• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”

November 6, 2026 by s p

Akademik Emeritus Gjovalin Shkurtaj/

Në këtë përmbledhje janë përfshirë pjesë të zgjedhura nga kërkimet dhe studimet e mia rreth onomastikës shqiptare, fushë sëcilës, krahas dialektologjisë dhe sociolinguistikës, gjatë viteve të punës, si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe si pedagog në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, po edhe mbas daljes në pension, u kam kushtuar hulumtime, artikuj, kumtesa, si dhe librat e mi: “Onomastikë dhe etnoligustikë” (SHBLU, Tiranë, 2001 (288 f.), “Onomastikë dhe etnoligustikë” (botimi i dytë, i rivështruar dhe i pasuruar), Botime Universitare “ALBAS”, Tiranë, 2017 (291 f.) dhe “Enigma e emrave” (Përzgjedhja e emrit, shkurtimet ledhatuese dhe nofkat. Fjalorë shkurtimesh dhe emrash të pëlqyeshëm), Botime “Naimi” 2017 (f.301).Prej tyre, si dhe nga hulumtime të tjera në lëmin e etnolingustikës, po përzgjedhim (e po i përfshijmë në një vëllim më vete) pjesët më të rëndësishme, të cilat, ndërkaq, edhe kërkohen si mbështetje e studimeve të reja në lëmin e emrave tëvendeve e emrave vetjakë të shqipes, po dhe si literaturë kryesore në lëndën e onomastikës, që është pjesë programeve mësimore të fakulteteve filologjike në universitetet shqiptare. Natyrisht edhe për arsye të një botimi përfundimtar e duke bërë ,me këtë rast, edhe disa plotësime, shtesa endonjë “krasitje” të ndonjë rimarrjeje a përsëritjeje.

Falënderoj akademikun e nderuar, prof. dr. Shaban Sinanin, për gatishmërinë që tregoi për ta redaktuar këtë libër, si dhe për fjalët e vlerësimet e tij të shprehura në parathënien e botimit të parë tëlibrit “Enigma e emrave”, për të cilat i shpreh miradije e respekt.

Falënderimi im shkon dhe për ish-studentët e mi të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, të cilët, në rrjedhë të viteve, nëpërmjet detyrave të kursit në lëndën e sociolinguistikës, të kryera me ideimin e nën drejtimin tim, si dhe me anketime të ndryshme, më kanë sjellë shembuj ose saktësime interesante për emra të veçantë e sidomos për nofkat e zhargonit rinor e studentor.

Falënderoj të gjithë miqtë e të njohurit e shumtë, bashkëvendës, kolegë, njerëz të rrethit tim shoqëror e familjar, të cilët, gjatë viteve që punoja për grumbullimin e lëndës, si dhe sa herë më është dashur (edhe gjatë gatitjes së librit për shtyp), janë treguar të gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve e anketimeve të mia lidhur me zbunimet e emrave të vet ose të njerëzve të tjerë, të njohur prej tyre.

***

Prej kohësh në studimet albanologjike të dhënat e onomastikës dhe hulumtimet e shqyrtimet e hapëta rreth emrave të vendeve (toponimeve) dhe emrave të njerëzve (antroponimeve), bashkë me emrat familjarë (patronimet), kanë përbërë një mëtim të lakmueshëm për studiuesit më në zë. Madje, nuk mund të mos themi se, në hapat e parë të kërkimeve rreth shpjegimeve historike për gjuhën shqipe dhe në fazat e hershme të zhvillimit të saj, kanë qenë pikërisht emrat e vendeve dhe përgjithësisht onomastika e përmendur nëpër mbishkrime, pastaj edhe në shkrime të ndryshme, që kanë pasur rolin e dëshmuesve të pranisë së shqipes e të shqiptarëve në trojet e tyre të sotme. Mjafton të përmendim se shumë nga shpjegimet serioze rreth historisë së gjuhës shqipe e, madje, edhe për historinë e popullit shqiptar si vijues i ilirëve, të kulturës e të traditave shqiptare si trashëguese e vijuese të pandërmjetshme të kulturës, gjuhës e të historisë ilire, nga lashtësia deri në mesjetë e në ditët tona, janë shestuar, zhdavaritur e mbështetur sa me gërmimet arkeologjike, aq edhe me të dhënat e onomastikës iliro-shqiptare.

Onomastika ka qenë gur themeli e lëndë e parë me rëndësi parësore në të gjitha hulumtimet e shqyrtimet historiko-gjuhësore rreth iliro-shqiptarëve, së pari, për albanologët e huaj e arbëreshë, pastaj (në hullinë e tyre e me përmasa përherë e më të gjera) edhe për studiuesit shqiptarë. Në radhën e brezit të ri të gjuhëtarëve shqiptarë do të mëkëmbej sidomos “reparti mbledhës” i toponimisë dhe i antroponimisë së trevave shqiptare dhe, mbi atë lëndë, do të shestoheshin e kryheshin ndërmarrje të tjera studimore me interes e me prurje të reja. Për një kohë të gjatë e me ndihmesa të rëndësishme, onomastikës shqiptare i kanë kushtuar rreshta të shumtë dy mjeshtrat e mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe: prof. Eqrem Çabej, në Tiranë, që u priu mbarë studimeve tona, duke bërë rishqyrtimin kritik të asaj çka ishte thënë (herë mbarë e herë pa baza) nga studiuesit e huaj, po edhe zbatoi për herë të parë ndër ne një metodë pune, ku gërshetoheshin kundrimet nga shumë anë për të mbështetur e mbërritur në etimologjitë e sakta apo, në mos tjetër, sa më të pranueshme të toponimeve shqiptare; dhe prof. Idriz Ajeti në Prishtinë, i cili, gjithashtu, vuri gurë themeli në ngrehinën e studimeve objektive kushtuar onomastikës shqiptare.

Me raste të ndryshme dhe me trajtesa të rëndësishme onomastikës i janë kushtuar kumtesa, referime e artikuj edhe nga jo pak studiues të tjerë të mirënjohur. Vlejnë të përmenden ndihmesat e M. Domit, A. Kostallarit, Kolë Lukës e Palok Dakës, pastaj edhe të shumë të tjerëve. Hullitë e mbara të mjeshtrave të albanologjisë në fushën e onomastikës shqiptare, për fat të mirë, po ndiqen nga një numër i mirë studiuesish shqiptarë këtej e përtej kufijve të RSH-së.

Në një numër studimesh, toponimia shqiptare vijon të jetë si mbështetje për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e veta, si dhe përgjithësisht për lidhjet e ngushta të onomastikës me historinë e gjuhës shqipe ku mund të veçonim disa artikuj problemorë të S. Mansakut, si p.sh. “Autoktonia e shqiptarëve në dritën e të dhënave të toponimisë së lashtë”. Po ashtu meritojnë vëmendje të veçantë disa trajtesa të Rexhep Ismajlit, si “Disa çështje të onomastikës shqiptare të mesjetës” dhe “Mbi disa toponime në Serbi të Jugut dhe në Maqedoninë e Veriut” (GjA., 1-2, 1970) etj. Përmendim edhe “Studime për onomastikën historike” të Fran Lulit (Shkodër, 2005), “Trajtesa onomastike” të Bahtiar Kryeziut (Prishtinë, 2010); pastaj një varg librash e trajtesash kushtuar standardizimit të onomastikës, ku shquajnë botimet e Begzad Baliut, si: “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës” (Tiranë, 2006); “Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan” (Prishtinë, 2004) dhe “Onomastikë dhe identitet” (Prishtinë, 2012).

Shqyrtime interesante dhe me rezultate të tumirueshme për onomastikën shqipe të anëve të Ulqinit e më gjerë të trevave shqiptare në Mal të Zi ka sjellë në këta dhjetëvjeçarët e fundit edhe Ruzhdi Ushaku. Kemi parasysh, sidomos, librin e tij “Ulqini në gjurmët e shekujve”, Ulqin, 1991 dhe studimin “Një rishqyrtim i prejardhjes së hidronimit Buna” (“Filologji”, 1997, nr. 4) dhe “Hulumtime etnolinguistike” (Prishtinë, 2000) e “Ulqini në përmasa kërkimi e frymëzimi” (Ulqin, 2010).

Ndihmesë me rëndësi në studimin e onomatikës shqiptare përbën edhe Simpoziumi Shkencor i mbajtur më 25-27 shkurt 1977 nga Institutit Albanologjik i Prishtinës, ku u shqyrtuan probleme me rëndësi të toponimisë së lashtë, të onomastikës mesjetare e të onomastikës së sotme. Në këtë Simpozium u mbajtën 45 kumtesa e referime shkencore nga studiues të Institutit Albanologjik të Prishtinës, nga pedagogë të Fakultetit Filozofik e të disa fakulteteve të tjera të Universitetit të Prishtinës, si edhe nga Enti i Historisë së Kosovës, nga Shkolla e Lartë Pedagogjike e Prishtinës dhe e Prizrenit, nga shumë të ftuar të tjerë nga trevat shqiptare e më gjerë. Lënda e vlefshme e këtij Simpoziumi është botuar në vëllimin “Onomastika e Kosovës” (Prishtinë, 1979, 624 faqe), të cilit edhe i jemi referuar shpesh në studimet tona të mëparshme, si edhe në faqet e këtij libri. Shtojmë se, me rëndësi të tillë është edhe përmbledhja me titull “Toponimia e Gjakovës me rrethinë” (Gjakovë, 2002), ku janë përmbledhur kumtesat e tryezës shkencore të mbajtur më 4 maj 2001, një botim serioz me redaksinë e përbërë nga akad. Besim Bokshi, prof.dr. Qazim Lleshi, prof.dr. Edi Shukriu, prof.dr. Shefki Sejdiu, prof.dr. Rexhep Doçi, prof.dr. Masar Rizvanolli dhe Mevlude Saraçi.

Përmbledhja përmban një numër të madh kumtesash me rëndësi teorike e praktike rreth onomastikës, si: “Kontribut për ndriçimin e toponimisë së një treve me rëndësi” (nga M.Rizvanolli), kushtuar emrave të vendbanimeve të Gjakovës; “Standardizimi i emrave të venbanimeve të Kosovës” (Jusuf Osmani); “Rreth disa parimeve emërtuese të toponimisë së Kosovës” (Shefki Sejdiu); “Standardizimi i onomastikës së Kosovës dhe universi i saj” (Begzad Baliu); “Rreth disa emërvendeve me burim të shqipes në disa anavende të Kosovës” (Abdullah Zymberi); “Trashëgimia arkelologjike në kontekst të ndryshimeve të toponimeve (Komuna e Gjakovës)” (Edi Shkuriu); “Të dhënat arkeologjiko-toponimike për trevën e Gjakovës” (Exhlale Dobruna-Salihu); “Çështje të onomastikës së Gjakovës” (Qazim Lleshi); “Mbi disa toponime të rrethinave të Gjakovës” (Latif Mulaku); “Rreth prejardhjes së toponimit Gjakova dhe të disa toponimeve të Komunës së Gjakovës (Rexhep Doçi); “Disa çështje të oronimisë dhe të hidronimisë” (Ruzhdi Pllana); “Tipet e fjalëformimit të emërvendeve në rrethinën e Gjakovës” (Mehmet Halimi); “Onomastika e disa vendbanimeve mesjetare të arealit të Gjakovës” (Sipas defterëve osmanë të shek.XV-XVI) (Iliaz Rexha); “Përkime onomastike të regjionit të Prokupljes dhe të atij të Gjakovës…” (Sabit Uka); “Toponimet e Gjakovës” (Abdullah Konushevci); “Disa të dhënë rreth toponimisë së Dushkajës” (Skënder Hoxha); “Toponomastika e Hasit të Gjakovës” (Hysni Halilaj-Bedri Muhadari); “Një vështrim për disa vendbanime të Hasit në veprën e Milenko Filipoviqit” (Sabri Rexhepi).

Përmbledhja ka edhe një numër diksutimesh e ndihmesash të tjera me interes nga kjo fushë. Nga lënda e botuar në vëllime më vete meritojnë të përmenden kryekreje librat e H.Krahe-s “Die altern balcanillyrischen geographischen Namen”, Heidelberg, 1925; i E. Armao-s “Localita’, chiese, fiumi, monti e toponimi vari di un’ antica carta dell’ Albania Settentrionale”, Roma, 1933 dhe “Acta et Diplomata Veneta…” botuar nga Zef Valentini, të cilave nuk mund të mos u referohet cilido që ia hyn punës në lëmin e onomastikës shqiptare. Për pasurinë e madhe e të larmishme përmendim edhe “Fjalori onomastik i Epirit” (Tiranë, 1995) i Fatos M. Rrapajt, ku përmblidhen toponimet dhe patronimet e Çamërisë dhe të trevave të tjera të Shqipërisë Jugore, një punë me të vërtetë madhore e me vlerë; “Fjalor biblik dhe i termave kishtarë” (Shkodër, 2004) i Fran Lulit. Me interes e prurje të pasura është edhe përmbledhja “Velça-Toponimia dhe antroponimia” (Tiranë, 2003) nga Lilo D. Nuraj. Lëndë të vlefshme onomastike kanë pasur edhe gati të gjitha monografitë e skicat dialektologjike të botuara në revistat dhe në përmbledhjet shkencore të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë (“Buletini i Shkencave”, “Studime Filologjike”, “Dialektologjia Shqiptare”(I-VI) dhe në botimet e Institutit Albanologjik të Prishtinës (“Gjurmime Albanologjike”, “Studime Gjuhësore-Dialektologji”) etj.; mjaft lëndë onomastike dhe shkrime për këtë fushë ka botuar në Kosovë edhe revista “Përparimi”.

Mund të përmendim, në mënyrë të veçantë, ndihmesat e një numri studiuesish të dhënë pas hulumtimeve në lëmin e onomastikës së Kosovës e më gjerë, si S. Gashi, M. Pirraku, M. Halimi, H. Kajtazi, L. Mulaku, A. Zymberi, Q. Murati etj., të cilët, krahas (e në shërbim të) punës kërkimore shkencore në drejtimet përkatëse, për vite me radhë, nuk iu reshtën hetimit e mbledhjes në terren të toponimeve e të antroponimeve shqiptare. Pa përmendur lëndën e mbledhur e të pabotuar, por të depozituar në arkivat e sektorëve shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, që urojmë të botohet një ditë, studiuesve të lartpërmendur u detyrohen prurje të rëndësishme onomastike nga një numër i madh katundesh e krahinash të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi etj., ku kanë bërë ekspedita kërkimore.

Shohim me kënaqësi se, edhe në vitet e fundit, onomastika ka pasur vendin e duhur në hetimet dhe trajtesat shkencore, si në qarqet shkencore e universitare të Shqipërisë, ashtu edhe në Kosovë e më gjerë, në qendrat shkencore e universitare të hapësirave shqiptare ballkanike. Me vlerë të veçantë për t’u përmendur janë, ndër të tjera, një numër studimesh rreth onomastikës shqipe të trevave të Kosovës e të Maqedonisë, si shqyrtimet onomastike nga M. Halimi, botuar në revistat shkencore dhe, pjesërisht, të përfshira edhe në librin e tij “Vështrime gjuhësore”, 1993 të Qemal Muratit, prej të cilave veçojmë librin e tij “Dëshmi onomastike për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Maqedoni”, 1993.

Kanë qenë të mirëseardhura, këto vitet e fundit, një numër i mirë studimesh monografike, kryesisht disertacione për gradën e doktorit të shkencave filologjike, me anën e të cilave pothuajse është plotësuar një areale e hapët, ndoshta edhe gati shteruese, e hetimeve dhe e përshkrimeve dialektologjike dhe onomastike të trevave shqiptare në Kosovë e në Maqedoni. Po përmend, me këtë rast, se kam lexuar dhe vlerësuar me kënaqësi monografinë “Onomastika e Hashanisë” të Baftjar Kryeziut nga Gjilani. Me mjaft interes kam ndjekur edhe disa studime e teza doktorate të kohëve të fundit nga studiues shqiptarë të trevave të Maqedonisë, nga të cilat janë për t’ u përmendur kërkimet e Haki Ymerit “Patronimet dhe mikrotoponimet e regjionit te Lipkovës” 1985 dhe “Mikrotoponimet e regjionit të Markova Rekës”, si edhe një studim doktorate të Xhemaludin Idrizit “Mikrotoponmia e Karshiakës së Shkupit” (2003). Një studim të gjerë ka kryer e botuar edhe Izmit Durmishi në temën e tij të masterit me titull “Vëzhgime gjuhësore mbi toponiminë dhe antroponiminë e Pollogut të Epërm të Gostivarit” (Gostivar, 2008).

Po ashtu, nga botimet e këtyre viteve të fundit te ne, mund të veçojmë librat e Jusuf Shpuzës “Vëzhgim për emrat familjarë të shqiptarëve” (Shkodër, 1998) dhe “Përsiatje onomastike” (Shkodër, 2008). Po ashtu edhe librin “E folmja dhe toponimia e Qeparoit” (Tiranë, 2001) nga Natasha Sotiri.

Me vlerë njohëse dhe kodifikuese për drejtshkrimin e emrave të vendeve kanë qenë, në këto vitet e fundit, edhe “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë” (Tiranë, 2002), hartuar nga Emil Lafe e Nikoleta Cikuli; “Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanovcit” (Prishtinë, 2006) nga Bahtiar Kryeziu; “Mikrotoponimet në vendbanimet shqiptare të rrethit të Prilepit, Krushevës dhe Velesit” (Shkup, 2010) nga Mustafa Ibrahimi dhe “Fjalor i patronimeve të shqiptarëve” (Tiranë, 2011) nga Çlirim Bidollari.

Shumë vjet më parë, në kohën kur punoja në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, jam marrë për një periudhë bukur të gjatë me problemet teorike dhe metodike të studimit të onomastikës shqiptare. Ishte koha kur mbledhja e toponimeve në trevat shqiptare shtrohej si detyrë e ngutshme shkencore, po edhe kombëtare, detyrë të cilën, krahas gjuhëtarëve specialistë, duhej ta kryenin edhe arsimtarë e dashamirë të shqipes nga rrethet që mund të mos i kishin përgatitjen e dijet e nevojshme për një punë të tillë, porse kishin dëshirën e mirë e gatishmërinë për të kryer një punë vullnetare në të mirë të kulturës kombëtare e të shkencës sonë. Për t’u ardhur në ndihmë mbledhësve, po edhe për t’i orientuar sadopak kërkimet në fushën e onomastikës, aso here qenë bërë edhe jo pak veprimtari e seminare teoriko-praktike në Tiranë e në disa zona më kryesore, si edhe një “fushatë shkencore” në shtyp e në radiotelevizionin shqiptar.

Dua të kujtoj se, bashkë me të ndjerin prof. Mahir Domi, që drejtonte Sektorin tonë të gramatikës e të dialektologjisë, kemi shkruar disa artikuj dhe një “Pyetësor për mbledhjen e toponimisë shqiptare”. Në një sesion shkencor të organizuar në Kabash të Pukës pata mbajtur edhe një kumtesë ku shtroja pikërisht disa probleme teorike dhe metodike të studimit të onomastikës shqiptare. Ndërkaq, “mikrobi” i shqyrtimeve dhe i hulumtimeve në fushën e onomastikës, ndonëse pa qenë i dhënë mirëfilli pas asaj dege, nuk do të më hiqej asnjëherë. Kam shkruar më se një herë për dyzimet e emrave të njerëzve, që kanë si shkak zbunimin dhe faktorë të tjerë shoqërorë, duke kaluar, me kohë, në trajtimin e tyre si një pjesë e rëndësishme e sociolinguistikës shqiptare, kam bërë shqyrtime semantike dhe strukturore rreth toponimisë shqiptare si dhe, pa u ndjerë, kam vijuar gjithnjë të ndjek, të shënoj e të hulumtoj rreth onomastikës sonë. Më vjen mirë se, ndërkaq, gjithandej këta dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit, ka pasur një shtim të dukshëm jo vetëm të lëndës së mbledhur e të botuar, po edhe të studimeve e, sidomos, të doktoratave të mbrojtura me tema nga fusha e onomastikës.

Shpresoj që onomastika shqiptare të jetë edhe më tej në vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe të dhënat e dëshmitë e rëndësishme të saj të përdoren me fryt për t’i shpënë më tej piketat e shpjegimeve, shqyrtimeve dhe argumentimeve rreth historisë së gjuhës shqipe. Këtij mëtimi madhor të shkencave albanologjike synon t’u bashkohet, natyrisht në mënyrë modeste, edhe kjo parashtresë që po ua vëmë në dorë lexuesve të nderuar.

Filed Under: Sofra Poetike

LETËR NGA BURGU FEDERAL

November 1, 2026 by s p

Aleksandër Nilaj – Brooklyn, New York

27 tetor 2026, ora 10:45 PM/

Unë, i juaji Aleksandër Nilaj, që prej datës 13 tetor 2026, ndodhem i burgosur nga autoritetet e emigracionit amerikan (ICE).

Nga data 13 tetor deri në mëngjesin e 20 tetorit kam qëndruar në qendrën e ndalimit Delaney, në New Jersey. Më 20 tetor më transferuan në Metropolitan Detention Center, një burg federal në Brooklyn, New York.

Sot, unë dhe familja ime jemi të copëtuar, të ndarë nga njëri-tjetri dhe po përjetojmë momente tragjike, të mbushura me frikë, dhimbje dhe atë që lirisht mund ta quaj terror psikologjik.

Ashtu siç shumë prej jush e dini, unë dhe bashkëshortja ime jetojmë në Amerikë prej 20 vitesh, duke punuar me ndershmëri, duke respektuar ligjin dhe duke u përpjekur të ndërtojmë një jetë të denjë për familjen tonë.

Zoti na ka bekuar me dy fëmijët tanë të mrekullueshëm, Annabella dhe Daniel, të dy të lindur në tokën e bekuar amerikane.

Rreth 15 vite më parë, themelova organizatën humanitare Albanian American Open Hand Association – Food Pantry.

Gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur fatin dhe bekimin të ndihmojmë mijëra njerëz në nevojë, jo vetëm në New York dhe më gjerë, por edhe në vendlindjen tonë, në trojet shqiptare, në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Kosovë, si dhe në vende të tjera të botës, përfshirë Nepalin, Republikën Dominikane, Xhamajkën dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Kemi ofruar ndihma me ushqime, ujë, veshmbathje, maska dhe dezinfektues gjatë pandemisë COVID-19, karroca për personat me aftësi të kufizuara, si dhe kemi kontribuar në rindërtimin e disa banesave për familje në nevojë.

Të gjitha këto janë bërë të mundura falë njerëzve zemërmirë, të cilët më kanë besuar mua personalisht dhe kanë mbështetur misionin tonë humanitar.

Por sot, nga pas hekurave të këtij burgu federal, dua t’ju përcjell një mesazh që më buron nga thellësia e shpirtit.

Unë, Aleksandër Nilaj, së bashku me gjithë familjen time, ju jemi pafundësisht mirënjohës.

Dëshiroj t’ju falënderoj, një për një, të gjithëve:

Ju që keni nënshkruar peticionet në mbështetjen tonë.

Ju që keni dalë në rrugë dhe jeni bashkuar për të ngritur zërin për ne.

Ju që keni shkruar letra në mbrojtjen tonë.

Ju që jeni lutur dhe vazhdoni të luteni për ne.

Ju që keni derdhur lot, apo keni ndier dhimbje në shpirt për atë që po kalojmë.

Ju që na keni qëndruar pranë në këto ditë jashtëzakonisht të vështira.

Falënderoj nga zemra politikanët, gazetarët, kanalet televizive, përfaqësuesit e mediave, të gjithë ata që kanë shpërndarë historinë tonë në Facebook, Twitter, Instagram dhe nëpërmjet mesazheve personale.

Falënderoj anëtarët e organizatave të ndryshme, klerikët e të gjitha besimeve fetare dhe çdo njeri që, në një mënyrë apo në një tjetër, është bërë pjesë e historisë sonë.

Ju nuk jeni thjesht njerëz që na keni mbështetur. Ju jeni bërë pjesë e jetës sonë, e dhimbjes sonë dhe e shpresës sonë.

Unë, nga ky burg federal, pas këtyre hekurave të ftohtë, nuk kam mundësi të bëj asgjë më shumë sesa t’ju mbaj të gjithëve në lutjet e mia.

Zoti jua shpërbleftë me të mira juve dhe familjeve tuaja!

Gjithmonë i jam lutur Zotit që t’i mbrojë nga çdo e keqe dhe çdo rrezik të gjithë ata mijëra e mijëra njerëz që sot po ngrenë zërin për ne, për të gjithë ne që ndodhemi të pambrojtur dhe që nuk kemi as mundësinë më të vogël për të mbrojtur veten.

Zoti ju bekoftë!

Lutem edhe për ata që na kanë njohur në jetën e përditshme, por që nuk kanë gjetur forcën apo dëshirën për t’u lutur për ne, ndoshta sepse zemrat e tyre janë rënduar nga e keqja.

O Zot, çliroji zemrat e tyre nga çdo e keqe dhe mbushi me mirësi, paqe e dashuri!

Në çdo moment i lutem Zotit që ta mbajë të hapur derën e organizatës sonë, Open Hand Association, ta mbrojë atë, së bashku me të gjithë anëtarët dhe vullnetarët e saj.

Lutem që Zoti t’i mbrojë dhe t’i bekojë të gjithë ata njerëz që na kanë ndihmuar gjatë këtyre 15 viteve të bekuara, qoftë me ushqime, materiale të ndryshme apo donacione financiare.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Me ndihmën tuaj dhe me bekimin e Zotit, unë besoj se Open Hand Association Food Pantry do ta vazhdojë përjetësisht misionin e saj të bekuar humanitar, për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë.

Dua gjithashtu t’u kërkoj ndjesë, nga thellësia e zemrës, të gjithë atyre qindra personave të moshuar, familjeve me fëmijë të vegjël dhe personave me aftësi të kufizuara, të cilët sot presin përpara asaj dere me shpresën se ajo do të hapet përsëri.

E di që shumë prej jush presin ato pak ushqime që mund t’ju lehtësojnë sadopak jetën. Por e di gjithashtu se për shumë prej jush, ajo derë nuk ka qenë vetëm një vend ku merrnit ushqime.

Ajo derë ka qenë një derë shprese, dashurie dhe njerëzillëku.

Ju kërkoj ndjesë që sot nuk kam mundësi të jem fizikisht pranë jush, t’ju shtrëngoj dorën, t’ju përqafoj apo t’ju them një fjalë të mirë, ashtu siç kam bërë gjithmonë.

Por dua ta dini se zemra ime është dhe do të mbetet pranë jush.

Lutjet e mia janë për secilin prej jush, pa asnjë dallim, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.

Ndoshta nuk do të më jepet më kurrë mundësia të jem fizikisht pranë jush.

Ndoshta nuk do të mund ta hap më vetë atë derë, për t’ju pritur me buzëqeshje dhe për t’ju shërbyer ashtu siç kam bërë për kaq shumë vite.

Por një gjë jua premtoj:

Me zemër, me lutje dhe me dashuri të pakufishme, unë do të jem gjithmonë pranë secilit prej jush.

Këtë jua premtoj deri në frymëmarrjen time të fundit.

Sot, me sytë e përlotur, me zemrën e lënduar dhe me shpirtin e rënduar nga dhimbja, vazhdoj të lutem për ju.

Lutem që Zoti t’ju bekojë me të gjitha mirësitë e Tij.

Ju dhëntë paqe, dashuri, shëndet, lumturi dhe forcë për të përballuar çdo vështirësi të jetës.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Me respekt, mirënjohje dhe dashuri të përjetshme,

I juaji,

Aleksandër Nilaj

Metropolitan Detention Center

Brooklyn, New York

27 tetor 2026

Filed Under: Sofra Poetike

Udhët e mallit…

October 29, 2026 by s p

Artan Dauti/

Përse klithin pulëbardhat? Tetori po mbaronte, por dielli ende i mbante njerëzit buzë oqeanit. Ishin ulur në një stol të shëtitores së Staten Island-it, aty ku dërrasat kishin marrë ngjyrën e kripës dhe të viteve. Ajo kishte zbërthyer pallton dhe ia kishte kthyer fytyrën diellit. Ai mbante duart mbi gjunjë dhe vështrimin larg, përtej anijeve që rrëshqisnin pa zhurmë në vijën e horizontit.

Pas tyre kalonin njerëz. Dëgjoheshin hapa, rrota biçikletash, ndonjë fjalë e shkëputur. Përpara, valët vinin të ulëta dhe shuheshin mbi rërë, duke lënë një buzë të hollë shkume. Një pulëbardhë u shkëput nga të tjerat. U ul aq pranë ujit, sa për një çast iu bashkua shëmbëllimit të vet, pastaj u ngrit duke klithur.

Ajo e ndoqi me sy.

— Përse klithin pulëbardhat?

Ai nuk u përgjigj menjëherë. Vështroi shpendin që po largohej, pastaj u kthye nga ajo.

— Do të të tregoj një legjendë.

Ajo u mbështet në stol dhe priti.

— Në një port të vjetër, shumë kohë më parë, gratë i përcillnin burrat me shami të bardha…

Në mëngjeset e nisjes, porti zgjohej pa zbardhur dita. Nëpër kalldrëm dëgjoheshin hapa të nxituar, thirrje marinarësh dhe kërcitja e fuçive që rrokulliseshin drejt anijeve. Litarët e lagur linin mbi duar erën e detit.

Burrat niseshin për luftë, për të zbuluar toka të reja, për të zënë peshk e për të mbajtur familjet. Kishte djem që hipnin për herë të parë në anije dhe përpiqeshin të dukeshin të rritur nën vështrimin e etërve.

Në breg mbeteshin gratë.

Nënat ua ndreqnin edhe një herë jakat djemve, megjithëse ua kishin ndrequr në shtëpi. Gratë u fusnin burrave në trastë diçka të harruar me qëllim, vetëm që t’i mbanin edhe pak pranë. Vajzat rrinin më tutje, me fjalë që nuk guxonin t’i thoshin mes njerëzve.

Pastaj tërhiqej litari i fundit.

Mbi breg valëviteshin shamitë e bardha.

Nga kuverta, burrat i dallonin gjatë. Edhe kur fytyrat humbitnin dhe njerëzit bëheshin hije, shamitë dukeshin ende. Lëviznin mbi kokat e atyre që mbeteshin, derisa bregu tretej në mjegull.

Ditët e kthimit, gratë vinin herët.

E njihnin anijen nga pjerrësia e direkut, nga një velë e arnuar. Secila besonte se do ta dallonte e para njeriun e vet mes burrave në kuvertë.

Kishte kthime me zhurmë e përqafime. Fëmijë që u vareshin etërve në qafë. Trasta që hapeshin mbi tavolinë.

Por kishte edhe anije që vonoheshin.

Atëherë gratë qëndronin pak më gjatë në port. Flisnin për erën, për ndonjë liman ku burrat mund të ishin strehuar. Dikush sillte një lajm të dëgjuar larg dhe ato afroheshin për të mos humbur asnjë fjalë.

Në shtëpi, rrobat e burrave mbeteshin të palosura. Një djalë rritej dhe mësonte të ngrinte vetë kovën nga pusi.

Gratë ktheheshin sërish në breg.

I mbanin shamitë në pëllëmbë. I shpalosnin kur shfaqej ndonjë anije dhe i mblidhnin ngadalë kur kuptonin se nuk ishte ajo që prisnin.

Me to fshinin sytë.

— Po pastaj? — pyeti ajo.

Ai uli vështrimin te duart e veta.

— Pastaj erdhi një dimër i gjatë.

Atë dimër deti solli në breg copa druri, një fuçi të çarë dhe një rrem të thyer. Gratë zbrisnin e i kthenin dërrasat nga të dyja anët, duke kërkuar një shenjë, një ngjyrë të njohur.

Njëra gjeti një copë nga emri i anijes.

U ul mbi gurët e lagur, duke e mbajtur drurin në prehër. Kaloi gishtat mbi shkronjat e mbetura dhe filloi të vajtonte. Të tjerat iu mblodhën pranë.

Një grua thërriste të birin me emrin që i kishte vënë në djep. Një tjetër përsëriste fjalët që burri i kishte thënë në nisje. Një vajzë mbante shaminë përpara gojës dhe nuk nxirrte dot zë.

Atëherë fryu një erë e ftohtë nga deti.

Ia rrëmbeu shaminë njërës, pastaj tjetrës. Gratë zgjatën duart për t’i kapur, por shamitë kishin kaluar përtej gurëve.

Për një çast u duk se do të binin mbi dallgë.

Por pëlhura u tendos në ajër. Cepat u zgjatën në krahë dhe nisën të rrihnin erën. Mbi pendët e bardha mbeti një hije e murrme, aty ku ishin tharë lotët.

Shamitë po merrnin frymë.

Një klithmë u dëgjua mbi ujë. Pastaj një tjetër. Gratë ngritën kokat. Në ato klithma njihnin zërat e tyre, emrat që sapo kishin thirrur.

Pulëbardhat u ulën mbi dallgë dhe u ngritën sërish.

Mbi gurët e lagur, gratë mbetën me duart ende të zgjatura.

Ai heshti.

Një fëmijë kaloi pranë stolit, duke tërhequr të atin nga dora. Diku pas tyre ra zilja e një biçiklete.

Ajo vazhdonte të shihte pulëbardhat.

— Dhe që atëherë… — tha ngadalë.

— Që atëherë sillen pranë anijeve. I përcjellin kur nisen dhe u dalin përpara kur kthehen.

— Po çfarë kërkojnë?

Ai ndoqi me sy një anije të largët.

— Ndoshta njohin ende ndonjë fytyrë.

Ajo u kthye nga ai.

— Ku e ke dëgjuar këtë legjendë?

Ai fërkoi lehtë pëllëmbët mbi gjunjë.

— Kam lexuar një poezi në një libër, “Udhët e mallit”. Quhet “Në portin e vjetër”. Më mbetën në mendje shamitë e përlotura, pulëbardhat… Pastaj, sa herë vija këtu dhe dëgjoja klithmat e tyre, më kujtoheshin ato vargje.

— Dhe legjenda?

Ai buzëqeshi lehtë.

— Legjenda erdhi më pas.

Ajo e vështroi për pak. Pastaj ia mbështeti dorën mbi të tijën.

— Ma thuaj poezinë.

Nga xhepi i palltos ai nxori telefonin. E kërkoi mes faqeve që kishte ruajtur. Kur e gjeti, qëndroi një çast me sytë mbi titull, pastaj ia afroi edhe asaj.

Dielli kishte zbritur. Nga deti po vinte freskia e mbrëmjes.

U afruan pak më shumë me njëri-tjetrin dhe ai nisi të lexonte:

Në portin e vjetër

Sa lotë janë derdhur këtu,

në portin e vjetër që hesht,

përqafime dhe shtrëngime pa fund,

puthjebuzësh e përshpërima në vesh.

Anija nisej në udhë pa kthim,

djemtë dhe burrat kokën mbajnë pas,

me shpresën që një ditë do vijnë,

të puthin sërish dashurit’ plot gaz.

Shamitë e përlotura në ajër,

pulëbardha ndjenjash mbi anije,

me klithma çjerrëse luteshin,

derisa gjithçka kthehej në hije.

Tashmë trungjet gjysmë të vdekur,

asgjë nuk kujtojnë për kohën tjetër,

veç klithmat e pulëbardhave ndihen,

klithmaçjerrëse mbi portin e vjetër.

Tetor 2026 (Foto IA)

Filed Under: Sofra Poetike

Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin

October 20, 2026 by s p

Poeti, historiani, gazetari, përkthyesi dhe veprimtari i arsimit kombëtar dhe i kulturës, Naim Frashëri, u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll, Turqi. Ai lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje mori mësimet e para. Më 1865, familja u shpërngul në Janinë, ku, bashkë me vëllanë më të vogël, Samiun, përfundoi gjimnazin grek “Zosimea”.

Më vonë punoi për disa muaj në Stamboll si nëpunës në zyrën e shtypit, por u prek nga tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për një klimë më të përshtatshme. Pas rikthimit në Shqipëri, punoi si nëpunës në Berat dhe më pas si doganier në Sarandë (1872–1877). Në këtë periudhë shkroi edhe poezitë e para në gjuhën shqipe.

Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, e më pas “Dituria” (1885), ku botoi edhe shumë prej prozave dhe vjershave të tij.

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku një nga udhëheqësit ishte Abdyl Frashëri, vëllai i tij më i madh si dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Sami Frashëri, Naimi iu përkushtua tërësisht letërsisë dhe çështjes kombëtare shqiptare. Krijimtaria e Naim Frashërit përfshin vepra poetike, tekste shkollore, përkthime dhe botime me karakter historik e edukativ. Ndër veprat e tij janë Ëndërrimet (Tahayyulat), botuar në Kostandinopojë; Bagëti e bujqësija, botuar në Bukuresht më 1886; dhe Luletë e verësë, botuar në Bukuresht më 1890.

Në fushën e arsimit, Naimi dha një kontribut të rëndësishëm përmes teksteve mësimore, ndër të cilat përfshihen “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, pjesa e parë dhe pjesa e dytë; “Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para”, si dhe “Vjersha për mësonjëtoret të para”, të botuara në Bukuresht më 1886. Në të njëjtin vit u botua edhe vepra “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”.

Përmes krijimtarisë së tij të gjerë, Naim Frashëri i këndoi dashurisë për atdheun, gjuhës shqipe, natyrës, historisë dhe krenarisë kombëtare. Vepra e tij luajti një rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe në zhvillimin e letërsisë shqipe, duke e bërë një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare.

www.akad.gov.al

Filed Under: Sofra Poetike

Më dhemb ajo që po shoh nga larg

October 20, 2026 by s p

Gazi Aga/

Më dhemb kur mendoj se jemi një nga popujt më të vjetër të botës, por po shpopullohemi dita-ditës. Me dhemb për rininë tonë, me kapacitete të larta, që flet 3-4 gjuhë të huaja, por ëndrrën më të madhe e ka të largohet nga vendi i vet.

Më dhemb për prindërit që luten që fëmijët e tyre të mund te ndertojne nje jete jashte Shqiperise, sepse nuk shohin me shprese per ta brenda saj.

Me dhemb per te varferit qe ndihen te detyruar te shesin voten per 50 euro, duke shitur bashke me te edhe nje pjese te se ardhmes se tyre.

Me dhimbsen edhe policet, kur mendoj se mund te nxiten me para te ushtrojne dhune ndaj djemve dhe vajzave te vendit te tyre, ne vend qe te jene garantues te ligjit dhe sigurise per te gjithe.

Me dhemb kur shoh akuza per lidhje mes pushtetit, krimit te organizuar dhe droges, nderkohe qe qytetaret kerkojne institucione te besueshme, drejtesi dhe liri.

Si te mos dale nje protestues me maske, kur kryeministri i vendit i kercenon protestuesit me perjashtim te perjetshem nga puna?

Si te mos kete frike nje i ri, kur etiketime si «armik» apo «tradhetar» mund te kthehen ne mjete presioni dhe kur ai ndien se nuk ka me as hapesiren per te qendruar, as mundesine per t’u larguar me dinjitet?

Dhe nje pyetje qe kerkon pergjigje: Pse dalin ne terren civile dhe police pa numer apo shenja identifikuese, kur transparenca dhe pergjegjesia duhet te jene themeli i cdo veprimi policor?

Nuk kam qene dhe nuk do te jem kurre mbeshtetes i dhunes se turmave, por kjo nuk e perjashton pergjegjesine e nje klase politike qe, sipas perceptimit dhe pervojes se shume shqiptareve, i ka lenduar per dekada me radhe: mendesisht, shpirterisht dhe fizikisht.

Nuk mund te kerkojme qetesi duke mbyllur syte para padrejtesise. Nuk mund te kerkojme bindje duke ushqyer friken. Dhe nuk mund te kerkojme dashuri per atdheun nga njerez qe ndihen te braktisur prej tij.

Shqiperia nuk eshte thjesht nje cope toke. Eshte shtepia jone, kujtesa jone, femijet tane dhe e ardhmja jone. Nje vend nuk zbrazet vetem kur njerezit largohen fizikisht; ai zbrazet edhe kur ata humbasin besimin se mund te jetojne me dinjitet ne vendin e tyre.

Nje fjale e urte thote:

«Kur nuk ngrihesh nga kolltuku, ndoshta eshte sepse e ke lagur ate.»

Ndoshta ka ardhur koha qe secili prej nesh te pyese veten: A po heshtim sepse kemi frike, sepse kemi humbur shpresen, apo sepse kemi filluar te perfitonim nga heshtja?

Sepse Shqiperia nuk ka nevoje per me shume urrejtje. Ka nevoje per drejtesi, pergjegjesi, dinjitet dhe shprese.

Dhe mbi te gjitha, ka nevoje qe femijet e saj te mos e shohin largimin si te vetmen rruge drejt nje jete me te mire.

Filed Under: Sofra Poetike

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 142
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT