
Veprimtar i lëvizjes kombëtare, studiues. Lindi në Elbasan. Kreu gjimnazin në Athinë. Nisi po aty studimet e larta në degën e farmacisë, por i ndërpreu pas dy vjetësh dhe u kthye në Elbasan. Punoi shumë si autodidakt për të zgjeruar kulturën dhe për të mësuar gjuhë të huaja. Veprimtarinë politike dhe shoqërore e nisi në fillim të viteve të para të shek. XX. Më 1909 u zgjodh nënkryetar i klubit “Vllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi dhe drejtoi shoqërinë “Afërdita”; më 1910 botoi gazetën e parë të qytetit të tij, “Tomorri”. Më 1908 dha mësim në një shkollë nate të qytetit. Duke u bashkuar me forcat përparimtare të kohës, dha ndihmesë në punimet e Kongresit të Elbasanit (1909, shih) dhe në hapjen e Shkollës Normale.
Shpejt u bë personalitet i njohur. Në gazetën e tij botoi shkrime e artikuj të përkthyer nga shtypi europian, ku pasqyroheshin problemet e kohës dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi i Parisit u bënë shkak që Xhonturqit ta arrestonin e ta dënonin me vdekje (1910). Me ndërhyrjet e patriotëve, dënimi iu kthye në internim në Bursë të Turqisë. U lirua nga ndërhyrjet e personaliteteve shqiptare. Në qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh ministër i Postë-Telegrafës dhe dha ndihmesën e tij për miradministrimin e atij sektori të rëndësishëm. L.N. ishte një nga drejtuesit e së përkohshmes të Elbasanit “Kopështi letrar” në v. 1918–1919. mbledhës i kujdesshëm objektesh antike e etnokulturore, materialesh arkivore, dorëshkrimesh e dokumentesh historike. Mblodhi këngë nga cikli i kreshnikëve, këngë legjendare dhe material të pasur gjuhësor.
La një fond të pasur me materiale etnofolklorike që ruhet në Arkivin e Institutit të Kulturës Popullore. Më 1924 botoi një seri broshurash me titull “Dokumenta historike për t’i shërbye historisë tonë kombëtare”, duke përfshirë këtu gjithë dokumentet e Qeverisë së Vlorës e të Shpalljes së Pavarësisë në v. 1912. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920, shih). Në ato vite L.N. kishte letërkëmbim me mjaft personalitete të shquara brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht me N. Joklin. L.N. u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës në kohën e pushtimit gjerman të Shqipërisë (tetor 1943).
Në v. 1945 u arrestua si kolaboracionist dhe u dënua me vdekje; u pushkatua në shkurt 1946. Fondi i L.N. në AQSH përmban një vëllim prej 12.000 faqesh, ku përfshihen dokumente me natyrë biografike, politike-shoqërore, të gjykatës turke, arkivit të Sheriatit të Elbasanit, regjistrat e vjetër të esnafëve, kronologji të ngjarjeve historike në periudha të ndryshme kohore, letër-këmbime me personalitete të kohës dhe studime që rrokin fushat politike, historike, gjuhësore, arkeologjike, përkthime të dokumenteve historike. Është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Kujtim Bevapi
Agron Xhagolli
“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2008
Foto: wikipedia.org