
Prof.Begzad Baliu/
Me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468) janë zhvilluar shumë aktivitete shkencore, kulturore e madje politike. Janë të paktë studiuesit dhe njerëzit e kulturës, të cilët nuk janë angazhuar të japin një kontribut sado modest për njohjen dhe vlerësimin e këtij personaliteti me përmasa kombëtare e europiane.
Në këtë rrjedhë një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe njëri prej krijuesve tanë në fushë të letërsisë e kulturës në Suedi, shkrimtari Sokol Demaku, duke përkthyer njërën prej veprave të trashëgimisë skenderbeguane në gjuhën suedeze, atë të Stefan Zanoviqit, Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia. Stockholm: Anders Zetterberg, 1788. Të dhënat bibliografike në thonë se vepra është shkruar në gjuhën suedeze të shekullit XVIII. Është botuar në shtypshkronjën: Anders Zetterberg. Lloj i veprës: histori e romanizuar/biografi heroike. Tekst i mbishkruar sipas traditës barletiane. Botimi në gjuhën shqipe: Stefan Zanoviq, E quajti Kastrioti i madh i Shqipërisë Skënderbeu: Historia. Përkthyer nga Sokol Demaku (nga suedishtja e vjetër, sipas Sven Esselius). Prishtinë, 2024. ISBN: 978-91519-5595-7.
Të dhënat enciklopedike e bibliografike veç tjerash na thonë se Stefan Zanoviq (i njohur edhe si Stiepan Zanović) ishte një figurë e shekullit XVIII, me origjinë nga hapësira dalmato-ballkanike (zakonisht lidhet me Budvën ose zonat përreth Adriatikut), i cili u bë i njohur në Evropë si aventurier, shkrimtar dhe intelektual i shtirur. Ai veproi në një kontekst kulturor tipik për epokën e iluminizmit, duke lëvizur midis oborreve dhe qendrave urbane evropiane, ku ndërtoi identitete të ndryshme sociale dhe kulturore. Në literaturën enciklopedike nordike ai paraqitet si një figurë margjinale, por karakteristike për kulturën kosmopolite dhe shpesh spekulative të shekullit XVIII.
Zanoviq u dallua për prodhimin e teksteve historiko-letrare dhe për një prirje të fortë drejt fabulimit dhe stilizimit të figurave historike. Vepra e tij për Skënderbeun – Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia (Stockholm, 1788) – përfaqëson pikërisht këtë tip diskursi: një përzierje e historiografisë, moralizimit dhe retorikës heroike, e cila mbështetet në traditën e Marin Barleti, por e transformon atë në një narrativë të përshtatur për publikun evropian të kohës. Në këtë aspekt, Zanoviq nuk është historian në kuptimin kritik modern, por një ndërmjetës diskursiv i miteve historike.
Në biografinë e tij, ai mbetet një figurë kontradiktore: i përfshirë në aventura politike dhe mashtrime identitare (duke pretenduar herë pas here prejardhje fisnike ose role të fabrikuara), ai përfundoi jetën në kushte tragjike në fund të shekullit XVIII. Enciklopeditë evropiane, përfshirë traditën suedeze, e trajtojnë atë si shembull të tipit “aventurier intelektual”, një figurë që qëndron në kufirin midis kulturës së lartë dhe manipulimit letrar, duke reflektuar tensionet midis dijes, autoritetit dhe fabulës në epokën e iluminizmit.
Ndërmjet Barletit dhe Zanoviqit
Studimi në fjalë ndërtohet mbi një premisë të qartë metodologjike dhe teorike: teksti i Stefan Zanoviq nuk përfaqëson një burim historik autonom, por një konstrukt diskursiv sekondar, i ndërtuar mbi matricën historiografike të Marin Barleti. Në këtë kuptim, analiza nuk synon të verifikojë faktografinë historike, por të zbulojë mekanizmat e riartikulimit të figurës së Skënderbeut në një kontekst të ri kulturor, duke u mbështetur në një qasje të integruar historiko-filologjike, intertekstuale dhe semiotike. Kjo qasje lejon të kuptohet procesi i kalimit nga një historiografi humaniste, e strukturuar mbi modelin latin dhe mbi retorikën klasike, në një diskurs iluminist evropian, ku historia funksionalizohet si instrument i ideologjisë, i etikës dhe i modelimit kulturor.
Në rrafshin strukturor, analiza dëshmon një vazhdimësi të qartë të modelit barletian, pasi Zanoviq ruan skeletin kronikal të rrëfimit: origjinën fisnike të Kastriotëve, fazën e pengmarrjes dhe të edukimit në oborrin osman, rikthimin në atdhe dhe ciklin e luftërave kundër Perandorisë Osmane. Kjo strukturë nuk është një krijim origjinal, por një riprodhim i një modeli të konsoliduar historiografik, i cili funksionon si bazë për ndërtimin e mëtejshëm të rrëfimit. Megjithatë, në nivelin interpretativ, kjo vazhdimësi shoqërohet me një zhvendosje të rëndësishme: ajo që te Barleti paraqitet si një paradoks providencial i historisë, te Zanoviq riformulohet si një proces racional dhe pedagogjik i formimit të heroit, duke reflektuar një ndryshim të thellë në mënyrën e konceptimit të historisë dhe të individit.
Transformimi më i dukshëm ndodh në nivelin e diskursit dhe të strukturës narrative, ku rrëfimi historik zëvendësohet nga një narrativë e dramatizuar dhe moralizuese. Ndërhyrjet alegorike, si prologu me Menandrin (Burrë i fortë) dhe CLEARC-un (Modelin etik të heroit), nuk kanë funksion informativ, por vendosin një horizont etik, duke e orientuar interpretimin e figurës së Skënderbeut drejt një sistemi vlerash universale. Kështu, historia largohet nga funksioni i saj dokumentues dhe shndërrohet në një formë të artikuluar të filozofisë morale, ku rrëfimi shërben për të edukuar dhe për të modeluar perceptimin e lexuesit.
Në prizmin karakterologjik, figura e Skënderbeut pëson një zgjerim të rëndësishëm semantik dhe funksional. Nga një hero historik dhe ushtarak, i artikuluar si mbrojtës i krishterimit dhe i rendit evropian, ai shndërrohet në një model etik dhe politik, që mishëron virtyte universale si drejtësia, maturia dhe vetëkontrolli. Ky transformim realizohet përmes një strategjie diskursive që thekson cilësitë morale dhe shoqërore të figurës, duke e zhvendosur fokusin nga akti historik drejt normës etike.
Në këtë mënyrë, Skënderbeu nuk mbetet më vetëm një figurë e së kaluarës, por bëhet një model antropologjik dhe normativ për shoqërinë. Në nivelin e përfaqësimit të luftës, analiza evidenton një kalim nga një strukturë historiko-retorike drejt një estetike të hiperbolës dhe të dramatizimit. Përshkrimet e betejave te Zanoviq karakterizohen nga amplifikimi numerik dhe nga ndërtimi i një imazhi të epërsisë absolute të heroit, duke e transformuar luftën nga një fakt historik në një spektakël narrativ. Më e rëndësishmja, ky proces shoqërohet me një vetëdije të qartë të autorit për natyrën e mitizimit, çka e dallon atë nga modeli barletian dhe e vendos tekstin në një nivel më të avancuar refleksiv, ku historia dhe narrativa ndërthuren në mënyrë të ndërgjegjshme.
Në konceptin ideologjik dhe kulturor, shtesat që sjell Zanoviq janë vendimtare për kuptimin e figurës së Skënderbeut në kontekstin e shekullit XVIII. Figura universalizohet dhe integrohet në një sistem evropian referencial, ku ajo vendoset në marrëdhënie me figura të tjera paradigmatike të historisë botërore. Njëkohësisht, artikulohet një diskurs politik i tipit iluminist, në të cilin Skënderbeu paraqitet si model i sovranitetit dhe i autonomisë politike. Paralelisht, estetizimi i narrativës dhe futja e elementeve të ndjeshmërisë dhe të jetës shoqërore e afrojnë tekstin me format e romanit historik dhe të letërsisë së shekullit XVIII, duke e shndërruar atë në një strukturë hibride midis historiografisë dhe letërsisë.
Në këtë rrjedhë, analiza dëshmon një proces të trefishtë të ndërtimit diskursiv të figurës së Skënderbeut: ruajtjen e strukturës historike të modelit barletian, transformimin e narrativës në një diskurs moral dhe estetik, dhe shtimin e një shtrese të re ideologjike dhe kulturore, të karakterizuar nga universalizimi evropian dhe nga artikulimi i vlerave iluministe. Si rezultat, figura e Skënderbeut kalon nga një hero i kronikës historike në një simbol kompleks kulturor dhe konceptual, që funksionon si model etik, politik dhe antropologjik në horizontin e Evropës së shekullit XVIII.