• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NË DY PAMJE — KUR THEMELET E SHTETIT ZBEHEN NË PRISHTINË, NACIONALIZMI SERB NGRIT KOKËN NË BRUKSEL

November 17, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Ka raste kur zhvillimet politike, edhe nëse ndodhin në vende të ndryshme, krijojnë një kontrast që nuk mund të kalohet në heshtje. Pikërisht kjo po ndodh sot me Kosovën.  Në njërën anë, në Presidencën e Kosovës, fotografia e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, zhvendoset nga vendi i saj i nderit, ndërsa Deklarata e Pavarësisë nuk qëndron më në pozicionin e saj të mëparshëm. Këto ndryshime kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa Presidenca ka dhënë sqarimin e saj se asgjë nuk është larguar nga institucioni. Por çështja nuk është thjesht se ku vendoset një fotografi apo një dokument. Çështja është çfarë simbolizojnë ato për shtetin e Kosovës.  Në anën tjetër, në Bruksel një fyerje e rëndë ndaj Republikës së Kososvës. Pikërisht në hapësirat e një aktiviteti të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, dëgjohet kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përcjellë pretendime historike dhe territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës. Një provokim i tillë, në një aktivitet të institucioneve evropiane, është veçanërisht shqetësues.

Dhe këtu lind një pyetje që meriton përgjigje. Si është e mundur që, në një kohë kur nacionalizmi serb vazhdon të mos e njohë realitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, në vetë institucionet e Kosovës të mos tregohet kujdesi dhe respekti i duhur për simbolet dhe personalitetet që përfaqësojnë themelimin e këtij shteti?  Çështja e zhvendosjes së fotografisë së Presidentit historik Dr Ibrahim Rugova dhe e Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e tyre të nderit në Presidencën e Kosovës ka një domethënie që shkon përtej një ndryshimi të thjeshtë brenda zyrave shtetërore.  Ajo prek kujtesën historike, identitetin shtetëror dhe respektin që institucionet e Republikës së Kosovës duhet të tregojnë ndaj themeluesve të saj.  Sipas raportimeve të 9 nëntorit 2026, fotografia e Ibrahim Rugovës ishte zhvendosur nga pozicioni i mëparshëm, ndërsa në vendin ku ekspozohej Deklarata e Pavarësisë ishte vendosur një vepër filigrani. Kjo shkaktoi reagime publike dhe kundërshtime nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndër të tjerë. Presidenca, më 10 nëntor, deklaroi se as fotografia dhe as Deklarata nuk ishin larguar nga ambientet e institucionit, por mediat njoftojnë se janë vendosur në një skutë të zyrës, ku nuk bien në sy.  Për këtë arsye debati, për vendin e tyre të nderit, mbetet. Nuk është e qartë se me urdhër të kujt u zhvendos fotografia e Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kisha shkruar një artikull duke mirëpritur zgjedhjen e Justina Shiroka-Pula në detyrën e lartë të shtetit– Frank Shkreli: Kosova zgjodhi Presidenten, tani duhet të zgjedhë rrugën  | Gazeta Telegraf — dhe tani më duhet të bëj një pyetje themelore.  A mund të trajtohen simbolet e historisë së shtetit si elemente të zakonshme dekorative, të cilat çdo drejtues i ri i institucioneve mund t’i vendosë ose t’i zhvendosë sipas dëshirës së tij ose të saj?

Ibrahim Rugova nuk ishte thjesht një president i Republikës së Kosovës. Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i parë historik i Dardanisë | Gazeta Telegraf  Ai ishte njëri prej personaliteteve themelore të historisë moderne shqiptare, prijësi i rezistencës paqësore, simbol i qëndresës politike dhe intelektuale të shqiptarëve të Kosovës, dhe njëri prej protagonistëve kryesorë të rrugëtimit drejt lirisë, pavarësisë dhe botës demokratike perëndimore, sidomos Shteteve të Bashkuara. Frank Shkreli: Kujtime ekskluzive nga 35-vjetori i vizitës së parë të Presidentit historik të Dardanisë,Dr.Ibrahim Rugova në SHBA | Gazeta Telegraf.  Historia e Kosovës nuk fillon me 17 shkurt 2008. Ajo ka një rrugëtim të gjatë, me sakrifica, përpjekje politike, qëndresë qytetare dhe luftë për të drejtën e një populli për të jetuar i lirë në trojet e veta shekullore dardane. Në këtë rrugëtim, Ibrahim Rugova zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm.   Nga ana tjetër, Deklarata e Pavarësisë, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është një dokument i zakonshëm administrativ.  Ajo është akti themeltar i shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, shprehja institucionale e vullnetit të popullit për liri, sovranitet dhe vetëvendosje.  Prandaj, fotografia e Presidentit Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë duhet të kenë vendin e tyre të merituar në institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit.  Çka është Kosova pa këto dy simbole?!

Presidentët ndërrohen, mandatet përfundojnë, qeveritë vijnë e shkojnë, por historia e një kombi dhe e një shteti nuk mund të ndërrohet me çdo ndryshim pushteti.  Presidenca nuk është pronë personale e askujt. Ajo është institucion i Republikës dhe, si e tillë, duhet të përfaqësojë vazhdimësinë historike, politike dhe shtetërore të Kosovës. Nuk është fjala për t’i mohuar askujt të drejtën për të promovuar artin, kulturën apo trashëgiminë familjare. Përkundrazi, këto janë vlera që meritojnë respekt dhe promovim. Por ato nuk duhet të vihen në konkurrencë me simbolet themeltare të shtetit.  Në fund të fundit, një vepër arti mund të ekspozohet në shumë vende, ndërsa fotografia e Presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë përfaqësojnë momente dhe personalitete që kanë hyrë përgjithmonë në historinë e Kosovës dhe të kombit. Nderimi i tyre nuk është çështje partie, as çështje simpatie politike. Është detyrim ndaj historisë dhe ndaj brezave që sakrifikuan për lirinë.  Kosova ka nevojë për institucione që e ruajnë kujtesën e saj historike, jo për institucione që e trajtojnë atë si një element të ndryshueshëm të dekorit zyrtar ose personal.

Ibrahim Rugova ka vendin e tij në historinë e Kosovës. Deklarata e Pavarësisë ka vendin e saj në themelet e Republikës. Asnjë ndryshim administrativ nuk mund t’ua ndryshojë këtë të vërtetë.  Sepse shtetet nuk ndërtohen vetëm me institucione, ndërtesa dhe zyra. Ato ndërtohen edhe me kujtesë, respekt dhe mirënjohje për ata që i sollën deri në ekzistencë.  Dhe kjo është një përgjegjësi që i takon çdo presidenti, pavarësisht emrit, bindjeve apo përkatësisë politike. Historia e shqiptarëve nuk është pronë e pushtetit të ditës, jo! As Kosova nuk është “Republikë bananash”, ku çdo pushtetar i ri mund të sillet sikur historia fillon me ardhjen e tij në zyrë dhe përfundon me largimin e paraardhësit.  Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke lënë në hije historinë e saj. Përkundrazi, sa herë që të tjerët përpiqen të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e saj, institucionet e Kosovës duhet të jenë të parat që mbrojnë trashëgiminë politike dhe historike mbi të cilën u themelua Republika.

Brukseli duhet të japë shpjegime për lejimin e një kënge me mesazhe nacionaliste dhe pretendime territoriale ndaj një shteti sovran. Ndërsa Prishtina duhet të kuptojë se respekti për Ibrahim Rugovën dhe Deklaratën e Pavarësisë nuk është çështje nostalgjie politike, por detyrim shtetëror dhe kombëtar.  Një popull që nuk nderon themeluesit e shtetit të vet, rrezikon të humbasë edhe respektin për historinë që e bëri të lirë. Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ajo nuk ka nevojë për paqartësi në shtëpinë e vet dhe as për heshtje përballë atyre që vazhdojnë të ëndërrojnë kthimin e saj nën Serbi.  Historia e Kosovës meriton respekt, ndërsa shtetësia e saj kërkon mbrojtje të përditshme!

Presidenti Ibrahim Rugova nuk ishte një president dosido. Ai ishte arkitekti politik i rezistencës paqësore, udhëheqësi i një epoke të jashtëzakonshme dhe njëri prej personaliteteve që i dha çështjes së Kosovës përmasë ndërkombëtare, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontributi i tij nuk mund të fshihet, të zvogëlohet apo të lihet në harresë për shkak të mospajtimeve politike të pasardhësve të tij.                                 

Po kështu, Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk është një dokument që mund të vendoset ose të hiqet sipas preferencave të drejtuesve të radhës. Ajo është akti themeltar i shtetit të Kosovës. Një shtet serioz i nderon themeluesit e vet. Një shtet demokratik respekton institucionet dhe trashëgiminë e tij historike. Një shtet që synon të ndërtojë të ardhmen nuk e mohon të kaluarën. 

Filed Under: Analiza

Hasan Tahsini, një nga prijësit dhe ideologët e Pavarësisë

November 17, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Hoxhë Hasan Tahsini (1811–1881) dha një kontribut themelor në përgatitjen ideologjike, kulturore dhe organizative për Pavarësinë e Shqipërisë, duke vepruar si një nga ideatorët e parë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga prijësit, ideologët dhe themeluesit e lëvizjes kombëtare shqiptare. Edhe pse ndërroi jetë tre dekada para Shpalljes së Pavarësisë (1912), ai formoi brezin e udhëheqësve që krijuan shtetin shqiptar, si profesor i rilindësve që përgatitën këtë pavarësi. Ai edukoi me frymë patriotike dhe shkencore personalitete si Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri (Abdylin, Naimin dhe Samiun), Pashko Vasën dhe Jani Vreton. Sipas studiuesve dhe bashkëkohësve, ai konsiderohet “mjeshtri” i brezit që shpalli pavarësinë më 28 Nëntor 1912.

Hasan Tahsni ishte bashkëthemelues i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare në Stamboll në vitin 1877, një nga strukturat e para politike për çlirimin dhe të drejtat e shqiptarëve.

Bashkëpunoi ngushtë me figurat e tjera të Rilindjes Kombëtare (si Sami Frashëri dhe Kostandin Kristoforidhi) dhe krijoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe, duke hedhur themelet arsimore të ndërgjegjësimit kombëtar. Si intelektual i madh dhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit, shërbeu si mësues dhe udhërrëfyes shpirtëror e patriotik për shumë nga figurat kyçe që do të organizonin më vonë Lidhjen e Prizrenit dhe lëvizjen për pavarësi.

Gjatë viteve 1867–1879, drejtoi pothuajse mbledhjet e lobit shqiptar në kryeqytetin osman për mbrojtjen e të drejtave politike dhe kulturore të shqiptarëve.

Hasan Tahsini ka luajtur një rol jetik dhe strategjik në organizimin dhe mbarëvajtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878–1881), duke vepruar si një nga urat kryesore lidhëse midis lëvizjes diplomatike në Stamboll dhe asaj ushtarako-politike në terren në trojet shqiptare.

Përpara se Lidhja të mblidhej zyrtarisht në Prizren, më 10 qershor 1878, Hasan Tahsini bashkëthemeloi Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (i njohur si Komiteti i Stambollit) në vitin 1877. Ky komitet, ku bënin pjesë edhe Abdyl Frashëri, Pashko Vasa e Jani Vreto, hartoi platformën politike dhe kërkesat për autonomi që u bënë shtylla kurrizore e programit të Lidhjes së Prizrenit. Për këtë arsye, Tahsini konsiderohet historikisht si “preludi” ose pararendësi i Lidhjes.

Në mbledhjet e rëndësishme kombëtare, Hasan Tahsini u angazhua drejtpërdrejt në mbrojtjen e tërësisë territoriale të gjithë Shqipërisë. Ai mori pjesë si delegat i Çamërisë dhe i trevave të Jugut në Kuvendin e Frashërit dhe në strukturat e Lidhjes së Prizrenit. Gjatë kësaj periudhe të Krizës Lindore, ai mbrojti me ngulm që krahinat e Janinës dhe Çamërisë të përfshiheshin brenda vilajetit autonom shqiptar dhe të mos i jepeshin Greqisë.

Gjatë viteve të funksionimit të Lidhjes, Tahsini qëndroi si një nga kokat drejtuese të lobit shqiptar në kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Ai organizonte mbledhjet sekrete për të koordinuar dërgimin e memorandumeve drejt Fuqive të Mëdha.

Shërbeu si pikë qendrore ku grumbulloheshin informacionet diplomatike, duke orientuar udhëheqësit në terren (si Abdyl Frashëri dhe Ymer Prizreni) mbi lëvizjet e Kongresit të Berlinit.

Tahsini nuk ishte thjesht një teorik apo shkencëtar zyre; ai zbriti vetë në terren për të përgatitur popullatën. Për shkak të predikimit të tij të hapur për liri kombëtare, vetëdijësim dhe bashkim të shqiptarëve kundër copëtimit të trojeve, burimet arkivore dëshmojnë se ai u përndoq dhe u arrestua nga autoritetet në Delvinë. Si një mentor shpirtëror i vëllezërve Frashëri (veçanërisht Abdylit që udhëhoqi Lidhjen), Hasan Tahsini vendosi autoritetin e tij të lartë intelektual në shërbim të plotë të kësaj lëvizjeje epokale, duke u bërë “motori” ideologjik i saj.

See less

May be an illustration of text

May be an illustration of text

Filed Under: Analiza

Prania historike ilire-arbërore-shqiptare në emisionet postare të Malit të Zi

November 17, 2026 by s p

Besnik Fishta

Pullat postare nuk përbëjnë thjesht mjete administrative për pagesën e dërgesave postare; ato funksionojnë si mikro-monumente të kujtesës kolektive, historiografisë zyrtare dhe identitetit shtetëror të një kombi. Nëpërmjet emetimeve të saj ndër vite (2006-2026), Posta e Malit të Zi ka ndërtuar një narrativë të pasur vizuale që synon të kristalizojë themelet e shtetësisë, trashëgiminë kulturore dhe vazhdimësinë historike të vendit.

Megjithatë, një vëzhgim i kujdesshëm dhe i paanshëm i kësaj pasurie filatelike zbulon një fenomen të dukshëm dhe domethënës: në asnjë rast, në tematikat, mbishkrimet apo imazhet e pullave të Malit të Zi, nuk përmenden drejtpërdrejt apo te nenkuptuar termat “Ilir” apo “Arbër”, edhe atëherë kur motivet e paraqitura i përkasin pikërisht këtyre periudhave apo figurave të lidhura ngushtë me to. Një qasje e tillë, që anashkalon emërtimin e substratit të lashtë ilir dhe të trashëgimisë arbërore, nuk është shkencërisht e ndershme. Në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, ku historia e popujve është e ndërthurur prej mijëvjeçarësh, egoizmi historiografik nuk i shërben së vërtetës; përkundrazi, njohja dhe nderimi i fqinjit , në këtë rast të Shqipërisë dhe të trashëgimisë shqiptare, është një akt pjekurie kulturore dhe shkencore.

Ky vështrim analitik, i ndërmarrë për herë të parë nga një perspektivë hulumtuese shqiptare, nuk synon të bjerë në grackën e një fryme nacionaliste apo ekskluziviste. Përkundrazi, qëllimi i tij është t’i japë publikut dhe studiuesve të filatelisë sqarimet e nevojshme historike, duke vënë në dukje me argumente të ftohta shkencore se pas shumë imazheve të emetuara nga Mali i Zi qëndrojnë pikërisht shqiptarët dhe paraardhësit e tyre iliro-arbërorë.

1. Nga Duklja te Kalaja e Medunit

Narrativa filatelike e Malit të Zi e ka mbështetur shpesh ndërtimin e identitetit të saj historik te shtresimet e lashta të qytetërimit, duke u përpjekur të lidhë antikitetin me themelet e shtetësisë moderne malazeze, por duke lënë në hije përkatësinë etnike ilire të këtyre qendrave.

                                              Qyteti antik i Duklës (Doclea) – Emetimi i vitit 2010 

Në këtë seri kushtuar trashëgimisë, paraqitet një reliev arkeologjik nga qyteti i lashtë i Duklës, i vendosur në bashkimin e lumenjve Zeta dhe Morača, pranë Podgoricës së sotme. Historiografia zyrtare e përdor Duklën, e cila në antikitetin e vonë ishte si pikënisje të gjenezës shtetërore të Zetas mesjetare. Megjithatë, publikut duhet sqaruar se vetë emri Doclea buron nga fisi i lashtë ilir i docletëve, të cilët e themeluan dhe e banuan këtë trevë shekuj përpara ardhjes së sllavëve. Të flasësh për Duklën duke fshirë emrin e ilirëve do të thotë të paraqesësh një godinë pa themelet e saj reale.

                                          Kalaja e Medunit ; Emetimi i 14 Nëntorit 2019 

Në kuadër të serisë “Trashëgimia Historike”, pulla paraqet kalanë e Medunit në rajonin e Kuçit. Ky monument ka një rëndësi kapitale për historinë e ilirëve dhe shqiptarëve: në antikitet ai njihej si qyteti ilir Meteon, një nga qendrat kryesore të fisit ilir të Labeateve dhe vendstrehim mbretëror i mbretit të fundit ilir, Genci. Edhe pse në pullë paraqitet thjesht si “trashëgimi historike”, rrënjët e tij janë tërësisht ilire. Për më tepër, vetë Meduni është i lidhur me figurën e Marko Miljanovit, i cili në veprat e tij dokumentoi me respekt besën, zakonet dhe virtytet e fiseve fqinje shqiptare të Malësisë (Kuçit, Kelmendit, Hotit), duke dëshmuar bashkëjetesën e ngushtë në këtë hapësirë.

                                     Edikti i Milanit dhe Kostandini i Madh : Emetimi i 21 Qershorit 2013

 Pulla  përkujton 1700-vjetorin e Ediktit të Milanit  me bustin e Perandorit Kostandin. Edhe këtu kemi të bëjmë me një trashëgimi të përbashkët të hapësirës ilirike-romake të Ballkanit (vetë Kostandini lindi në Nish të Dardanisë antike), e cila solli lirinë e besimit të krishterë në të gjithë provincat ilire, përfshirë Prevalitanën dhe Epirin.

 2. Rasti i Balshajve

Një nga pikat më të ndjeshme dhe më të debatueshme në emetimet filatelike të Malit të Zi lidhet me trajtimin e dinastisë mesjetare të Balshajve, të cilëve Posta e Malit të Zi u ka kushtuar disa emetime të rëndësishme:

                                    Emetimi i 15 Korrikut 2010 : Kushtuar 650-vjetorit të Dinastisë së Balshajve.

Emetimi i 27 Shkurtit 2012 : Kushtuar 650-vjetorit të fronëzimit të Gjergj I Balshës, ku spikat stema heraldike me përkrenaren dhe mburojën e kuqe, si dhe emri në cirilikën e vjetër (БАЛШИЋ).

Emetimi i 12 Nëntorit 2012 : Në pullën e serisë “Trashëgimia Historike” kushtuar Betejës së Tuđemilit (viti 1042), në cepin e poshtëm majtas vendoset sërish stema e Balshajve, duke krijuar një lidhje vizuale mes shtetit të hershëm të Duklës dhe sundimit të Balshajve.

Në këtë pikë lind domosdoshmëria për një sqarim të prerë shkencor: Interpretueshmëria e dyanshme e historiografisë: Historiografia shqiptare e ka ndërtuar me baza të shëndosha historikun e Balshajve, duke i konsideruar ata si një derë fisnike me origjinë arbërore. Këtë e vërtetojnë dokumentet e Republikës së Venedikut, zotërimet e tyre kryesore të shtrira në trojet shqiptare (Shkodra, Ulqini, Lezha, Prizreni, Peja, Berati, Vlora), si dhe lidhjet e ngushta të gjakut dhe aleancat martesore me familjet më të mëdha fisnike arbërore si Topiajt, Muzakajt, Dukagjinët dhe Kastriotët. Nga ana tjetër, historiografia malazeze dhe serbe i trajton ata si dinasti vendase të Zetës apo serbe, duke u mbështetur te donacionet e tyre për manastiret ortodokse dhe përdorimi i sllavishtes kishtare në dokumente.

E vërteta mesjetare dhe ndershmëria shkencore: Në shekujt XIV–XV (1360–1421), kombet në kuptimin modern nuk ekzistonin; Balshajt qeverisnin një popullsi të përzier arbërore, sllave dhe vllahe. Përpjekja e historiografisë malazeze për t’i paraqitur Balshajt në pullat postare ekskluzivisht si themelues të shtetësisë së tyre, duke fshirë plotësisht dimensionin e tyre arbëror, nuk është shkencërisht e ndershme. Faktet historike dhe gjeografia e pushtetit të tyre dëshmojnë se kjo dinasti është pjesë organike e historisë së Arbërisë dhe një urë lidhëse mes dy popujve. E njëjta lidhje dinastike vërehet edhe te pulla e vitit 2015 kushtuar kalasë së Soko Gradit dhe pulla e vitit 2022 kushtuar Manastirit të Praskvicës, i rimëkëmbur nga Balsha III), të cilat lidhen me familjen e Crnojević-ëve, që ishin të lidhur ngushtë me krushqi me familjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

 3. Gjurmët e Përbashkëta Kulturore, Fetare dhe Etnografike në Tematikat e tjera

Përtej antikitetit dhe dinastive mesjetare, një vështrim i zgjeruar në katalogun filatelik të Malit të Zi zbulon një sërë tematikash të tjera, nën tituj të përgjithshëm si “Trashëgimia Historike”, “Arti Malazez ndër Shekuj” apo “Mbrojtja e Mjedisit”, ku pas imazheve qëndrojnë drejtpërdrejt shqiptarët, trevat e tyre autoktone dhe kultura e tyre materiale:

                                                  Qyteti mesjetar i Shasit : Emetimi i 12 Nëntorit 2014 

Në serinë “Trashëgimia Historike”, pulla paraqet rrënojat madhështore të qytetit antik dhe mesjetar të Shasit, pranë Ulqinit. Shasi ndodhet në zemër të rajonit të Anës së Malit, një trevë me popullsi të pastër autoktone shqiptare. Në mesjetë, Shasi ishte një qendër e rëndësishme ipeshkvnore katolike e hapësirës arbërore bregdetare, e cila u shkatërrua nga pushtimet mongole e osmane. Paraqitja e tij në pullë është një dëshmi e gjallë e qytetërimit mesjetar shqiptar në bregdetin e Adriatikut.

                                                   Burimet e Ali Pashës : Emetimi i 27 Majit 2016 

Nën tematikën “Mbrojtja e Mjedisit”, kjo pullë paraqet peizazhin e mrekullueshëm të Burimeve të Ali Pashës pranë Gucisë, në rrëzë të Alpeve Shqiptare. Këtu lidhja me shqiptarët është e dyfishtë: gjeografikisht, Plava dhe Gucia janë treva historike shqiptare; ndërsa historikisht, vetë emri i burimeve mban emrin e Ali Pashë Gucisë, njërit prej figurave më të shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe udhëheqësit të rezistencës shqiptare për mbrojtjen e trojeve etnike në shekullin XIX.

                                             Xhamia e Mbretit në Plavë : Emetimi i 2 Nëntorit 2022 

Në serinë “Arkitektura Historike”, pulla pasqyron Xhaminë e Sulltanit në Plavë, të ndërtuar në vitin 1471 me arkitekturë karakteristike prej druri. Ky monument përfaqëson trashëgiminë shpirtërore dhe arkitekturore të komunitetit autokton shqiptar të krahinës së Plavë-Gucisë.

                                     1000-vjetori i Vladimirit dhe Kosarës : Emetimi i 10 Nëntorit 2016 

Kjo pullë përkujton kultin e Shën Gjon Vladimirit dhe Kosarës. Në realitetin historik të rajonit, kulti i këtij shenjtori ka qenë një pikë takimi ndërfetare dhe ndëretnike; eshtrat e tij u ruajtën dhe u nderuan për shekuj në krahinën e Tivarit dhe në Shqipërinë e Mesme (Manastiri i Shën Gjon Vladimirit në Elbasan), duke u mbrojtur nga familje fisnike shqiptare dhe duke dëshmuar një traditë të përbashkët shpirtërore.

Kultura Materiale dhe Etnografia : Qemeri dhe Veshjet Popullore (2013, 2015)

Në serinë “Arti në Malin e Zi ndër Shekuj” (5 Shkurt 2015), pulla paraqet Qemerin, brezin tradicional prej argjendi të punuar me filigran dhe gurë të çmuar. Po ashtu, në serinë e vitit 2013 paraqiten detaje të veshjes popullore. Ndonëse si vende fqinje është e natyrshme të kemi ngjashmëri në veshje dhe stoli, nuk mund të mohohet fakti se mjeshtëria e filigranit dhe e argjendarisë kishte si qendra kryesore qytetet shqiptare si Shkodra, Prizreni, Peja dhe Gjakova, të cilat furnizonin gjithë tregun e Ballkanit Perëndimor, përfshirë oborret dhe tregjet malazeze. Të pranosh këtë ndikim dhe shtrirjen e gjerë të elementit iliro-arbëror në veri nuk e zbeh kulturën fqinje, por e pasuron kuptimin e saj.

Përfundim: Domosdoshmëria e ndërtimit të urave miqësore nëpërmjet filatelisë

Vështrimi i hollësishëm i emetimeve filatelike të Malit të Zi dëshmon se historia e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndahet me thikë në ndarje sterile e të izoluara. Qoftë te rrënjët antike ilire të Duklës e Medunit, qoftë te dinastia arbërore-rajonalë e Balshajve, e deri te monumentet dhe peizazhet e Shasit, Tivarit, Plavës e Gucisë, prania e shqiptarëve dhe e paraardhësve të tyre iliro-arbërorë është e gdhendur në vetë themelet e kësaj trashëgimie.

Heshtja ose shmangia e qëllimshme e termave “Ilir” dhe “Arbër” në katalogët dhe mbishkrimet e pullave postare është një mangësi që kërkon reflektim. Historiografia dhe institucionet kulturore nuk duhet të veprojnë me egoizëm kombëtar, sepse e vërteta shkencore nuk cenohet duke nderuar fqinjin; përkundrazi, ajo fiton dinjitet dhe besueshmëri.

Në shekullin XXI, filatelia duhet të kapërcejë rolin e saj të vjetër si mjet i monopolizimit historik dhe të shndërrohet në një urë miqësore ndërmjet popujve. Një qasje e hapur, ku tematikat filatelike pasqyrojnë me ndershmëri kontributin e secilit popull, do të krijonte hapësira të reja për mirëkuptim, respekt reciprok dhe bashkëjetesë paqësore midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Emetimet e ardhshme, pse jo edhe emetime të përbashkëta filatelike midis dy administratave postare për figura, monumente apo vlera të përbashkëta, do të ishin dëshmia më e bukur se kultura dhe historia janë pasuri që na bashkojnë dhe jo kufij që na ndajnë.

Filed Under: Analiza

Refleksion për një libër tërheqës

November 17, 2026 by s p

Aristotel Mici/

Libri  “Porosia e Kullës”, i shkrimtarit  Pashko Camaj, që në fillim kish  titullin  “Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane”, më ka tërhequr dhe më ka  bërë aq shumë përshtypje, sa  e ndjeva  të nevojshme  ta rilexoja me laps në dorë për të shënuar episode  dhe detaje tepër mbresëlënëse. Në përmbajtjen e këtij libri lexuesi gjen pamje  origjinale nga jeta e përditshme rreth vëllezërve shqiptarë  të Malsisë së Madhe , të cilët padrejtësisht historia i ka ndarë nga atdheu, duke ua lënë ato vise  Malit të Zi.                                                   Ekspozicioi  i veprës shtrihet në trevën e Malësisë së Madhe, mbi Liqenin e Shkodrës, që përfshin  Hotin, Grudën, Trieshin, Tuzin  e deri në Dubravë. Edhe ndërtimi subjektor i librit ka specifikën e vet në llojin e shkrimeve letrare, se vepra është shkruar  dhe rrëfyer në vetë të parë. Pra, autori i veprës, Pashk Camaj, është bir i  krahinës  që rrëfen dhe për më tepër është jo vetëm shkruesi, po  edhe protagonisti në libër,  gjë që shton interesin tonë për të parë ngjarjet natyrshëm dhe  me origjinalitet.

Shkrimtari ka pëlqyer që topikun e veprës ta  vendos  në një kullë të  Malësisë së Veriut , si është ajo e gjysh Pjetrit dhe e babës se tij Rrokut . Kështu që “Kulla” imagjinare, që shkrimtari ka  hartuar me fantazi është pasqyrë e Kullës, ku është lindur dhe rritur  ai vetë, atje te trualli i quajtur “Spi”- (f.105). Dhe që duhet ta nënvizojmë se kjo tokë është  pjesë autentike e Malësisë  së Madhe, e banuar prej shekujsh prej shqiptarëve, të cilët shtëpitë e tyre i quanin “kulla”, duke i konsideruar ato si strehë të shenjta dhe që kurrë nuk duhej të braktiseshin. Ashtu mendojnë edhe familjarët e kullës së  Pjetrit, gjyshit të Camajve, i cili kish porositur  të bijtë se ”për kullën  nuk vdiset, për kullën jetohet” . Madje u kishte thënë se derisa ata po përballeshin me dilemën e madhe,  ajo kullë nuk guxon të  shuhet, se kjo kullë do  të japë burra që do t’ i njohë kombi. Kjo është porosia e ime, kjo është porosia e kullës, o bijtë e mi”. (f.220).   Pra bindja për të mos e  braktisur kullën ishte veti e ndjenjës së  shqiptarizmit të Malësisë  së Madhe. Rreth kësaj psikologjie atdhetare të malësorëve, shkrimtari Besnik Mustafaj shkruan në parathënie të këtij libri: “Në jetën e shqiptareve të  Veriut,  kulla është  njëherësh një simbol i rëndësisë së veçantë dhe i një realiteti konkret. E tillë shfaqet ajo edhe në jetën e Pashko R. Camajt”.

Po në vitet  ’60- 70 të shekullit të kaluar në trevat e malësisë së  Madhe u shfaq një  prirje  për t’u larguar nga trojet e të parëve, duke shpresuar një jetë më të mirë në dhe të huaj. Kësaj  fryme psikologjike i jepte shkas varfëria ekonomike, po edhe  synimi nacionalist i  regjimit  serbo-malazez, që synonte shpopullimin  e  banorëve  shqipfolës të zonës, që shoqërohej me diskriminimin gjuhësor edhe krahinor, që mbështetej edhe nga pikëpamjet shoveniste antishqiptare të studiuesit serb Çiubrilovic.                            

  Ndër kaq duhet të theksojmë se  dilema për largimin ose mos largimin nga kulla nuk doli si shtysë  e ndonjë romantiku të zbrazët ëndërrimtar. E vërteta është se popullata shqiptare e Malit të Zi shquhet për zellin në punën ngulmuese  për mbijetesë. Gjithë familjet e bashkësisë  etnike shqiptare, të mëdhenj e të vegjël, siç edhe përshkruhen në libër , i sheh në punë që kur lind dielli e deri sa perëndon, mirëpo jeta e banorëve të Malësisë për ditë bëhej më e vështirë. Ashtu edhe në kullën e Camajve, me gjithë përkushtimin dhe sakrificat për një jetë më të mirë, sundonte ndjenja e pasigurisë. Skenat e varfërisë me pamje të ndryshme i dallojmë edhe në jetën e përditshme të familjes së Rrok Pjetrit, duke nisur  që nga personazhi kryesor Pashku  dhe deri tek vëllezërit e motrat e tij, Shtjefni, Lezja, Hana, Nikolla, Frani  Drita, të cilët qysh në ditët e  tyre të miturisë  do të  kalonin  një fëmijëri  të ashpër në  kondita të vështira.   Ashtu edhe Pashku , fare i vogël do të vriste mendjen e do të përfshihej midis të tjerëve në punë sado të thjeshta. Një herë, kur po vraponte anës kopshtijeve, për të kapur gjinkallat, që këndonin, ai pa se të gjithë të tjerët punonin. Atëherë, pa i thënë askush, sado që ish çunak, la lodrat me gjinkallat dhe nisi të bënte punë  me  vlerë; të ujiste piperkat e  perimet e kopshtit, të kërkonte furriqet e pulave të fushës, për të mbledhur vezë për ditën e Pashkës, të mblidhte bostane që të ngarkohej karroca e shtëpisë, që do të shpinte prodhimet në qyet, si dhe t’i  shoqëronte vëllezërit tok me babën deri në tregun e Sarajevës. Qysh në fëmijëri, Pashku e  kuptoi  se për të çarë ne jetë duhej krahas punës dhe dituria; me zell të veçantë  bënte  tre kilometra rrugë për të ndjekur shkollën fillore, ku i jepte mësim  mësues Gjoka, që ishte  impozant dhe i ashpër.  “Sado që  shpesh na godiste me fshikull, ai dinte të jepte edhe lëvdata. Në mbledhjen e prindërve dhe të mësuesve, ai më lavdëroi, duke thënë se isha një nxënës i jashtëzakonshëm dhe se ishte kënaqësi të më kishte  një nga më të mirët e klasës. Shkëlqimi në fytyrën e babait tim, që tregonte se sa i lumtur ishte, më mbushi me krenari dhe gëzim…Një mësim që mora  nga ajo kohë ishte që të dalloja të mirën nga e keqja dhe të përpiqesha të mos mbaja mëri”.(f.25).

Pas shkollës fillore në fshat, Pashku do të ndiqte  edhe shkollën e mesme  ne gjuhën shqipe në Tuz. Dëshira për të mësuar edhe  shkollën e mesme në gjuhën amtare ka rëndësi të posaçme për ruajtjen e identitetit kombëtar për fëmijët e Malësisë së  Madhe; gjë që nuk ishte   e mundshme e njëjta gjë, kur ndiqje arsimin në klasë më të larta, siç do t’i ndodhte  Pashko Camait,  kur ish  student në shkollën e mjekësisë në Podgoricë. Si tregohet nga autori në libër, në lëndën e anatomisë profesoresha Maria e vlerësonte Pashkun me notat më të mira.   Po, ndryshe nga ajo u soll me djaloshin shqiptar pedagogu Çaviq, i cili e zëvendësoi  porf. Marien.  Qysh në orën e parë, tek po  lexonte emrat  e studentëve në faqen e regjistrit, ai vuri re se njëri  prej tyre, e kish mbiemrin pa prapashtesë sllave “-viq” në fund. “Atëherë profesori lexoi                                                     mbiemrin tim Camaj – shkrun në libër autori-  dhe më kërkoi me sy  teksa  u ngrita në këmbë.” “Ai ma përsëriti  edhe një herë  emrin, duke u përpjekur ta lidhte me notën ”5”, që kish vendosur Maria në kolonën e vlerësimit. Pastaj, kur nisi  të fliste për anatominë e kockave të kokës, m’u afrua tek isha ulur në bankë dhe më pyeti: “Si e ka emrin kjo kockë?” Dhe kur pa se  nuk po më kujtohej, më vlerësoi, duke thënë: “Ti ke një njësh” dhe e shënoi në regjistër pranë notës “5”    . 

Një sjellje e tillë  e profesor Caviqit  ndaj  një  studenti ishte e pazakontë, diskriminuese,  anti pedagogjike. Po Pashku qëndroi i palëkundur dhe u përpoq ta  fshihte poshtërimin, që iu bë. Ky ishte rasti i parë, që po ndeshej me realitetin tendencioz  të shkollës në Podgoricë  të Malit të  Zi. Kjo sjellje denigruese ishte fillimi i asaj  që do të shkaktonte marrjen e një vendimi disa kohë më vonë  në rrjedhën e jetës së këtij studenti shqiptar nga Malësia e Madhe, që ishte aq këmbëngulës dhe me synime të qarta për të fituar dije për vete, familjen dhe vendlindjen.

Rasti i dytë, i diskriminimit nacional do të ishte kur vetë  protagonisti librit do të gjendet  para shprehjeve ofenduese për kombin e tij shqiptar, siç është episodi në stacionin hekurudhor të Zagrebit, ku ndër të tjera  shkruhej: “Kosova dhe populli shqiptar në Jugosllavi janë zuzarët e fundit në atë vend .f. 152. “Për shumëkënd,  kjo mund ë mos ketë qenë surprizë,  por për mua ishte tronditëse. Mezi prita të kthehesha në tren dhe të ikja nga ajo urrejtje,” f.152, –  shkruan autori i lënduar  në subkoshiencën  e të riut student, që kërkon të gjejë veten në  atmosferën e trazuar të nacionalizmit pansllavist në ish Jugosllavinë e viteve  ’80 të shek. të kaluar. 

Zhgënjimin më të madh i riu student shqiptar, si banor i lindur në Mal të Zi, do ta përjetonte në përpjekjet e tij për të realizuar ëndrrën e vetë të rinisë, që të regjistrohej në fakultetin e mjekësisë. Si shumë të rinj Pashk Camaj dëshironte të bëhej mjek, t’u shërbente sa më mirë gjithë njerëzve të malësisë. Me mundësitë dhe sakrificat e tij  kishte dalë i shkëlqyer në shkollimin shqip si në fshat , po ashtu edhe në Tuz, ku kish kryer shkollën  e mesme në gjuhën amtare.  Ndër kohë  ai pat përfunduar edhe shkollën  mjekësore ne gjuhën  sërbe, me synimin që të konkurronte me dinjitet,  kur të aplikonte për të fituar të drejtën që të hynte në  fakultetin e mjekësisë. I sigurt dhe optimist për studimet e veta,  Pashku vendosi të nisej  drejt  universiteteve; fillimisht, preferoi  të shkonte në  universitetin e Prishtinës. Sapo shkeli atje, u  gëzua shumë se të gjithë flisnin shqip.  Pas përfundimit të testit,  i kish mbetur koha  për  të  pritur dhe parë  rezultatin. Studenti ish i bindur se  do të kish dalë mirë. Kaluan katër ditë të gjata- prit e prit.. Priste që  t’i të dilte  emri në lisën e radhës. Shikonte me ankth  e me padurim, po më kot. Emri i tij nuk dukej  gjëkundi, në asnjë nga listat që paraqiteshin.  Kur e kuptoi se nuk mori asnjë përgjigje, u dëshpëruar, dhe i mbushur me  një ndjenjë pesimizmi, u  largua me autobus nga Prishtina për në shtëpi. Ndjente kotësinë e jetës si njeri pa qëllim. Prandaj meditonte me vetvete: ”Duhet të kem qenë shumë i ri dhe naiv, për të kuptuar  se çfarë po ndodhte. Kuptimi i fjalës “nepotizëm“ ishte  për mua i panjohur atëherë, siç do të mësoja më vonë,  prej disa nga  baballarët, që lëviznin korridorit, për t’u dukur se ata ishin dikushi për bijtë e vetë, të cilët  kishin njohjet e tyre.”f.125. Pra studenti Pashk Cami, ende adoleshent, po përjetonte një gjendje shpirtërore më të trazuar dhe më të keqe se ajo që kishte kaluar me profesorin e anatomisë Çaviq në Podgoricë.                                                                                                                                         Nga këto qëndrime shpërfillëse studenti i ri po e ndjente veten  gjithnjë të lënduar.  Po, një ditë motra Drita, duke e parë të shqetësuar, e pyeti se pse ish aq  i dëshpëruar dhe atij iu ndesh t’i tregonte asaj arsyen  se pse ai as nuk qe regjistruar në universitet dhe as nuk po gjente dot punë.   Atëherë, motra i tha, me guxim   se ata  mund të shpëtonin nga papunësia, po të shkonin në Amerikë;  “dream of Amerika” – kështu thonë shumë të rinj sot… …Po atë çast atij iu kujtua  porosia e gjyshit për Kullën,  gjë që  e mundonte  në  subkoshiencë, duke ia shtua ndjenjën e dyzimit, të largohej a të mos largohej nga vendlindja. Po prej kësaj dileme psikologjike,  atë do ta çlironte shpirtërisht motra , me guximin e saj, e cila,  siç gjykonte ai, e “lexonte” vëllan pa folur, me faktin se ajo ishe  binjake me atë dhe ndoshta kishin lidhje telepatike.  Dhe kështu ata të dy, Pashku dhe Drita, të çliruar nga  ndjenja e “fajësisë” se po braktisnin kullën, vendosën të largoheshin drejt Amerikës, vendi ku kishte liri dhe ku mund t’i kthenin ëndrrat në realitet. Kur mbërritën në Amsterdam, u ndihmuan prej një të njohuri, kundrejt  një shume të mirë dollarësh, që të fluturonin në Meksiko Siti , që nga do të kalonin  pastaj kufirin, për në SHBA, pa dokumente, të fshehur brenda në bagazhin e një veture të madhe amerikane. Pas kalimit të kësaj “aventure” vërtet të rrezikshme, në kufi, ata të dy, Pashku dhe Drita  do të ndodheshin, në San Diego, në tokën e dëshiruar të Amerikës, qiellin e së cilës do ta përshkonin  me aeroplan  përmes shtetit të                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               Miçiganit, në zemër të Amerikës, ku po i priste Frani, vëllai i Pashkut me  gruan e tij Dusha.   

                       *    *   *

                                                                                                                                                   Ashtu, Pashk Camaj u fut në Amerikë që të përmbushte dëshirën e vetë  të  hershme,   pra që të bëhej  doktor,  kjo ishte një  ëndërr e madhe për një  imigrant fillestar. Mirëpo  Pashku nuk trembej para vështirësive.  Të nesërmen e ardhjes në Amerikë  ai u punësua te  kunati, që kishte një kompani për lyerje. Pa humbur kohë u regjistrua edhe në autoshkollë  për patentën e shoferit, pa vonesë vrapoi te kursi i gjuhës angleze  për të huaj.…Pas pesë vjetësh studenti  Pashk  Camaj kishte kryer studimet në  York-College, ku mori diplomën  bachelor, në shkencat e midisit. Me një herë pas  kësaj, u pranua në  Hunter College në Manhatan. Si shkruhet në libër, ai po ngjiste shkallët e suksesit; shumë universitete ofronin programe  për doktoranturë në fushën e shëndetit publik. ”Shkolla e Shëndetit Publik e Universitetit të Kolumbias ishte diçka që më dukej e përshtatshme në mënyrë të përkryer për mua, shkruhet në libër. Duke pasur parasysh rrethanat e mia, kjo ishte më e mira e mundshme . Zgjodha  të ndiqja studimet, që ishin të afërta  me të shkencave të shëndetit publik . Në vend që të trajtoja sëmundjet, do të luftoja me shkaqet, që i krijonin ato.  E pashë këtë si mundësi për të arritur gjëra që më dukeshin të paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.”f.201.  

Në mes të vitit 2006, pasi kish plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar, si diplomat, dëshmitë e provimeve dhe shkresat rekomanduese, dorëzoi në zyrën përkatëse  të  atij  universiteti, fletëparaqitjen.  Atëherë, për Pashkun fillonte nga ai çast etapa eprore e studimeve pasuniversitare. Ndër kohë atij i duhej të gjente një mentor, i cili do ta orientonte për studimet dhe kërkimet që do t’i kish bazë për disertacionin e vetë. Për fatinë tij të mirë ai pati rastin të njihej me një personalitet shkencor, që punonte brenda  departamentit të shëndetit në Columbia University, ai quhej  dr. Joseph Graziano. Hulumtimet  e këtij profesori i kushtoheshin  kryesisht  helmimit prej  ekspozimit të elementit kimik të plumbit. Nga biseda me  prof. Graziano, Pashku mori vesh se ky specialist i lartë me grupin e tij  kishte bërë një punë serioze rreth  efekteve negative të ekspozimit ndaj plumbit; kjo punë, në kuadrin e  Universitetit të Kolumbias, kishte filluar 10 vjet më parë dhe qe shtrirë edhe në  Kosovë.  Për Pashk Camajn  qe një moment i lumtur kur dr. Graziano e pranoi  atë si pjesë të  grupit studimor. I gëzuar nga kjo arritje, Pashku do të shkruante në libër se “synimi im pas kryerjes së këtij  hulumtimi nuk ishte thjesht të fitoja një diplomë doktoranture, por të më  kthente një pjesë të  atdheut tim, Kosovën, që  nga ish larguar  duke u ndjerë i refuzuar, në verën e vitit 1983”, i lënduar  se nuk  arriti  të merrte  përgjigjen  për t’u regjistruar ne Universitetin e Prishtinës.                                                                                                                                               Në universitetin e Kolombias Pashk Camaj do të mbronte tezën e tij të studimit dhe  si rezultat  atje mori gradën  Doktor i Shëndetit Publik. Ky graduim  shkencor i Pashkut ishte  më shumë se një diplomë, ishte  vërtetimi i të gjithë punës së tij të palodhur dhe i këmbënguljes në kërkim të një jete të re.  Më në fund  ai ishte i bindur se kjo arritje madhore qe edhe  një afirmim i asaj ëndrrës rinore, e cila u shfaq fillimisht me titullin “Dreaming  from the trunk of an American car” , dhe që  në fakt kish pas qenë qëllim i largët qysh me vendimin për t’u larguar nga “kulla”. Ky sukses  i madh ishte vërtetimi i të gjithë punës së tij  të palodhur dhe i këmbëngulëse në kërkim të një jete të re. Më në fund, ishte afirmimi i asaj ëndrre unike amerikane, që  filloi me vendimin e tij për t’u larguar nga vendlindja  .

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               Joshja  dhe malli drejt vend lindjes duken në çdo  kapitull të veprës  si një prirje shpirtërore e autorit, që ka lidhje me ambicien e tij patriotike dhe intelektuale, për të pohuar se ai nuk qe larguar përgjithnjë nga Malësia .  Ndërsa analizon përpjekjet dhe angazhimin e tij mendor dhe fizik për të çarë  në mjedisin amerikan, duke kujtuar “Porosinë e Kullës” ,Pashku  shkruan se  në vend që të  arnoja  një rrugë që  përcakton brezat  para meje, unë hapa kufijtë, që ndajnë të kaluarën nga e ardhmja, gjë që më ndihmoi të  pranoja  se largimi ishte e vetmja mënyrë për t’u bërë, specialist i aftë,  duke mbajtur gjallë dashurinë  për vendlindjen dhe  trashëgimin e brezave pararendës . 

Libri Porosia e Kullës  përmbyllet me idenë e patriotike që pasardhësit tanë kudo të ndodhen në rrugët e mërgimit larg Atdheut, të mos harrojnë vendlindjen, ”folenë e magjishme nga kemi dalë.”  Për këtë dëshirë autori jep shembullin e tij të nderuar, që , pasi ka përmbushur idealin për t’u bërë një intelektual i lartë, duke fituar titullin  Doktor i Shkencave, kthehet në vendlindje, në Malësi të Madhe, ku shkon  e futet me mallëngjim në Kullën prindërore, që i kujton porositë e gjyshit dhe të brezave të parë.  Atje, ato çaste do t’i kenë shkuar në mendje edhe fjalët bekuese të  të ndjerës Nënës së  tij, e cila  i kish pas thënë: “Në se  nuk do të jesh i lumtur dhe aq  mirë sa ‘menon’ andej, mund të kthehesh. Shtëpia jote do të presë” (f.156) …  Dhe ja, pas dy dekadash, ai djali , atëherë, ende adoleshent, tani i burrëruar dhe i diplomuar doktorant, është  kthyer atje te “Kulla”, ku qe derdhur gjaku dhe djersa e gjysh Pjetrit dhe  sakrificat e babës së vetë, Rrokut.  

  • Kulla e librit të shkrimtarit Pashk Camaj na pasqyron  simbolikisht si një film në miniaturë tërë realitetin e malësoreve shqiptarë në Mal të Zi, siç nuk e kemi lexuar deri tani në ndonjë vepër letrare. Nëpër kapituj të ndryshëm të librit  gjejmë skena  dhe episode me përmbajtje epike, ku  duken burra djem dhe vajza gjithë gjallëri e guxim mahnitës si në legjenda, të përshkruara nga autori me detaje konkrete . Janë personazhe  real me temperament dinamik  dhe karakter të gdhendura si figura legjendare të dalë prej shkëmbinjsh  me pamje të rëndë . Dhe madhështia e këtyre njerëzve të thjeshtë është përshkruar me një shprehje të rrjedhshme si në gjuhën e autorit , si edhe në gojën e personazheve. Nga kjo anë bie në sy prirja e shkrimtarit për të gjellitur fjalë dhe shprehje të dialektit veriperëndimor të Malësisë, thënie të goditura bukur, qoftë për kuptimin leksikor, po edhe për pasurimin e fjalorit aktiv të gjuhës  kombëtare.                                                                                                                                                                                      Duke qenë se po komentojmë  gjuhën si mjet komunikimi, po edhe si mundësi shprehjeje figurative, duam  të theksojmë  dhe synimin e shkrimtarit për individualizimin e personazheve  përmes të folurit gjatë rrëfimit të kapitujve.  Tek shpreh këtë mendim kam para sysh  replikat  midis malësorëve hije-rëndë si  Rrok Pjetri,  babai  i autorit,  dhe  miqve të tij, Gjek Gjoni, Rrok  Gjoka,  Mixha Vuksan, vëllezërit e tij, Kola dhe Maku, të cilët në momente të caktuara  e rrëfejnë burrërinë e tyre jo vetëm me guxim dhe përdorimin e armës, po  edhe me ligjërimet e veta, që kanë fjalë dhe shprehje tipike  të  zonës së Malësisë. 

Për të qenë konkret  rreth kësaj prirje të autorit lidhur me kujdesin  e tij  për gjuhën e gjallë të  personazheve, po radhis disa  fjalë nga  goja e tyre  : si  “shpuzore  f.155, zdrypi(f.48), të perrish 156,   dvete 39, kish kamën e shmakët te  frenat f.162   , nesër nadje  41;    nadja e mirë 162,  spi -f.105”, ose trajta të veçanta  lokucionesh bisedore, që në fjalitë  nga janë marrë i japin ligjërimit një tingëllim të këndshëm dialektor të  Malësisë, si  janë edhe shprehjet : “Zoti ju dhashtë forcë f.109., për kullën nuk vdiset    220, A thue po perrijmë  në kohë f.50 ; ajo asht kën Dusha ( f.114)” . 

Vepra “Porosia e kullës” lexohet me interes  në radhë të parë  për pasqyrimin realist të jetës dhe për analizat psikologjike të karaktereve, që jepen në situata të veçanta mbresëlënëse, të shprehura bukur përmes  një rrëfimi  tërheqës. Kjo është  ana  joshëse e librit,  që autori e ka përmbushur qysh me kompozimin e subjektit, me  ligjërimin e rrjedhshëm, shprehjet e bukura metaforike, tregimet retrospektive dhe sintaksën  e goditur, që së bashku formojnë atë që në teorinë e letërsisë quhet stil, të cilin  autori Pashk Camaj  e ka  arrirë mjeshtërisht. Është kënaqësi e veçantë për çdo autor, që formon dhe konsolidon talentin  përmes  origjinaliteti të vet, pasi  siç na  mëson Seneka, lidhur me këtë anë të krijimtarisë “stili nuk është gjë tjetër veçse fytyra e shpirtit të autorit”. Në mbyllje dua të shtoj se pasi mbarova leximin e librit “Porosia e kullës”, mbeta me  përshtypjet më të mira. Dhe duke reflektuar  për autorin dhe veprën e tij, kuptova se letërsisë shqiptare i ka ardhur  një talent i kompletuar, një personalitet i letrave me kulturë akademike, që do të t’i bëjë lexuesit  surpriza të tjera me krijimet e veta. Këtë ide ma përforcoi më shumë një artikull studimor i shkrimtarit të mirënjohur ndërkombëtarisht, Visar Zhitit, i cili disa muaj  më parë e publikoi  atë  shkrim sintetik në gazetën Dielli, material që  analizon  romanin Brenga të shkruar po nga pena e Doktor Pashko R. Camaj,.  

Filed Under: Analiza

AMBASADA AMERIKANE – SIMBOL I MIQËSISË DHE SIGURISË PËR SHTETIN E KOSOVËS

November 16, 2026 by s p

Screenshot

– Nominimi i ambasadorit amerikan është lajm i mirë dhe mundësi për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nominimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë nga presidenti Donald Trump është padyshim një zhvillim pozitiv për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve mike dhe aleate. Prania e një ambasadori të konfirmuar nga Senati amerikan e ngrit përfaqësimin diplomatik në nivelin e duhur dhe krijon mundësi më të mëdha për komunikim të drejtpërdrejtë me administratën amerikane.

Mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë për gati dy vjet, pas përfundimit të mandatit të Jeff Hovenierit në dhjetor 2024, nuk ka qenë zhvillim i dëshirueshëm. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Amerika e ka zvogëluar rëndësinë strategjike të Kosovës.

E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati, pavarësisht përpjekjeve dhe rezultateve pozitive gjatë shërbimit të saj, ka pasur edhe disa qëndrime të diskutueshme. Në veçanti, kritikat ndaj qeverisë Kurti lidhur me projektin e gazit amerikan, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, më 12 shtator 2025, kanë shkaktuar shqetësime të arsyeshme. 

Personalisht, konsideroj se arsyetimet për këtë pezullim nuk kanë qenë bindëse dhe se vendimi nuk u ka shërbyer interesave afatgjata të asnjërës palë.

Në një pjesë të komunitetit shqiptaro-amerikan ekzistojnë dyshime se në këto qëndrime mund të ketë pasur ndikim edhe ish-diplomati amerikan Richard Grenell. Ndonëse nuk kam dëshmi për ndërhyrje të drejtpërdrejtë, qëndrimet e tij të vazhdueshme kundër kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së Kosovës kanë qenë publike dhe në përputhje me interesat politike të Beogradit.

Nga ana tjetër, gjatë mandatit të dytë të presidentit Trump kanë ndodhur edhe zhvillime të rëndësishme pozitive për Kosovën.

Një ndër më të rëndësishmet është miratimi nga Kongresi Amerikan dhe nënshkrimi nga presidenti Trump i Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, ku përfshihen dispozita në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë mbi bazën e njohjes reciproke.

Po ashtu, më 22 janar 2026, Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani, nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes, me ftesë të presidentit Trump, si një ndër shtetet themeluese. Pavarësisht zhvillimeve të ardhshme të kësaj iniciative, pjesëmarrja e Kosovës përbën një afirmim të rëndësishëm ndërkombëtar.

Edhe deklaratat e përsëritura të presidentit Trump për parandalimin e një konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë rëndësinë e tyre. Qarqe të caktuara nacionaliste serbe kishin shpresuar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të krijonte rrethana më të favorshme për ambiciet e Beogradit ndaj Kosovës. Deri më tani, këto pritshmëri nuk janë realizuar.

Nominimi i Dr. Mikhail (Michael E.) Bogachek për ambasador në Kosovë është sinjal pozitiv se Uashingtoni dëshiron ta plotësojë përfaqësimin e tij diplomatik në vendin tonë.

Emërimi i tij duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Duke pasur parasysh kohën e kufizuar dhe zhvillimet politike në Uashington, mbetet e paqartë nëse procedura do të përfundojë brenda këtij viti.

Nëse konfirmohet, besoj se ardhja e tij përbën një mundësi të mirë për Kosovën. Megjithëse nuk ka një karrierë tradicionale diplomatike dhe nuk njihet për përvojë të drejtpërdrejtë me çështjet e Ballkanit, ai ka përvojë në udhëheqje dhe administrim institucional.

Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen seriozisht që ta njohin ambasadorin e ri me historinë, realitetin politik, sfidat e sigurisë dhe interesat strategjike të shtetit tonë.

Ambasadori i ri duhet ta njohë të vërtetën historike për Kosovën, të mbështetur në fakte dhe argumente të pakontestueshme.

Ai duhet të informohet për represionin, masakrat dhe krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës, për vrasjen e tre shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyqi, pas përfundimit të luftës, si dhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici hero Afrim Bunjaku. Veçanërisht duhet të theksohet mungesa e drejtësisë për shumë prej këtyre krimeve dhe fakti se persona të dyshuar ose përgjegjës vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi.

Pavarësisht se kush do ta përfaqësojë Amerikën në Prishtinë, diplomatët amerikanë dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë një realitet të pandryshueshëm: populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk do ta pranojnë kurrë rikthimin e sundimit serb, në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë.

Nga Kosova nuk duhet të kërkohen kompromise që cenojnë sovranitetin, rendin kushtetues apo integritetin territorial të shtetit. Miqësia dhe partneriteti strategjik kërkojnë mirëkuptim të ndërsjellë, respekt dhe trajtim të drejtë.

Interesimi i diplomatëve ndërkombëtarë për të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht të komunitetit serb, është plotësisht legjitim. Por ky interesim duhet të mbështetet në realitetin dhe standardet demokratike, jo në propagandën e strukturave ekstremiste të dirigjuara nga Beogradi.

Mjafton të krahasohen të drejtat kushtetuese, politike, gjuhësore dhe institucionale që gëzon komuniteti serb në Kosovë me gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak për të kuptuar më objektivisht realitetin.

Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike dhe strategjike me Rusinë, ndërsa Kosova është përcaktuar qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme për orientimin euroatlantik, demokracinë dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara.

Interesat strategjike të Kosovës dhe Amerikës janë të përbashkëta. Forcimi i shtetit të Kosovës, siguria e tij, integrimi në NATO dhe konsolidimi i paqes në Ballkan janë në interes të të dy vendeve.

Miqësia ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit amerikan është e sinqertë, historike dhe e qëndrueshme. Ajo është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, sakrifica dhe përkushtim për liri, demokraci dhe drejtësi.

Prandaj, pres që ambasadori i ri amerikan, nëse konfirmohet, të kontribuojë në forcimin e kësaj miqësie, në rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA dhe në avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy shteteve.

Ambasada Amerikane në Prishtinë është simbol i miqësisë sonë të përhershme, burim sigurie për popullin e Kosovës dhe krenari për shtetin tonë.

Agim Aliçkaj
New York, 14 nëntor 2026

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 1031
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kujtojmë në ditën e lindjes albanologun e shquar Peter Bartl
  • PROF. DR. ZANA FRASHËRI-LITO VIZITOI VATRËN
  • “Themeluesi Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Në Ditën e Falenderimeve
  • Në 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisësë Shqipërisë, në kujtim të Luigj Gurakuqit– atdhetarit, intelektualit dhe politikanittë shquar shqiptar
  • Trashëgimia ilire dhe lidhjet arbërore në filatelinë e Bosnjë-Hercegovinës
  • Vehbi Agolli – (Vehbi Dibra, 1867–1937)
  • 25 nëntor 2005, polifonia popullore shqiptare u shpall nga UNESCO-ja “Kryevepër e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”
  • Një jetë luftëtar për ngritjen e flamurit kombëtar në Çamëri
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR Z. DRITON GERBESHI DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR KOLEC DHE RICHARD NDOJA DHURUAN 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • Noli, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia…
  • 40 emra, 1 flamur: Kush e shpalli Pavarësinë më 28 Nëntor 1912
  • Pse Shqipëria e shpalli e fundit pavarësinë nga Perandoria Osmane?
  • GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU, PJETËR BOGDANI DHE ADEM JASHARI TRI SHTYLLA TË KUJTESËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT