





Nga festa e lirisë te kënga e ndaluar në burgun e Burrelit.
28 Nëntor 1929, Korçë: Kujtim i Ditës Shenjtë
28 Nëntor 1939, Krujë: Sfida ndaj pushtuesit
28 Nëntor 1942, Kosovë: Një mision shprese, një flamur, një Shqipëri
28 Nëntor 1947, Burrel: Pesëqind zëra mbi muret e ferrit
Në historinë e një kombi ka data të cilat nuk mbeten vetëm në kalendar. Ato jetojnë në kujtesën e brezave, në simbolet që bashkojnë një popull, në këngët që trashëgohen si amanet prej të parëve dhe në sakrificat e atyre të cilët, në kohë të vështira, u përpoqën të ruanin të paprekur kuptimin e tyre dhe atdhedashurinë. I tillë është 28 Nëntori për Shqipërinë. Nga qëndresa legjendare e Gjergj Kastriotit në Krujë, te shpallja e Pavarësisë në Vlorë, më 1912, kjo ditë mbart historinë e një populli liridashës, i cili, mes përpjekjesh e sakrificash, ka mbrojtur gjithmonë identitetin dhe dinjitetin e tij. Për breza të tërë, ajo ka qenë më shumë se një festë: një ditë krenarie, bashkimi dhe përkatësie. Dita kur flamuri u bë jo vetëm simbol i një aspirate shekullore për pavarësi, por edhe kujtesë e çmimit që breza shqiptarësh kanë paguar për ta fituar e ruajtur lirinë, pa bërë asnjë kompromis.
Një udhëtim nëpër Nëntorë, përmes fotografive dhe fateve njerëzore të përmbysura: një flamur në duar, vargjet recituar, një mision shprese, një këngë në qeli.
28 Nëntor 1929, Korçë: Dy vëllezër, një fotografi, një shënim
Atë ditë, rrugët e sheshet e Korçës, të mbushura me flamuj kuq e zi, kumbonin nga brohoritjet. Ishte Dita e Flamurit. Njerëzit kishin dalë për të nderuar atdheun dhe Pavarësinë. Ndoshta nga ajo festë po vinin edhe ata dy të rinj në këtë fotografi, me krenarinë e atyre që ndiejnë se i përkasin një çasti të madh. Janë vëllezërit Hasan dhe Abdulla Rami.
Hasan e Abdulla Rami
Kujtim i Ditës Shenjtë, 28 Nëntor 1929, Korçë
Prapa kësaj fotografie gati një shekullore, Abdullai ka shkruar me dorën e tij:
“Kujtim i Ditës Shenjtë, 28 Nëntor 1929, Korçë”
Një shënim i shkurtër, i cili na vjen sot jo vetëm si kujtim i një Nëntori të Pavarësisë, por edhe si dëshmi e historisë dhe e kalvarit që do të përshkonin jetët e tyre, pas vendosjes së diktaturës në Shqipëri. Tetëmbëdhjetë vite më vonë, e njëjta datë do t’i gjente sërish të lidhur me ndjenjën e atdhedashurisë, por në një botë krejt tjetër: Ditën e Flamurit, ata do ta festonin pas hekurave të burgut, në qeli. Të diplomuar në universitetet europiane dhe me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata u goditën në kulmin e shkëlqimit të tyre dhe u dënuan padrejtësisht.
Gjithçka nisi në bankat e Liceut Francez të Korçës, ku ndanin asokohe të njëjtin mjedis shkollor me Enver Hoxhën, i cili i përmend edhe në librin e tij “Vitet e rinisë”. Ironia e hidhur e fatit të tyre qëndron pikërisht në këtë njohje të hershme: njeriu me të cilin ishin njohur në bankat e liceut do të bëhej më vonë diktatori, nën regjimin e të cilit ata do të burgoseshin e internoheshin, si kundërshtarë politikë.
Në Liceun Francez të Korçës, Nëntor 1929
Midis tyre Myslim Çarçani, Enver Hoxha, Feim Çarçani, Petraq Progri, Sabiha Kasimati, Nedin Kokona
Dhe sigurisht, historia e tyre nuk qëndron e vetme në këtë kujtesë të trishtë. Ajo kryqëzohet me fatet e shumë intelektualëve të tjerë, ish-liceistë të Korçës, njerëz të dijes e të kulturës, energjitë krijuese të të cilëve u mbytën me një lehtësi kriminale nga “fitimtarët” e diktaturës. Sa të rinj ishin atëherë! Askush prej tyre nuk mund ta përfytyronte se një kufi i pakapërcyeshëm do t’i ndante vite më vonë: liria për disa, burgu, internimi apo eliminimi për të tjerët.
I referohem këtu historisë së Abaz Omarit, Sabiha Kasimatit, Enver Zazanit, Foto Balës, Nezir Muzhaqit, Salim Kokalarit, Prenk Kaçinarit, Hilmi Hysit, Eqerem Hados, Adem Belit, Myslim Çarçanit, Enver Hados, e të tjerë. Ata ishin pjesë e asaj elite të re shqiptare që u formua në vitet ’20-’30 të shekullit të XX-të, një kohë shpresash të mëdha, por edhe përmbysjesh tronditëse. Secili prej tyre mbart një histori të vetën, por të gjithë mbeten pjesë e një kujtese të përbashkët: fati i shumë prej tyre do të ishte tragjik.
28 Nëntor 1939, Krujë: Vargjet që sfiduan pushtuesin
Dhjetë vjet pas fotografisë së Korçës, Hasan Rami, asokohe drejtor shkolle në Krujë, kishte përgatitur një nxënës të recitonte, në ceremoninë e festës së Pavarësisë, një pjesë nga përshkrimi i Fan Nolit për kthimin e Gjergj Kastriotit në Krujë.
“Kur të thuash vargjet: “Deri kur do të valëvitet mbi kështjellën e Krujës ai flamur i urryer i tiranit të huaj?”, do ta tregosh me dorë flamurin italian dhe do ta ngresh zërin fort, shumë fort!” – e kishte porositur ai nxënësin e tij. Mesazhi ishte i qartë. Ky nuk ishte thjesht një recitim festiv. Historia e Skënderbeut vinte për të thënë një të vërtetë të hidhur: Shqipëria ishte nën pushtimin fashist.
Recitimi emocionoi mbarë qytetarët e Krujës, por nuk kaloi pa reagimin e kolonelit italian, i cili iu drejtua Hasanit:
– Zoti drejtor, kjo ceremoni shkollore ka karakter nacionalist dhe është më tepër një fjalim politik sesa një manifestim shkollor!
– Po, zoti kolonel! – iu përgjigj ai. – Kjo është një e vërtetë historike e dhimbshme, e cila po përsëritet pas pesëqind vjetësh.
Pas kësaj ngjarjeje, Hasan Rami u shkarkua menjëherë nga detyra si drejtor, me motivacionin: “Antifashist”
Këtë histori na e rrëfente me mall e pasion Papa, siç e quanim ne të rinjtë, xha Hasanin. Atëherë na dukej thjesht një rrëfim i bukur; vetëm më vonë e kuptuam se ishte amaneti i tij: edhe nën pushtimin e huaj, nderimi për flamurin dhe kujtesa kombëtare mund të bëheshin akte qëndrese dhe atdhetarie.
Pas vendosjes së regjimit komunist, Hasan Rami u arrestua e u dënua si “armik i popullit” dhe vuajti dhjetë vjet, fillimisht në burgun e Shkodrës e më pas në Burrel. Pas lirimit, ndërroi jetë në internim.
28 Nëntor 1942, Gjilan, Kosovë: Flamuri në tokën e vëllezërve
Atë ditë nëntori, Abdullai ishte sërish pjesë e kremtimit të Festës së Pavarësisë, këtë herë në Kosovë, në Gjilan, ku ushtronte detyrën e Gjyqtarit Paqtues të Klasit të Parë, së bashku me kolegët e tij: Esat Berisha, Thoma Jani, Hasan Kryeziu dhe Zeqir Armi. Me mendjen dhe shpresën e idealistit, ai e shihte këtë mision si një prolog të aktit të madh të bashkimit përfundimtar të trojeve shqiptare. Ndaj iu përkushtua mbrojtjes së së drejtës legjitime të popullit shqiptar në Kosovë dhe shqiptarizimit të institucionit juridik të Gjilanit, të dominuar asokohe nga elementë serbë dhe prosllavë. Dokumentet e kohës, të ruajtura në Arkivin Shtetëror të Kosovës në Prishtinë, dëshmojnë se, në cilësinë e Gjyqtarit Paqtues, ai ndërmori rishqyrtimin e çështjeve gjyqësore të shumë shqiptarëve të atyre trojeve, të burgosur padrejtësisht nga juridiksioni serb, duke shpallur pafajësinë dhe duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Abdulla Rami në kremtimin e Ditës së Pavarësisë
Gjilan, Kosovë, 28 Nëntor 1942
Fotografia e ruajtur nga kremtimi i Festës së Flamurit në Gjilan e shfaq atë në një tjetër moment të jetës së tij: larg vendlindjes, por sërish i pranishëm në Ditën e Pavarësisë, e cila edhe në Kosovë mbartte të njëjtën domethënie kombëtare dhe atdhedashuri.
Përfytyroj atë ditë nëntori, me diell të ftohtë dhe një shesh të mbushur plot me njerëz. Një djalosh i ri reciton përpara tryezës ku ishin ulur të nderuarit. Zemra i rreh fort; vargjet i ka mësuar mirë, ndoshta i ka përsëritur me zë të ulët, që të mos e dëgjojë njeri. Por kur e ngre zërin, sheshi hesht dhe e dëgjon. Ai reciton për mëmëdheun, për Kosovën, për Shqipërinë.
Tri vite më parë, në Krujë, një djalosh tjetër e kishte ngritur zërin, siç e kishte porositur Hasani “fort, shumë fort!”. Dy djem, dy qytete, një Nëntor, një Flamur. Mes të nderuarve që dëgjonin ishte edhe Abdullai, i cili, ndoshta atë ditë, po mendonte për historinë e Krujës dhe vëllain e tij.
Pas rreth dy vjetësh në Kosovë, Abdulla Rami u kthye në skajin jugor të Shqipërisë, ku së bashku me Hasanin mbështetën Konferencën e Mukjes, në emër të idealit të bashkimit mbarëkombëtar, për një Shqipëri të lirë dhe etnike. Ata ishin ndër përfaqësuesit më të spikatur të organizatës “Balli Kombëtar” për qarkun e Gjirokastrës dhe kundërshtuan hapur përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri..
Hamit Rami, Abdulla Rami, Fejzo Hoxha dhe Hasan Rami
Tiranë 1943
Pikërisht në këtë histori përmbysjeje të fateve njerëzore, Nëntori i vitit 1947 shënon një nga episodet më tronditëse në kremtimin e Festës së Pavarësisë.
28 nëntor 1947, Burrel: Kënga e ndaluar mbi muret e ferrit
Tetëmbëdhjetë vjet pas fotografisë së Korçës.
Ai Nëntor i gjeti vëllezërit Rami pas hekurave: Hasanin në burgun e Shkodrës ndërsa Abdullain në atë të Burrelit, ku do të vuante tëtëmbëdhjetë vjet në qeli.
– Burreli ishte ferri vetë, – rrëfente xha Avniu, i cili vuajti atje dhjetë vjet bashkë me Abdullain.
“Nuk dinim nëse do të dilnim të gjallë nga andej apo jo. Dhe si për të na e kujtuar këtë, gardianët kishin shkruar me shkronja të mëdha mbi murin e oborrit të burgut:
“Burgu i Burrelit – Kampi i shfarosjes së armiqve të popullit.”
Pikërisht në atë oborr, më 28 Nëntor, të burgosurit kishin dalë në orën e ajrimit dhe mbushnin ujë në pusin e turbullt. Ishte Festa e Flamurit, dita më e shënuar e shqiptarëve. Edhe brenda atyre mureve, ata burra vendosën ta kremtonin të gjithë bashkë Ditën e Pavarësisë. Jo me ceremoni, jo me fjalime, jo me flamuj e poezi, por me këngë për mëmëdheun.
Më shumë se pesëqind zëra burrash shpërthyen njëherësh në oborrin e burgut. Këndonin për flamurin, për Kosovën, për Shqipërinë, për Çamërinë.
U tronditën muret e Burrelit. Policia dhe gardianët ngritën alarmin. Me automatikë në duar dhe duke i rënë bilbilave, bërtisnin:
-Ndaloni këngën! Kthehuni në qeli!
Drejtori i burgut, i rrethuar nga gardianët, filloi t’i pyeste të burgosurit një nga një:
– Kush e filloi këngën? Kush ia mori këngës?
Përgjigjjia erdhi njëzëri:
– Të gjithë bashkë, të gjithë bashkë ia morëm këngës, kënduam të gjithë!
Atëherë gardianët morën rreth tridhjetë të burgosur, ndër më të spikaturit. Mes tyre edhe Ibrahim Biçakçiu, Abdulla Rami, Sabaudin Resuli, Abdyl Binaku, Qemal Vrioni, Gjergj Kokoshi e të tjerë. I urdhëruan të hiqnin këpucët, çorapet, xhaketat, dhe i flakën në birucat e mbushura me ujë të akullt. I lanë aty me orë të tëra, në të ftohtin që depërtonte nën lëkurë e deri në palcë. Sikur të mos mjaftonte robëria e trupit, donin t’ua thyenin edhe shpirtin.
Kori i skllevërve nga opera Nabucco e Verdit
Këndon për atdheun e humbur dhe aspiratën për liri
Kështu u shënua 28 Nëntori në burgun e Burrelit. Kënga për Shqipërinë, ky akt qëndrese, u shpagua me tortura e ndëshkim. Abdullai i mbijetoi atij ferri, por shumë të tjerë nuk i përballuan dot torturat dhe vitet e gjata të burgimit. Kostaq (Koço) Kota, Qemal Vrioni, Atif Golja, Gjergj Kokoshi, Et’hem Haxhiademi, Jup e Seit Kazazi, Estref Myftiu, Xhevat Korça, Arqile Tasi, Mihal Ballkameni e të tjerë u shuan atje një nga një dhe trupat e tyre u groposën pranë qershizës, në dalje të burgut.
Në kujtim të tyre, Abdullai shkroi atëherë këto vargje të cilat, edhe sot vazhdojnë të dëshmojnë, të lotojnë, të kujtojnë… Nëna ime i kishte ruajtur prej vitesh dorëshkrimet e gjyshit, mes të cilave ishte edhe kjo poezi:
Qershiza loton
Qëndresa e tyre heroike
U gdhend aty në muret e qelive pa dritë
U goditën me shkopinj, dru e çizme
U rrahën, u vranë më keq se bagëtitë…
Pushuan mendjet e arta
Nuk trokasin më zemërzjarrtët,
Gojtarët, dijetarët, predikonjësit me shumë vlerë
U shuan aty për gjith’herë.
Qershiza e Burrelit ferr, u bë shtëpi-varr
Për qindra e qindra mëmëdhetarë
Sa nëna, gra, motra pritën në rrënjët e saj
E lotë të nxehtë derdhën, lotë që kurrë s’u thanë.
Dhe ndërsa burgjet mbusheshin me kundërshtarët e regjimit, Shqipëria e asaj kohe shfaqej në arenën ndërkombëtare si një vend i cili “vazhdonte rrugën e pandalur drejt fitoreve të reja”. Më 14 dhjetor 1955, ajo u pranua anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila kishte në themel të misionit të saj mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, si shtylla të demokracisë. Asambleja e saj e Përgjithshme kishte miratuar, shtatë vjet më parë, më 10 dhjetor 1948, në Paris, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Neni 5 i kësaj Deklarate përcaktonte shprehimisht: “Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, veprimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.” Një kontrast i thellë mes idealeve të shpallura nga bota e lirë dhe realitetit të një regjimi totalitar.
Por ç’kuptim kishte kjo anëtarësi, kur brenda kufijve të Shqipërisë këto të drejta shkeleshin sistematikisht?
Ndaj, pikërisht në këtë kundërthënie historike merr kuptim edhe ky shkrim-homazh për Ditën e Shenjtë të Pavarësisë dhe, përmes saj, për një brez të sakrifikuar e qëndrestar, i cili, edhe në vitet më të errëta, nuk e braktisi ëndrrën për lirinë. Ata nuk e pranuan kurrë robërinë.
Këtë të vërtetë e përmbledh më së miri edhe shënimi i lënë pas fotografisë së 28 Nëntorit 1929: “Kujtim i Ditës Shenjtë”. Të shkruara në liri, këto fjalë do t’u mbijetonin burgjeve, torturave, pushkatimeve e internimeve. Një amanet, të cilin koha nuk e zbehu dhe as e zhbëri dot, por i dha më shumë dritë. Abdullai ndërroi jetë më 29 janar 1973, në internim, pa e parë ditën e lirisë, por la pas dorëshkrimet, kujtimin dhe veprën e tij. Më 1996, shteti shqiptar e nderoi me titullin «Martir i Demokracisë”.
Dhe kjo është sfida më fisnike dhe më madhështore e kujtesës ndaj tiranisë. Sepse diktatura mund t’i burgosë e t’i ekzekutojë kundërshtarët, mund t’ua ndalojë këngën dhe t’i ndëshkojë qëndrestarët, mund t’ua vrasë ëndrrat dhe t’ia përmbysë të ardhmen rinisë, por nuk mundet kurrsesi ta shuajë ndjenjën e atdhedashurisë. As muret e qelive, as telat me gjemba, as torturat, as dhuna nuk mundën t’ia rrëmbenin 28 Nëntorit kuptimin e tij të shenjtë dhe vendin e përjetshëm në Kujtesën tonë Kombëtare, për ne të gjithë.
Gëzuar 28 Nëntorin e Pavarësisë, Shqipëri!
Nga Ermira Xhomaqi-Godo
Paris, Nëntor 2026