• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË POPULL I VOGËL, NJË KRIZË E MADHE MORALI

October 28, 2026 by s p

“Si është e mundur që një popull kaq i vogël të prodhojë kaq shumë rrugaçë?” At Zef Pllumi.

Nga Frank Shkreli

Ka fraza që shqiptohen nga njerzë të mëdhej, por që nuk plaken kurrë. Ka fjalë që, ndonëse të thëna vite më parë, vazhdojnë të godasin ndërgjegjen e një kombi edhe sot. E tillë është deklaratë/pyetja e At Zef Pllumit, njërit prej dëshmitarëve më të dhimbshëm të tragjedisë komuniste shqiptare, pothuaj gjysëm shekullore: “Si është e mundur që një popull kaq i vogël të prodhojë kaq shumë rrugaçë?” Ali Asllani e Gjergj Fishta e kanë thenë edhe ata në kohën e tyre, ndonse disi ndryshe por kuptimi është i njëjtë.

Kjo nuk është thjesht një shprehje zemërimi e Zef Pllumit, Gjergj Fishtës e Ali Asllanit as nuk ka thënë se të gjithë shqiptarët janë rrugaça, Jo! Por këta burra të mëdhej të Kombit kanë bërë një aktakuzë morale kundër një shoqërie që, herë pas here, ka lejuar të ngrihen në piedestal njerëz pa karakter, pa ndërgjegje dhe pa përgjegjësi ndaj kombit. Shqipëria ka kaluar diktaturën komuniste, ka përjetuar shkatërrimin e institucioneve, përndjekjen e intelektualëve, burgjet politike dhe poshtërimin e individit. Por, për fat të keq, me rënien e komunizmit zyrtar, nuk ra, automatikisht, kultura e nënshtrimit, e servilizmit dhe e pandëshkueshmërisë. Shumë prej këtyre dukurive mbijetuan, ndryshuan formë dhe gjetën strehë të reja në jetën publike të shqiptarëve. Ndryshuan sistemet, por jo gjithmonë ndryshuan njerëzit që i shërbenin pushtetit.

Pas vitit 1990, shqiptarët shpresuan se liria do t’u sillte drejtësi, dinjitet, demokraci dhe mirëqenie. E duam “Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte kryeparulla e kohës. Por, pas më shumë se tri dekadash, shumë prej këtyre shpresave mbeten të papërmbushura. Korrupsioni, klientelizmi, kapja e institucioneve dhe largimi masiv i qytetarëve, sidomos të rinisë shqiptare, janë plagë që kërkojnë përgjigje serioze, jo justifikime politike. Pyetja e At Zef Pllumit bëhet kështu më aktuale se kurrë: si shpjegohet që një vend me kaq shumë njerëz aq të aftë, me një diasporë aq të suksesshme dhe me një histori të pasur qëndrese, vazhdon të vuajë nga një krizë kaq e thellë besimi te drejtimi i vet?

A mos vallë kemi krijuar një shoqëri ku lidhjet vlejnë më shumë se merita, bindja më shumë se ndërgjegjja dhe propaganda më shumë se e vërteta? Kur njeriu i ndershëm lihet mënjanë, ndërsa servili shpërblehet! Kur profesionisti zëvendësohet nga militantizmi politiko-partiak! Kur përgjegjësia publike shndërrohet në privilegj personal, atëherë problemi nuk është më vetëm politik. Është një krizë e tërë e vlerave. Por do të ishte gabim historik dhe moral që për këtë gjendje të krijuar jo vetëm sot, të fajësohej i gjithë populli shqiptar. Populli nuk është një trup i vetëm dhe as nuk mund të gjykohet nga ata që flasin në emër të tij. Në çdo periudhë të historisë shqiptare kanë ekzistuar njerëz që kanë sakrifikuar për lirinë, kanë mbrojtur të vërtetën dhe kanë paguar shtrenjtë për bindjet e tyre.

Vetë At Zef Pllumi është dëshmi e kësaj qëndrese. Prandaj, thënia e tij duhet lexuar jo si përbuzje ndaj shqiptarëve, por si një thirrje për zgjim moral. Një komb nuk shpëton duke sharë veten, por duke identifikuar të keqen, duke e emërtuar pa frikë dhe duke mos e lejuar më të sundojë jetën publike. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e njerëzve të aftë dhe atdhetarë. Vuan nga mungesa e një sistemi që t’ i vlerësojë ata sipas meritës dhe i mban përgjegjës ata që shpërdorojnë besimin e qytetarëve. Dhe këtu qëndron përgjegjësia e klasës politike, e institucioneve, e drejtësisë, e medias dhe e shoqërisë civile. Demokracia nuk mund të ndërtohet mbi harresën, as mbi duartrokitjet për pushtetin. Ajo kërkon llogaridhënie, institucione të pavarura, zgjedhje të ndershme dhe qytetarë të lirë e të ndërgjegjëshëm – qofshin ata edhe në pozita të larta të qeverisë e shtetit — që nuk pranojnë ta këmbejnë dinjitetin përsonal, familjar e kombëtar me një favor të përkohshëm.

Shqiptarët kanë nevojë për një ndryshim më të thellë se ndërrimi i partive në pushtet. Kanë nevojë për një kulturë të re politike, ku shërbimi ndaj vendit të mos jetë maskë për interesin personal e partiak dhe ku posti publik të mos shihet si pronë private. Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf

Fan Noli, një nga mendjet më të ndritura të historisë së shqiptarëve, e kish kuptuar heret se Shqipëria nuk vuante vetëm nga sundimtarët e këqij, por edhe nga një krizë më e thellë e organizimit politik dhe shoqëror. Nëse u referohemi kritikave të tij ndaj gjendjes së vendit, përballemi me një realitet që, në shumë aspekte, vazhdon të shqetësojë edhe sot shqiptarët: anarkinë politike, anarkinë institucionale, anarkinë morale dhe mungesën e një drejtimi të përgjegjshëm kombëtar.

Kur rregullat vlejnë vetëm për të dobëtit, kur pushteti trajtohet si pronë private, kur interesi partiak mbizotëron mbi interesin kombëtar dhe kur qytetari humb besimin te drejtësia, anarkia nuk shfaqet, domosdoshmërisht, në rrugë; ajo është ulur këmbëkryq edhe në zyrat e qeverisë dhe të shtetit. Frank SHKRELI/ Konfuzioni i pesë anarkive ndër shqiptarët, me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Fan Nolit | Gazeta Telegraf Prandaj, duke e vënë pyetjen e At Zef Pllumit përballë shqetësimeve të Fan Nolit në kohën e tij, kuptojmë se drama shqiptare nuk lidhet thjesht me mungesën e njerëzve të aftë, por me dështimin për të ndërtuar një sistem ku karakteri, ligji dhe përgjegjësia të kenë më shumë peshë se pushteti dhe interesi personal i klasës politike.

At Zef Pllumi na la një pyetje që nuk mund të mbyllet me një përgjigje të lehtë. Ajo kërkon që secili të shohë pjesën e vet të përgjegjësisë, por kërkon sidomos që ata që drejtojnë vendin të mos fshihen pas patriotizmit të fjalëve dhe propagandës, ndërsa në praktikë dëmtojnë rendë interesin publik dhe mirëqenjen e shqiptarëve. Një popull i vogël, si Kombi shqiptar mund të ketë shumë plagë, por, historikisht, ka treguar se ka edhe shumë dinjitet, siç po tregon me protesta në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë. Mund të prodhojë njerëz që e shfrytëzojnë vendin për interesat e tyre, por edhe njerëz që ia kushtojnë jetën lirisë, dijes dhe së mirës së përbashkët.

Çështja është se cilëve prej tyre u jep shoqëria pushtet, nderim dhe përgjegjësi. Ndoshta pyetja më e rëndësishme që ka lenë At Zef Pllumi nuk është vetëm se si Shqipëria arriti deri këtu, por nëse shqiptarët kanë ende guximin moral për të mos vazhduar kështu. Sepse një komb nuk e humb të ardhmen vetëm kur sundohet nga njerëz të padenjë. E humb atë kur mësohet t’i pranojë ata si diçka normale.

Filed Under: Analiza

KOHË E MARROSUR PREJ KORRUPSIONIT…

October 27, 2026 by s p

Kosta Nake/

Ka ca modele në Europë që të habisin me marrëdhënien e natyrshme mes qeveritarit dhe votuesit që e çon atë në karrigen e pushtetit: në vendet nordike një ministër, kryeministër apo president shkon me biçikletë nga banesa e vet në zyrën e shtetit, një ish-kancelare gjermane qeverisi 14 vjet dhe jeton në të njëjtin apartament ku ishte para se të bëhej kancelare. Qeveritarët tanë kanë një trajtim sulltanor, një gardë e posaçme me një protokoll të detajuar kujdeset jo vetëm për të mbrojtur jetën e krerëve të kombit nga atentatet e mundshme, por edhe për t’i mbajtur larg kontakteve të papërshtatshme me njerëzit.

Vizita e kryeministrit Lavdimir Mane në qytetin e tij të lindjes vë në lëvizje forcat e rendit për të izoluar për 24 orë personat e kartelizuar si të rrezikshëm dhe kjo përbën pikën e lidhjes për subjektin e veprës që ngjishet pikërisht në vetëm dy ditë, por që është kohë e mjaftueshme për të sjellë karaktere dhe për të përcjellë mesazhe që nuk lidhen thjesht me ekuinosksin pranveror, por me të gjitha stinët politike të Shqipërisë.

Oficeri i policisë Mentor Ndreka, i lumturuar që kishte marrë një pohim dashuror, po planifikonte të shkonte me Violën në një plazh të jugut vetëm për tri ditë, por duhet t’i heqë vijë pushimit të vet për të mbrojtur tërthorazi vizitën e kryeministrit në shoqërinë e kapitenit të zellshëm Lisien Kote. Në zyrat e policisë ekzistojnë skedat e njerëzve të dyshimtë, të rrezikshëm, me precedent penal ose jo dhe, në raste të tilla, gjëja më e mirë për sigurinë e personaliteteve, si alternativë e burgimit, është izolimi i përkohshëm, në rastin tonë – një ndërtesë e braktisur në mes të pyllit.

Paraqitja e njerëzve të padëshirueshëm pranë kryeministrit i jep dorë romancierit të krijojë një galeri karakteresh, realisht të parrezikshëm, që e bën sarkastike vigjilencën e dy punonjësve të policisë krejt të ndryshëm mes tyre: Mentori më njerëzor dhe i ndjeshëm, Lisieni kalë karroce dhe emocionalisht shpërthyes. Gjashtë është numri i caktuar për mbikëqyrje nga dy policët e lartpërmendur:

Dani është viktima e talljeve që e acarojnë deri aty ku nuk mban dhe e shkarkon mllefin me thyerje xhamash. Por rrethi shoqëror që e nëpërkëmb, është po ai që i del në mbrojtje kur e shikon të transformohet në kontigjent për policinë.

Gjorg Prela është viktima e transmetimeve radiotelevizive që nuk jeton dot pa lajmin, por i bashkëngjitet njerëzve të rrezikshëm sepse i përsëritet vazhdimisht një ëndërr ku vret kryeministrin.

Harrabella është viktima e pasionit dhe një dashuri e humbur ia ka prishur drejtpeshimin mendor deri në zhveshjen lakuriq para njerëzve.

Brankoja është parashikuesi i horoskopit dhe pretendues i një udhëtimi ndërshekullor me makinën e kohës. Rrezikshmëria e tij qëndron te frazat me dy kuptime që përmbajnë parashikimet në rrethana të caktuara.

Armand Stela është viktima e heshtur që bisedon me pemët dhe di gjuhën e zogjve.

Gerond Lito i papunë, plot sharje banale, ishte shok fëmijërie i kryeministrit, por tashmë të ndarë për shkak të ndryshimeve që sjell karriera profesionale dhe angazhimit politik të Lavdimirit.

Nga gjashtë viktimat, vetëm Gjorgu dhe Gerondi janë të vetëdijshëm për kufizimin e lirisë së tyre, madje Gerondi di edhe arsyen e vërtetë të këtij grumbullimi, sepse i ndjek të gjitha lajmet për lëvizjet e kryeministrit.

“Po më rrëmbejnë! – bërtiti Gjorg Prela. – Njerëz, shikoni, po më rrëmbejnë! Po më rrëmben policia!” (f.23)

“Kur Mentori i tha se do ta merrnin me vete për dy-tri ditë, Gerondi shpërtheu në të shara të rënda, në sy të fëmijëve. Krahasonte qeverinë me vdekjen. Fliste për imoralitet, kriminelë dhe kurva. Nuk harroi të përmendte dhe flakën.” (f.39)

Pjesa e dytë është zhvendosje e skenës së veprimit te godina e shëmtuar e ish-kazermës, pylli dhe pasditja të krijon idenë e një dalje relaksuese në natyrë, por prishet nga fjalët e Lisienit, kur Mentori përmend nevojën e një mjeku për të shoqëruarit;

“Pa merak se i qetësoj unë, – tha me nënqeshje Lisieni dhe vuri dorën te arma në brez. –Nuk thonë kot që dajaku ka dalë nga xheneti.” (f.49)

Trandja e dytë në këtë ekip të improvizuar vjen nga parashikimi i frikshëm i Brankos se “botën do ta shkatërrojë idiokracia.” (f.54)

Situata tensionohet kur Mentori largohet nga skena për të folur me Violën aty ku ka valë interneti dhe Lisieni i përgjigjet joshjes së Harrabellës që zhvishet duke shkrehur armën në ajër.

Në pjesën e tretë dialogu mes dy policëve zbulon karakteret e tyre. Mentori, pasi ka mësuar shkakun e krismës së armës, e këshillon më të riun t’i trajtojë më butë të privuarit nga liria që ai e thotë figurshëm “U kemi rrëmbyer ditën.” (f.71)

Mungesa e televizorit dhe radios, e vendos Gerondin në rolin e gjyshit të dikurshëm që u tregonte përralla fëmijëve deri në vitet ’60, por rrëfimi i tij nuk është përrallë, por një biografi e kryeministrit, ati i shkretë i të cilit nuk e dinte se “po gdhendte një pinok gënjeshtar që prej gënjeshtrave do të bënte karrierë kur të rritej.’ (f.76) Pastaj erdhën vitet e shkollës kur Lavdimiri ia rrëmbeu të dashurën Silvana, pastaj vitet kur Lavdimiri u bë drejtor i uzinës dhe gjëja e parë që bëri kur filloi detyrën, ishte pushimi nga puna i Gerondit. Pse? Sepse Gerondi ishte dëshmitari i dobësive të drejtorit. “Dëshmitari i dobësive është ngatërresë e madhe.” (f.79)

Gerondi u martua herët dhe detyrimet familjare e penguan të angazhohej në politikë. Tani jeton në varfëri me barrën e rëndë të përgjegjësisë ndaj fëmijëve. “I kam sjellë në këtë botë dhe nuk u jap dot një jetë më të mirë.” (f.83) Gerondi jo vetëm vihet në epiqendër të grupit, por ngrihet në nivelit e filozofit dhe poetit me përkufizimet për varfërinë që e vuan mbi shpinë:

“Varfëria është arma më vdekjeprurëse në këtë botë.

Varfëria ta ngrin buzëqeshjen.

Varfëria ta zbraz sofrën.

Varfëria korrigjon pikturën.

Varfëria, një koracë e ftohtë akulli, e humb dashurinë.

Varfëria është më e keqja, kur ulet në sytë e fëmijëve.” (f.96-97)

Nga gjashtë të privuarit e përkohshëm nga liria, vetëm Gerondi kishte arsye për t’u vënë në vëzhgim, sepse kishte përfunduar edhe dy herë të tjera në polici, në njërën prej tyre kishte sharë qeverinë te dera e bashkisë.

Kjo pjesë e tretë e romanit ngërthen kulmin e subjektit, pasi shtron pyetjen themelore: Pse kryeministri ka kaq frikë sa e zbraz qytetin nga disa njerëz duke i përzënë nga shtëpia?

Pse kryeministri nuk ecën lirisht rrugëve të qytetit të vet, ku duhej të ndihej më i sigurt se kudo tjetër? Sepse zullumet e qeverisjes, që në shqipen moderne quhen korrupsion, nderet dhe qederet, i diferencojnë njerëzit, shpërfillin vlerat, ekonomisin rezultatet e votimit. 36 vite tranzicion kanë rritur hendekun ekonomik mes zyrtarëve dhe punonjësve të thjeshtë, por kanë perënduar kohët kur jetohej me “lepe” dhe “peqe.”

Zgjedhja e kapërcyellit nga 20 mars në 21 mars si ardhje qiellore e pranverës është një mesazh për një pranverë të re qeverisjeje ndërkohë që frika nga humbja e karriges së pushtetit çon në vendime të marra. Vendime që edhe marsin e bëjnë aq të marrë sa t’i japë titullin edhe romanit.

Në pjesën e katërt mësohet arratisja e Armandit, heshtja e të cilit të bënte të largoje çdo dyshim. Po arratisja e tij nuk bëhet për të shkuar në qytet për të vrarë kryeministrin, por për të gjetur lirinë e vërtetë në gjirin e natyrës duke krijuar një kontrast të fortë me shqetësimin e punonjësve të rendit për fatin e kryeministrit. Teksa Mentori dhe Lisieni vihen më kot në kërkim të të arratisurit, të izoluarit e tjerë revoltohen para ushtarëve që u kërkojnë të hipin në kamion për siguri. Është sërish Gerondi që merr rolin e liderit:

“Kush jeni ju që paskeni në dorë licencën e lirisë sime? Po ju, mor të çmendur! Ç’më rrini si tutkunë?! Po jua rrëmbejnë sy më sy lirinë dhe heshtni si qyqarë?! Ngrehuni, more, se po na marrin lirinë! Nuk na kanë sjellë në këtë botë ata që na i vënë postblloqe fatit.” (f.110)

Dëbimi dhe kthimi ishin po aq të trishtuar.

Pjesa e pestë është një analizë lakonike e vizitës së dështuar të kryeministrit që u largua pa u përshëndetur me asnjeri. Një shesh i boshatisur tregon një popull që nuk mund të mbështesë më një udhëheqës që ka prekur majën dhe nuk ka rreth vetes duartrokitës, as fotografë që ta dëshmojnë ngjitjen. Njëlloj si alpinisti që në majën e malit e ndien vetminë.

(Romani “Marsi i marrë” i Bashkim Hoxhës, Botimet Jozef 2026).

Filed Under: Analiza

MOS E LINI PIKTORIN TA DJEGË SHQIPËRINË DHE TA DËBOJË EDHE ATË PAK RINI QË I KA MBETUR!

October 26, 2026 by s p

Nga Kim Mehmeti/

Piktori e ka kuptuar se i ka mbetur vetëm edhe një rrugë për ta mbuluar fytyrën e vet të tradhtarit: ta djegë Shqipërinë dhe ta dëbojë prej saj edhe atë pak rini që ka mbetur, në mënyrë që të mos ketë më kush t’i kërkojë llogari për shkatërrimin e mëmëdheut dhe shndërrimin e tij në një narko-shtet.

Piktori pra e ka kuptuar se fytyrën e tij të vërtetë, atë të rrënuesit të Shqipërisë, mund ta mbulojë vetëm tymi i gazit lotsjellës dhe i vendit të djegur.

Ai beson pra se në një Shqipëri të djegur dhe të mbetur vetëm me pleq e plaka, pa rini dhe pa shpresë, akush nuk do ta rrezikojë ‘Aleancën e tij të Qelbësirave’.

Dhe Piktori mbase drejtë e ka vlerësuar se prindërit e këtyre të rinjve të guximshëm, të cilët po ia kthejnë krenarinë dhe dinjitetin shqiptarësisë, janë pajtuar të përjetojnë edhe një dështim të turpshëm si ai i 1990 kur bënin sikur nuk e shihnin se, me rënien e Partisë së Punës, nuk po binte komunizmi; të shtiren edhe sot që nuk e shohin se, nëse dështojnë këto protesta, do të bjerë Shqipëria.

Ndërkohë, Piktori, ashtu siç arriti ta mbulojë hajdutokracinë e tij me petkun properëndimor dhe proevropian, përpiqet që këto protesta kundër narko-shtetit të tij t’i barazojë me protestat në vendet perëndimore, ku protestuesve askush nuk ua vënë në rrezik shtetin dhe të ardhmen e atdheut të tyre.

Dhe, në një Shqipëri ku institucionet janë vënë në shërbim të krimit, mbetet e paqartë se si prindërit e këtyre fëmijëve të guximshëm, që po protestojnë, nuk e kuptojnë se nëse këta të rinj nuk do të kenë më rrugëdalje tjetër, përveçse të ulen e të bisedojnë me Piktorin, ata në të vërtetë do pajtohen të mbeten pa atdhe dhe t’i bëjnë gati valixhet për ta braktisur vendlindjen.

Por kuptohet, kjo rini nuk guxon të dështojë, ajo përfundimisht duhet ta rrëzojë komunizmin dhe t’u tregojë prinpdërve të vet se çka i dallon diktaturat përbuzëse në të cilat ata jetuan të heshtur – atë të Partisë së Punës dhe këtë të bijës së saj – Partisë Socialiste: Enveri të vriste, por nuk të linte pa atdhe, ndërsa Piktori të lë gjallë, por ta djeg, ta shet Shqipërinë dhe të lë pa atdhe!

Filed Under: Analiza

JEHONA E PAVDEKSHME E TINGUJVE TË LAHUTËS SË FISHTËS

October 26, 2026 by s p

Shpendi Topollaj/

155 vjetori i lindjes – Kur rreth katër shekuj më parë, i linduri në të njëjtën trevë, dhe i ngjashmi me Fishtën, kleriku, historiani, etnografi dhe gjuhëtari Frang Bardhi, i drejtohej një prelati në Romë me fjalët profetike: “Pashë zemrën e Krishtit, të mos na dërgoni ma ipeshkvij në këto anë që të jenë prej kombit sllav”, duket se paralajmëroi jo vetëm domosdoshmërinë e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, por edhe lindjen e një gjeniu, i cili me kryeveprën e tij “Lahuta e Malcisë”, njëzëri u quajt “Homeri shqiptar”. Dhe ndofta më saktë e përcaktoi, i dituri Ernest Koliqi që e identifikoi atë si “interpret i shpirtit shqiptar”. Autor i një sërë veprash madhore poetike si “Mrizi i Zanave”, “Vallja e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Babatasit” etj., ky themeluesi i gazetës autoritare “Hylli i Dritës”, ky kontribues i madh në gjuhën tonë dhe në çështjen kombëtare si politikan, pas një pune 35 vjeçare, botoi të plotë kryeveprën e letërsisë tonë, “Lahutën” në vitin 1937, pra vetëm tre vjet para vdekjes. Madje, për vlerat e jashtëzakonshme të saj, ai mbetet shqiptari i parë i propozuar për çmimin “Nobel”.

Ndërthurrja madhështore e historikes me mitiken nga pena e tij gjeniale, u bënë shpejt pronë e të gjithë popullit tonë, pikërisht në kohën kur ai kishte më shumë se kurrë nevojë për të. 16.838 vargjet e alternimit të krijimtarisë epike popullore me talentin krijues të vetë autorit, ishin dhurata më e vlefshme dhe më ndikuese që vetë shqiptarëve ju bë, dhe sikurse shprehet Patër Anton Harapi në tekstin “Shqiptari i madh”, “…edukoi edhe të huejtë për Shqypni, d.m.th. bani, qi edhe të huejtë të kishin nderim e interesë per gjuhë, per zakone e per gjithshka i përket çashtjes shqyptare”. Kjo “pomendore kombëtare” e ngritur mbi 30 këngë që i bëjnë mrekullisht artistikisht jehonë, ngjarjeve tona gati 500 vjeçare dhe që na bëjnë të ndihemi krenar, e shkruar aso kohe, sikurse thotë vetë poeti kur “Shqipëria ish bërë, tani duhej të bëheshin shqiptarët”, njohu lavdinë dhe anatemimin e saj, si rezultat i mbrapështive politike, dhe jo vetëm që asaj nuk mund t`i përmendej emri, por edhe vetë Fishtën e vdekur, do ta zhvarrosnin dhe do t`ia flaknin eshtrat në lumin Drin.

Dhe pse i gjithë ky mllef ndaj atij që kërkonte marrëdhënie me SHBA? Apo ngaqë kishte shkruar kundër turkoshakëve dhe mizorive të serbo – malazezve dhe që kishte kërkuar gjithmonë pavarsinë e vendit të tij, dhe që thosh: “Pse s`t`a njof asnji per be: / Un Shqyptar, ata janë Shkje: / Ne na dan nji gjak e i`fe: / N`mni t`shoqishoqit kemi le: / Kem` ndermjet nji qiell e i`dhe!…” Pra, paradoksalisht u dënua me harrim ky atdhetar i pashoq, me pretekstin se ishte zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Italisë. Por nuk e harroi kurrë atë ndërgjegja e popullit, e cila e ruajti me dashuri e fanatizëm thellë në zemër, të gjithë veprën e atij që e përcollën në varrim me aq nderime, duke e quajtur “mësues i të gjithë shqiptarëve”, “flamurtar i kombit”, dhe “poeti ma i perzemert i këtij populli”. Po cila qe jeta e Gjergj Fishtës? I lindur në fshatin Fishtë të Lezhës më 23 tetor 1871, me baba Ndokën dhe nënë Prendën, si më i vogli i pesë fëmijëve, dhe me emrin fillestar Zef, ai ishte vetëm shtatë vjeç, kur klima atdhetare sa vinte e po rritej, pas poshtërsive si të Traktatit të Shën Stefanit, ashtu dhe të Konferencës së Berlinit, ku vendi ynë ishte kafshuar si mos më keq, nga orekset e pa ngopura të fqinjëve dhe paturpësisë hileqare të Fuqive të mëdha, çka shpuri burrat e shquar në mbajtjen e Lidhjes së Prizrenit.

Ishte pagëzuar nga një prift françeskan që ishte dhe poet dhe që quhej Leonardo Di Martino, dhe qysh i vogël ishte dalluar për shkathtësi e zgjuarsi. Binte në sy zelli për dije i Zefit në Kolegjën e Troshanit që qe çelur qysh në vitin 1880. Ndaj një tjetër prift italian, Atë Marjani, meshtar i Famullisë së Troshanit, duke nuhatur vlerat e këtij djaloshi, me lejen e prindërve e dërgoi atë në shkollën Françeskane të qytetit të Shkodrës. Françeskanët, nga ana e tyre ishin anëtarë të urdhrit katolik që e kishte krijuar Francesko d`Asissi nga provinca e Umbrias në fillim të shek. të XIII – të dhe që e kishte nisur veprimtarinë e vet humanitare si ndihmës për lebrozët, ashtu dhe ndaj atyre që ishin penduar. Në vitin 1886, gjashtë nxënësit më të mirë, mes tyre dhe Zefi, dërgohen për të vazhduar studimet në kuvendin e Guçjagorës në Bosnje dhe pikërisht këtu sipas rregullave që praktikoheshin, ai ndërroi emrin, dhe nga Zef e ktheu në Gjergj. Me emrin e heroit tonë kombëtar, ai lëvizi në kuvende të tjera dhe filozofinë e përvetësoi në Sutiskë, kurse teologjinë, në Livno. Rol të rëndësishëm, në edukimin e kulturimin e tij, dhe në arritjen e rezultateve shumë të mira, luajtën mësuesit që gjeti atje dhe që i kishin kryer shkollat në Romë e vende të tjera me tradita.

Në studimin e tij “Zani i Shna Ndout” A. P. Bardhi thotë se “në Bosne i xuni edhe shllimet e para e dashnin e parë ndaj atdhen” dhe se këtu “filloi pikë së parit me qitë vjerrsha”. I tërheqin vëmendjen poetët rrëfimtar At Ndreu Kaçiq dhe At Gega Martiq, por po ashtu studion edhe poetët klasikë si latinë ashtu dhe ata italianë. Nga ana tjetër, nuk resht së ndjekuri nga afër poezinë tonë popullore, të cilën pas një pune plot përkushtim, mjeshtërisht do t`ia kthejë po popullit. Kur së bashku me ata shokët e tjerë, fretërit e parë shqiptar, i kryen studimet në Bosnje, dhe kthehen në atdhe, Gjergjit i ngarkohet detyra e meshtarit. Data 25 shkurt e vitit 1894 është ajo, kur ai mbajti në kishën e Troshanit, meshën e parë, ku dhe kreu detyrën si profesor në këtë Kolegj Françeskan. Më pas caktohet si famullitar në Gomsiqe, Abacinë e Mirditës, ku duke u qëndruar pranë banorëve të atjeshëm, pasuroi dijet e tij me visaret e folklorit, të cilat i përdori gjatë strukturimit të veprës së tij, e sidomos “Lahutës”.

Studiuesi i nderuar Robert Elsie, në shkrimet e tij tregon se tani nis dhe bashkëpunimi i tij me intelektualë me emër si abati Preng Doçi, dom Ndoc Nikaj, Pashko Bardhi etj. Dhe nisin gjithashtu edhe përpjekjet për të themeluar shoqërinë letrare “Bashkimi” që synonte për të zgjidhur përfundimisht çështjen aq të rëndësishme të alfabetit. Pak kohë më vonë, falë cilësive të veçanta të tij, Fishta emërohet sekretar i Komisarjatit General të Misjonit Françeskan të Shqypnis dhe Drejtues i Shkollës Françeskane në Shkodër. Ishte i pari drejtues shqiptar në një shkollë ku përdorej gjuha shqipe. Nën drejtimin e tij shkolla pati ecje përpara dhe numëri i nxënësve u rrit ndjeshëm, siç u rrit edhe vetëdija kombëtare e tyre. Si rezultat i rritjes së kësaj vetëdije në shkallë vendi, në datat 14 – 22 nëntor 1908 u mbajt në Manastir, Kongresi i famshëm, ku Fishta, tashmë i burrëruar, mori pjesë aktive si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

Vetë Fishta u caktua që të drejtonte komisionin për zjedhjen e alfabetit, nga ato të propozuarat dhe dihet përfundimi; miratimi i atij latin që ishte dhe i “Bashkimit” . Pasi botoi revistën letrare, folklorike, politike dhe historike “Hylli i Dritës” dhe kreu dënimin për të mërguar 20 muaj, ai në vitin 1916, drejtoi gazetën “Posta e Shqypnies” dhe me patriotë si L. Gurakuqi, N. Mjeda, M. Logoreci etj. organizuan Komisin Letrare të Shkodrës që kishte si qëllim unifikimin e gjuhës tonë. Ndërsa, kur autoritetet urdhëruan mbylljen e “Posta e Shqypnisë”, populli i qytetit në gjashtë vjetorin e shpalljes së Pavarsisë, protestoi me anën e një demonstrate. Në verën e vitit 1919, Fishta me cilësinë e sakretarit të përgjithshëm të delegacionit, shkon në Konferencën e Paqes në Paris e më tej në SHBA, ku duke udhëtuar me transoqeanikun “Cameronia” përjeton një aventurë të rrezikshme që e përshkruan vetë imtësisht, gjersa shprehet se “Nuk laçë as Shejt as Shejtneshë, pa merzitë at ditë”.

E megjithë atë, ai po në këtë vapor, shkruan kangën e gjashtë “Dervish Pasha”, prej 483 vargjesh, mbi luftën turko – malazeze, me një vërtetësi të habitshme, sikur t`i kishte para syve ato vende dhe ato ngjarje, ku vajton edhe hallin e shqiptarëve. “Po aj vjen perse Stamolla / S`do qi t`hijë n`Shkoder Nikolla / Pse do vetë, po, edhe mbas sotit / Me t`majtë rob ajo si motit”. Në vitet 1931, 32, 33 Gjergj Fishtën e gjejmë respektivisht në Athinë, Sofje e Bukuresht, ku merr pjesë në Konferencat Ballkanike që zhvilloheshin. Ai, largohet nga jeta politike për t`iu kushtuar fesë dhe sidomos krijimtarisë letrare, atje në Gjuhadoll, gjersa siç thamë, në vitin 1937 e boton të plotë “Lahutën e Malcisë” të cilën duar – duar kishte nisur ta botonte me kohë. Ndërroi jetë në fund të dhjetorit të vitit 1940, duke lënë pas një vepër të madhe që i dha emrin e një eruditi dhe atdhetari nga më të shquarit që vendi ynë ka nxjerrë gjatë gjithë historisë së tij. Te ne, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e më tej ku ka shqiptarë, por edhe studiues të huaj, janë të shumtë ata që janë marrë me analizën e “Lahuta e Malcisë”.

Vlen të përmendim disa prej tyre, si fjala vjen Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Stefan Çapaliku, Ndue Ukaj, Gjergj Zheji, Rudolf Marku, Zef Harapi, Martin Camaj, Anton Berisha, Kolë Kamsi, Lasgush Poradeci, Anton Harapi, Xhavit Beqiri, Tonin Çobani, Vehbi Bala, Robert Elsie, Shefkie Islamaj, Pjetër Jaku, Ali Aliu, Idriz Ajeti, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Bajram Kosumi, Milazim Krasniqi, Blerina Suta, Moikom Zeqo, Namik Resuli, Enver Mehmeti, Hektor Çiftja, e plot të tjerë, që i kam marrë nga autori serioz Xhavit Beqiri dhe që po i rreshtoj jo vetëm me mangësi, por edhe rrëmujshëm, gjë për të cilën kërkoj falje. Secili prej tyre jep mendimet dhe konsideratat e veta sipas asaj se ç`ka dashur të kumtojë nga kjo vepër, por në një gjë të gjithë bijen dakord; “Lahuta e Malcisë” është një epos heroik popullor. Edhe popujt e tjerë në trashëgiminë e tyre kulturore kanë pasur disa vepra të cilave u janë referuar herë pas here dhe kur kishin nevojë për një gjendje të shëndoshë shpirtërore, i nxirrnin ato në dritën e diellit. Kështu, mund të kujtojmë veprën e Homerit te grekët, “Eneida” e Virgjilit te latinët, “Ramajanan” e indianëve, “Eddan” e skandinavisë, “Nibelungo” e gjermanëve.

Edhe në traditën tonë njihet si i tillë “Cikli i Mujit dhe Halilit”, pra eposi i kreshnikëve. Dhe, pavarësisht se na parakalojnë heronj të bëmave, kohëve dhe vendeve të ndryshme, përsëri ata i bashkon e njëjta frymë: dëshira e pashuar për liri, trimëria deri në vetflijim për mbrojtjen e nderit dhe atdheut dhe mençuria gjatë dialogut me miq e armiq. Në këtë kuptim, të gjithë ata, që nga Gjergj Kastrioti e deri te Ded Gjo Luli, ruajnë po atë burrëri e guxim ndaj pushtuesve: “N`at Malci, n`at Rapshë t`Hotit / Dedë Gjo Luli, burrë si motit, / …Shtremnon ksulen, del në shkallë, / Bedri Pashës po i çon aj fjalë: / … Se ma sodjet, emni i Zotit! / Shka jem nipash s`Gjergj Kastriotit / E “Shqyptarë” qi i thomë na vedit, / Ma duva nuk i bajm Mbretit.” Por, “Lahuta” nuk është vetëm memorie historike.

Studimi i saj është bërë dhe do të vazhdojë të bëhet edhe letrarisht edhe gjuhësisht, pasi ai mbetet një thesar i vyer i kulturës tonë, të cilin koha kur u ndalua, jo vetëm që nuk arriti ta çrrënjosë nga kujtesa popullore, por dhe ja shtoi edhe më shumë rëndësinë. Se është ashtu sikurse pohon Sh. Islamaj: “Fishta e gjeti rrugën e rrahur, por nuk u mjaftua me kaq: ai ndihmoi që gjuha popullore, jo vetëm të ecë qëndrueshëm nëpër kohën e saj, po të bëhet gjuhë, vërtetë artistike, me tiparet e një gjuhe të zhvilluar e të gatshme për t`u bërë gjuhë për vepra të mëdha, që do të krijohen pas tij e në historinë e saj të pashkëputur”. Dhe ndofta, gjuhëtari austriak, pjesëmarrës në punimet e Komisisë Letrare Shqipe, ai që veç të tjerash ka shkruar në vitin 1958 “Epika popullore shqiptare” , pra Maksimilian Lamberci, e ka përcaktuar rëndësinë e vërtetë të kësaj kryevepre, duke thënë se “… sa më shumë vjet që të kalojnë aq ma vlerë merr, tue qenë se ajo është pasqyra, magazine e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave, e përpjekjeve, e luftës dhe vdekjes së shqiptarëve.”

Pra, “Lahuta e Malcisë”, me nxitjen e dashurisë për Atdhe dhe krenarisë për të shkuarën tonë, merr rëndësinë që ka Himni ynë Kombëtar, ndaj do njohur nga brezat e sotëm dhe ata që do të vinë. Po ashtu, nuk duhen harruar kurrë fjalët e fundit të Homerit tonë se: “Po des kondend, përse kam punue për Fe, për Atdhe e për Provinçë; e po ju a le porosi, qi edhe ju të punoni për Fe, për Atdhe e për Provinçën tonë”.

Filed Under: Analiza

KUR PËRDHOSET E SHENJTA, TRONDITET SHPIRTI I KOMBIT

October 21, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Dy ngjarje të ditëve të fundit në Tiranë nuk mund të trajtohen si incidente të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato duhen parë së bashku, sepse, përtej pamjeve tronditëse dhe lajmeve të çastit, kam drojë se zbulojnë një problem më të thellë të shoqërisë, të institucioneve dhe të kulturës demokratike të shqiptarëve. Ajo që ndodhi ditët e fundit në Tiranë, fillimisht me heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Selisë së Shenjtë në selinë e Nunciaturës Apostolike –Frank Shkreli: Protesta dhe diplomacia. Prova e shtetit të së drejtës | Gazeta Telegraf — dhe më pas me ndjekjen e protestuesve nga forcat e policisë deri në oborrin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, nuk mund dhe nuk duhet të kalohen në heshtje. Kur cenohet një institucion fetar, nuk cenohet vetëm një komunitet besimtarësh. Cenohet një vlerë e shoqërisë, një trashëgimi shpirtërore, një vlerë kombëtare dhe një parim themelor i bashkëjetesës demokratike dhe fetare që i dallon shqiptarët për këto vlera n mbarë botën. Këto dy ngjarje janë të ndryshme për nga rrethanat dhe përgjegjësitë. Por ato bashkohen në një pikë thelbësore: respekti për institucionet fetare, për dinjitetin njerëzor dhe për kufijtë që askush, qoftë protestues apo autoritet shtetëror, nuk duhet të kapërcejë.

Vetëm pak ditë pas incidentit në Nunciaturën Apostolike, një tjetër ngjarje tronditëse u regjistrua në Tiranë. Më 19 tetor, gjatë protestave kundër qeverisë, forca policore ndoqën protestues deri në oborrin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Pamjet e publikuara shkaktuan shqetësim, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë reagoi duke kërkuar respektimin e vendeve të shenjta, të cilat nuk duhet të shndërrohen në hapësira përplasjeje dhe konflikti, raportuan disa burime mediatike shqiptare. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë 21 hours ago 21h · REAGIM – Search — Policia ka detyrimin të ruajë rendin publik dhe të ndërhyjë kur kryhen vepra të dhunshme. Asnjë objekt kulti nuk mund të shndërrohet në strehë për të shmangur përgjegjësinë ligjore. Por ky detyrim nuk i jep policisë të drejtën të përdorë forcë pa kufi, pa kriter dhe pa respekt për rrethanat. Ligji duhet të zbatohet edhe në pragun e një kishe, por as pragu i një kishe nuk duhet të bëhet vend ku harrohen kufijtë e ligjit. Oborri i një katedraleje nuk është një shesh i zakonshëm për përplasje politike. Është pjesë e një hapësire të shenjtë, ku njerëzit shkojnë për t’u lutur, për të gjetur paqe dhe për të kërkuar ngushëllim shpirtëror. Prandaj, ndjekja e protestuesve deri në atë hapësirë dhe çdo përdorim i mundshëm i tepruar i forcës atje kërkojnë një shqyrtim serioz e të paanshëm.

Nëse policia ka vepruar në kundërshtim me ligjin ose ka përdorur forcë joproporcionale, përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Kjo nuk është kërkesë kundër policisë si institucion. Është kërkesë për një polici profesionale, ligjore dhe të denjë për një shtet demokratik. Nuk mund të dënohet dhuna e protestuesve dhe të heshtet për çdo tejkalim të mundshëm të forcës nga autoritetet. Një parim demokratik nuk mund të jetë i vlefshëm vetëm kur na leverdis politikisht.

Kishat dhe xhamitë nuk janë arena të të politikës. Siç theksova më lartë, Shqipëria ka një traditë të njohur të bashkëjetesës ndërfetare. Kjo traditë nuk është vetëm një shprehje e bukur për t’u përdorur në ceremonitë zyrtare, në fjalimet politike apo në takimet ndërkombëtare. Ajo është një pasuri kombëtare që duhet mbrojtur çdo ditë. Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Komuniteti Mysliman, ai Bektashi dhe bashkësitë e tjera fetare kanë vendin e tyre në historinë, kulturën dhe jetën shpirtërore të shqiptarëve. Institucionet e tyre nuk janë pronë e një partie, e një qeverie apo e një grupi protestuesish. Ato janë hapësira besimi, lutjeje dhe shërbimi ndaj njerëzve. Prandaj, askush nuk ka të drejtë t’i përdorë ato për të shprehur urrejtje politike, për të kryer akte vandalizmi apo për të shkelur dinjitetin e besimtarëve. Po kështu, institucionet shtetërore kanë detyrimin t’i mbrojnë këto hapësira, jo t’i trajtojnë si një zgjatim të rrugës ku zhvillohen përplasjet politike.

Respekti për një institucion fetar nuk mund të varet nga fakti nëse ai është katolik, ortodoks, mysliman apo i një besimi tjetër. Nuk mund të varet as nga bindjet politike të njerëzve që ndodhen pranë tij. Nëse mbrojmë shenjtërinë e një kishe, duhet të mbrojmë edhe shenjtërinë e një xhamie. Nëse dënojmë përdhosjen e flamurit të Vatikanit, duhet të dënojmë çdo përdhosje të simboleve të tjera fetare të shqiptarëve. Dhe nëse kërkojmë respekt për besimtarët, duhet të kërkojmë të njëjtin respekt për çdo qytetar, besimtar ose jo. Ky është kuptimi i vërtetë i barazisë dhe i bashkëjetesës ndërfetare.

Në rastin e Nunciaturës Apostolike, autorët e përdhosjes së flamurit duhet të identifikohen dhe të përgjigjen para ligjit. Në rastin e Katedrales Ortodokse, duhet të sqarohen plotësisht rrethanat e ndërhyrjes policore, të verifikohet nëse është përdorur forcë e tepruar dhe të përcaktohet përgjegjësia e kujtdo që ka shkelur ligjin. Këto nuk janë kërkesa kontradiktore. Përkundrazi, janë dy anë të së njëjtës kërkesë për drejtësi. Shteti nuk mund të kërkojë respektimin e ligjit nga qytetarët, nëse vetë nuk garanton zbatimin e tij me paanshmëri. Protestuesit nuk mund të kërkojnë të drejtat e tyre duke shkelur të drejtat e të tjerëve. Policia nuk mund të kërkojë autoritetin e saj duke cenuar dinjitetin njerëzor. Dhe politika nuk mund të flasë për demokraci, ndërsa shoqëria përballet me skena dhune, frike dhe mosbesimi. Këtu qëndron prova e vërtetë për institucionet shqiptare, Jo në deklaratat e bukura, por në mënyrën se si vepron qeveria kur tensionet janë të larta në raste të tilla. Prandaj, një flamur i përdhosur në një përfaqësi diplomatike dhe skena dhune në oborrin e një katedraleje nuk mund të trajtohen si ngjarje pa rëndësi për imazhin dhe standardet demokratike të vendit.

Nuk mjafton që autoritetet shqiptare të deklarojnë se mbrojnë liritë dhe të drejtat. Që të jenë të besueshëm, ato duhet ta provojnë këtë me veprime konkrete, me hetime të paanshme dhe me përgjegjësi të barabartë para ligjit. Në të njëjtën kohë, edhe qytetarët duhet të kuptojnë se zemërimi politik nuk e justifikon shkatërrimin, fyerjen e besimit fetar apo dhunën ndaj institucioneve. Demokracia nuk është vetëm e drejta për të kundërshtuar. Ajo është edhe detyrimi për të respektuar të drejtat e të tjerëve. Sot, Shqipëria ka nevojë për më shumë se reagime të çastit. Ka nevojë për një qëndrim të qartë të shtetit, të institucioneve fetare, të shoqërisë civile dhe të të gjithë qytetarëve që besojnë te demokracia. Kërkohet mbrojtje konkrete për institucionet fetare dhe përfaqësitë diplomatike. Kërkohet hetim i paanshëm i akteve të vandalizmit dhe i çdo përdorimi të paligjshëm të forcës. Kërkohet respekt për të drejtën e protestës pa dhunë dhe për autoritetin e ligjit pa arbitraritet. Kërkohet, mbi të gjitha, që Shqipëria të mos lejojë se përplasjet politike të helmojnë marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve dhe të cenojnë një nga pasuritë e saj më të çmuara: bashkëjetesën fetare.

Flamuri i Selisë së Shenjtë nuk duhet të përdhoset. Oborri i Katedrales Ortodokse nuk duhet të shndërrohet në arenë dhune. Xhamitë, kishat dhe çdo objekt tjetër kulti duhet të mbeten hapësira të mbrojtura të besimit dhe të paqes. Këto nuk janë kërkesa të një feje kundër një tjetre, as të një partie kundër një partie tjetër. Janë kërkesa të qytetarisë, të ndërgjegjes dhe të shtetit të së drejtës. Një komb nuk tregon madhështinë e tij vetëm duke mbrojtur flamurin kombëtar. Ai e tregon edhe duke respektuar simbolet e të tjerëve, duke mbrojtur vendet e shenjta dhe duke mos lejuar që pushteti apo zemërimi politik të shkelin dinjitetin njerëzor. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë urrejtje, dhunë dhe përçarje. Ka nevojë për më shumë përgjegjësi, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë. Sepse kur cenohet shenjtëria e vendeve të besimit, nuk vihet në provë vetëm feja. Vihet në provë vetë ndërgjegjja e kombit. Dhe një shoqëri që nuk di të mbrojë vendet e paqës, rrezikon të humbasë edhe paqën në vetvete.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 1027
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur
  • “Lost in Translation”: The “Ghost” of Institutional Memory in the Albanian Education System
  • DEMOKRATI AT GJON SHLLAKU
  • INTEGRIMI EVROPIAN NUK MUND TË JETË ALIBI PËR KORRUPSIONIN DHE KAPJEN E SHTETIT!
  • LAHUTA E FAMILJES SHKRELI – NGA LUKË TOMA SHKRELI TE VASEL GJERGJ SHKRELI
  • Absurdi gazetaresk dhe Il Duce
  • FEDERATA VATRA URON VEDAT GASHIN PËR RIZGJEDHJEN NË BORDIN E LEGJISLATORËVE TË WESTCHESTER COUNTY
  • VATRA URON JOE HOXHA PËR RIFITIMIN E MANDATIT NË CONNECTICUT
  • GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN PËR DIELLIN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • A Congratulatory Message to Governor Hochul from Vatra President Elmi Berisha
  • FADIL BERISHA NDEROHET NË VATIKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT