• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LENNOX HERALD (1979) / “PËRVOJA IME SHQIPTARE!” — RRËFIMI EKSKLUZIV I MURDO MACLEOD (FUTBOLLISTIT TË CELTIC) PAS KTHIMIT NGA TIRANA

July 7, 2026 by s p


Pas kthimit nga udhëtimi i tij në Shqipëri, Murdo MacLeod me bashkëshorten Mhairi dhe vajzat Gilan dhe Mhairi (anëtarja më e re e familjes). — Burimi : Lennox Herald, e premte, 28 shtator 1979, ballinë.
Pas kthimit nga udhëtimi i tij në Shqipëri, Murdo MacLeod me bashkëshorten Mhairi dhe vajzat Gilan dhe Mhairi (anëtarja më e re e familjes). — Burimi : Lennox Herald, e premte, 28 shtator 1979, ballinë.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Korrik 2026

Gazeta skoceze “Lennox Herald” ka botuar, të premten e 28 shtatorit 1979, në ballinë, rrëfimin ekskluziv asokohe të Murdo MacLeod (futbollistit të Celtic) pas kthimit të tij nga Tirana, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Përvoja ime shqiptare!

Burimi : Lennox Herald, e premte, 28 shtator 1979, ballinë.
Burimi : Lennox Herald, e premte, 28 shtator 1979, ballinë.

Murdo MacLeod tregon se si është në të vërtetë jeta atje

Ekskluzive nga Eric Wishart

Futbollisti i Celtic-ut nga Dumbartoni, Murdo MacLeod, kryqëzoi duart pas kokës, ngriti këmbët mbi tavolinën e sallonit dhe tha me një buzëqeshje ironike:

«Epo, të paktën kishte një gjë të mirë në Shqipëri – gratë bënin gjithë punën.»

Murdo zbuloi se kishte pak arsye për t’u gëzuar në atë vend të vogël, i cili kishte jetuar nën regjimin e hekurt të Enver Hoxhës që nga vitet 1940.

«Më pëlqeu udhëtimi,» tha ai disa orë pasi ishte kthyer në shtëpinë e tij komode në Barnhill Road, Dumbarton. «Por nëse do të doja të jetoja atje, kjo është një çështje krejt tjetër.»

Avioni çarter i ekipit Celtic u ul në një aeroport të izoluar pranë Tiranës dhe udhëtimi gjysmëorësh me autobus drejt qytetit u dha menjëherë një ide të jetës shqiptare.

«Fushat ishin plot me gra që punonin me vegla të vjetra dore,» kujton Murdo.

«Nuk shihje burra duke punuar askund. Ishte e çuditshme. Kur mbërritëm në qytet, nuk kishte fare trafik. Njerëzit ose ecnin në këmbë, ose lëviznin me biçikletë. »

«Gjithashtu kishte shumë ushtarë përreth; disa ishin në pushim dhe thjesht rrinin, por shumë të tjerë ishin të armatosur dhe ruanin ndërtesat publike.»

Veshja ishte «si në fillim të viteve ‘60 dhe pa ngjyra». Edhe pse njerëzit dukeshin miqësorë, lojtarët kishin pak kontakte me ta.

«Komunikonim përmes një përkthyesi, i cili ishte i vetmi që dinte anglisht. Ata u përpoqën shumë të na bënin të ndiheshim si në shtëpi. »

«Hoteli nuk ishte i keq; dhomat kishin vaskë dhe dush, një radio të vjetër dhe një telefon të lashtë – sikur të ishte i vitit 1902. »

«Na pyetën çfarë donim të hanim dhe ne zgjodhëm pulë me patate të skuqura. Dukej zgjedhja më e sigurt. Madje e hëngrëm dy herë.»

Surpriza e tyre e parë e madhe ishte në seancën stërvitore të së martës në mbrëmje, kur rreth 10.000 njerëz erdhën për ta parë.

Ndeshja u zhvillua pasditen e ditës pasuese, në vapë të madhe, përpara rreth 35.000 spektatorëve.

Tashmë është histori se Partizani fitoi 1–0. Shqiptarët dominuan 35 minutat e para dhe më pas patën fat që ruajtën avantazhin deri në fund.

Tetë kamera televizive e filmuan ndeshjen nga të gjitha këndet, një fakt që, sipas tij, kompanitë tona televizive duhet ta marrin si shembull.

«Detyra jonë ishte të luanim futboll dhe jo të shqetësoheshim se kush lejohej të vinte. Por një gjë është e sigurt : do t’i mundim shqiptarët kur të vijnë në Parkhead.»

Skuadra kaloi pak kohë jashtë hotelit, duke kaluar orët e lira në dhomat e tyre.

Aktiviteti i tyre kryesor shoqëror ishte një banket pas ndeshjes, ku shqiptarët kënduan disa këngë dhe skocezët bënë të njëjtën gjë, duke përfshirë edhe këngën tradicionale «Flower of Scotland».

Kur më në fund u larguan, u vonuan një orë – por, ndryshe nga fluturimet turistike britanike, kjo nuk ndodhi për shkak të trafikut ajror.

«Nuk kishte asnjë avion që mbërrinte apo nisej – ne ishim i vetmi fluturim në aeroport,» tha Murdo.

Megjithëse nuk ka gjasa që ai të kthehet ndonjëherë në Shqipëri, Murdo nuk bleu asgjë për ta kujtuar vizitën e tij.

Blerja e vetme që bëri gjatë udhëtimit ishte në dyqanin duty-free gjatë rrugës për në shtëpi.

Filed Under: Sofra Poetike

Shqiptari dhe Flamuri i Amerikës

July 4, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Mbrëmë nata zuri vendin, fryu erë me tërbim,

Retë mbuluan qiellin, u drodhën lis e trinë;

Ishte Katër Korrik, prag i një gëzimi pa pra,

Po stuhia shumë flamujt të ngriheshin s’i la.

Kur agimi ndriti zemrat e i vaditi me rrezitje,

Pashë shtizat e heshtura, pa ngjyra e pa valëvitje;

Dhe mora shkallën i pari, me zemrën plot gaz,

Ta ngre flamurin në shtëpi, aty në pullaz.

Nuk e ngrita veç për festë, as vetëm për zakon,

Por për një komb që lirinë e ngriti në fron.

Dyqind e pesëdhjetë vjet ai ndriçon mbi dhe,

Shprese dhe për njerëzit nga ana e anës si ne.

E ngrita si bir shqiptari, me shqipe në kraharor,

Se besa nuk harron dorën që të shtrihet në terr.

Kur Shqipëria kërkonte miq e Kosova lypte dritë,

Amerika qe aty, si mal që s’lëkundet nga stuhitë.

Yjet e flamurit me duken si sy miqsh në përjetësi,

Vijat e kuqe – damarë gjaku të derdhur për liri.

Pranë tyre valon kuqeziu, krenaria e Arbërisë,

Dy flamuj, dy kombe, një besë e një miqësi.

Le të fryjnë prapë stuhitë, le të bubullojë moti,

Flamurin s’e përkul era, zemra e mban bash Zoti.

Dy himne do t’i këndoj me dorën mbi zemër,

“Himnin e Flamurit” dhe The Star-Spangled Banner”

Dhe kur era t’i bashkojë tingujt në qiellin e kaltër,

Kuqezinë me yjet e bardhë mbi fushën blu të qashtër,

Do të them plot me mirënjohje dhe me krenari:

Nga gjaku jam shqipe, por Amerika më dha qiellin liri.

Filed Under: Sofra Poetike

Heshtje e gurtë – Ndërron jetë Profesor Ali Xhiku (1943-2026)

July 2, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Profesor Ali Xhiku, i cili shërbeu për dhjetravjeçarë me përkushtim si pedagog, zëvendës-dekan (1983-1988) dhe dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, sot ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare. Krahas karrierës në arsimin e lartë, ai ishte kontributor i njohur në fushën e historisë së letërsisë duke marrë vlerësime si studiues dhe akademik në albanologji.

Tek vepra “Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt”, Xhiku ka analizuar mënyrën se si Eqrem Çabej e ndërtoi shkencën e gjuhësisë dhe historisë letrare mbi kritere të shëndosha, duke ju shmangur dogmave dhe duke mbajtur qëndrim objektiv. Në studimet e tij Ali Xhiku vë në dukje se Çabej arriti të deshifrojë gjenezën dhe zhvillimin e gjuhës shqipe përmes mijëra fjalëve, duke e shndërruar atë në themeluesin e metodologjisë moderne albanologjike. Puna e akademikut Ali Xhiku konsiderohet një udhërrëfyes për studiuesit e rinj, pasi ajo deshifron sistemin e mendimit të albanologut të madh, Çabej.

Një vit më parë, në Panairin e 28-të të Librit, ai u nderua me çmimin “Autori i librit më të mirë studimor” për veprën e tij të fundit “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri) — një testament i çmuar metodologjik për studiuesit shkencorë.

Veprat e tij studimore “Letërsia shqipe si polifoni” plotësuar nga botimi pasues “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe”, “Romantizmi arbëresh”, “Duke lexuar letërsinë e traditës”, “Nga romantizmi drejt rrjedhave të realizmit” e vendosin letërsinë shqiptare në dialog me traditat evropiane.

Nga viti 1988-1993 Profesor Xhiku drejtoi Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave. Ai la pas një trashëgimi të vyer në fushën e kritikës dhe historiografisë letrare.

Kujtesa ime studentore ruan me mall leksionet e Profesorit. Për brezat e studentëve të Gjuhës dhe Letërsisë, ai ishte ligjërues i qartë dhe metodik por edhe udhërrëfyesi ‘babaxhan’ i letërsisë. Me urtësinë e tij, Profesori përsëriste se historiografia letrare ka në themele tekstin dhe kontekstin e kohës kur u krijua.

Me dhimbjen e familjes, të kolegëve në Akademinë e Shkencave, Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, dhe të gjithë brezave që ai i formoi me dashurinë për letërsinë dhe të vërtetën shkencore, themi Lamtumirë, Profesor Ali Xhiku!

Një tjetër bir i Gjirokastrës, largohet në të njëjtën ditë, dy vjet pas ndarjes nga jeta të Ismail Kadarasë, dhe qyteti prej guri mbështillet sërish në dhembje të thellë.

Filed Under: Sofra Poetike

Gurët biblikë shtegtojnë nëpër natën e errët të Çamërisë…

June 23, 2026 by s p

Luan Rama/

Si mund të vdesim kështu kaq larg pa gurët tanë ?

Ku shkojnë këta njerëz me xhepat plot gurë tek kalojnë me nxitim nëpër Çamëri dhe shpejt marrin udhët e botës ? Shqiptarë të Amerikës, të Australisë, Europës, nga të gjithë kontinentët, shkojnë me xhepat e çantat me gurë duke udhëtuar përtej Greqisë e Shqipërisë. Ku vallë i çojnë këta gurë ? Vallë janë gurë të çmuar, historikë, të shenjtë e me një forcë magjike ? Përse vallë këta gurë, nga fshatrat e heshtura të Çamërisë, nga pragjet e trishta e gërmadhat që ende rënkojnë, nga oborret e varret ?… Po, gurët shtegtojnë si në një shtegtim biblik të popujve të humbur që kërkojnë rikthimin. Një sy i përlotur përkulet mbi ta, një dorë që dridhet i prek ato, që i merr fshehurazi për ti çuar diku. Sepse gjyshërit e gjyshet çamë të cilët i mbijetuan masakrës e spastrimit etnik rezistojnë të vdesin pa patur pranë gurët e shtëpisë, pa gurët e varreve të etërve, gurët kur dikur fëmijë kanë lozur e këmbët kanë vrarë, gurët ku kanë hedhur valle, gurët që i shohin ende në ëndërr dhe thonë : Si mund të vdesim kështu kaq larg pa gurët tanë ? Vdekja do më jetë e ëmbël veç me gurët tanë.

Dhe të rinjtë, nipër e mbesa të tyre marrin udhët nga anë e anës dhe shkojnë në Greqi e ngjisin fshatrat e kodrinat në Çamëri ku fshehurazi nga « korofillakët » që i ndjekin, marrin ata gurë që çuditërisht kanë frymë, mbartin jetë, kujtime, mbartin ehot e këngëve e dasmave, vajet e ato netë tragjike që jetoi një popull i pafajshëm. Kështu gurët të ngjan se kanë një frymë të habitshme për gjithë atë brez 90 vjeçarësh, nëna e etër që nuk duan të vdesin pa prekur gurët e shtëpisë. Është vendlindja që iu mohua çamëve që 82 vjet më parë. Po, gurët shtetojnë sepse një Greqi që quhet REPUKBLIKË DEMOKRATIKE ua ndalon të kthehen që të vdesin atje, ta puthin atë prag e të mbyllin sytë në paqe të plotë.

Nënë Bejaze Iljazi, që jeton me vajzën në Itali dhe që ka ardhur në Paris tek djali i saj, e takova në një kafe të Montparnasse dhe më tregoi se si familjarët e saj kishin mundur të shkonin në Smartë, pranë Filatit, dhe të marrin disa gurë të shtëpisë. Dhe gurët ia sollën. Ajo është e lumtur dhe në paqe pret Zotin e saj kur ta thërrasë. Gurë për të vdekur me lumturinë e tokës, me aromën e gurëve. Një tjetër çam e takova në Boston. Edhe atij kishin mundur ti dërgonin nga gurët e shtëpisë në Mazrek. Një djalosh nga Suedia kishte mundur tê shtegtonte me gurët e shtëpisë të stërgjyshit të tij. Histori të tilla janë të ngjashme dhe vetëm emri i fshatrave ndryshon: Varfanj, Grikohor, Margëlliç, Paramithi, Shalës, Volo, Koskë … gurë që tashmë përbëjnë jo vetëm histori por dhe gjeografi, e pse jo, disa gurë të tillë mund të çohen dhe në pragjet e presidencës e Parlamentit grek që të klithin me heshtjen dhe vdekjen e tyre legjendare dhe tu kujtojnë se gurët e Çamërisë janë histori mijëvjeçare. Ç’histori e dhimbëshme dhe tragjike kur mendon se mijra çamë të këtij brezi qe ende jetojnë nëpër botë kërkojnë gurët e shtëpisë si të ishin gurë biblikë të një popullate të mohuar. Ç’turp i madh për qeveritarët grekë aq sa të mos pranojnë dhe funeralet e të vdekurve!

O Tokë e shenjtë! O Tokë martire e Çamërisë! Shteti fqinj s’më lë të vij tek ti! Atëherë pjella ime do të më sjellë këtu ku jam, dhe në fund të botës, që unë të të prek, të të puth e të çmallem me ty dhe pastaj të vdes! Kështu paqja do më puthë në ballë!

Gjithë kjo i ngjan një legjende edhe pse një histori reale, e vërtetë, e fillimit të shekullit XXI, histori që të parët tanë nuk e kishin imagjinuar, që bota e lirë e demokratike nuk mund ta pranojë, një histori që rinia greke sot nuk e di dhe që një ditë ajo do ta kuptojë marrëzinë e nacionalizmit tê politikanëve të dikurshëm të vendit të tij, që Evropa ende nuk e di realisht fatin e çamëve dhe ku bota nuk mund të arrijë të kuptojë se dhe gurët shtegtojnë dhe kapërcejnë shtete e kontinente. Gjithë kjo është diçka sa ireale aq dhe hyjnore që fëmijët e nesërm të Shqipërisë, të Greqisë e të Botës nuk do ta arrijnë të kuptojnë këtë absurditet.

Gurët vazhdojnë të shtegtojnë dhe askush nuk mund ti ndalojë. Janë gurë të rrahur nga shiu e bora, njollosur me gjakun e të pafajshmëve, gurë të djegur nga dielli, gurë të bukur që shndrisin nën dritën e hënës me shpresë se nesër agimi do të sjellë një lajm të ri. Jo, ne nuk harrojmë, as ne, as çamët e nesërm që do të vijnë. Kombi shqiptar asnjëherë nuk e ka harruar historinë e tij!

Ah këta gurë biblikë që shtegtojnë nëpër natën e errët të Çamërisë…

Filed Under: Sofra Poetike

Revolucioni i flamingove dhe rreziku i përbindshave

June 23, 2026 by s p

Artan Nati/

Duket sikur Shqipëria po përjeton revolucionin e saj të dytë pas atij të vitit 1990. Atëherë rrëzuam komunizmin me entuziazmin e një populli që besonte se po hynte në epokën e lirisë, prosperitetit dhe demokracisë. Kush fitoi realisht nga ai revolucion mbetet ende objekt debatesh historike, por për lehtësi le ta quajmë fitore të demokracisë. Sot, tri dekada më vonë, skena duket çuditërisht e njohur. Në vend të revolucionit të studentëve kemi revolucionin e “flamingove”, një kryengritje simbolike kundër pikërisht atyre figurave që dikur i ngritëm në piedestal si shpëtimtarë të kombit. Ata që dje brohorisnin emrat e liderëve të tranzicionit, sot kërkojnë largimin e tyre. Ata që dje shiheshin si çlirimtarë nga diktatura, sot portretizohen si pengues të demokracisë. Por këtu lind pyetja më e rëndësishme dhe më pak romantike: a mund të përsëritet historia? A mund të ndodhë që, pasi të rrëzojmë “përbindëshat” e sotëm, të zgjohemi nesër nën sundimin e përbindëshave të rinj? Historia njerëzore sugjeron se po.

Revolucionet shpesh janë ekspertë në rrëzimin e statujave, por shumë më pak të afta në ndërtimin e institucioneve. Entuziazmi kolektiv ka një talent të veçantë për të shkatërruar të vjetrën, por jo domosdoshmërisht për të krijuar të renë. Për këtë arsye, pas çdo revolucioni lind një vakum pushteti dhe vakumet, si në natyrë ashtu edhe në politikë, nuk qëndrojnë bosh për shumë kohë. Filozofi italian Antonio Gramsci e përshkroi këtë moment me një nga frazat më profetike të shekullit XX: “Bota e vjetër po vdes dhe bota e re po lufton për të lindur; tani është koha e përbindëshave.” Shqipëria duket se ndodhet pikërisht në këtë korridor historik. Bota e vjetër e tranzicionit po humbet legjitimitetin, por bota e re ende nuk ka marrë formë. Në këtë mjegull politike shfaqen gjithmonë personazhet që premtojnë shpëtim të menjëhershëm, drejtësi absolute dhe parajsë me afat të shkurtër. Janë të njëjtët aktorë që historia i riciklon me kostume të reja dhe slogane më moderne. Prandaj, rreziku më i madh nuk është vetëm vazhdimi i së vjetrës.

Rreziku është që, të verbuar nga zemërimi ndaj elitave ekzistuese, të humbasim aftësinë për të gjykuar racionalisht alternativat. Sepse kur shpresa bëhet fe dhe politika kthehet në adhurim, përbindëshat e rinj futen në skenë të veshur si engjëj. Ndaj, përtej euforisë së pakufishme, brohoritjeve dhe dëshirës së kuptueshme për ndryshim, ndoshta është koha të hedhim sytë pas. Jo për të glorifikuar të kaluarën, por për të kuptuar gabimet e saj. Sepse popujt që nuk analizojnë me gjakftohtësi revolucionet e djeshme, zakonisht përfundojnë duke duartrokitur revolucionet e gabuara të nesërme.

Pikërisht në këtë revolucion të flamingove, ku idealizmi përzihet me zemërimin dhe revolta me spektaklin, duket se në skenë kanë hyrë edhe ata që Antonio Gramsci do t’i quante “përbindëshat e interregnumit”. Ose, për ta thënë me një metaforë më romantike, por jo më pak ironike, në shesh kanë zbritur edhe “garibaldinët” e rinj, të bindur se historia po u jep një tjetër mundësi për të kapur frenat e pushtetit. Mes figurave më të dukshme shfaqet Arlind Qorri, një neomarksist që prej vitesh predikon revolucionin nga auditorët, studiot televizive dhe protestat. Ai duket si protagonisti ideologjik i lëvizjes, një figurë që kërkon të bindë publikun se zgjidhja e problemeve të kapitalizmit shqiptar është një dozë më e fortë ideologjie. Në një vend ku marksizmi u largua nga dera në vitin 1990, ai duket se po përpiqet të rikthehet nga dritarja, me një logo më moderne dhe një paketim më tërheqës për brezin e TikTok-ut. Më pas kemi Adriatik Llapajn, një personazh që sfidon vetë ligjet e fizikës politike. Një ditë e sheh në protestë kundër establishmentit, një ditë tjetër në negociata me establishmentin.

Një herë kundër Berishës, më vonë në marrëveshje me Berishën, e më pas sërish në krye të revoltës kundër të gjithëve. Nëse flamingoja është simboli i këtij revolucioni, ai duket se e ka përqafuar rolin me përkushtim të plotë, duke u shndërruar në një flamingo politike autentike, që qëndron mbi një këmbë mes opozitës, protestës dhe ambicies personale. Në shesh kanë zbarkuar edhe flamingot e Vetëvendosjes, të ngarkuara me misionin fisnik për t’i dhënë kryengritjes orientimin e duhur ideologjik. Në fund të fundit, çdo revolucion që respekton veten ka nevojë jo vetëm për zemërim, por edhe për një departament ideologjik që t’i japë kuptim zemërimit. Ndërkohë, në horizont shfaqen edhe deputetë të shumtë të opozitës tradicionale, të cilët, si zogjtë migratorë që ndiejnë ndryshimin e stinëve, po afrohen gradualisht drejt kësaj kryengritjeje. Disa për bindje, disa për mbijetesë politike dhe disa thjesht sepse era e revoltës fryn më fort se era e partisë. Në sfond, tabloja bëhet edhe më ekzotike. Këtu e atje shfaqen vajza të reja me shami në kokë që brohorasin kundër Izraelit, aktivistë që deklarojnë se “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa përmendin emrin e Ivanka Trump si simbol të një rreziku global, kombëtar apo imagjinar, sipas rastit.

Spektri i revoltës zgjerohet aq shumë sa ngjan me një panair ideologjik ku secili ka sjellë pankartën e vet, kauzën e vet dhe armikun e vet. Rezultati është një mozaik i çuditshëm ku neomarksistët ecin krah konservatorëve, nacionalistët marshojnë pranë globalistëve, anti-amerikanët protestojnë së bashku me adhuruesit e Perëndimit dhe kundërshtarët e oligarkisë ndajnë mikrofonin me politikanë që kanë kaluar gjysmën e jetës brenda sistemit që kritikojnë. Në fund, revolucioni i flamingove po fillon të ngjajë më pak me një lëvizje të qartë politike dhe më shumë me një karnaval pakënaqësish, ku secili sheh pasqyrimin e dëshirave të veta dhe e quan atë “ndryshim”. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron paradoksi. Sepse, siç shkruante Charles Dickens në fillim të “Një rrëfenjë për dy qytete”, “ishte koha më e mirë, ishte koha më e keqe”. Ishte koha më e mirë sepse njerëzit kërkojnë ndryshim. Ishte koha më e keqe sepse, në mjegullën e zemërimit kolektiv, bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh reformatorin nga oportunisti, idealistin nga demagogu dhe shpëtimtarin e vetëshpallur nga përbindëshi i ardhshëm.

Megjithatë, pavarësisht ironive, dyshimeve dhe paradokseve të tij, Revolucioni i Flamingove mbetet ndoshta lëvizja më e fuqishme, më spontane dhe më estetike që ka prodhuar shoqëria shqiptare në dekadat pas vitit 1990. Ai është shprehje e një lodhjeje të thellë me tranzicionin e pafund, me rotacionet pa ndryshim dhe me elitën që ka qarkulluar pushtetin si një trashëgimi familjare.

Por historia na mëson se jo çdo revolucion është një rilindje. Shpesh ai është thjesht një ndërrim dekoresh në të njëjtën skenë. Aktorët largohen nga një derë dhe rikthehen nga një tjetër me kostume të reja, slogane të reja dhe premtime të ricikluara. Në fund, publiku duartroket të njëjtën shfaqje duke besuar se po sheh një premierë. Prandaj nuk kemi luksin të humbasim kohë me revolucione që nuk prekin rrënjët e problemeve tona, por vetëm zëvendësojnë fytyrat e atyre që qëndrojnë në krye. Sepse korrupsioni nuk rrëzohet me parulla, klientelizmi nuk zhduket me selfie protestash dhe mungesa e institucioneve nuk zëvendësohet me karizmën e liderëve të rinj. Rreziku më i madh nuk është se revolta do të dështojë. Rreziku është që ajo të triumfojë pa ndryshuar asgjë thelbësore.

Që pas gjithë zhurmës, marshimeve, flamujve dhe brohorimave, të zgjohemi një mëngjes dhe të zbulojmë se kemi ndryshuar vetëm emrat në derën e zyrave, ndërsa mënyra e qeverisjes ka mbetur e njëjtë. Për këtë arsye, në kohë entuziazmi kolektiv, virtyti më revolucionar nuk është brohoritja, por skepticizmi. Jo cinizmi që paralizon, por racionaliteti që pyet. Jo adhurimi i figurave të reja, por verifikimi i tyre. Jo besimi i verbër te shpëtimtarët e radhës, por analiza e ftohtë e ideve, karakterit dhe interesave që ata përfaqësojnë. Sepse demokracia nuk ka nevojë për besimtarë. Ka nevojë për qytetarë. Dhe ndoshta mësimi më i madh i këtyre tridhjetë viteve është se përbindëshat nuk lindin vetëm nga pushteti i vjetër. Ata shpesh lindin edhe nga dashuria e tepruar për shpëtimtarët e rinj.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 139
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHKOLLA SHQIPE “VATRA” TE VATRA TAMPA BAY FLORIDA
  • AFC, Mirela Nurce and Lushnja Hospital – Where Fashion Meets Compassion
  • Shpëtim Tim Qorraj kandidat për në Parlamentin e Nju Jorkut
  • “Children of the Eagle” tani edhe në Queens!
  • Sukses i madh për vitin akademik 2026–2027 në Staten Island, Brooklyn dhe Bronx
  • DÜSSELDORFI NË ZË TË PROTESTËS: “JO NË EMRIN TIM”
  • Gjykata Speciale kriminalizoi veten duke u përpjekur të kriminalizojë UÇK-në
  • PËRTEJ ATLANTIKUT, PËR LIRINË E KOSOVËS
  • PJETËR MESHKALLA, NJË JETË QË NUK U PËRKUL
  • Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi
  • Kristo Dako, një jetë në shërbim të kombit (1876–1941)
  • Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”
  • AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË
  • “Historia e operas Rozafa”
  • UÇK dhe trashëgimia institucionale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT