
Dr. Nikollë Loka/
Nacionalizmi në Ballkan u shfaq fillimisht si një fenomen kulturor dhe politik i kufizuar brenda qarqeve të ngushta të elitave të arsimuara, duke marrë formën e një lëvizjeje për përhapjen e gjuhëve kombëtare dhe njohjes historike, si parakusht për ndërtimin e vetëdijes kombëtare. Në këtë kuadër, ndikimi i ideve romantike evropiane, të lidhura me mendimin e Johann Gottfried Herder dhe Johann Gottlieb Fichte, e shndërroi gjuhën në element themelor të identitetit kombëtar dhe në instrument të projektit politik të shtetformimit.
Sulltani, nën presionin e Fuqive të Mëdha, lejoi hapjen e shkollave të huaja, të cilat krahas synimeve arsimore, realizonin përhapjen e nacionalizmave të këtyre popujve, si një hap i parë që do t’u paraprinte pretendimeve të reja territoriale të shovinistëve fqinj në vitet e mëvonëshme.
Në vitin 1892, në të katër vilajetet shqiptare kishte më shumë se 1000 shkolla greke, 200-300 serbe dhe bullgare, 40 shkolla vllahe dhe vetëm 2 shkolla shqipe. Po kështu, në konkurencë me shkollat greke dhe sllave, u rrit shumë edhe numri i shkollave turke. Sipas statistikave të viteve të fundit të shekullit XIX, në të katër vilajetet e athershme kishte 1187 shkolla turke, nga të cilat 1125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) dhe 5 shkolla të mesme (idadije). Në interes të Perandorisë, Sulltani e kishte bërë të detyrueshëm arsimimin në gjuhën turke ose arabe te myslimanët, pavarësisht nga prejardhja e tyre kombëtare. Shpresohej se një frymë e njëtrajtshme feje dhe gjuhe shtetërore do të mund të krijonte një barrierë ndërmjet elementëve të krishterë e myslimanë.
Gjuha shqipe ishte i vetmi faktor që mund të bashkonte të gjithë shqiptarët, duke u ofruar atyre një simbol jo vetëm të dallimit nga fqinjët, por edhe të faktit se ata ishin një popull me një trashëgimi të lashtë dhe një vend të veçantë në familjen indo-evropiane.
Prandaj, përballë rrezikut të asimilimit që vinte nga shkollat e huaja, rilindasit intensifikuan përpjekjet për themelimin e arsimit në gjuhën shqipe. Konstandin Kristoforidhi ishte shprehur: “Në qoftë se gjuha shqipe nuk do të shkruhet, për një periudhë të shkurtër, nuk do të ketë më shqiptarë mbi sipërfaqen e tokës dhe emri i Shqipërisë do të zhduket nga faqja e dheut” . Edhe Sami Frashëri e ka shprehur përmbledhurazi këtë shqetësim në librin e tij mbi Shqipërinë që u botua nga fund i shekullit: XIX: “Shqipëria nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët, shqiptarët nuk mund të ekzistojnë pa gjuhën shqipe, dhe kjo e fundit nuk mund të ekzistojë pa alfabetin e vet dhe pa shkolla”. Sipas tij “ Shqipëria nuk do të mund ta shpëtonte kombësinë dhe gjuhën e saj, po qe se Turqia do të vazhdonte t’i ndalonte shqiptarët të themelonin shkollat e tyre amtare, ndërsa lejonte kombësitë e tjera, armike të saj dhe të Shqipërisë të vepronin si t’u pëlqente. Po të vazhdonte sundimi turk, me kohë nuk do të mbetej gjurmë Shqipërie”.
Porta e Lartë nuk mund të përballonte shfaqjen e një zhvillimi kulturor kombëtar dhe laik midis shqiptarëve myslimanë, duke krijuar bashkësi me shqiptarët e krishterë dhe, si rrjedhojë, shfaqjen e një interesi të veçantë kombëtar. Sulltani ishte kundër çdo lëvizjeje kombëtare të popullsisë shqiptare, veçanërisht kur merrnin pjesë myslimanët. Në interes të Perandorisë, ai bëri mësimin e detyrueshëm të gjuhës në turqisht ose arabisht për myslimanët, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare, sepse një fe dhe gjuhë uniforme shtetërore mund të krijonte një pengesë midis elementëve të krishterë dhe myslimanë brenda saj dhe mund të pengonte formimin e kulturës kombëtare.
Me shpalljen e Monarkisë Kushtetuese, në sistemin arsimor osman lindi një problem tjetër i rëndësishëm, që ishte problemi i arsimimit në gjuhët vendase.Jomyslimanët tashmë kishin marrë arsim në gjuhën e tyre për shumë vite. Por në këtë rast, në cilën gjuhë do të studionin muslimanët? Argumenti i shtetit otoman për të ndaluar organizimin e çdo mësimi në gjuhën shqipe, kërkesë që u shpreh më fort në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte se shqiptarët u përkisnin komuniteteve fetare myslimane, ortodokse dhe katolike.
Pasoja e gjithë kësaj ishte se shqiptarët u caktuan respektivisht në komunitetet turke, greke dhe latine dhe u la në plan të dytë identiteti i tyre kombëtar.
Sipas modelit teorik të Miroslav Hroch nacionalizmi shqiptar e nisi rrugëtimin e tij në trajtën e një “albanizmi” elitar, të përfaqësuar nga një rreth i ngushtë intelektualësh të përkushtuar ndaj studimit të gjuhës shqipe Por nacionalizmi shqiptar nuk u zhvillua në mënyrë të natyrëshme drejt shtrirjes së tij në shtresat intelektuale, para se të bëhej çështje e masave të armatosura. Në kushtet e dhunës turke, disa nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kaluan në ilegalitet dhe themeluan një komitet të fshehtë shqiptar, me degë në treva të ndryshme të vendit. Komiteti “Për Lirinë e Shqipërisë” u themelua në vitin 1905 nën drejtimin e Bajo Topulli, me pjesëmarrjen e figurave si: Sejfi Vllamasi, Gjergj Qiriazi dhe Fehim Bej Zavalani. Programi i Komitetit, i artikuluar qartë nga Bajo Topulli, nënvizonte pamjaftueshmërinë e propagandës kulturore dhe domosdoshmërinë e përgatitjes së një kryengritjeje të armatosur, çka reflektohet edhe në strukturën organizative të tij, ku çdo anëtar kishte detyrimin të rekrutonte të paktën pesë të tjerë, duke krijuar kështu një rrjet të zgjerueshëm dhe të disiplinuar.
Komiteti veproi në një kontekst kompleks politik, duke bashkëpunuar fillimisht me organizata të tjera revolucionare në Maqedoni dhe më pas me lëvizjen xhonturke, ndërsa në terren ndërmerrte aksione konkrete si rekrutimi i elementëve të armatosur, shpërndarja e trakteve kërcënuese dhe sigurimi i fondeve përmes presionit ndaj popullsisë. Megjithatë, kjo veprimtari nuk ishte pa kontradikta: ndërsa ideologjikisht synonte mbrojtjen e identitetit shqiptar dhe pengimin e ndikimeve greke, bullgare e serbe, në praktikë u shfaqën episode bashkëpunimi pragmatik me elementë të këtyre lëvizjeve, si në rastin e Çerçis Topullit. Në këtë kuadër, Komiteti “Për Lirinë e Shqipërisë” duhet parë si një organizatë tranzitore që sintetizoi nacionalizmin kulturor me aksionin e armatosur, duke kontribuar në krijimin e një tradite kryengritëse që do të kulmonte në zhvillimet e viteve 1908-1912.
Edhe pas triumfit të revolucionit xhonturk të vitit 1908 dhe dhënies së së drejtës për shkollimin në gjuhën shqipe, autoritetet osmane u përpoqën ta pengonin zhvillimin e arsimit shqip. Përmes burokracisë, mungesës së mësuesve të kualifikuar, buxheteve të kufizuara dhe presionit mbi komunitetet konservatore, shteti osman ishte angazhuar të kufizonte ndikimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare shqiptare. Përpjekjet e xhonturqve për të imponuar alfabetin arab dhe për të nxitur përçarje fetare dhe krahinore ishin pjesë e strategjisë së tyre për të kontrolluar zhvillimin arsimor dhe për të frenuar afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar. Megjithatë, vendosmëria e patriotëve rilindës shqiptarë dhe përfshirja e popullit, klerit dhe diasporës në zhvillimet arsimore garantuan suksesin e nismave të tyre. Hapja e shkollave shqipe dhe futja e alfabetit latin ishin hapa vendimtarë drejt konsolidimit të identitetit kombëtar dhe përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi.