
Kristaq Balli/
Sotir Peci lindi në Dardhë, qytezë afër qytetit të Korçës, më 1873 nga një familje me gjendje të mirë ekonomike por edhe e arsimuar dhe e qytetëruar mirë për kohën. Familja e gjithë merrej me tregtinë e lëndës drusore, gjë që e detyronte të komunikonte jo vetëm me Korccën e qarkun rreth saj, por edhe më gjerë. Vendlindja nga një anë dhe prejardhja e tij familjare kanë rolin parak në formimin e karakterit të tij rinor, si dhe ndikimin pozitiv që do të ushtronin ato gjatë arsimimit, kulturimit dhe aktivitetit të tij patriotik, kulturor, publicistik, arsimor e politik.
Në mënyrë panoramike po formuloj kronikën e jetës së tij, për të krijuar sado pak imazhin e punëve, aktivitetit e angazhimeve të tij kryesore, në arenën e zhvillimeve të dendura komplekse shqiptare në dy-tri dekadat e para të shekullit të 20-të. Studimet e mesme-gjimnazin dhe fakultetin e shkencave në degën për matematikë-fizikë i ka përfunduar në Athinë e, aty, në vitet 1900-1904, falë prirjeve e pasionit të tij kulturor, letrar, iu bind detyrimit patriotik për të marrë përsipër botimin e fjalorit të Kostandin Kristoforidhit. Deri në fund të shekullit të 19-të gjuha shqipe vijonte të shkruhej me dhjetëra alfabete, por alfabeti grek mund të ndihmonte që edhe të huajt me anë të tij të mësonin për popullin shqiptar, për gjuhën e kulturën e tij.
“Një gjuhë e pashkruar është idiomë e një fisi a e një populli që ende nuk ka arritur të formojë një njësi politiko-gjeografike. Nevoja e grafizimit të gjuhës lind atëherë kur një bashkësi gjuhësore arrin një shkallë të atillë njësimi sa të krijojë një bashkim shpirtëror e politik të ngjashëm me shtetin.” (MEMUSHAJ, 2013: 9)
Etapa e grafizimit të gjuhës shqipe fillon me “Formulën e Pagëzimit” (1462) dhe përfundon me “Mesharin” e Buzukut (1555), ku shqipja del për herë të parë e shkruar me alfabet origjinal, veç me themel latin. Më pas shqipja u shkrua edhe me alfabet grek, fjala vjen “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, 1878; më 1924 librin u përpoq ta latinizonte Gjergj Pekmezi, sipas tij botimi ka vlerë edhe sepse në origjinal mund ta lexojnë edhe grekët dhe të tjerë që njohin këtë gjuhë.
“Bleta” e Mitkos qe një libër i hapur edhe për trashëgiminë e arbëreshëve, edhe për këngë të shqiptarëve gegë, madje edhe për ndonjë vjershë alamiado (një prej tyre, me autor Hasan Zyko Kamberin – Koloniotin, sepse ishte nga Kolonja, ai e vlerësonte shumë lart). Studiuesi thekson: “Kësisoj alfabetet pushuan së qeni kufij, dialektet pushuan së qeni kufij, ndarjet krahinore pushuan së qeni kufij, procesi homogjenizues po ecte për së mbari.” (MITKO, 2020: 23).
Me alfabet grek u shkrua Fjalor i Gjuhës Shqipe (Leksikon tis alvanikis glosis). Ai u botua më 1904 në Athinë nga Sotir Peci, pasi u dha leja nga qeveria greke. Fjalësi i mbledhur është me rreth 12.000 (11.675) fjalë, është dygjuhësh, shqip e greqisht. Fjalori pasi u ripunua dhe u transkriptua në alfabetin e shqipes së sotme prej A. Xhuvanit, u ribotua më 1961 me titullin Fjalor Shqip-Greqisht. Ajo është vepra e parë e leksikografisë shqiptare, përpjekja e parë drejt një fjalori shpjegues të shqipes. Shpjegimi bëhet kryesisht në shqip e greqisht, nganjëherë dhe në latinisht, turqisht e italisht; ai merr vlerë edhe si dëshmi e pasurisë leksikore me një shtrirje mbarëgjuhësore duke kaluar kufijtë e variacioneve gjuhësore të shqipes. Kësisoj fjalori dokumenton kontributin e K. Kristoforidhit edhe në formimin e gjuhës standarde shqipe.
“Si përfundim, do të vinim në dukje se ndihmesa në hedhjen e themeleve të një gjuhe letrare dëshmohet si e përbashkët për të dy këta lëvrues të shquar të shqipes. Njëri ishte nga Elbasani (K. B.: Konstandin Kristoforidhi) e tjetri nga Frashëri (K. B.: Naim Frashëri), por i përkisnin të njëjtit orientim kulturor e kombëtar, që do të përcaktonte në vija të trasha po atë rreth temash, kërkesash e kërkimesh, rrjedhimisht edhe po atë leksik, e më gjerë, po atë frymë gjuhësore.” (LLOSHI, 2001: 179)
Sipas Aleksandër Xhuvanit, Fjalori erdhi në ndihmë të mësimit të shqipes për ata intelektualë shqiptarë që dinin greqisht, por nuk dinin të lexonin e shkruanin shqip. Kristoforidhi bëri përpjekje të mëdha për ta botuar Fjalorin, por nuk mundi. Pas vdekjes së tij fjalori rrezikoi bjerjen e dorëpasdorshme, derisa përfundoi në arkivat e ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Fjalori i Gjuhës Shqipe, deri atëherë, ishtë vepra më madhore e gjuhës shqipe, prandaj, çështja e parë që duhet zgjidhur për shkrimin e një gjuhe, thekson Memushaj, është grafizimi i saj, kurse produkti i këtij procesi është alfabeti i asaj gjuhe.
Me alfabet arab të përshtatur për shqipen shkruan disa autorë alamiado (më i madhi syresh Nezim Frakulla apo Nezim Berati me Divanin e parë shqip; një kopje tij e transkriptuar me alfabetin grek, ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar). Për tre deri katër shekuj, shkolla letrare e vjershëtarëve të spikatur, Nezim Berati (shek. 17 -1760), Hasan Zyko Kamberi (shek. 18 – shek. 19) dhe Muhamed Çami (1784-1844), kjo shkollë u bë një shkollë e mirëfilltë letrare ku zbulohet autori, “madje si subjekt i shkrimit,” (HAMITI, 2010: 146). Shqipja vijoi të shkruhej edhe me alfabete origjinale duke nisur me Ëvetaret e N. Veqilharxhit e të tjerë më këtej. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u përdoren rreth 50 sosh. Një nga më të përdorurit ishte alfabeti i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqipe, apo Alfabeti i Stambollit, siç thirrej zakonisht shkurt alfabeti i vendosur në atë shoqëri më 12 tetor 1879.
Bashkë me njësimin e kërkesave kulturore e kombëtare, u kërkua edhe njësimi i gjuhës sipas një standardi. Një nga prijësit e shoqërisë investoi një veprimtari të gjerë në punë të formimit të gjuhës letrare shqipe: “Nga një vështrim i përgjithshëm kemi krijuar një mendim e bindje të ngulitur se Naimi – poeti i madh dhe veprimtari i dalluar ndër inteligjencien e kohës së Rilindjes Kombëtare, në punë të formimit të gjuhës letrare shqipe investoi një veprimtari të gjerë, derdhi mund, shkriu energjitë e tij për përsosjen e këtij mjeti të fortë, të pazëvendësueshëm në punë të përparimit e të zhvillimit të kombit – siç thoshte vetë Naimi.” (AJETI, 2001: 119)
Sabri Hamiti shkon më tej në vlerësimin e apostullit të kombit për ngjizjen e gjuhës shqipe kur shkruan: “Naim Frashëri (1846-1900), njësoj i rëndësishëm si apostull i kombit, si poet e si krijues i gjuhës letrare shqipe, krijoi himnin për vendin me veprën Bagëti e Bujqësi (1886), himnin e dashurisë me poemën Bukurija (1890) dhe himnin për heroin nacional me epin Skënderbeu (1898).” (HAMITI, 2010: 148)
I takon ky përcaktim poetit të madh që jo vetëm e ka njohur vlerën përbashkuese e qytetarizuese të gjuhës, por dhe ka mbështetur lëvrimin e saj. Këtë e ka vënë në dukje albanologu i mirënjohur austriak Norbert Jokli në studimin e vet: “Naim Frashëri e pasunimi i gjuhës shqipe”, punim i përfshirë në librin kushtuar poetit me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së tij, botuar në Grac në vitin 1925: “Kish të drejt i gjori Laipniç, që thosh: m’epni shkronja të mira, t’u ap gjuhë të bukurë; m’epni gjuhë të bukurë, t’u ap qytetëri të mbaruarë.” (FRASHËRI, 1899: 36)
Këtë ndihmesë me ndikim te bshkëkohësit apo krijuesit e mëvonshëm e ka vënë në dukje Shaban Demiraj: “Gjithsesi, puna themelvënëse e Naimit dhe e bashkëkohësve të tij të shquar, Kristoforidhit, Samiut etj., ka ndihmuar me siguri në qëndrimin, që mbajtën në lëvrimin e gjuhës shqipe një varg shkrimtarësh të tjerë, ndër të cilët duhen veçuar, Faik Konica, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci, etj.” (DEMIRAJ, 2001: 135)
Kjo ishte edhe shtytja e parë e përkushtimit të Sotir Pecit ndaj gjuhës shqipe, si tipari themelor përbashkues i shqiptarëve. Në vitin 1905 ai emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë viteve 1906-1908 është botues e drejtor i gazetës së parë e të vetme shqiptare “Kombi” në Sh.B.A. Për disa kohë, në këtë gazetë, Fan Noli ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i saj.
Më 1908 (14-21 Nëntor) zgjidhet e merr pjesë si delegat i shqiptarëve të Sh.B.A-së dhe Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit në Kongresin e Manastirit.
Më 1909-1910 emërohet mësues i shkencave të natyrës në Shkollën Normale të Elbasanit. Atje punoi intensivisht për hartimin e programeve dhe botimin e teksteve shkollore.
Më 1911-12 e gjejmë drejtor të Mësonjëtores Shqipe në Korçë.
Në qeverinë e parë të Ismail Qemalit emërohet këshilltar për arsimin i ministrit Luigj Gurakuqi në vitet 1912-13. Më pas do të shfaqet si refugjat në Shkodër, ku bën pjesë në organizatën atdhetare “Krahu Kombëtar”, të kryesuar nga Nikollë Ivanaj. Njëherësh punon anëtar (4 shtator 1916) në “Komisinë Letrare” të Shkodrës, të drejtuar nga Gjergj Pekmezi e Luigj Gurakuqi, e cila synoi futjen e “gjuhës së përbashkët”, pra të gjuhës zyrtare shqipe në administratën shtetërore të kohës.
Në qeverinë e Durrësit (të K/ministrit Turhan Pashë Përmeti), më 1919, ai emërohet Drejtor Arsimi për Tiranën.
Më 1920 aktivizohet intensivisht si një prej organizatorëve dhe drejtuesve kryesorë të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, duke bashkëpunuar me Ferit Vokopolën, si një prej nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë Kombëtare. Së bashku me Vokopolën u bë një prej hartuesve kryesorë të Statutit të Parë Themeltar të shtetit dhe në kabinetin qeveritar të dalë nga ky Kongres, ai emërohet ministër i Arsimit.
Prej vitit 1921 – 1924 e takojmë deputet, ministër si dhe një prej katër anëtarëve të Këshillit të lartë (Regjencës).
Eshtë eksponent aktiv e udhëheqës i ngjarjeve që lidhen me të ashtuquajturin Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit më 1924, ndërkohë që vijon detyrën e tij të regjentit.
Pas dështimit të këtij revolucioni, i radhitur si kundërshtar politik i Ahmet Zogut, emigron në Itali, ku vijon për disa vjet aktivitetin politik e patriotik si udhëheqës i Shoqërisë “Bashkimi Kombëtar” i emigrantëve shqiptarë në Itali dhe boton gazetën shqipe me të njëjtin titull. Ndërkohë, jo vetëm publicisti por edhe veprimtari i palodhur kombëtar është i dënuar nga qeveria e Zogut me vdekje në mungesë.
Në vitin 1928, përfiton prej amnistisë së dytë, të shpallur nga mbreti Zog dhe shkon në Greqi, ku kalon vitet e fundit të jetës, duke punuar intensivisht në fushën e letrave, sidomos në atë të hartimit të një fjalori voluminoz shqip-shqip, me rreth 20.000 fjalë, të cilit nuk arriti t’i kryejë redaktimin dhe korrektimin e fundit.
Gjatë kësaj periudhe janë shfaqur e shtuar hapur debatet, kundërshtitë, divergjencat e tij politike me Fan Nolin, që kish mundur të kalonte në Amerikë.
Sotir Peci ndahet nga jeta në Follorinë të Greqisë në vitin 1932, por varroset në Korçë me nderime të larta zyrtare.
“Gazeta e Korçës” e atyre ditëve shkruan: “…Populli i Korçës me një ceremoni serioze por tepër impozante përcolli…në banesën e përjetëshme Sotir Pecin…, veteranin e dëgjuar në punimin për atdhe, mësuesin e madh të brezit të sotmë, nacionalistin e patrembur në indipendencën e Shqipërisë, punëtorin e palodhur të arësimit kombëtar, burrin e shtetit të ndershmë dhe të nderuar prej të gjithë…”
Siç mund të kuptohet, Sotir Peci është personalitet elitar në jetën politike, intelektuale e sociale të Shqipërisë, veçanërisht gjatë viteve 1905-1925. Veprimtaria e tij intensive është shumëdimensionale, por dhe kontributet e tij kanë influencuar në rrjedhën e ngjarjeve kryesore të asaj periudhe. Jeta dhe vepra e Sotir Pecit ishin binomi i harmonisë, por edhe reaksioni i kundërshtisë, që çlironin energji aktive, atdhetarisht panegjirike. Ato synuan udhët e përpjeta, që e çuan në përballjen me problemet madhore të Shqipërisë së asaj kohe. Një përgjithësim i kontributeve të tij do të ishte ambicja për afirmimin, radikalizimin dhe integrimin e çështjes shqiptare në rrjedhën e historisë moderne europiane.
Me këtë vizion, ai paraqitet si një figurë poliedrike, me prurje të spikatura në fushat e atdhetarisë e publicistikës, arsimit e pedagogjisë, filologjisë e gjuhësisë, politikës e shtetarisë.
Shpesh herë, këto atribute janë vështirë të ndahen a të siten nga njëri-tjetri, sepse ato zhvillohen e emetohen si një përjetim i përbashkët organik intelektual, si një veprimtari e përditshme, në të cilën jeta kërkon ballafaqime e angazhime, shpesh, për disa probleme njëheresh, ashtu siç vijnë nga qerthullat e botës prolikse shqiptare e ballkanike. Porse, me dëshirën vetëm sa për të cekur, qoftë edhe përkitazi, do të ofroja dy-tri ngjarje kulmore të veprimtarisë së tij në fushat gjegjëse, në kontekst të ngjarjeve madhore të arenës shqiptare:
1. Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit është gazeta e parë shqiptare, githashtu e para gazetë në gjuhën shqipe (pra, para Kongresit të shkronjave shqipe të Manastirit 1908 dhe atij të Elbasanit më 1909) e botuar në Sh.B.A, e cila, për aq kohë sa ekzistoi, u bë tribuna e patriotizmit, atdhetarizmit, prezantimit dhe mbrojtjes së çështjes shqiptare, e indipendencës dhe integritetit ndaj pasioneve ultranacionaliste dhe tendencave të ndarjes e aneksimit të saj.
Po ashtu, nga fundi i jetës, ai debuton sërish me gazetën “Bashkimi Kombëtar”, synimi i së cilës ishte, po ashtu, ndërgjegjësimi për çështjen kombëtare shqiptare.
2. Si politikan e shtetar, Sotir Peci, falë realizmit, pragmatizmit, por edhe të lagpamësisë, pjekurisë, konsekuencës e korrektësisë do të krijonte një vektor të pandërprerë ngjitjeje e të afirmimit të plotë si personalitet në funksionet e deputetit, ministrit e regjentit, që e la i fundit detyrën e tij, ndonëse i rrezikuar midis dy kundërshtarëve të vet, Ahmet Zogut e Fan Nolit.
3. Në fushën e pedagogjisë, arsimit e shkencës Sotir Peci prezantohet fillimisht si mësues në Normalen e Elbasanit, pastaj drejtor në Mësonjëtoren Shqipe të Korçës, ndihmës për arsimin i Ismail Qemalit, drejtor i Arsimit për Tiranën në qeverinë e Durrësit e, më pas, ministër Arsimi.
Këto detyra, natyrisht, janë atribute të aftësive, arsimimit e edukimit, njohurive, përvojës e vlerave pozitive, që ai vuri në shërbim të shqiptarizimit të plotë kombëtar të shkollave, të reformave arsimore e, sidomos, të përpjekjeve për hartimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Më 1912 ai botoi “Viti Premtar i Gramatikës” dhe planifikoi botimin edhe të 24 teksteve të tjerë shkollorë.
4. Si lëvrues e artizan i gjuhës shqipe, Sotir Peci shfaqet një autoritet shkencor, që influencoi jo pak, sidomos në problemin e formimit dhe njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Pjesëmarrës në të dy Kongreset e Alfabetit, hartues i një libri gramatikor, botues gazetash, hartues i një fjalori voluminoz shqip-shqip, anëtar i Komisisë Letrare dhe studiues i përhershëm i fenomeneve gjuhësore e të letrave shqipe, leksikolog e leksikograf, ai shprehu opinione adekuate rreth gjendjes dhe të ardhmes të gjuhës shqipe, duke u bazuar në idenë e tij të moderuar të përdorimit të të dy dialekteve “toskërisht” e “gegërisht” dhe se, gjuha letrare do të konsolidonte fizionominë e vet pas eksperiencave të gjata, duke mos u ngutur e duke lënë kohën të bënte punën e vet.
Së fundi, do ta perifrazoja figurën e shërbestarit veteran të Atdheut Peci, si përfaqësuesin e personalitetin e shquar të atij brezi punonjësish kombëtarë të pararojës, që vazhduan dhe shndërruan përpjekjet iluministe rilindase në një lëvizje të re mbarëkombëtare për formimin, integrimin dhe afirmimin e një kombi e shteti modern.