
Gazi Aga/
Kam jetuar më shumë se një dekadë jashtë Shqipërisë dhe gjatë gjithë kësaj kohe jam përpjekur të jem i kujdesshëm, sidomos kur bëhet fjalë për të dhënë këshilla për ata që jetojnë atje çdo ditë.
Mendoj se diaspora duhet të jetë një forcë mbështetëse për atdheun: me investime të ndershme, me shembull të mirë, me lobim për interesat gjeostrategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si dhe me kontribut në arsimimin cilësor të brezave të rinj.
Por këshillat e lehta, të tipit “shqiptarët duhet të punojnë më shumë”, “duhet ta duan më shumë vendin”, apo “duhet t’ia dinë më shumë vlerën Shqipërisë”, shpesh nuk më duken shumë të drejta. Sepse kushdo që jeton jashtë, nëse e ka kaq të thjeshtë zgjidhjen, mund të blejë një biletë dhe të shkojë ta praktikojë vetë atë që thotë.
Shqipëria nuk mund të kuptohet plotësisht në dhjetë ditë pushime, duke qëndruar në vendet më të bukura, duke ngrënë në restorante me para të fituara diku tjetër. Nuk kuptohet as kur fëmijët i ke në shkolla të mira jashtë vendit. Nuk kuptohet as kur e shikon realitetin shqiptar me sigurinë e një pensioni perëndimor. Nuk kuptohet as nga largësia, sidomos pas një lodhjeje dhe dëmtimi të gjatë institucional, arsimor e intelektual që shoqëria jonë e ka përjetuar për dekada.
Sigurisht, është bukur dhe ndiejmë krenari kur shohim zhvillime pozitive në vendin tonë. Çdo rrugë e re, çdo shkollë më e mirë, çdo biznes i ndershëm, çdo i ri që ecën përpara, çdo qytet që zbukurohet, na gëzon sinqerisht, për sa kohë këto zhvillime nuk kthehen në abuzim me fondet publike, në fasadë për propagandë, apo në mundësi pasurimi për pak veta. Shqipëria është e jona dhe suksesi i saj është gëzimi ynë.
Por njëkohësisht duhet të jemi të ndershëm me veten: nuk ka zhvillim të vërtetë dhe të qëndrueshëm për sa kohë korrupsioni, nepotizmi, padrejtësia, mungesa e meritokracisë dhe dobësimi i institucioneve vazhdojnë të rëndojnë mbi jetën e njerëzve.
Dashuria për atdheun nuk është vetëm lavdërim. Nganjëherë është edhe dhimbje. Është të gëzohesh për të mirën, por edhe të mos mbyllësh sytë për plagët. Është të flasësh me respekt për njerëzit që jetojnë atje, sepse ata e mbajnë mbi shpatulla realitetin e përditshëm, jo vetëm kujtimin, nostalgjinë apo fotografitë e bukura të verës.
Prandaj, ndoshta detyra jonë në diasporë nuk është të japim leksione nga larg, por të pyesim më shumë, të dëgjojmë më shumë, të ndihmojmë më shumë dhe të kontribuojmë me përulësi.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për fjalë të bukura. Ka nevojë për njerëz të ndershëm, për institucione të drejta, për arsim cilësor, për familje të forta, për të rinj me shpresë dhe për një diasporë që nuk e do atdheun vetëm me mall, por edhe me përgjegjësi.