
Aleksandër Çipa/
Kurrë nuk e kam kuptuar dhe nuk dua ta besoj helmin verbal, virtual dhe të shkruar të shqiptarëve kundër Kadaresë dhe Rexhep Qoses…më herët ndaj Naimit, Fishtës, Nolit, Lasgushit etj., etj.!
Fatmirësisht, ky helm është më i paktë se ai i fqinjëve, të cilët renditen sipas kontributit të tyre të zi antishqiptar, si serbët, maqedonasit dhe, pak më pak, grekët, pas shqiptarëve.
Kurrsesi jo të gjithë, por pjesa më militante e nacionalizmit, kripto dhe filonacionalizmit të tyre, e ka kryer dhe vazhdon ta kryejë me devocion këtë shërbesë toksikuese ndaj shqiptarëve, historisë dhe sidomos kulturës sonë.
Avantazhi i tyre qëndron te shtetet e tyre, përballë shtetit tonë të penguar dhe të pavetëbërë.
Nuk ka asnjë dyshim se, për ta drejtësuar këtë arsye, krejt shqiptarët mirë është të lexojnë dhe rilexojnë Kadarenë, sidomos esenë “Mosmarrëveshja”, si dhe Prof. Qosen në të gjithë kolanën e veprës së tij…
Sepse mendja ndër shoqëritë shqiptare është “minoritare” në raport me shkumëzimin e përditshëm, molepsjen dhe patologjinë… sidomos në pamjen dhe shprehjen virtuale, të mëhershme dhe të sotme (!).
Kombi ynë shqiptar e ka dhe e ka pasur (shpresoj, optimistisht, se edhe do ta ketë) mendjen e mjaftueshme për të mos mbetur në sëmundjet apo molepsjet e veta, për të përgëruar vlerat e vetes, përpos kontributeve apo rekrutimeve prej fqinjëve. Do t’ia dalim të mbetemi në krenarinë e vlefshme se e kemi cilësinë dhe shquarjen e mendimit shqiptar në tërësinë e mendimtarisë evropiane.
Kombi ynë ka vetëm një betejë themelore:
të mbërrijë tek vetvetja e plotë.
Kjo është kohë e mbrothët për këtë destinacion të përëndishëm të shqiptarëve, të cilët, në kohën pas mbërritjes në anëtarësimin në bashkësinë e zanafillës së tyre në Evropë, nuk kanë për të qenë të ndarë si sot në pesë shoqëri, por në shoqërinë e së njëjtës gjuhë kombëtare.