
















Sokol Paja/
New York, 27 Nëntor 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, fuqia patriotike, kulturore e kombëtare e shqiptarëve të Amerikës, bashkoi vëllazërisht shqiptarët në Shtetet e Bashkuara për të kremtuar solemnisht festën e Flamurit kombëtar e 114 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Si çdo vit në traditën e saj, Vatra mikpriti patriotë, veprimtarë, aktivistë, diplomatë, personalitete kombëtare e atdhetare, shoqata patriotike e organizata kulturore e studentore për të festuar së bashku Ditën e flamurit që bashkon e krenon çdo shqiptar.
Festa e Flamurit kombëtar është festa më solemne ku përkujtohet me nder, respekt, dinjitet e krenari dita e lirisë kombëtare, aktin e shpalljes së Shqipërisë së lirë e të pavarur pas 5 shekujsh robëri. Ndër e lavdi përjetë e mot veprës së Ismail Qemalit e bashkëfirmëtarëve të Pavarësisë që me trimëri, guxim, diplomaci e sakrifica sublime e bënë Shqipërinë të lirë e të mos varme.
Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes theksoi se sot nderojmë ata që ngritën flamurin në Vlorë dhe të gjithë ata që punuan e sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Vatra, tha Dr. Berisha e ushtron këtë mision gjatë gjithë vitit. Ne zhvillojmë takime me përfaqësues të institucioneve amerikane në të gjitha nivelet, nga ai federal te ai shtetëror dhe vendor. Në këto takime afirmojmë çështjen shqiptare, përcjellim shqetësimet e bashkëkombësve tanë dhe punojmë për të forcuar miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha ndër të tjera kryetari i Vatrës. Vatra nxit bashkëpunimin në të gjitha fushat me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, me përfaqësuesit shqiptarë në Shkup, Tuz e Ulqin, në Luginën e Preshevës dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Nga arsimi e kultura te ekonomia dhe investimet, diaspora jonë mund të lidhë njerëz e institucione dhe ta bëjë këtë bashkëpunim konkret, ngulmoi Dr. Berisha. Me veprimtaritë tona kulturore i afrojmë brezat e diasporës. Përmes Enciklopedisë së Vatrës ua përcjellim atyre historinë e kontributit shqiptar në Amerikë.
Vatra ruan pavarësinë e saj politike, mban qëndrim neutral ndaj partive dhe nuk ndërhyn në politikën e përditshme në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare. Dyert tona janë të hapura për bashkëpunim me të gjithë ata që duan t’i shërbejnë interesit kombëtar. Vatra angazhohet për stabilitet politik e institucional dhe për konsensus kombëtar, tha ndër të tjera kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha. Interesi kombëtar i shqiptarëve mbetet përparësia që udhëheq çdo angazhim të Vatrës. I ftoj përfaqësuesit e gjithë spektrit politik në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare të bashkëpunojnë për çështjet që na bashkojnë dhe ta forcojnë, me punë të përbashkët, partneritetin me Amerikën, përfundoi fjalën e tij Dr. Berisha.
Imam Endrit Himaj në bekimin e darkës së Flamurit theksoi se sonte kujtojmë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, që na mësoi fuqinë e bashkimit; Abdyl Frashërin, që punoi për bashkimin e trojeve shqiptare; Naim Frashërin, që e mbajti gjallë dashurinë për atdheun; Hasan Prishtinën, që ia kushtoi jetën çështjes kombëtare; Isa Boletinin, që u bë simbol i guximit dhe i qëndresës shqiptare.
Këtu, në Amerikë, nuk mund të mos kujtojmë Fan Nolin, Faik Konicën dhe brezat e veprimtarëve të VATRËS, të cilët dëshmuan se largësia gjeografike nuk e zvogëlon dashurinë për atdheun. Ata jetonin në Amerikë, por zemra e tyre rrihte për Shqipërinë. Punonin për bukën e familjeve të tyre, por nga ajo bukë ndanin edhe për atdheun. Kujtojmë Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Sot atdheu kërkon që të ruajmë gjuhën, të edukojmë fëmijët, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë institucione të forta shqiptare.
Të jemi shqiptarë edhe kur një bashkatdhetar ka nevojë për ndihmën tonë, kur një shkollë shqipe ka nevojë për mbështetjen tonë dhe kur interesi i përbashkët kërkon që të heqim dorë nga egoja jonë. Sepse atdhedashuria nuk matet me madhësinë e flamurit që mbajmë në duar, por me madhësinë e përgjegjësisë që mbajmë në zemër, tha ndër të tjera Imam Endrit Himaj. Ambasadori i Shqipërisë në Washington z.Ervin Bushati në fjalën e tij vlerësoi Federatën duke e quajtur Vatrën si fole të të gjithë shqiptarisë në Shtetet e Bashkuara. Vatra tha z.Bushati është mbi politikën, e qëndron mbi të gjithë shqiptarët, në interes të kombit. Z. Bushati tha se Vatra është shtëpi për të gjithë shqiptarët anekënd botës, teksa historikisht Vatra ruajti shqiptarinë në Amerikë, tha ndër të tjera Ambasador Bushati.
Dr. Lulzim Vrapca nga Konsullata e Kosovës në New York u shpreh se më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ishte dëshmia se një popull, pavarësisht vështirësive dhe rrethanave historike, nuk kishte hequr dorë nga e drejta për të jetuar i lirë. Por në historinë tonë, 28 Nëntori ka edhe domethënie të tjera të veçanta. Kjo është edhe dita e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, më 28 nëntor 1955, në Prekaz të Drenicës.
Është një simbolikë e veçantë historike që një nga figurat më emblematike të luftës për lirinë e Kosovës të ketë lindur pikërisht në ditën e Flamurit. Po ashtu, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Drenicës, në varrimin e mësuesit Halit Geci, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë publikisht. Dhe nuk është e rastësishme që këto tri ngjarje lidhen pikërisht me të njëjtën datë: flamuri që simbolizonte aspiratën për liri, lindja e një figure që do të mishëronte sakrificën për atë liri dhe dalja publike e një ushtrie që do të bëhej pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës, tha ndër të tjera diplomati Vrapca.
Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja lexoi letrën e dërguar nga Kardinal Ernest Simoni Troshani ku në mesazhin e tij thuhet: “Në këtë 114-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, kujtoj me mirënjohje të gjithë ata që punuan e u flijuan për lirinë e atdheut tonë. Kur kremtoj këtë festë, më vijnë ndër mend edhe vitet e burgut. Në ato vite, lutja më mbajti gjallë shpresën. Krishti më dha forcë të duroja dhe më mësoi të falja. Për këtë e falënderoj Zotin edhe sot. Ju falënderoj ju të VATRËS që prej brezash i mblidhni shqiptarët së bashku.
Të rinjve dua t’u them një fjalë nga zemra. Flisni shqip me gjyshërit tuaj dhe gjeni kohë t’i dëgjoni. Pyetini për njerëzit që lanë pas, për ata që u gjendën pranë kur erdhën në Amerikë dhe për çfarë u dha forcë në ditët e vështira. Këto kujtime janë pjesë e trashëgimisë suaj. Si meshtar dhe shërbëtor i Krishtit, lutem për të gjithë ju dhe për familjet tuaja, të çdo besimi. Lutem që në Shqipëri, në Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarët, ta ruajmë vëllazërinë dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin, thuhet në mesazhin e shenjtërisë Imzot Ernest Simoni.
Drejtoresha e fondit të studentëve të Vatrës Rafaela Prifti në letrën e dërguar nga Ambasador Jeff Hovenier citoi: “Për më shumë se një shekull, VATRA ka qenë një vatër e ngrohtë për shqiptarët larg atdheut, ku ata kanë ruajtur gjuhën, kulturën dhe dashurinë për lirinë, duke i ndarë këto vlera edhe me vendin e tyre të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka ruajtur jetën familjare, mikpritjen dhe vazhdimësinë e traditave tona ndër breza. Kam kaluar shumë vite të karrierës sime në këtë rajon, së fundmi në detyrën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Shqiptarët kudo që kam qenë, më kanë treguar vazhdimisht se sa miq besnikë të Amerikës janë. Kjo miqësi është ndërtuar ndër breza dhe komunitete si ky i juaji meritojnë një pjesë të madhe të meritës për këtë lidhje të veçantë. Kjo festë vjen gjithashtu një ditë pas festës sonë të përbashkët amerikane, Ditës së Falënderimeve (Thanksgiving). Prandaj, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time juve: për përkushtimin ndaj trashëgimisë suaj kombëtare, për kontributin dhe shërbimin tuaj ndaj këtij vendi, si dhe për urën e fortë të miqësisë që vazhdoni të mbani gjallë mes dy popujve tanë, thuhet në letrën përshëndetëse të Ambasadorit Hovenier.
Prof. Nusret Pllana, studiuesi, historiani dhe dokumentuesi i krimeve serbe në Kosovë, mbajti një fjalë emocionuese duke vlerësuar Vatrën dhe përkujtuar ditët e mundimshme e të lavdishme të lirisë e çlirimit të Kosovës.
Në përfundim të ceremonisë zyrtare Federata Vatra falenderoi sponsorët e darkës së Flamurit: Jim Xhema, Anton Raja, Rrustem Geci, Dr. Elmi Berisha, Driton Gerbeshi, Mondi Rakaj, Eris Cali, Kolec e Richard Ndoja, Erjola Xheko, Flori Lloga, Ilir Cubi, Elio Ahmetaj, Teqenë Bektashiane Shqiptare në Michigan.
Falenderim i veçantë nga Vatra e Dielli për z.Alfons Grishaj “Pishtar i Demokracisë” kontributor i jashtëzakonshëm në pluralizmin demokratik në Shqipëri, donator e mbështetës i fuqishëm në Federatën Vatra, kujdestar i veçantë i gazetës Dielli dhe kontributor i pandalshëm i çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vatra shprehu mirënjohje për këngëtarët e artistët e komunitetit shqiptar, ambasadorë të kulturës kombëtare në USA: Gëzim Nika, Flori Lloga, Valbona Peraj, Remi Jakupi, Yll Zhaveli e Argjend Lloga të cilët në nder të flamurit kombëtar, përformuan falas për Vatrën. Në përfundim të ceremonisë zyrtare Vatra nderoi me certifikatë mirënjohje për mbështetjen dhe kontributin ndaj Federatës Vatra: Hannah Bischeglie, Ilir Cubi, Toni Sufaj e Driton Gerbeshi.
Vatra shpreh mirënjohje për komisionin përgatitor të darkës së Flamurit 2026: Ilir Cubi, Rafaela Prifti, Nazim Salihu, dhe Editorit të Diellit për punën e shkëlqyer dhe përmbushjen me sukses të të gjitha detyrave të ngarkuara nga Kryesia e Vatrës.
Vatra çmoi prezencën e mysafirët të veçantë të mbrëmjes: Ambasador Frymëzim Isufaj, Ilir Bytyqi, Joe Hoxha, luftëtarit të lirisë së Kosovës Ismet Berisha, Driton Gerbeshi, Mirlinda Krasniqit e Diellza Berishës.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli falënderojnë përzemërsisht emër për emër çdo patriot shqiptar në Amerikë e kudo në botë që mbështet besnikërisht Vatrën misionin kombëtar e veprimtarinë atdhetare.
Përulësisht mirënjohje përjetë e mot firmëtarëve të Pavarësisë: Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Jorgji Karbunara, Elmas Boçe, Veli Harçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani, Aristidh Ruçi, Abdi bej Toptani, Abaz Dilaver Çelkupa, Mid’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abaz Kanina, Xhelal Koprëncka, Hajredin bej Cakrani, Qemal Karaosmani, Ilias bej Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Beratti, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Murad bej Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiridon Ilo, Thanas Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, Myrteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Merlika-Kruja, Ferit bej Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa dhe Zyhdi Ohri. Në shekuj të shekujve rroftë jeta, vepra, trashëgimia, përkujtimi i tyre e akti patriotik i lirisë së shtetit e kombit shqiptar.