
Nga Resul Jusufi/
Në një lagje periferike të Graz-it, mes shtëpive të ulëta njëkatëshe dhe disa ndërtimeve të reja që nga jashtë duken pothuajse të gjitha njësoj – pa shumë shije, me të njëjtën ngjyrë të hirtë, pak monotone e të ftohta në pamje dhe stil – gjendet një ishull i gjelbër. Është një kopsht që Aleksandri e ka krijuar para disa vitesh. Një kopsht natyral dhe i veçantë brenda një lagjeje të qytetit, që sapo ta shohësh të tërheq vëmendjen, dhe pa e kuptuar mirë pse, të bën për vete.
Betoni është pothuajse kudo: në mure, garazhe dhe oborre të kujdesshme, të mirëmbajtura, simetria e të cilave nganjëherë duket pothuajse mbytëse. Në këtë lagje është edhe një rrugicë e pashtruar, e cila në thjeshtësinë e saj ka diçka më shumë se, të themi, e bukur. Është magjepsëse dhe shërben si rrugë e shkurtër për te dyqanet dhe stacioni i autobusit të zonës. Por nuk është thjesht një rrugë ku njerëzit ecin shpejt për të shkuar diku. Është një lloj shëtitoreje e gjallë – një korso e vogël ku njerëzit e lagjes, çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, nxjerrin qentë për shëtitje, ndalen, takohen dhe flasin me njëri-tjetrin. Në këtë pikëtakim të përditshëm, shikimi i njerëzve mbetet gjithmonë te kopshti i Aleksandrit.
Në mes të këtij ishulli të vogël qëndron një jurtë mongole – një tendë e rrumbullakët nomadësh, e rrethuar nga bimë, perime, disa pemë frutore dhe një gardh i thjeshtë me rrjetë teli. Për çdo fqinj dhe kalimtar që ecën përgjatë kësaj rruge, pamja e jurtës është një surprizë e pazakontë, e cila të bën ta ulësh ritmin e hapit për një moment. Ajo duket aq e huaj në këtë mjedis urban, saqë në fillim pothuajse nuk mund ta besosh. Mendon se është një gabim, një iluzion optik. Por është e vërtetë: në mes të betonit gjendet ishulli i vogël i gjelbër i Aleksandrit. Nuk është thjesht një kopsht që dikujt mund t’i duket paksa i çuditshëm, me një tendë mongole në mes. Është një mënyrë të jetuari. Një mënyrë për të qenë vetvetja. Ndoshta edhe një rezistencë e vogël ndaj të qenit i njëjtë me të gjithë të tjerët.
Njihemi me Aleksandrin prej disa vitesh. Takimet tona nuk kanë qenë me zë të lartë. Kanë qenë të rëndomta, në formë përshëndetjeje. Shpesh jemi parë nga një distancë dhe jemi përshëndetur shkurtimisht. Një lëvizje e dorës, një ulje e kokës, nganjëherë një “përshëndetje” e shkurtër — Servus — asgjë më shumë. Aleksandri është një njeri i qetë. Ndoshta pak skeptik, nganjëherë i tërhequr, por në të njëjtën kohë paqësor. Ai nuk kërkon vëmendje dhe as debat, dhe nuk duket se ka nevojë t’i dëshmojë diçka dikujt. Mënyra e tij e të qenit ka diçka të vetën. Ai vëzhgon shumë dhe flet pak. Ndoshta fshihet pikërisht aty një pjesë e forcës së tij.
Aleksandri nuk është thjesht një banor i pazakontë; prania e tij është, në njëfarë mënyre, një sfidë e heshtur ndaj mënyrës se si shoqëria moderne e përkufizon jetën, suksesin dhe lirinë. Në muajt e ngrohtë të vitit e sheh shpesh të ecë krejtësisht zbathur në kopshtin e tij, i veshur vetëm me një palë pantallona të shkurtra, shpesh i zhytur në një libër nën rrezet e diellit. Ai jeton nga kopshti i tij, në harmoni me natyrën që e kultivon me duart e veta.
Në fillim, rruga e tij nuk duhet të ketë qenë aspak e lehtë. Duhet të ketë qenë e vështirë të jetosh nën gjykimin e heshtur të njerëzve të lagjes, të cilët vendimin e tij fillimisht e pritën me skepticizëm dhe distancë. Edhe mes nesh kjo distancë, me kohë, ishte e dukshme. Ndoshta ajo ishte pjesë e kujdesit të tij natyral – një reagim ndaj asaj që Jean-Paul Sartre e quante “shikimi i Tjetrit” (le regard de l’autre): ai shikim shoqëror që ka prirjen të gjykojë çdo gjë që del nga rreshti. Gardhi rreth këtij ishulli të vogël, prandaj, mund të mos jetë vetëm një kufi fizik. Mund të jetë edhe një lloj mbrojtjeje emocionale – një mbrojtje nga lëndimet që mund të lindin kur një njeri vendos me vetëdije të jetojë ndryshe nga shumica.
Por me kalimin e kohës, diçka ndryshoi. Në këtë shëtitore, ku fqinjët çdo ditë nxjerrin qentë e tyre për shëtitje, skepticizmi i fillimit nisi të zbutet. Përshëndetjet e largëta papritmas u shndërruan në biseda të shkurtra. Pyetje të thjeshta të përditshmërisë — “Si je?”, “Si ke kaluar?” — përpara se secili të vazhdonte në rrugën e vet.
“Kam studiuar për botanikë, por kurrë nuk u mësova dot me ajrin e zyrave dhe rutinën e tyre”, më tha ai një ditë. Kjo fjali e thjeshtë ishte më shumë se një shpjegim. Për të, ajri i zyrave nuk ishte thjesht mungesë oksigjeni, por një mënyrë jetese që e detyronte të ikte nga vetvetja. Aleksandri e don natyrën dhe botën e bimëve, por mbi të gjitha kuptoi se nuk mund të jetonte në një kornizë ku duhej të ikte nga vetja apo të përshtatej me diçka që e bënte të mos ndihej mirë. Të shkëputej nga ajo rutinë nuk ishte një kapriço, por një nevojë për të ruajtur atë që ishte. Ai nuk dëshironte të ikte nga vetvetja, prandaj zgjodhi një rrugë që i lejonte të jetonte në paqe me natyrën dhe, mbi të gjitha, me veten.
Filozofia e tij të kujton Diogjenin e Sinopës, i cili refuzoi shumë prej normave shoqërore dhe jetoi me vetëdije jashtë koncepteve të zakonshme të pronës dhe rehatisë. Ose Henry David Thoreau-n, i cili shkruante për njerëzit që jetojnë në “dëshpërim të heshtur”, duke pranuar prangat e zakoneve. Por ndoshta nuk ka nevojë ta çojmë shumë larg këtë krahasim. Është e lehtë të thuash se shoqëria është konformiste dhe se secili njeri zgjedh rrugën e vet të jetës. Për Aleksandrin, kjo barrë erdhi në një moment kur ai ndjeu se nuk mund të integrohej më në një stil jetese ku të gjithë funksionojnë në të njëjtën mënyrë. Pa i gjykuar apo zhvlerësuar vendimet e të tjerëve, ai kuptoi se kjo lloj rutine nuk ishte e natyrshme për të.
Aleksandri guxoi të ndalonte pikërisht në këtë pikë. Ai nuk u arratis në një pyll të largët. Nuk u fsheh diku jashtë shoqërisë. Mbeti brenda qytetit, duke qenë vetja. Ai vendosi të jetojë mes nesh – në qytet, mes shtëpive, garazheve dhe betonit, te kjo rrugë ku njerëzit kalojnë çdo ditë. Pikërisht kjo i jep pranisë së tij një efekt të veçantë. Përderisa njerëzit shëtisin qentë e tyre ose kthehen nga dyqanet, ata shohin këtë njeri që punon zbathur në kopshtin e tij, mbjell perime, lexon dhe e çon jetën e tij në mënyrën e vet.
Në një moment, nga kureshtja, lind pyetja: Kush është në të vërtetë i burgosur këtu? Ne, që ndjekim automatikisht rregullat e një bote të gatshme? Apo ai, që prapa një gardhi të thjeshtë me rrjetë teli ka krijuar botën e tij të vogël?
Ndoshta Aleksandri nuk i ka të gjitha përgjigjet. Ndoshta edhe fjala “liri” nuk e përshkruan plotësisht jetën e tij. Sepse të jesh i lirë nuk do të thotë të mos kesh kufij. Ndonjëherë do të thotë vetëm të vendosësh vetë cilët kufij pranon dhe cilët jo. Dhe ndoshta as Aleksandri nuk është çdo ditë plotësisht i sigurt nëse vendimi i tij ishte i duhuri. Ndoshta ka dyshime. Ndoshta ka vetmi. Ndoshta ka momente kur edhe ai pyet veten nëse jeta do të ishte më e lehtë sikur thjesht të përshtatej. Por pikërisht këtu qëndron ndoshta sinqeriteti i vendimit të tij. Ai guxoi diçka të rrallë: refuzoi ta ndajë mënyrën se si mendon nga mënyra se si jeton.
Kopshti i tij vazhdon të ekzistojë – një ishull i vogël i gjallë mes shtëpive prej betoni. Në këtë rrugë të pashtruar njerëzit vazhdojnë të nxjerrin qentë e tyre. Dritat e shtëpive ndizen mbrëmjeve, njëra pas tjetrës. Njerëzit kthehen nga puna në shtëpi, shkojnë për të blerë, nganjëherë ndalen dhe flasin me njëri-tjetrin. Jeta e lagjes vazhdon rrugën e saj të qetë. Dhe në mes të kësaj qëndron kjo jurtë. Ajo duket ende paksa e huaj. Ndoshta ashtu edhe duhet të duket. Sepse jo çdo gjë që duket e huaj është e gabuar.
Në këtë copë të vogël toke, një njeri vazhdon të jetojë sipas rregullave të veta — pa krijuar anarki, por pa iu nënshtruar as rutinës. Një njeri i qetë, pak skeptik, por paqësor, që nuk përpiqet të ndryshojë botën. Ai thjesht ka vendosur të mos heqë dorë nga e qenit vetvetja. Ndoshta pikërisht kjo është forma e tij e vërtetë e rezistencës. Ai guxoi të shtrojë pyetjen e madhe dhe po jeton me pasojat e përgjigjes e të vendimit të tij.
Dhe ndoshta, në fund, kjo është forma më e lartë dhe njëkohësisht më e vështirë e të qenit vetvetja.