
Kastriot Fetahu/
Në filmin italian “Gruaja më e bukur”, një dialog ekzistencial mbi njeriun dhe lirinë duket si parathënie e kohës që jetojmë. Kreu i një bande mafioze lokale, në bisedë me miqtë e tij, thotë se: “Burgu i sotëm është një plan dinak e djallëzor i qeverisë për të zbutur burrat. Burgu duhet të jetë i egër! Është bërë për të vuajtur! Atje brenda mësohet durimi, të dish të presësh, të pësosh në kurriz, të mos kesh më frikë nga burgu. Të paktën një herë në jetë duhet ta provosh.”
Pasi më erdhi në vëmendje ky personazh, në mënyrë të pavetëdijshme mendimi shkon tek protestat e të rinjve në Tiranë. A ishte burg i ashpër jeta në periudhën kohore 36-vjeçare për këtë brez? Çfarë është protesta e tyre: revoltë apo revolucion?
Të rinjtë trendy, paqësorë, të edukuar dhe të artikuluar, pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje, janë ngjarja më e bukur nga pikëpamja etiko-estetike dhe politike edhe se vetë ngjarjet e vitit ’90. Pse e them? Ishte groteske përmes zemërimit të ligjshëm parrulla “Enver – Ikler”. Qeshja me ngjyra tragjike kur e lexoja të shkruar mureve apo të artikuluar nga njerëzit anës rrugës Kuçovë–Berat dhe në autobuzin urban në vitin 1991. Udhëtoja asokohe për në mitingun e parë të PD në qytetin e Beratit.
Protestat e sotme i arratisen revoltës sepse nuk janë të kufizuara në kohë dhe në kërkesa. Të rinjtë shqiptarë enden midis Beat Generation dhe protestave të studentëve francezë. Por i tejkalojnë këto dy lëvizje sociale me imazhin emblemë të Flamingos që e kthen në revolucionin më të bukur të historisë njerëzore.
Bota nuk është në vitet ’60, por gati një shekull më pas, kur ekosistemi është pjesë e politikës së ditës së bashku me kërkesat e tyre për ndryshimin e politikave oligopol të një sistemi oligarkik të ndërtuar në këto 36 vjet nga dy parti.
Këta protestues pikërisht me strukturën etiko-estetike u kthyen në atvrasës. Ndaj kryeministri, një demagog trendy, u asfiksua dhe u gjend në pozicionin shah-mat, sepse ata e vranë me armët e tij, por më të avancuara se ato në betejat politike individuale të Ramës në rrugën drejt pushtetit. Teknologjia digjitale i shkundi nga zona e komfortit dhe kështu rishpikën veten në një orbitë të re, të panjohur më parë. Atvrasja do të sjellë një sistem të ri, ku plagët e vjetra do të mjekohen nga njerëzit më të ditur, intelektualët jo pasagjerë të anijes në lundrimin 36-vjeçar.
Në art kur ka vetëm një alternativë zgjedhjeje, kjo e vdes atë, ndaj ai jeton sepse në art përballen rryma të ndryshme, shkolla të ndryshme, botë të ndryshme. Ashtu edhe në politikën tonë arriti pika fundore sepse mungojnë alternativat. Ata u bashkuan të gjithë kundër popullit. Arritën të na diktojnë të drejtat për realitetin dhe të na imponohen në mënyrë permanente në një botë tonën të përcaktuar tashmë prej tyre.
Të rinjtë duan t’i largohen botës me maska funerali dhe maska emigranti që na krijoi ky sistem bipartiak.
Ata janë “Beat Generation” sepse shprehin ndjenjat e të qenurit të lodhur dhe të margjinalizuar nga shoqëria. Gjithashtu janë në kërkim për një kuptim më të thellë shpirtëror.
Ata janë edhe studentët e Parisit ’68, sepse për ta ekonomia e mirë nuk mjafton nëse shoqëria ndihet e shtypur.
Rebelimi i tyre ndodhi se nuk besuan më tek e ardhmja e propaganduar, sepse kuptuan apoteozën e depresionit të një populli të marrë peng.
Të rinjtë mund të ndryshojnë diskursin publik nga diskursi monist i një njeriu të vetëm i epuar nga pesha e gjithë pushteteve mbi vete.
Autoriteti tradicional mund të sfidohet masivisht.
Por mbi të gjitha janë “BEAT FLAMINGO”, si tejkalim i dy lëvizjeve të ngjashme të cituara më sipër.
Ndaj Rama duhet ta kuptojë mirë thënien e Heraclitus: “Nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë” edhe sepse të rinjtë i ngritën establishmentit “Kurthin e Tukididit”.
Protestat e tyre kërkojnë ndryshimin e sistemit oligarkik të instaluar nga një klikë autokracie. Ndryshe nga studentët e Parisit që nuk rrëzuan dot një Sharl De Gol aq shumë të dobësuar, kërkojnë rrëzimin e një demagogu aventurier arrogant që arriti në standardin e një monarku afrikan.
Mbi ta bien mallkimet e brezave që ju lanë trashëgimi këtë sistem obskurantist politiko-ekonomik, ku Fronti demokratik i diktaturës u zëvendësua me “Frontin patronazhist”.
Janë këta breza metafizikë që çjerrin faqet, si plaka Nurihan, me nëmat e tyre për hipitë e rinj të ndikuar nga “imperializmi amerikan, social-imperializmi sovjetik, shovinizmi grek, revizionizmi jugosllav apo edhe mullahët iranianë”.
Më kujtojnë filmin “Mao Ce Dun”…
“Nurihanët” çojnë idenë në skaj dhe me gjurmët e mbetura nga e shkuara në nënvetëdijen e tyre heqin paralele me pikëpamjen materiale, se po humbasim një investim me shifra marramendëse. Harrojnë se shifrat e vjedhura nga establishmenti janë shumë herë më të mëdha.
Ndërkohë që polarizimi i shoqërisë më kujton Afrikën Sahariane me sheikë dhe beduinë.
Ja pse protestuesit nuk janë fantazia e tyre.
Të rinjtë nuk duan që në këtë botë, ku veshjet, apartamentet dhe gjithçka merret me qira, nderi të jetë një mall tregu i zyrtarit më të parë.
Ata nuk duan të jenë “shoferë të Honda Civic” dhe as të shikojnë ëndrra të mjegullta, të largëta, e të pamundura.
“Beat Flamingo” nuk kërkojnë një përgjigje ndaj problemeve ekzistenciale, por zgjidhjen përfundimtare, ndaj duan të rrëzojnë sistemin dhe Ramën, i cili nuk vlen as sa kapelja e gjeneralit Charles De Gaulle.
Establishmenti antipopullor minimizon arsyet e fillimit të protestës duke injoruar zhvillimet e mëtejshme. Por harrojnë se ashtu si Lufta e Parë Botërore filloi për shkakun e vrasjes së princit Ferdinand, arkidukës së Austro-Hungarisë në Sarajevë, edhe kjo lëvizje nisi për një shkak ekuivalent, tërheqjen zvarrë të një qytetari nga roje me këmisha të zeza si të paramilitarëve të Musolinit të ’33.
Dhe e gjithë kjo nën një sfond arrogant të pushtetit antipopullor të një qeverie oligarkësh, e cila për ironi vjen nga e majta dhe një hendeku të madh mes fjalëve makiaveliste të pushtetit dhe kuptimit kantian të kohës që kërkojmë.
Të rinjtë nuk janë më si negativi i një fotografie dhe as personazhe që nuk kanë menduar kurrë. Errësira dhe heshtja e tyre e dikurshme tashmë ka dritën dhe tingujt Flamingo.