• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kjo është Demokracia Amerikane

November 5, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Historikisht populli amerikan nuk lejon që një parti ta ketë gjithë pushtetin

Dje, amerikanët bënë atë që e kanë bërë shumë herë gjatë historisë. Dy vite pasi zgjodhën bindshëm Presidentin republikan Donald Trump, dolën në votime dhe ia dhanë kontrollin e Kongresit Partisë Demokrate.

Ky është një nga shembujt më të mirë se si funksionon demokracia amerikane.

Amerikanët nuk duan që një parti të kontrollojë gjithçka: Shtëpinë e Bardhë, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Ata duan që pushteti të ndahet dhe të dyja partitë të marrin pjesë në vendimet që merren për vendin e tyre.

Gjatë mbi 40 viteve të fundit, pothuajse çdo president amerikan, republikan apo demokrat, ka përjetuar humbje të partisë së tij në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Ja disa shembuj:

– Në vitin 1986, gjatë mandatit të dytë të Presidentit republikan Ronald Reagan, demokratët ruajtën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe morën kontrollin e Senatit.

– Në vitin 1994, dy vite pasi Bill Clinton u bë president, demokratët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

– Në vitin 2014, gjatë presidencës së Barack Obamës, demokratët humbën kontrollin e Senatit, pasi kishin humbur Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2010.

– Në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

– Në vitin 2022, gjatë presidencës së Joe Biden, demokratët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

– Këtë vit, në 2026, gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Presidentët dhe partitë ndryshojnë. Por mesazhi i popullit amerikan mbetet i njëjtë: Asnjëra parti nuk duhet ta ketë gjithë pushtetin në dorë.

Zgjedhjet për Kongres janë edhe një mundësi që amerikanët t’i kërkojnë llogari presidentit dhe partisë së tij. Në fushata zgjedhore zakonisht premtohet ekonomi më e fortë, çmime më të ulëta, paga më të larta dhe jetë më e mirë për familjet amerikane.

Por pas dy vitesh, nëse qytetarët mendojnë se jeta nuk u është përmirësuar, ata kanë mundësinë të reagojnë me votën e tyre. Për 250 vite, populli amerikan ka luftuar dhe punuar për të mbrojtur këto liri dhe demokracinë e tij.

Komuniteti ynë shqiptaro-amerikan 🇦🇱🇺🇸 kurrë nuk është shqetësuar nga ndryshimet në Kongres. Kjo sepse ne gjithmonë kemi punuar me të dyja palët, demokratë e republikanë, dhe do të vazhdojmë të punojmë me të dyja partitë.

I përgëzoj të gjithë miqtë tanë, demokratë dhe republikanë, që u rizgjodhën ose siguruan për herë të parë një vend në Kongresin amerikan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e Amerikës dhe për forcimin edhe më tej të miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë amerikanët, kudo që janë!

🔗 – For English click here https://x.com/HarryBajraktari/status/2118072150284198172

Filed Under: Analiza

Peter Lang boton studimin e ri të historianit Romeo Gurakuqi mbi mbijetesën dhe rindërtimin e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore

November 4, 2026 by s p

Një monografi mbi fatin e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, diplomacinë e Fuqive të Mëdha, projektet për copëtimin e vendit dhe përpjekjet e faktorit politik e diplomatik shqiptar për mbrojtjen e pavarësisë dhe të tërësisë territoriale, me mbështetjen vendimtare të Presidentit amerikan Woodrow Wilson. Vepra trajton procesin e rindërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar nga dhjetori i vitit 1918 deri në vitin 1926, zhvillimet e jetës politike, institucionale e parlamentare, Revolucionin e Qershorit dhe Kundërrevolucionin e Dhjetorit 1924, si dhe vendosjen e Republikës së Parë nga Ahmet Zogu, të interpretuar si një manovër politike tranzitore për të mbyllur çdo mundësi të rikthimit në fron të mbretit legjitim, Wilhelm von Wied, dhe për të përgatitur kalimin drejt Monarkisë së Dytë Shqiptare.

Shtëpia botuese akademike ndërkombëtare Peter Lang ka nxjerrë në qarkullim, në tetor 2026, monografinë më të re në gjuhën angleze të historianit shqiptar Romeo Gurakuqi, kushtuar njërës prej periudhave më vendimtare të historisë së shtetit shqiptar: viteve 1918–1926, kur Shqipëria, e dalë nga Lufta e Parë Botërore e pushtuar, e fragmentuar dhe pa institucione të qëndrueshme, u përball me rrezikun e humbjes së pavarësisë dhe të integritetit të saj territorial.

Libri, i botuar në serinë shkencore South-East European History, përfshin 354 faqe tekst, krahas 34 faqeve paraprake, dhe mbështetet në një kërkim shumëvjeçar në burime arkivore britanike, italiane, amerikane dhe shqiptare. Studimi synon të shpjegojë jo vetëm se si Shqipëria arriti t’i mbijetonte rendit ndërkombëtar të krijuar gjatë dhe pas Luftës së Madhe, por edhe mënyrën se si u ndërtua dhe u konsolidua shteti shqiptar përballë rivaliteteve të Fuqive të Mëdha, pretendimeve territoriale të vendeve fqinje dhe përplasjeve të brendshme politike.

Në qendër të monografisë qëndron trajtimi i Çështjes Shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, në Lidhjen e Kombeve dhe në Konferencën e Ambasadorëve, deri te përcaktimi i statusit shtetëror dhe i kufijve në tavolinën e bisedime me 9 nëntor 1921 dhe i kufijve në terren më 1926.

Autori analizon se si rendi i ri ndërkombëtar, i ngritur mbi premtimet për vetëvendosjen e popujve, në praktikë u ndikua nga interesat strategjike të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria, e cila kishte humbur mbështetjen tradicionale shtetit të saj protektor, të Austro-Hungarisë pas shpërbërjes së saj në fund të luftës, u gjend fillimisht e vetme, përballë projekteve që rrezikonin ekzistencën e saj si shtet i pavarur.

Një vend të rëndësishëm zë analiza e Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915, Vendimeve të Këshillit të Naltë të Antantës, marrëveshjeve diplomatike për Çështjen e Adriatikut, e pretendimeve italiane, jugosllave dhe greke, si dhe e qëndrimeve të ndryshueshme të Fuqive Aleate ndaj Shqipërisë.

Një kapitull i posaçëm i kushtohet ndryshimit të qëndrimit të Presidentit amerikan Woodrow Wilson, nga fillimi i vitit 1920, kur ai kundërshtoi projektin Anglo-Franko-Italian për copëtimin e Shqipërisë dhe ndikimit të diplomacisë amerikane në ndryshimin e rrjedhës së negociatave ndërkombëtare.

Një prej tezave qendrore të studimit është se mbijetesa e shtetit shqiptar nuk ishte rezultat automatik i vendimeve të Fuqive të Mëdha, por edhe fryt i përpjekjeve të organizuara të faktorit shqiptar, të elitave politike dhe intelektuale brenda vendit, të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër e Rumani, të komuniteteve arbëreshe të Italisë, si dhe i qëndresës së armatosur ndaj ndërhyrjeve dhe pushtimeve të huaja. Në këtë kuadër, monografia trajton Kuvendin Kombëtar të Durrësit të dhjetorit 1918 dhe qeverinë e dalë prej tij, Kongresin e Lushnjës dhe krijimin e qeverisë së re me qendër në Tiranë, Luftën e Vlorës të vitit 1920, përpjekjet për mbrojtjen e Shkodrës, luftimet në Dibër, si dhe veprimtarinë e gjerë diplomatike që çoi në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, më 17 dhjetor 1920.

Këto zhvillime analizohen si pjesë të një procesi të ndërlidhur të mbrojtjes së pavarësisë, rivendosjes së sovranitetit territorial, afirmimit ndërkombëtar dhe rindërtimit të institucioneve të shtetit shqiptar.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe çështjes së Shkodrës dhe regjimit ndërkombëtar të qytetit pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, një aspekt i rëndësishëm për të kuptuar pasigurinë e sovranitetit shqiptar në vitet e para të pasluftës.

Studimi analizon vendimet e 9 nëntorit 1921 mbi statusin ndërkombëtar dhe kufijtë e Shqipërisë, procesin e mëtejshëm të njohjes diplomatike nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, si dhe përpjekjet për përcaktimin e kufijve shtetërorë, që përfunduan më 1926.

Përtej historisë diplomatike, monografia përmban një analizë të zhvillimeve të brendshme politike dhe kushtetuese të Shqipërisë nga dhjetori 1918 deri në mesin e viteve 1920. Autori ndalet te rindërtimi i institucioneve pas luftës, krijimi i parlamentarizmit shqiptar, lindja e partive të para politike, debatet mbi organizimin kushtetues të shtetit, krizat qeveritare dhe përplasjet ndërmjet forcave reformuese, me orientim europianoperëndimor, dhe strukturave tradicionale të pushtetit. Në këtë analizë trajtohen edhe zhvillimet e vitit 1924, veprimtaria politike e Fan Nolit, ngritja e Ahmet Zogut dhe procesi i konsolidimit të pushtetit shtetëror.

Një dimension i rëndësishëm i veprës është ndërthurja e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare me historinë institucionale të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, procesi i krijimit të shtetit nuk paraqitet vetëm si rezultat i vendimeve të marra në Paris, Londër, Romë apo Uashington, por edhe si një përpjekje e brendshme për krijimin e një administrate funksionale, të një rendi kushtetues dhe të një sistemi politik kombëtar.

Në aspektin metodologjik, libri mbështetet në qasjen realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare, sipas së cilës interesat strategjike dhe raportet e fuqisë përcaktojnë në masë të madhe sjelljen e shteteve dhe vendimmarrjen diplomatike. Megjithatë, autori argumenton se edhe shtetet e vogla, në kushte të pafavorshme ndërkombëtare, mund të ndikojnë në fatin e tyre përmes organizimit të brendshëm, diplomacisë, qëndresës dhe shfrytëzimit të kundërshtive ndërmjet fuqive të mëdha.

Në parathënien e monografisë, studiuesi dhe publicisti Ilir Ikonomi vlerëson rëndësinë e kërkimit arkivor dhe aftësinë e autorit për ta lidhur diplomacinë ndërkombëtare me zhvillimet e brendshme shqiptare, duke e konsideruar veprën një kontribut të vlefshëm në historiografinë e Ballkanit dhe të periudhës pas Versajës.

Botimi i kësaj monografie vjen si vijim i studimeve shumëvjeçare të Romeo Gurakuqit mbi historinë politike, diplomatike, institucionale dhe kushtetuese të Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore.

Monografia e sapobotuar, e cila përbën një vijimësi të drejtpërdrejtë të veprave të mëparshme të autorit mbi historinë e Shqipërisë para, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore (Shqipëria, 1911–1914 (2012); monografia në gjuhën shqip dhe anglisht, Shqipëria në Luftën e Madhe, 1914–1918 (2025), botime respektive të ASHSH dhe Universiteti të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ), mbështetet në një dokumentacion të gjerë arkivor, të hulumtuar dhe të përpunuar gjatë shumë viteve. Krahas burimeve britanike dhe shqiptare, një vend të rëndësishëm zënë dokumentet e Arkivit Historiko-Diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, kopje të të cilave ruhen në fondet dokumentare të Institutit të Historisë në Tiranë, si dhe dokumentacioni i Arkivit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Veprimtaria kërkimore e Romeo Gurakuqit është përqendruar në proceset e formimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të diplomacisë, zhvillimet politike, kushtetuese e parlamentare, si dhe historinë e Shqipërisë gjatë dy luftërave botërore dhe periudhës së pasluftës(“Shqipëria dhe Tokat e Lirueme, 1939-1946” (Tiranë, 2018, dhe Revised Second Edition në 2023). Në këtë kuadër, monografia e re përfaqëson një hallkë të rëndësishme të një projekti kërkimor afatgjatë, që synon të rindërtojë mbi bazë dokumentare historinë e shtetit shqiptar dhe të pozitës së tij në sistemin europian të marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

Monografia u drejtohet historianëve, studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, juristëve, diplomatëve, studentëve dhe lexuesve të interesuar për historinë e formimit të shtetit shqiptar dhe të Europës Juglindore. Me botimin në gjuhën angleze nga Peter Lang, kjo periudhë themelore e historisë shqiptare bëhet më e qasshme për qarqet akademike ndërkombëtare, duke e vendosur përvojën e Shqipërisë në kontekstin më të gjerë të riorganizimit politik dhe diplomatik të Europës pas vitit 1918.

Libri mund të gjendet në faqen zyrtare të botuesit:

BOTIM SHKENCOR NDËRKOMBËTAR · TETOR 2026

Titulli origjinal: The Versailles Order and the Making of Albania, 1918–1926: Albania After the Great War

Titulli në shqip: Rendi i Versajës dhe formësimi i shtetit shqiptar, 1918–1926: Shqipëria pas Luftës së Madhe

Autori: Romeo Gurakuqi

Shtëpia botuese: Peter Lang (Peter Lang Group), botues akademik ndërkombëtar.

Seria: South-East European History, vëllimi 18, nën drejtimin e Mihai Dragnea.

Filed Under: Analiza

PAVLLO POPA SHQIPTARI – MALAZEZ, TITAN I  SPAÇIT, DO TË NGELET PISHTAR I LIRISË ANTIKOMUNISTE!

November 4, 2026 by s p

Inline image

Pavllo Popa ne Vatikan me Papa Franceskun 2023

Një telefonatë nga Podogorica në këto ditë nëndori na trishtoi me njoftimin se Titiani i revoltës së Spaçit, guximtari i patrembur i kampit çfarosës të Spaçit, Shqiptari-Malazez, Pavllo Popa kishte ndruar jetë! Simboli i qëndresës dhe një ndër protogonistët e revoltës antikomuniste të vitit 1973 në mbrotje të flamurit kombëtar Pavllo Popa. Ai është dhe do të mbetet në historinë antikomuniste një luftëtar antikomunistë, një simbol i mbrotjes së lirisë përballë diktaturës staliniste të diktatorit Enver Hoxha. Iku në një kohë që Shqipëria vazhdon akoma të nderoj xhelatët dhe kriminelët që i vranë lirinë Pavllos dhe shokëve të tije antikomunistë. Kur shkruan për titanë të tillë të lirisë dhe kombit historia të dërgon tek kampi çfarosës i Spaçit tek ai kamp që ishte i rrethuar me tela me xhemba, dhe kur Pavllo Popa me shqiponjat e lirisëndodheshin përball plumbave të komunisteve, dhe nuk e dorzuan lirinë e tyre. Me të drejtë poeti martir Havzi Nela do ta përshkruante revoltën e Spaçit me vargjet e tije brilantë një revoltë që trondit regjimin, por që i tregoi botës se shqiptarët luftonë për liri në mes plumbave. Kjo revoltë pati si protogonistë, trimin dhe guximtarin e patrembur Pavllo Popa. Pal Zefin i pushkatuar, Dervish Bejko i pushkatuar, Skënder Daja i pushkatuar, Hajri Pashaj i pushkatuar!

Pavllo kishte lindur në Vrakë të Shkodrës ishte edukuar në një familje me ndenjën e atdhedashurisë, me besimin në Zot, dhe me urtësinë për të luftuar padrejtësinë.

Kështu në moshë fare të re, ai nuk pranonte diktatin, dhe padrejtësinë e pushtetit diktatorial, dhe kaloi kufirin në një moshë të re, por pushteti Jugosllave e kthen dhe ja dorzon pushtetit kriminal komunistë të Shqipërisë djalin e ri 17 vjeçar Pavllo Popën, të cilët gjykatat komuniste e dënojnë me burgime politikë. Historia e revoltës antikomuniste të Spaçit e rendit Pavllo Popën një trim që pati guximin dhe trimërinë të përballej me xhelatët të cilin në bazë të rregullores së kampit i dënuari politik me izolim dënohej me një muaj izolim dhe mbas një muaj ai lejohej të bashkohej me të burgosurit e tjerë, dhe kështu i denuar trimi Pal Zefi kishte mbaruar dënimin me izolim dhe duhej të lirohej, por xhelati polic nuk e lejonte heroin Pal Zefin, atëherë ndërhyn Pavllo Popa dhe e godet policin për padrejtësinë që i bëhej shokut të tije, dhe këtu fillon Revolta antikomuniste me protagonistin trim Pavllo Popa, të cilët e kthyen këtë revoltë në një mision kombëtar mbrotjen e flamurit kombëtar shqiptar.

Dhe këta trima të patrembur përballë fuqisë ushtarake të diktaturës, ata valviten në Spaç për tre ditë rrjesht flamurin kuq e zi pa yllin bolshevik që ja kishin vënë shteti diktatorial famurit.dhe një ndër trimat e revoltës antikomniste ishte dhe Pavllo Popa. Dhe siç thotë poezia e Havzi Nelës për këtë revoltë e pa ndodhur në botë, në vargjet e tije—

Ra Pal Zefi, ra Skënderi-Ra Dervishi e Hajriu-djemtë të shkathtë posi skifteri-Trima tashpër si veriu. 

Dhe kështu mbrojtsi i heroit Pal Zefit trimi Pavllo Popa do të ridenohej dhe do të vuante 25 vite burg politikë si antikomunistë dhe si mbrojtës i lirisë.

Pvllo Popa gjatës jetës së tije në lirim , kurrë nuk u mburr për trimërit e tije, dhe si protogonistë i asaj revolta. Ai e urrente mburrjen, dhe këtë e tregoi si dëshmitar në dokumentarin televiziv “Spaç 1973 Martirët e Lirisë. Ai fliste për shokët e tije, për qëndresën e të burgosurve politikë në Spaç, aspak për trimëritë e tije. Ky ishte trimi shqiptar-malazez, që kishte dy atdhe, Shqipërinë ku lindi dhe kaloi vitet e tmerrit në kampet çfarosëse, dhe Malin e Zi që e kishte atdheun e gjyshërve të tij. Në delegacionin e të mbijetuarve të diktaturës në Vatikan ai nuk do të tregonte vuatjet qëndresën e trimëritë e tije, po do ti fliste Papa Franceskut për krimet e komunizmit dhe tradhëtinë që i bani klasa politike postkomuniste të burgosurve politikë në vitet e demokracisë.

“ E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, këtë slogan kombëtar e thirrën Pavllo Popa me shokët e tjë të burgosur politikë në majin e viti 1973, dhe sot për të mbajtur pushtet e përdorin bijtë e xhelatëve të djeshëm.

Dhe Shqipëria lëngon nga padrejtësia komuniste, kurse heronjtë e lirisë si Pavllo Popa largohen nga kjo jetë të zhgënjyer që nuk u realizua kauza e tyre që Shqipëria të ishte demokratike dhe si Europa.

Pavllo i dashur ti e realizove misionin tënd me faqe të bardhë. Me dinjitet, me urtësi dhe mbi të gjitha me një moral të lartë, ku nuk kërkove hakmarrje primitive siç e ban xhelatët dje ndaj teje, por ti kërkove lirinë nëpërmjet drejtsisë. Dhe kështu thënja jote në dokumentarin televiziv për revoltën e Spaçit “ Asgjë nuk ka ndryshuar në Tiranë, njëlloj si në Moskë” ne duam Shqipërinë Europë, se për këtë sakrifikuam jetët tona të pafajshme. Dhimbja e shokëve tua si Zenel Drangu, Nuri Stepa, Demir Pojani, Xhevit Llohja e Unionit të Burgosurve Politikë të Shqipërisë është e madhe se do të na mungojsh fizikisht, por ti e ke qëndis historinë antikomuniste me qëndresën tënde si një hero i fjalës së lirë.

Pusho i qetë miku im idealistë Pavllo Popa, sakrificën dhe qëndresën tënde po e ven në vend revolta e studentave shqiptarë, gjenerata Z që kërkojnë dhe do të realizojnë Shqipërinë Europiane.

Shqipëria humbi një hero si Ju, por jo kauzën e lirisë për të cilën ti Titani i Spaçit Pavllo Popa, dhe për demokracinë shqiptare. Dheu i tokës shqiptare ku ti linde,  dhe dheu i Malt të zi ku ti prehesh,  qofshin të lehtë për burra dhe heronj si Ju.

Lavdi Pavllo Popës

Besim Ndregjoni

Filed Under: Analiza

Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar

November 3, 2026 by s p

Ettore Bonanno/

Mbi njëqind të ftuar nga Italia dhe jashtë vendit, tre bashki kryesore dhe një pjesëmarrje e gjerë e publikut. Në Karfici (Carfizzi), Shën Kolli (San Nicola dell’Alto) dhe Puheriu (Pallagorio), edicioni i dytë i festivalit të promovuar nga Fili Meridiani APS bëri bashkë komunitete, institucione, sipërmarrje dhe të rinj. Ettore Bonanno sjell përsëri sfidën e një ekosistemi të Arbërisë midis bashkëpunimit ndërkombëtar dhe teknologjive të reja. Tri ditë takimesh, përvojash kulturore, muzike dhe traditash, me mbi njëqind të ftuar nga Italia dhe jashtë vendit. Edicioni i dytë i Arbëria Digital Fest, i cili nga data 23 deri më 25 tetor 2026 përfshiu Karficin, Shën Kollin dhe Puheriun në një projekt të përbashkët për vlerësimin e identitetit arbëresh, u përmbyll me një pjesëmarrje të madhe. I promovuar nga Fili Meridiani APS, festivali bëri bashkë përfaqësues institucionalë, studiues, sipërmarrës, artistë, shoqata dhe të rinj nga Italia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Franca dhe Belgjika. Një takim që gërshetoi mbrojtjen e gjuhës dhe të traditave me turizmin e përvojës, inovacionin digjital, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e zonave të brendshme.

Të trashëgosh, Të tërheqësh, Të gjenerosh: tri fjalë që shoqëruan aktivitetin, duke shpalosur një vizion të Arbërisë jo vetëm si një trashëgimi për t’u ruajtur, por si një komunitet i aftë për të ndërtuar marrëdhënie dhe mundësi të reja. Karfici, një urë lidhëse midis Arbërisë, Shqipërisë dhe diasporës Dita e parë, e premte 23 tetor, u zhvillua në Karfici, me një debat kushtuar marrëdhënieve midis komuniteteve arbëreshe, Ballkanit dhe diasporës shqiptare. Punimet u hapën dhe u moderuan nga Ursula Basta. Pas himneve kombëtare italian dhe shqiptar si dhe notave të këngës “Lule Lule”, presidenti i Fili Meridiani, Ettore Bonanno, mirëpriti të ftuarit. Shfaqja e dokumentarit “COHA — Visioni d’Oriente in Arbëria” (‘COHA — Vizione të Lindjes në Arbëri’) prezantoi temat e identitetit, kujtesës dhe lidhjeve kulturore midis botës ballkanike. Kryetari i bashkisë Mario Amato rikujtoi rëndësinë e bashkëpunimit midis bashkive arbëreshe, ndërsa Anna Madeo, Konsulle Nderi e Republikës së Shqipërisë në Kalabri, ilustroi perspektivat dhe projektet e bashkëpunimit.

Në qendër të diskutimit ishin edhe brezat e rinj të diasporës, me Lirim Krasniqin, i cili prezantoi “OriginAL”, projektin që u mundëson të rinjve me origjinë shqiptare të rizbulojnë territoret e familjeve të tyre. Gjovani Cinari, nga Albanian Business Network, tregoi vlerën e rrjeteve midis profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptarë.

Zamira Gjeleshi, mësuese në Gjimnazin “Fiqiri Dine” të Maqellarës, solli një dëshmi domethënëse duke nënvizuar rolin e arsimit në ndërtimin e lidhjeve midis brezave të rinj. Nga gjimnazi shqiptar erdhi edhe një dhuratë simbolike për Fili Meridiani: një yll i emërtuar “Arbëria”. Një hapësirë e veçantë iu dedikua sektorit audioviziv si instrument për vlerësimin e pakicave gjuhësore, me Emanuele Galloni-n (i lidhur me projektin “Matriçë Arbëreshe”), si dhe temës së mikpritjes me Francesco Vizza-n, presidenti i Kooperativës Agape. Mbrëmja riktheu pamjen e traditës së Karficit, me serenatën karficiote, Këngëtarët Arbëreshë të Karficit dhe zërin e mësueses Mariannina Leonetti. Nuk mungoi as përshëndetja e shkrimtarit Carmine Abate, në kuadër të Parkut Letrar kushtuar atij.

Për të plotësuar përvojën, u zhvillua një degustim i xhinit arbëresh Asturi dhe i verërave arbëreshe të “Tenuta Renda”, shembuj të vlerësimit të produkteve identitare dhe të promovimit territorial. Shën Kolli, traditat shndërrohen në mundësi Të shtunën, 24 tetor, festivali vijoi në Shën Kolli, me panelin e diskutimit “Territoret që tërheqin”, kushtuar perspektivave të zonave të brendshme përmes turizmit, produkteve lokale dhe sipërmarrjes. Për të mirëpritur të ftuarit ishte grupi folklorik “Oreste Ventrice”, i vlerësuar për 70-vjetorin e aktivitetit të tij, dëshmi e një rrugëtimi të gjatë në mbrojtjen e traditave arbëreshe. Diskutimi, i moderuar nga Fabio Spadafora, u hap me ndërhyrjen në gjuhën arbëreshe të nënkryetares së bashkisë Tiziana Basta, e cila nënvizoi vlerën e gjuhës si element themelor të identitetit kulturor. Angelo Astorino, president i Sipërmarrësve të Rinj të Confindustria Crotone, thelloi rolin e ndërmarrjes në zhvillimin e territoreve. Pasuan përvojat e Franca Ruggiero-s dhe Pina Valente-s, protagoniste të rrëfimit të “Gjyshet e Arbërisë” dhe produkteve artizanale të Salumificio San Cristoforo; Gennaro De Fazio, krijues i Gin Asturi, i prezantuar si xhini i parë arbëresh; dhe Diletta Iocca, e angazhuar në vlerësimin e vajit dhe të produkteve lokale.

Turizmi i përvojës ishte në qendër të ndërhyrjeve të Salvatore Franco-s, udhërrëfyes mjedisor i Parkut të Pollino-s, dhe Pajtim Vranicit nga agjencia “Dibra Explorer”. Christian Zuin nga Protur Media dhe Francesco Biacca nga “Festival dell’Ospitalità” plotësuan diskutimin mbi format e reja të rrëfimit dhe mikpritjes turistike. Mëngjesi vijoi me një bufe të ofruar nga administrata lokale dhe një vizitë të udhëzuar në “Museo della Civiltà Contadina” në qendrën historike dhe në “La Pizzuta”, pika panoramike e katundit. Puheriu, një festë e madhe midis kulturës, gastronomisë dhe muzikës Pasditen e së shtunës, festivali u zhvendos në Puheri, duke përfshirë një publik të shumtë në një program historie, arti, gastronomie dhe muzike. Nga vizita te kambanat arbëreshe, e organizuar nga Pro Loco “Ofelia Giudicissi”, deri te “Arbëria Experience”, e udhëhequr nga Alessandro Frontera së bashku me Mystery Hunters, publiku mundi të thellohej në trashëgiminë historike dhe në traditën fetare bizantine të kulturës arbëreshe.

Rrugëtimi u pasurua me ndërhyrjet muzikore të grupit “Tarant Bau” nga Pllatëni (Plataci), rizbulimin e kukullave tradicionale “Pupugheji” me Carmela Fazio-n, si dhe me prezantimin e muraleve dhe të xhevahirëve të arit nga “Ori Arbëresh La Pietra”. Me ardhjen e mbrëmjes, Rruga Carmine, e veshur kuqezi, u shndërrua në një festë të madhe popullore. Festa e mishit “podolica”, me specialitetet e Mishtores Scigliano e ëmbëlsirat e pastiçerisë “The Best Moment”, vlerësoi ekselencat gastronomike lokale. Në skenë ishin rapsodi arbëresh Marco Moccia, grupi “Ajri i Lumit” (grup kërkimor muzikor nga Shën Mërtiri — San Martino di Finita) dhe Tarant Bau, të cilët përfshinë publikun mes muzikës dhe valleve. Një sukses të madh pati “Dromësat Challenge”, kushtuar përgatitjes live të dromësave (pasta e bekuar arbëreshe), me protagoniste Rosina Marra-n, Raffaella Bossio-n, Stefania Demasi-n, si dhe me praninë e Alessia Sisca-s, presidente e Slow Food Crotone. Mbrëmja, e prezantuar nga Carmelina Mele, u përmbyll me “Arbëria Remix”, një DJ set nga Giovanni Salerno Deejay. Gjatë ditës, “MUZÉ – Spazio Arbëria” mirëpriti vizitorë të shumtë. Domethënëse ishte edhe prania e kryetarit të Bashkisë së Dibrës së Madhe, Fisnik Mela, i cili erdhi nga Maqedonia e Veriut me një delegacion bashkiak.

Arbëria Next, të rinjtë imagjinojnë të ardhmen Të dielën, 25 tetor, dita përmbyllëse u hap në Puheriu me “Arbëria Next”, një punëtori që përfshiu të rinjtë arbëreshë në ndërtimin e ideve dhe propozimeve për të imagjinuar të ardhmen e komuniteteve në dhjetë vitet e ardhshme. Diskutimi vijoi me Prof. Francesco Altimari-n nga Universiteti i Kalabrisë dhe Nicola Bavasso-n, gazetar dhe prezantues i RAI Calabria Arbëreshe, mbi marrëdhënien midis gjuhës, kujtesës dhe formave të reja të komunikimit. Ndërhynë gjithashtu Noè Andreano, kryetar i bashkisë së Kazallveqit (Casalvecchio di Puglia), Filippo Quinto Tocci, kryetar i bashkisë së Shën Vasilit (San Basile), dhe Franco Amendola, drejtor i Bandës Muzikore të Distriktit Arbëresh, duke sjellë dëshmi mbi vlerën e marrëdhënieve midis komuniteteve arbëreshe italiane. Dreka komunitare përfaqësoi një moment tjetër takimi midis të ftuarve, shoqatave dhe qytetarëve. Open Arbëria, arti i rrugës (street art) rrëfen katundet Pasdite u përurua “OPEN ARBËRIA — Street Art Arbëreshe”, projekti që shndërroi disa porta të qendrës historike të Puheriut në vepra kushtuar kujtesës dhe simboleve identitare.

Protagonistë ishin artistët Michele Giudicissi, Carmelina Mele, Giuseppe Caruso dhe Luigi Perna, së bashku me fëmijët e punëtorisë krijuese të Fili Meridiani. Inaugurimi u shoqërua nga këngët e grupit “Ajri i Lumit”, të cilët interpretuan “Kostantini i Vogëlith”, një nga rrëfimet më të rëndësishme të traditës arbëreshe.

Ndërmarrjet, mediat dhe diaspora: perspektivat e Arbërisë Paneli përmbyllës i diskutimit kushtuar “Arbërisë e së nesërmes” bëri bashkë përfaqësues nga bota e sipërmarrjes, institucioneve dhe kulturës. Ndërhynë Giorgio Franzese, nga Italbacolor dhe kryetar i Sipërmarrësve të Rinj të Confindustria Cosenza, Massimo Fedele, drejtor i selisë së RAI-t në Kozencë, dhe Umberto Lorecchio, kryetar i bashkisë së Puheriut. Në qendër të debatit ishte roli i ndërmarrjeve, mediave dhe institucioneve në ndërtimin e mundësive të reja për territoret. I rëndësishëm ishte edhe kontributi i shoqatave “ALEA” nga Franca dhe “VLERA” nga Belgjika, të cilat sollën përvojën e diasporës arbëreshe evropiane. Gjatë takimit, Carmela Fazio u nderua me një mirënjohje për angazhimin e saj në ruajtjen dhe transmetimin e traditave popullore. Ettore Bonanno: Të ndërtojmë një ekosistem të Arbërisë mes kulturës, rrjetit dhe inteligjencës artificiale.

Perspektivat e ardhshme të festivalit i shpalosi Ettore Bonanno, presidenti i Fili Meridiani APS, i cili përtëriti vizionin e një Arbërie gjithnjë e më të lidhur, të aftë për të ndërtuar një ekosistem kulturor, social dhe ekonomik. Qëllimi është krijimi i rrjeteve të qëndrueshme midis komuniteteve arbëreshe, ndërmarrjeve, shoqatave, institucioneve dhe brezave të rinj, duke forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe diasporën ndërkombëtare. Një perspektivë që sheh me vendosmëri drejt inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja, të konsideruara si mjete për të mbrojtur gjuhën arbëreshe, për të digjitalizuar trashëgiminë kulturore, për të sjellë inovacion në promovimin e territoreve dhe për të gjeneruar mundësi të reja. Për Fili Meridiani, e ardhmja e Arbërisë kalon nga aftësia për të kapërcyer fragmentimin e nismave individuale dhe për të ndërtuar një sistem të përbashkët kompetencash, projektesh dhe marrëdhëniesh: jo vetëm për të ruajtur të kaluarën, por për të shndërruar rrënjët në një burim për të ardhmen.

Muzikë dhe tradita në mbrëmjen përmbyllëse Mes tingujve bashkëkohorë dhe identitetit arbëresh, koncerti i Enzo Iovine dhe Pietro Curci përmbylli edicionin e dytë të “Arbëria Digital Fest”. Ky moment u shoqërua me përgatitjen e kulumollave tradicionalë (culumolli) nga gratë e Puheriut, në një moment të fundit bashkëndarjeje dhe miqësie. Një angazhim i përbashkët për të ardhmen e Arbërisë Një falënderim i veçantë i shkon Fondacionit Carical dhe presidentit të tij Giovanni Pensabene, për mbështetjen e dhënë për edicionin e dytë të Arbëria Digital Fest. Edicioni i dytë i festivalit doli me sukses falë angazhimit të përbashkët të tri bashkive: Karficit, Shën Kollit dhe Puheriut, të drejtuara nga Mario Amato, Luigi Rizzuti dhe Umberto Lorecchio.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për Institutin Gjithëpërfshirës “Verzino-Melissa”, Drejtorinë shkollore dhe personelin, për disponueshmërinë dhe bashkëpunimin e çmuar në organizimin e aktiviteteve të festivalit. Fili Meridiani APS falënderon përzemërsisht të gjithë ata që mbështetën dhe kontribuuan në mbarëvajtjen e festivalit: sponsorët, partnerët, sipërmarrjet, vullnetarët, entet, relatorët dhe artistët, së bashku me të gjithë komunitetin që mori pjesë me kaq entuziazëm në këto tri ditë. Një falënderim i veçantë i shkon grupit të punës të Fili Meridiani, i cili me angazhim, pasion dhe përkushtim bëri të mundur realizimin e një aktiviteti të aftë për të bashkuar territore, njerëz dhe projekte. Në mënyrë të veçantë, mirënjohja shkon për: Ettore Bonanno, Fabio Spadafora, Rosina Marra, Salvatore Bonanno, Rosa Bonanno, Francesca Liuzzo, Donato Iocca, Raffaella Bossio, Rosanna Panebianco, Stefania Demasi, Maria Luisa Greco, Diletta Iocca, Anastasia Amato, Donato Setola, Federica De Bastiani, Ursula Basta, Alessandro Frontera, Filomena Rizzo, Lucia Brunetti, si dhe për të gjithë ata që, edhe pse nga larg, dhanë mbështetjen e tyre për mbarëvajtjen e festivalit. Tri ditë, tri katunde, mbi njëqind të ftuar dhe një vizion i vetëm: një Arbëri e aftë për t’u ndërlidhur, për të vlerësuar rrënjët e veta dhe për t’u përballur me sfidat e inovacionit.

Filed Under: Analiza

Një shans ideal për Shqipërinë…

November 3, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Historia politike e Shqipërisë ka treguar se sa herë kemi zhvilluar zgjedhje të reja dhe ka ndodhur një ndryshim i qeverisjes, kemi pasur edhe reforma. Gjatë mandatit të tyre të parë, si qeveritë e majta, ashtu edhe ato të djathta, kanë qenë më të orientuara drejt reformave. Sa herë që ata që kanë qenë gjatë në pushtet kanë zgjedhur thjesht të qëndrojnë në detyrë, pa ndërmarrë ndryshime thelbësore, pasojat kanë qenë shumë negative për vendin, për partinë politike përkatëse dhe për jetën politike në tërësi. Besoj se pikërisht kjo është situata që po përjetojmë aktualisht.

Nuk besoj se arritja e një marrëveshjeje politike do të jetë e lehtë. Për Ramën, largimi nga pushteti lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e karrierës së tij politike. Në rrethanat aktuale, largimi i Ramës mund të jetë i pakthyeshëm. Megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe ndoshta ato përbëjnë të vetmen rrugëdalje nga kriza politike. Kjo do të kërkonte vullnet politik dhe një marrëveshje që të zbatohej përmes mekanizmave kushtetues. Por vetëm ndryshimi i qeverisë nuk do të ishte i mjaftueshëm. Nevojitet një pakt më i gjerë kombëtar për procesin e integrimit evropian, reformat kryesore dhe domosdoshmërinë e një fillimi të ri për demokracinë përfaqësuese në Shqipëri.

Protestat ofruan një shans ideal për Shqipërinë, për të reflektuar dhe për të parë të gjitha gabimet e dekadës së fundit. Është e habitshme nëse politika humbet një shans të tillë, në vend që t’i trajtojë, t’i respektojë, qoftë edhe thjesht t’i dëgjojë të rinjtë. Fatkeqësisht, ajo tregoi më shumë zell për denigrimin dhe akuzat ndaj tyre sesa për trajtimin e kërkesave të tyre. Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht bilancit të protestave, kushdo që e njeh politikën e kupton se kemi arritur në një moment kur nuk mund të vazhdohet më kështu. Duhet reformë, duhet përmirësim, duhet reflektim, duhet një lloj rifillimi i sistemit politik, me më shumë hapësirë për rininë, më shumë demokraci dhe shtet të së drejtës. Tashmë janë identifikuar edhe individë dhe grupe që kanë potencialin për ta përfaqësuar këtë nevojë për ndryshim.

Mbi reformën e mundshme zgjedhore, sistemin elektoral më të mirë, gjendjen aktuale të sistemit politik, rolin e partive të reja dhe mundësinë për formacione të reja politike, si dhe mbi krizën aktuale dhe rrugëzgjidhjet, – disa opinione profesionale në https://www.balcanicaucaso.org/…/albania-elezioni…/

https://www.balcanicaucaso.org/…/albania-are-early…

Filed Under: Analiza

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 1027
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur
  • “Lost in Translation”: The “Ghost” of Institutional Memory in the Albanian Education System
  • DEMOKRATI AT GJON SHLLAKU
  • INTEGRIMI EVROPIAN NUK MUND TË JETË ALIBI PËR KORRUPSIONIN DHE KAPJEN E SHTETIT!
  • LAHUTA E FAMILJES SHKRELI – NGA LUKË TOMA SHKRELI TE VASEL GJERGJ SHKRELI
  • Absurdi gazetaresk dhe Il Duce
  • FEDERATA VATRA URON VEDAT GASHIN PËR RIZGJEDHJEN NË BORDIN E LEGJISLATORËVE TË WESTCHESTER COUNTY
  • VATRA URON JOE HOXHA PËR RIFITIMIN E MANDATIT NË CONNECTICUT
  • GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN PËR DIELLIN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • A Congratulatory Message to Governor Hochul from Vatra President Elmi Berisha
  • FADIL BERISHA NDEROHET NË VATIKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT