrim të njësuar, libra, institucione dhe lidhje ndërmjet shqiptarëve.
Vizitat në Ungër e Shën Mitër, miqësia me të ndjerin At Antonio Belushi, bisedat me profesorët Francesco Altimari e Matteo Mandalà dhe puna e mikut tim Ylli Polovina ma kanë bërë edhe më të afërt këtë trashëgimi. U kthehem këtyre dy kongreseve me nderim dhe me dëshirën që t’i njohim më mirë. Do të doja që edhe studiuesit e institucionet tona t’u jepnin më shumë vend në botime, shkolla e kujtesën kombëtare.
Arbëreshëve u kemi një borxh mirënjohjeje.
Shqipëria dhe Kosova mund ta shprehin atë edhe duke mbështetur mësuesit, librat dhe fëmijët që mësojnë arbërishten.
Trembëdhjetë vjet para Kongresit të Manastirit, në Koriliano, ata kërkonin lidhjen me mëmëdheun. Sot na takon neve të kujdesemi për atë lidhje.