


Shqiptarët në vendlindjen e SHBA-ve organizuan një protestë paqësore për të shprehur pakënaqësinë e tyre për dënimin skandaloz të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së
Nga dr. Sadik Elshani
Një luftë për liri dhe një Gjykatë pa drejtësi
Aktgjykimi i padrejtë e skandaloz i Gjykatës Speciale në Hagë, që para pak ditësh i shpalli fajtorë ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ngjallur zemëratën e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë ata, në trojet etnike, si dhe në diasporë. Kryetari i kësaj Gjykate e shpalli aktgjykimin me ironi e sarkazëm, i dënoi ata në emër të popullit të Kosovës. Ish-udhëheqësit e luftës çlirimtare nuk po i dënon populli i Kosovës, por injoranca, arroganca, urrejtja e joprofesionalizmi i një gjykate të papërgjegjshme, të njëanshme e me ngjyrime politike.
Por, shqiptarët po flasin në emrin e tyre dhe në emër të Kosovës, duke e ngritur lart zërin kundër padrejtësisë së kësaj Gjykate, duke shprehur pakënaqësinë, zhgënjimin e tyre për këtë aktgjykim skandaloz, që ua kalon edhe gjykatave të Rusisë, Kinës, madje edhe të gjykatave të Serbisë së Millosheviqit.
Kjo gjykatë, që në themelimin e saj ishte paracaktuar që t’i shpallte fajtorë ata që e udhëhoqën popullin e Kosovës në luftën e pabarabartë për liri e pavarësi, duke e trajtuar këtë përpjekje, këtë sakrificë të popullit tonë si një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. A ka turp më të madh për një gjykatë ndërkombëtare me gjyqtarë perëndimorë që të lëshohet në nivele kaq të mjerueshme?!
Të gjithë e dinë se ishin forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe ato që kryen krime të tmerrshme e të papërshkrueshme mbi popullsinë e pafajshme e të pambrojtur shqiptare. Të gjitha provat e tyre dështuan, njëra pas tjetrës, për t’ia lënë vendin pastaj urrejtjes, paragjykimeve, cinizmit të tyre ndaj shqiptarëve, sikur në Kosovë nuk kishte ndodhur asgjë.
Në Kosovë ka ndodhur gjenocidi, spastrimi etnik dhe janë kryer krime makabre, nga më të rëndat që nga Lufta e Dytë Botërore. (Për vuajtjet shekullore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi mund të shkruhen faqe gjer në pakufi, por nuk po zgjatemi këtu më tepër).
E tani na del një Gjykatë, që fatkeqësisht po quhet edhe Gjykatë e Kosovës, dhe e merr anën e xhelatëve tanë. Sipas gjyqtarëve të kësaj Gjykate, çfarë ka qenë dashur të bënin shqiptarët në ato rrethana të atij gjenocidi? Të rrinin duarkryq e të bënin sehir kur po vriteshin shqiptarët e pafajshëm, anëtarët e familjeve të tyre, po dëboheshin me forcë nga shtëpitë e tyre, kur gratë e vajzat e reja po dhunoheshin e krimi po mbizotëronte në çdo cep të Kosovës?!
Prandaj, shqiptarët, me të drejtë, janë duke protestuar e duke e ngritur zërin lart për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vendimet skandaloze të kësaj gjykate po aq skandaloze, për t’u treguar këtyre gjyqtarëve se vetëm sovrani mund të flasë në emër të Kosovës.
Protestë në qytetin ku fjala liri merr një kuptim të veçantë
E tillë ishte edhe atmosfera në protestën që shqiptarët e organizuan ditën e shtunë, më 19 shtator, në sheshin e Bashkisë së Philadelphias. Sheshi ishte mbushur me plot bashkatdhetarë, jo vetëm nga Philadelphia, por edhe nga qytete e shtete të tjera, Nju Jork, Nju Xhersi, etj. Ata mbanin në duar flamujt kuqezi, flamujt e Kosovës, flamujt amerikanë, flamujt e UÇK-së.
Po ashtu, ata mbanin portretet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit; parullat me mbishkrimet: “Jo në emrin tim”, “Liria ka emër”, “Drejtësi për krerët e UÇK-së”. Jehonin këngët për Epopesë e UÇK-së, Adem Jasharin dhe heronjtë e tjerë të shqiptarisë.
Kjo protestë kishte diçka të veçantë, sepse po mbahej në qytetin ku 250 vite më parë lindi një shtet i ri dhe një epokë e re për njerëzimin, ngjarje që u bë burim frymëzimi për të gjithë popujt që luftojnë për liri e pavarësi, përfshirë edhe popullin shqiptar.
Tubimin e hapi z. Dritan Matraku, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, i cili i përshëndeti dhe i falënderoi bashkatdhetarët për pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë paqësore, për ta ngritur zërin tonë kundër aktgjykimit skandaloz të Gjykatës Speciale dhe për të shprehur përkrahjen tonë të fuqishme për ish-drejtuesit e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pastaj z. Matraku i bëri një paraqitje të shkurtër të vendimeve të padrejta e të pabaza të kësaj Gjykate, duke theksuar se edhe ne duhet të japim ndihmesën tonë, të ngremë zërin kundër padrejtësisë, por edhe të organizohemi që të sigurojmë një mbrojtje të fuqishme e profesionale në Gjykatën e Apelit.
Në vazhdim, fjalën e morën edhe shumë të pranishëm, zonjat: Elda Gjoni e Elona Çalaj; zotërinjtë: Llazar Vero, Mexhit Koboci, Bujar Çela, Bujar Gjoka, Milot Rukiqi, Sadik Elshani, Leo Osmanollaj, Lumni Shurdhiqi, Eqerem Murataj, Eqerem Muço.
Të pranishmëve iu drejtua edhe miku i shoqatës sonë, z. Astrit Hyskaj, ish-pjesëtar i UÇK-së dhe tani kryetar i veteranëve të UÇK-së në SHBA. Ai kishte udhëtuar nga Nju Jorku vetëm për të marrë pjesë në këtë protestë.
Fjalët e të gjithë folësve të cekur më lart i përshkonte i njëjti motiv e njëjta temë, qëndrime e porosi të njëjta: aktgjykimi i kësaj gjykate është i padrejtë e skandaloz, lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e pastër, dënimi i çlirimtarëve nuk mund të qëndrojë, nuk mund të barazohen viktima e krimineli, nuk mund të përdhoset UÇK-ja, që për popullin tonë është një vlerë kombëtare.
Meqenëse kjo protestë po mbahej në qytetin e Philadelphias, jo fort larg nga vendi ku është shpallur pavarësia e SHBA-ve, z. Elshani, në fjalën e tij, u shpreh pak me ironi se, ndoshta gjykatësit e kësaj Gjykate Speciale do t’i shpallnin fajtorë e do t’i dënonin edhe etërit themelues të SHBA-ve, sepse edhe ata ishin ngritur kundër tiranisë britanike.
Në fund të protestës, pjesëmarrësit miratuan njëzëri këto tri kërkesa:
1. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të miratojë një rezolutë që dënon gjenocidin, krimet dhe spastrimin etnik të kryer nga forcat serbe.
2. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë të mos e njohin vendimin e Gjykatës Speciale lidhur me dënimin e ish-drejtuesve të UÇK-së.
3. Qeveria e Republikës së Kosovës të hapë një llogari të posaçme për mbledhjen e fondeve, të cilat do të përdoren për sigurimin e një mbrojtjeje sa më të mirë, profesionale dhe dinjitoze në procesin e Apelit për ish-drejtuesit e UÇK-së, që padrejtësisht po mbahen në Hagë.
Të gjithë tani sytë i kemi drejtuar te Gjykata e Apelit, por ndërkohë kemi shumë për të bërë që të dalim të suksesshëm: grumbullimin e fondeve, lobim në Kongresin Amerikan dhe shtetet e tjera demokratike, kontakte me politikanë të rëndësishëm, figura të dalluara të skenës politike, publike, kulturës, etj.
Philadelphia, më 22 shtator 2026