
Prof. Dr. ZANA FRASHËRI-LITO/
Punimi në fjalë është e para vepër enciklopedike e këtij lloji, hartuar në dy vëllime nga një autor shqiptar, për publikun shqiptar brënda dhe jashtë Shqipërisë në gjuhën shqipe, mbi një temë themelore dhe të gjithanshme që i shërben drejtpërdrejt informimit dhe formimit të tij. Është rezultat i një pune hulumtuese shumë vjeçare, e bërë prej autores, e cila ka qenë njëkohësisht që prej vitit 2000 pedagoge në auditor dhe online e kursit Qytetërimi Botëror dhe Mitologjia Botërore pranë Departamentit të Shkencave Humanitare në Universitetin Shtetëror të Miçiganit në SHBA.
Dua të shtoj se që në fillim një ngacmues për të prodhuar këtë vepër ishte im atë, profesor doktor Kristo Frashëri, i cili gjatë gjithë jetës sime ka qenë njëkohësisht profesori im, kolegu im, shoku im, madje busulla e jetës sime. Gjatë vizitave të mia të shpeshta në shtëpinë e tij në Tiranë, ndërsa më pyeste vazhdimisht mbi leksionet dhe kurset e mia në universitetin ku punoja, më nxiste të shkruaja këtë libër për publikun shqiptar, meqenëse një vepër e tillë mungonte madje, siç thoshte ai, ishte shumë e nevojshme. Tashmë, ndonëse ai nuk është më midis nesh, ndjej një kënaqësi të veçantë, sepse më duket se e plotësova dëshirën e tij.
Vepra është rezultat i një pune kërkimore prej gati 30 vjetësh. Ndërsa jepja mësim në universitet, ndërkohë vazhdoja të grumbulloja material nga literaturat përkatëse të huaja për periudha kohore dhe hapësira gjeografike të veçanta.
Qytetërimet botërore japin një tabllo të qartë mbi zhvillimin e shoqërive njerëzore gjatë historisë, duke përfshirë mënyrën e jetesës, kulturën, traditat, besimet, organizimin shoqëror, politikën, diplomacinë, ekonominë, shkencën, teknologjinë, artin dhe kulturën. Shumë njerëz të mençur, si filozofë, diplomatë, historianë, politikanë etj., nga rajone të ndryshme të botës dhe në periudha të ndryshme historike, kanë vlerësuar rëndësinë e njohjes dhe të studimit të qytetërimeve botërore. Mjaft prej këtyre thënieve janë paraqitur në të dy vëllimet e këtij botimi.
Libri përmban 54 tema të përfshira në 10 kapituj, me rreth 1200 faqe. Çdo fund të çdo vëllimi është vendosur bibliografia e huaj mjaft e pasur e shfrytëzuar për të. E shtrirë në kohë dhe hapësirë, që nga lashtësia deri në kohët moderne (deri në prag të sulmit mbi kullat binjake në Manhattan, 2001), vepra përfshin vatrat ndërkontinentale të kulturës shpirtërore dhe materiale të njerëzimit në Afrikë, Azi, Europë dhe Amerikë. Ajo hedh dritë shkencore mbi shtigjet dhe rrugët kryesore nëpër të cilat ka kaluar mendja dhe zemra e njeriut nga një stad në tjetrin.
Nis nga evolucioni i qenieve njerëzore, neoliti i Mesopotamisë 8000vjet para Krishtit, shpërfaqet në qytetërimin Harapan dhe mbretërimin e Hamurabit, piramidat e Egjiptit, për të dalë tek Buda, kryqëzimi i Krishtit dhe te Muhamedi e qytetërimi Islam, për tu përmbyllur përkohësisht te rënia e Konstandinopojës e për të vijuar e për tu konsoliduar më tej në kohët e reja dhe moderne. Një hark kohor madhështor, që do të ngrihet mbi katër kontinenetet e planetit tonë – Afrika, Azia, Amerika dhe Europa – ku lindën dhe hodhën shtat qytetërimet e ndritura të brezave të ndryshëm të njerëzimit. Në këta kufij kohorë dhe hapësinorë shtrihet lënda aq e pasur dhe e ndryshme e librit, që kap sfera të historisë, arkeologjisë, filozofisë, religjionit, politikës, diplomacisë, ekonomisë, shkencës, teknologjisë, të arteve dhe kulturës. Me fjalë të tjera, qytetërimet botërore përfshijnë të gjitha arritjet e njerëzimit në fusha të ndryshme dhe tregojnë se si shoqëritë janë zhvilluar nga lashtësia deri format që ato paraqiten sot.
Cilat ishin kriteret bazë:
Materiali ishte mjaft voluminoz madje dhe i vështirë. Duheshin pa tjetër disa kritere bazë për tu përdorur, ashtu siç duhet skeletura për ngritjen e një ndërtese. Për këtë shërbyen dy koncepte themelore të historisë – koncepti i hapësirës dhe kohës. Gjatë gjithë historisë njerëzore koncepti hapësira dhe koha janë të ndërthurura me njera tjetra, madje nuk mund të kuptohen veçmas. Kështu shtrirja në kohë dhe hapësirë dhe harmonizimi i këtyre dy koncepteve në një farë mënyre më ndihmoi të organizoj materialin voluminoz, ta menaxhoj atë dhe të krijoj një tablo gjithpërfshirëse.
Në fillim përcaktova etapat historike, duke u ndalur në momentet kyçe të historisë botërore. Më pas zbërtheva konceptin e hapësirës duke përcaktura kulturat e trevave të ndryshme të botës, brenda së njëjtës periudhë kohore historike. Më është dashur të vendos një glob të madh të botës në zyrë dhe të përdor copëza hartash të panumërta, për të identifikuar me pineska me ngjyra qytetërimet përkatëse të epokave historike përkatëse. Mendoj se këto dy koncepte përbëjnë një binom të nevojshëm për të menaxhuar një tabllo të organizuar të lindjes dhe zhvillimit të qytetërimeve më të spikatura të brezave të ndryshëm të shoqërisë njerëzore.
Një tjetër kriter bazë për hartimin e kësaj vepre ishte edhe shfrytëzimi i një bibliografie të pasur të huaj që reflekton çdo vatër qytetërimi të botës në periudha të caktuara historike. Gjithë këto burime të begata transmetohen tek lexuesi me argumente shkencore, me një sens mase përmes një përzgjedhjeje të përkorë dhe me gjuhë të qartë e të kuptueshme për lexuesin e gjerë. Çdo vëllim ka bibliografinë e shfrytëzuar të vendosur në fund të vëllimit. Për vetë karakterin e saj si vepër enciklopedike, nuk janë përdorur referenca në fund të çdo faqeje. Kjo sepse do të shtonte akoma më shumë volumin e faqeve dhe do ta bënte edhe më të lodhshëm leximin. Ky është një kriter i pranueshëm për vepra enciklopedike, për të cilat sugjerohet një bibliografi e pasur në fund të librit.
Një nga objektivat e rëndësishme të kësaj ndërmarrje shumëvjeçare ishte që libri të jetë i lexueshëm jo vetëm për specialistë të fushës, por për lexuesin e përgjithshëm. Për këtë arësye, vepra është shkruar, ndryshe nga përkthimet që qarkullojnë, në një gjuhë shqipe të pastër, të qartë, të kuptueshme dhe të lexueshme nga kushdo i interesuar.
Një element tjetër i rëndësishëm ishte edhe dëshira që në këtë tabllo të kulturës së përbotshme të pozicionohej edhe kultura dhe qytetërimi i hershëm shqiptar. Kjo dëshirë u kthye në një qëllim në vetvete. Kështu në fund të çdo kapitulli u vendosën disa linja përmbledhëse të kulturës shqiptare, kryesisht për periudhat e hershme historike, për të treguar se edhe qytetërimi shqiptar ka ecur krah për krah me zhvillimte te kulturës dhe qytetërimeve botërore që në kohët e hershme. Duhet theksuar se, qëllimi kryesor i këtij punimi nuk ishte rrugëtimi i qytetërimit shqiptar në shekuj apo zhvillimet historike në Shqipëri dhe Kosovë, mbasi këto tema janë trajtuar gjerësisht nga studiues të mirënjohur e të shquar shqiptare. Këtu qëllimi ishte prezantimi tek lexuesi shqiptar i lindjes dhe ecurisë së qytetërimeve botërore me të gjitha aspektet e tyre, që nga fillimet e deri në kohët moderne. Me sa di unë, kjo është e para vepër ku arritjet e kulturës së hershme shqiptare vihen paralelisht në të njëjtën tabllo me atë botërore.
Cila ishte metodologjia e përdorur:
Mbasi përcaktova vatrat e hershme të qytetërimit botëror në Mesopotami, Egjipt, Indi, Kinë, rajonin mesdhetar etj, piketova tematikat për të cilat do të analizoja çdo qytetërim. Larmia e tematikave specifike përfshin elementet bazë për krijimin dhe mbijetesën e qytetërimeve, tiparet e sistemeve politike/sociale të tyre, krijimi dhe zhvillimi i botkuptimeve filozofike dhe fetare, krijimi dhe transmetimi i njohurive tekniko-shkencore si dhe arritjet më kulmore të krijimtarisë letraro artistike të këtyre qytetërimeve. Duke përdorur këtë larmi tematikash specifike për çdo qytetërim, gjatë punës munda të dalloj tipare të ngjashme, veçori dalluese midis tyre dhe sesi ato kanë shkëmbyer elemente të ndryshëm madje edhe sesi kanë influencuar njëra tjetrën.
Çfar më ngacmoi mua për të pregatitur këtë botim:
Së pari, vepra i përshtatet më së miri periudhës kohore në të cilën jetojmë. Sot komunikimi i përbotshëm ka arritur në një pikë të tejskajëshme nëpërmjet shkëmbimeve politike, diplomatike, kulturore, shkencore, akademike, profesionale dhe sociale midis rajoneve të ndryshme dhe më të largëta të botës. Shoqëritë njerëzore të rajoneve të ndryshme janë në procesin e ndryshimit të përbërjes së tyre etnike, si rezultat i këtij komunikimi dhe bashkëpunimi të gjithashëm. Me fjalë të tjera dalëngadalë natyra entike e shoqërive njerëzore në botë është bërë dhe po bëhet gjithnjë e më e larmishme.
Kjo ngjasi e bën akoma më të domosdoshme njohjen dhe studimin e qytetërimeve dhe kulturave botërore, për të arritur një bashkëpunim dhe mirëkuptim të suksesshëm, një komunikim më efikas dhe mbi të gjitha një tolerancë kulturore – e cila mbetet një faktor i fuqishëm për mbarëvajtjen e marrëdhënieve midis kombeve, jo vetëm në fushën diplomatike por edhe politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore.
Së dyti, mendoj se Shqipëria demokratike ka nevojë për një njohje më të thellë të kulturës botërore, mbasi kemi qenë të izoluar për një kohë të gjatë. Është fakt i ditur që të gjitha vendet perëndimore prej kohe kanë vënë në dispozicion të publikut të tyre botime encikopedike të kësaj natyre, madje të botuara nga institucione akademike për formim gjithëpërfshirës të lexuesve të interesuar.
Për rrjedhojë, krahas punës së palodhur që bëjnë studiuesit shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut për ta bërë akoma më të njohur kulturën dhe qytetërimin tonë të pasur, është po aq e rëndësishme dhe e nevojshme studimi dhe pasurimi i njohurive të publikut të gjerë shqiptar brenda dhe jashtë vendit mbi kulturat dhe qytetërimet e përbotshme.
Nëse siç nënvizon shkencëtari i shquar i shkencave politike të Universitetit të Harvardit, Samuel Huntington, ne po jetojmë një përplasje të qytetërimeve, po aq i qartë dhe i padiskutueshëm është edhe fakti se, shoqëria njerëzore ka hyrë në një epokë të re, në të cilën asnjë qytetar aktiv apo person i edukuar nuk mund të mohojë apo injorojë domosdoshmërinë e të studiuarit dhe të kuptuarit të se kaluarës së shoqërisë njerëzore, tashmë në terma globale. Eksperiencat historike si dhe vlerat morale, politike dhe fetare të qytetërimeve të ndryshme të botës, tani më shumë se kurrë, kërkojnë vemendjen dhe kuptimin nga të gjithë anëtarët e shoqërisë njerëzore. Me fjalë të tjera, njeriu sot nuk është më thjesht një qytetar i shtetit të tij, por është kthyer në ‘qytetar i botës’. Për rrjedhojë, studimi i qytetërimeve botërore merr përmasa të reja dhe shndrrohet në një manual i vlefshëm pune për kuadrot tanë si historianë, sociologë, politikanë, diplomatë, gjuhëtarë, pedagogë, mësues, studentë, lexues të kualifikuar si dhe atyre të interesuar për një formim më të gjërë të tyre në përmasat e kulturës botërore.
Për më tepër, unë besoj se kultura botërore është një faktor i rëndësishëm që ndikon edhe në politikën e jashtme të një shteti. Njohja e saj bëhet e domosdoshme, nëse dëshëron të bësh një politikë të jashtme të suksesshme dhe progresive, sepse siç thotë diplomati dhe filozofi i Rilindjes Italiane, Nikolo Makiaveli (1469-1527) ‘Kushdo që dëshiron të parashikojë të ardhmen, duhet t’i drejtohet së kaluarës, sepse ngjarjet njerëzore gjithmonë u ngjajnë atyre të kohëve të mëparshme’.
Vëllimi I: Nga Antikiteti deri në fund të shekullit XVIII
Vëllimi II: Nga fundi i shekullit XVIII deri në fund të shekullit XX
Shtëpia Botuese Neraida Tiranë, Nëndor 2026