

Mbrëmja e 21 shtatorit në Teatrin “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo (Pordenone) ishte një ngjarje e veçantë kulturore, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit shqiptar dhe të publikut italian. Nën patronatin e Këshilltarit Komunal të Deleguar për Politikat e Emigracionit, z. Ervin Ramaliu, salla ishte e mbushur plot me spektatorë të ardhur jo vetëm nga Azzano Decimo dhe Pordenone, por edhe nga Treviso, Trieste, Vicenza dhe qytete të tjera të Italisë veriore.
Në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” u ngjit Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, me një trupë prej 33 artistësh, të cilët sollën para publikut këngët, vallet, kostumet tradicionale dhe pasurinë kulturore të trevave shqiptare.
Programin e hapi koreografi Enkel Zhuti, ideator, organizator dhe drejtues i këtij projekti artistik, i cili falënderoi të pranishmit dhe veçanërisht autoritetet vendore për mbështetjen e tyre.
Fjalë përshëndetëse mbajtën kryetari i Bashkisë së Azzano Decimo, Massimo Piccini, kryetari i Këshillit Komunal, Paul Vatamanu, dhe Këshilltari Komunal i Deleguar për Politikat e Emigracionit, Ervin Ramaliu.
Programi artistik u drejtua nga moderatorja Suela Demiri, e cila, me përvojën dhe profesionalizmin e saj, përcolli atmosferën e veçantë të mbrëmjes. Në përshëndetjen e saj, ajo theksoi se artistët nuk kishin ardhur thjesht për të dhënë një koncert, por për t’i sjellë publikut Shqipërinë e këngëve dhe valleve, të traditës, ritmeve, ngjyrave dhe energjisë së shqiptarëve.
Dhe pikërisht kjo u përjetua gjatë gjithë mbrëmjes.
Këngët, vallet dhe muzika tradicionale shqiptare, të interpretuara drejtpërdrejt dhe të shoqëruara nga tingujt e instrumenteve tradicionale të orkestrës profesionale nga Tirana, krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Artistët, këngëtarët dhe valltarët, të veshur me kostume tradicionale të krahinave të ndryshme shqiptare, sollën në skenë një mozaik të pasur të trashëgimisë sonë kulturore.
Nga jugu në veri, traditat u shfaqën në larminë e tyre të ngjyrave, ritmeve dhe formave, duke dëshmuar pasurinë e kulturës popullore shqiptare dhe lidhjen e saj të fortë me identitetin kombëtar.
Për shqiptarët e diasporës, kjo mbrëmje kishte edhe një domethënie të veçantë emocionale. Ata që ndër vite kanë ndërtuar jetën e tyre në Itali, duke marrë me vete gjuhën, kujtesën, kulturën dhe traditat e vendlindjes, patën mundësinë të përjetonin një pjesë të Shqipërisë në vendin ku jetojnë.
Ajo që ishte lënë në atdhe u rikthye, përmes artit, në Azzano Decimo. Dashuria për vendin e origjinës u bashkua natyrshëm me dashurinë për tokën ku shqiptarët jetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Entuziazmi i publikut, duartrokitjet dhe ovacionet që shoqëruan artistët gjatë gjithë mbrëmjes dëshmuan pritjen e jashtëzakonshme që iu bë këtij aktiviteti.
Në realizimin e kësaj mbrëmjeje një rol të rëndësishëm pati Enkel Zhuti, drejtuesi, ideatori dhe organizatori i aktivitetit, i cili prej kohësh kishte punuar për realizimin e kësaj nisme.
Për Zhutin, sjellja e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në Itali ishte një projekt i menduar prej kohësh.
Turneu në Itali përfshiu qytetet: Brescia, Torino, Azzano Decimo dhe Rovereto, duke krijuar mundësi që komunitetet shqiptare në qytete të ndryshme të takoheshin me një nga institucionet më të rëndësishme të artit tradicional shqiptar.
Në suksesin e aktivitetit kontribuoi edhe mbështetja e familjes së organizatorit, veçanërisht bashkëshortes së tij, Gerta, dhe vajzës Alisa, të cilat, sipas dëshmisë së tij, qëndruan pranë tij gjatë gjithë periudhës së përgatitjeve.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe bashkëpunëtorëve dhe miqve që kontribuuan në realizimin e kësaj nisme.
Vlerësim i veçantë shkon për drejtuesit artistikë dhe administrativë të Ansamblit: Drejtorin Artistik Sokol Marsi, koreografin Genc Kastrati dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Operës dhe Baletit, Aulon Naçi, si dhe për të gjithë këngëtarët, valltarët dhe muzikantët që u ngjitën në skenën e Azzano Decimos.
Trupa artistike solli një repertor të pasur të këngëve dhe valleve popullore shqiptare, duke përcjellë përmes interpretimit profesional jo vetëm bukurinë artistike, por edhe historinë, traditën dhe identitetin kulturor të trevave shqiptare.
Për komunitetin shqiptar në Itali, takimi me Ansamblin Kombëtar ishte një moment i veçantë, ndërsa për shumë prej të pranishmëve u shndërrua në një përvojë të paharrueshme.
Në këtë ngjarje morën pjesë shqiptarë të ardhur nga disa provinca dhe qytete të Italisë veriore. Prania e mediave shqiptare dhe italiane i dha aktivitetit edhe një dimension të rëndësishëm informues.
Mes të pranishmëve dhe përfaqësuesve të mediave ishte edhe gazetarja Mirella Piccini, si dhe publicisti dhe shkrimtari Florim Zeqa, i cili e përshkroi këtë mbrëmje si një ngjarje të veçantë për komunitetin shqiptar.
Në këtë atmosferë, arti u bë përsëri një pikë takimi mes njerëzve, ndërsa skena e teatrit u shndërrua për disa orë në një hapësirë vëllazërie.
Përgatiti: Angela Kosta
Të dhënat u dërguan nga Ervin Ramaliu.