• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çështja Çame sipas koncepteve filozofike të Antonio Gramshit

October 30, 2026 by s p

Alket Veliu/

Tragjeditë historike shpesh nuk përcaktohen vetëm nga madhësia e dhunës fizike, por edhe nga suksesi iharresës, apo amnezisë historike që vjen pas saj, fshirja e vetëdijshme e ngjarjeve të rëndësishme të sëkaluarës, veçanërisht atyre që përfshijnë padrejtësi, shtypje, apo konflikte. Në këtë përmbysje të paradigmës historike, autoriteti i së vërtetës zëvëndësohet me të vërtetën e autoritetit, sipas një rendi të fshehtë të miopive nacionaliste. Çdo çështje historike natyrisht duhet të zgjidhet nga historia për të mos mbetur në pozitën e metafizikës së vonuar. Harresa dhe shkëputja e arsyes nga historia përfaqësojnë njënga krizat më të mëdha të identitetit dhe mendimit modern, ku parimet racionale dhe vlerat universale trajtohen si të pavarura nga koha, kultura dhe zhvillimet konkrete historike.

Në këtë kontekst, Çështja Çame, parë si gjenealogji dhe si kujtesë etnike, përbën një nga plagët më pak të trajtuara në dritën e filozofisë politike moderne.

Nëse do të analizonim çështjen çame përmes koncepteve të Antonio Gramshit, (filozof, politikan, gazetar dhe shkrimtar italian, i njohur si një nga mendimtarët me ndikim të madh të shekullit të XX, arbëresh i vetdeklaruar me prejardhje nga Epiri), mbi “Subalternët”dhe “Hegjemoninë Kulturore”, fati i çamëve në rrjedhat kohore do të shihej i zhveshur nga patetizmi sipërfaqësor, duke u shfaqur si një shembull klasik i dhunës strukturore të shtetit-komb modern, me ekzistencën e tij të mëvetësishme. Ashtu si “Subalternët” që trajton A. Gramshi, çamët janë një grup shoqëror apo etnik tërësisht i përjashtuar nga strukturat e pushtetit dhe, mbi të gjitha, të privuar nga mundësia për të treguar historinë e tij. Kujtojmë që çështja çame lindi më herët se dëbimi i dhunshëm dhe spastrimi etnik i popullsisë shqiptare myslimane nga Çamëria gjatë viteve 1944–1945 nga forcat shoviniste greke dhe lidhet me ndërgjegjen dhe përkatësinë shqiptare.

Popullsia çame u shndërrua në “subalternë” e dyfishtë. Në Greqi, pas dëbimit, ekzistenca fizike e çamëve dhe trashëgimia e tyre shekullore u fshinë nga regjistrat zyrtarë, ndërsa pronat iu nënshtruan sekuestrimit shtetëror.

Në Shqipërinë komuniste, fati i tyre nuk qe më i mirë. Regjimi i trajtoi ata me dyshim ideologjik, duke e lënë pa zë kërkesën e tyre legjitime për rikthim. Çamët u privuan nga e drejta për të pasur një zë politik të pavarur, duke u dënuar me një ekzil jo vetëm gjeografik, por edhe historiografik.

Sipas teorisë së Gramshit mbi “Hegjemoninë Kulturore”, shteti nuk qeveris vetëm me dhunë militare dhe policore (shoqëria politike), por kryesisht duke dominuar opinionin publik dhe narrativën historike (shoqëria civile).

Athina zyrtare ndërtoi dhe eksportoi me sukses një narrativë hegjemone kundër integritetit etnik të çamëve, ku e gjithë popullata çame u etiketua kolektivisht si “bashkëpunëtore e fashizmit” me një dispozitiv të falsifikuar juridik, pasi përmban ndryshime të qëllimshme të së vërtetës me qëllim që të prodhojë pasoja juridike të paligjshme.

Me gjithë këtë agresivitet ksenofobik dhe manipulim të qëllimshëm, masakrat mbi popullsinë civile të pambrojtur dhe spastrimi etnik në Çamëri u toleruan apo u kaluan në heshtje nga komuniteti ndërkombëtar. Përmes kontrollit të hegjemonisë diplomatike dhe akademike, shteti grek arriti ta kthente një krim kundër njerëzimit në një “çështje të mbyllur” ligjërisht dhe moralisht. Madje duke i dhënë vetes të drejtë të provokojë përndezjen e pasioneve nacionaliste për të ashtuquajturin “Vorioepir”.

Pse çështja çame ka mbetur e pazgjidhur dhe e izoluar në sirtarët e historisë?

Pas dëbimit, të mbijetuarit u detyruan të luftonin për ekzistencë minimale ekonomike, duke mos pasur mundësi të prodhonin një elitë mendimtarësh, juristësh dhe diplomatësh të aftë për të sfiduar narrativën shtetërore greke në arenën ndërkombëtare. Duhet thënë që shteti shqiptar jo vetëm që nuk u investua në këtë drejtim, por përkundrazi nuk mori asnjë përgjegjësi apo detyrim mbi çamët. Edhe pas rënies së komunizmit, shteti shqiptar nuk tregoi asnjë vullnet të qartë për të ndërtuar një strategji kombëtare lidhur me çështjen çame duke iu nënshtruar presionit grek për ta lënë këtë çështje në heshtje. Përpjekjet e Shoqatës Patriotike Çamëria krijuar në 1991, e cila afroi rreth vetes intelektualë të zëshëm dhe rizgjoi aspiratat e çamëve për kthim në shtëpitë e veta, nuk arritën t’i imponojë qeverisë shqiptare adaptimin e çështjes çame në agjendën diplomatike. Përpjekjet mbetën të fragmentuara dhe shpesh të instrumentalizuara për votat e ditës nga partitë politike, pa u shndërruar në një strategji kombëtare e mirëfilltë. Fokusi te përfaqësimi politik dhe sigurimi i ulëseve në Parlament, edhe pse i rëndësishëm, la në plan të dytë faktin se Çështja Çame kishte nevojë për një dimension shumë më të gjerë përfaqësimi. Përfaqësimi politik është një instrument i rëndësishëm, por ai nuk mund të jetë themeli i vetëm mbi të cilin mbështetet një çështje historike dhe kombëtare.

Krijimi i kapaciteteve dhe i një infrastrukture të qëndrueshme të dijes dhe të argumentit, të aftë për të artikuluar profesionalisht të drejtat e çamëve në planin historik, juridik, kulturor dhe ndërkombëtar, duhej dhe duhet të jetë një nga përgjegjësitë kryesore të elitës çame.

Sepse lind një pyetje thelbësore: çfarë ndodh me Çështjen Çame nëse përfaqësimi politik dobësohet, dështon apo humbet besimin e vetë popullatës? Një e drejtë historike nuk mund ta lidhë ekzistencën e saj me fatin e një partie, një mandati parlamentar apo një brezi të caktuar përfaqësuesish politikë. Prandaj sfida nuk është vetëm që çamët të kenë përfaqësues, por që Çështja Çame të ndërtojë kapacitetin për të përfaqësuar vetveten, pavarësisht koniunkturave politike.

Jo monopolit mbi historinë!

Çështja Çame nuk është thjesht një konflikt vjetër i vitit 1944. Ajo është dëshmi e gjallë e asaj se si shtetet moderne përdorin forcën e anti-egalitarizmit ligjor, duke injoruar parimin sipas të cilit të gjithë njerëzit duhet të jenë plotësisht të barabartë përpara ligjit, pavarësisht nga raca, gjinia, feja, apo prejardhja e tyre shoqërore.

Në këndelljen e ekskluzivizmit etnik lulëzon edhe propaganda për të fshirë të vërtetat e të shtypurve dhe përjashtimin e grupeve të tjera etnike nga të drejtat, privilegjet ose pjesëmarrja shoqërore, duke favorizuar vetëm një grup të caktuar etnik.

Ekziston edhe një pushtet më i padukshëm dhe ndonjëherë më jetëgjatë: pushteti për të përcaktuar se çfarë një shoqëri duhet të kujtojë dhe çfarë duhet të harrojë.

Ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë një fazë e re e Çështjes Çame.

Jo duke kërkuar monopolin e historisë, por duke kundërshtuar monopolin mbi të. Jo duke kërkuar që një narrativë të zëvendësohet verbërisht nga një tjetër, por duke kërkuar hapjen e arkivave, ballafaqimin e dokumenteve, individualizimin e përgjegjësive, rikthimin e zërave të munguar dhe të drejtën që historia të shqyrtohet përsëri.

Pajtimi i vërtetë nuk ndërtohet mbi heshtjen, por fillon kur të dyja palët pranojnë se historia nuk mund të jetë pronë ekskluzive e askujt. Vetëm kur çamët do të rifitojnë zërin e vet, historia e tyre do të pushojë së qeni një fantazmë dhe do të kthehet në drejtësi.

Filed Under: Mergata

Pengjet e Bosforit dhe Çmimi i Fshehur i Pavarësisë: Shkrimi i rrallë i revistës pariziene për Ismail Qemalin

October 30, 2026 by s p

Aktet e mëdha nuk shkruhen me poezi. Ato paguhen me fatura të rënda njerëzore. Gjatë analizës së rrugëtimit politik të Ismail Qemal Vlorës, shpesh ne anashkalojmë sakrificën sublime dhe terrorin shtetëror që rëndoi mbi familjen e tij pas arratisjes në azil politik në Europë në maj të vitit 1900.

Një dëshmi e errët e këtij çmimi na vjen nga shtypi europian para 125 viteve. Më 25 tetor 1901, revista pariziene “Pro Armenia”, në komitetin drejtues të së cilës ishin personalitete të shquara si Georges Clemenceau, Anatole France, Jean Jaurès, Francis de Pressensé dhe Eugène de Roberty, publikoi këtë raportim tronditës:

“E gjithë Evropa ka dëgjuar për shqiptarin (Arnaout) Ismail Qemal bej, ish-anëtar i Këshillit të Shtetit në Kostandinopojë dhe së fundmi i emëruar guvernator i Tripolit në Afrikë, që ishte vendi i tij i internimit. Por ndoshta shumë njerëz nuk e dinë se Ismail Qemal beu, përveç dy fëmijëve të mitur që mori me vete, la pas dy djem adoleshentë, njëri prej të cilëve ishte adjutant perandorak, si dhe gruan dhe vajzat e tij; cili ishte pra fati i tyre?

Djali i madh, adjutanti, para një apo dy muajsh, u burgos dhe më pas u internua… ndoshta në botën tjetër. I dyti, rreth tri javë më parë, u arrestua në shtëpinë e të atit në Arnavutqoj (Bosfor) dhe nuk dihet se ç’u bë me të. Shtëpia e Ismail Qemal beut prej shumë kohësh, madje edhe para internimit të tij, i ishte nënshtruar mbikëqyrjes më të rreptë; ditë e re, spiunë të rinj; madje edhe oficerë të kazermës lokale janë të ngarkuar posaçërisht për të spiunuar shtëpinë e Qemal beut.

Tani që nuk ka mbetur më asnjë burrë në këtë shtëpi, ajo mbetet ende nën survejim; as një zog, as një mizë nuk guxon të hedhë sytë drejt saj; nuk dihet se me çfarë ushqehen gratë dhe se si apo nga i sigurojnë gjërat e nevojshme. Ç’mund të bëjnë këto të rrethuara të privuara nga çdo lloj komunikimi… cili është qëllimi i Hamidit ndaj këtyre grave… kush do t’i shpëtojë këto të mjera nga një vdekje e sigurt dhe e tmerrshme… ah! ku është kalorësia që sakrifikohet për mbrojtjen e më të dobtëve?”

Përtej thirrjes dëshpëruese të gazetarit për ndërhyrje, ky tekst zbulon dy dimensione të panjohura të lidershipit të tij. Së pari, anatominë e shantazhit sulltanor. Në pamundësi për ta goditur Ismail Qemalin fizikisht në Europë, shteti osman përdori terrorin ndaj gjakut të tij për t’i thyer vullnetin. Vetë revista, në një paragraf të mëtejshëm brenda të njëjtit numër, e thekson këtë rrethim mizor duke e emërtuar drejtpërdrejt aktin e regjimit: “Kemi parë se informatorët e Hamidit po përpiqeshin ta vdisnin urie familjen e Ismail Kemal beut në shtëpinë e tij të rrethuar.”

Së dyti, fakti që një revistë si “Pro Armenia”, në komitetin e së cilës spikaste politikani i madh francez (dhe kryeministri i ardhshëm) Georges Clemenceau, ngrinte zërin për një lider shqiptar, nuk ishte rastësi. Ismail Qemali po ndërtonte një aleancë të gjerë ndërkombëtare të të shtypurve nga Sulltani, duke e përdorur shtypin europian dhe kauzat e popujve të tjerë si një armë gjeopolitike për t’i bërë presion të drejtpërdrejtë Stambollit.

Kjo ishte një pengmarrje e mirëfilltë për të paralizuar aksionin e tij politik dhe për ta gjunjëzuar atë përmes urisë së njerëzve më të dashur. Këtu formësohet përmasa e vërtetë e sakrificës sublime. Edhe pse në atë kohë beteja e tij parësore fokusohej te rrëzimi i absolutizmit të Abdylhamitit II, kjo goditje e pamëshirshme ndaj familjes e kaliti burrështetasin që pak vite më vonë do të ndryshonte hartën e Ballkanit. Shqipëria e vitit 1912 u ngrit mbi vullnetin e hekurt të një lideri, i cili pa familjen e tij të rrezikohej nga terrori i Bosforit, por nuk bëri asnjë kompromis me vizionin e tij.

(Nga Evarist Beqiri)

Filed Under: Mergata

From Roots to Results: A Fireside Conversation on Entrepreneurship, Diaspora, and Nation-Building

October 29, 2026 by s p

Join the Harvard Albanian Students Association for an inspiring conversation about entrepreneurship, leadership, and giving back to the Albanian diaspora and nation.

Our guests, Richard S. Lukaj and Ron Cami, will reflect on their professional journeys and the ways business, education, philanthropy, and community engagement can help create lasting impact.

Richard Lukaj is an investment banker, entrepreneur, and philanthropist whose work has supported education and economic development in Southeastern Europe. Ron Cami is a Partner at Flagship Pioneering, where he leads strategic initiatives and capital transactions.

📅 November 7, 2026

🕒 3:00 PM EST

📍 Harvard Hall 101

Harvard Yard, Cambridge, MA 02138

🎟️ Free and Open to the public

We hope you’ll join us for an engaging discussion on ambition, purpose, and building a meaningful legacy.

Filed Under: Mergata

STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!

October 20, 2026 by s p

Trajtimi çnjerëzor te kangjellat e Ministrisë së Arsimit kërkon përgjegjësi.

Nga Fadil Ferizi

Prangosja e një të riu të gjakosur te kangjellat e Ministrisë së Arsimit është trajtim çnjerëzor. Është barbarizëm policor që cenon dinjitetin e personit pikërisht në çastin kur ai ndodhet nën kontrollin dhe përgjegjësinë e policisë. Asnjë veprim i mëparshëm nuk e shfajëson poshtërimin e tij në këtë mënyrë.

Ky është thelbi i çështjes. Përgjegjësia për një veprim të mundshëm të kundërligjshëm shqyrtohet sipas ligjit. Dinjiteti njerëzor mbetet i pacenueshëm edhe kur personi dyshohet se ka shkelur ligjin. Ai nuk është shpërblim për sjellje të mirë dhe as privilegj që autoritetet mund ta heqin gjatë një përplasjeje.

Pamja e të riut të lidhur te hekurat e një institucioni arsimor e bën të dukshme pabarazinë e forcës. Në njërën anë qëndron një person i lënduar, me lirinë e lëvizjes të kufizuar; në anën tjetër, një institucion i pajisur me mjete, personel dhe kompetenca. Kjo epërsi e ngarkon policinë me përgjegjësi të shtuar për jetën, sigurinë dhe dinjitetin e atij që mban nën kontroll.

Pikërisht këtu provohet profesionalizmi i saj: te aftësia për të vepruar me vetëpërmbajtje edhe në rrethana tensioni, për ta mbrojtur të lënduarin dhe për ta kryer detyrën pa e poshtëruar. Prangosja në atë mënyrë e cenon këtë standard. Nevoja për të kufizuar lëvizjen e një personi nuk e shpjegon vetvetiu mënyrën e trajtimit të tij.

Për këtë arsye, debati nuk mund të kushtëzohet me pyetjen se çfarë ka bërë i riu përpara ndalimit. Edhe sikur të provohej një shkelje prej tij, ajo nuk do ta shfajësonte trajtimin çnjerëzor. Secili përgjigjet për veprimin e vet. Përgjegjësia e të ndaluarit dhe përgjegjësia e policisë shqyrtohen veçmas; njëra nuk e fshin tjetrën.

Fotografia nuk e përmban gjithë kronologjinë e ngjarjes. Pamjet e plota dhe dëshmitë janë të domosdoshme për hetimin. Por mungesa e gjithë kronologjisë në një fotografi nuk kërkon heshtje për trajtimin që ajo dokumenton. Gjykimi moral për poshtërimin e personit dhe kërkesa për hetim të plotë qëndrojnë së bashku.

Edhe vendi ku ndodh skena ka peshë. Ministria e Arsimit ka përgjegjësi për mundësitë që u krijohen të rinjve. Prangosja e një të riu të gjakosur te kangjellat e saj krijon një kundërthënie të rëndë ndërmjet këtij misioni dhe trajtimit të personit në hyrjen e institucionit. Një shoqëri që kërkon besimin e studentëve duhet të përballet seriozisht me këtë pamje.

Përgjigjja institucionale duhet të fillojë nga rrethanat konkrete: kush vendosi prangosjen në atë mënyrë, përse u veprua kështu, sa zgjati ajo gjendje dhe çfarë ndihme iu dha të lënduarit? Këto pyetje kërkojnë dokumente, pamje dhe dëshmi. Përgjegjësia duhet të përcaktohet për secilin që ka vepruar, urdhëruar ose lejuar një shkelje, në masën që e provojnë faktet.

Duhet të ruhen regjistrimet, të dokumentohen lëndimet dhe të bëhen publike përfundimet e hetimit. Drejtuesit e policisë dhe autoritetet politike kanë përgjegjësi të mundësojnë zbardhjen e ngjarjes dhe të japin shpjegime brenda kompetencave të tyre. Mbrojtja institucionale e një abuzimi do ta zgjeronte dëmin, duke cenuar edhe besueshmërinë e policëve që kryejnë detyrën me korrektësi.

Në këtë kontekst, marshimi i thirrur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë merr rëndësi të drejtpërdrejtë qytetare. SPUSH ka njoftuar tubimin më 20 tetor 2026, në orën 10:00, në sheshin përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, me moton “Stop dhunës ndaj studentëve!”. Njoftimi e lidh pjesëmarrjen me mbrojtjen e studentëve dhe hapjen e rrugës për dialog.

Prania e pedagogëve përkrah studentëve i jep përmbajtje përgjegjësisë publike të universitetit. Mbrojtja e mendimit kritik përfshin mbrojtjen e njeriut që e shpreh atë. Universiteti ka arsye ta ngrejë zërin kur dinjiteti i të rinjve cenohet dhe kur institucionet duhet të japin llogari.

Marshimi paqësor mund ta kthejë indinjatën në një kërkesë të qartë e të qëndrueshme: ndalimin e dhunës ndaj studentëve, hetimin e abuzimeve, përgjegjësinë për shkeljet e provuara dhe dialogun serioz për kërkesat e tyre.

Asnjë veprim i mëparshëm nuk e shfajëson poshtërimin e një personi të prangosur. Trajtimi çnjerëzor kërkon dënim publik dhe përgjegjësi institucionale. Dinjiteti i të riut te kangjellat e Ministrisë së Arsimit është çështje që prek sigurinë dhe lirinë e çdo qytetari.

STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!

Filed Under: Mergata

Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë

October 19, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama nuk janë armiq të Shqipërisë. Ata janë e ardhmja e kombit shqiptar!

Një gjë duhet ta dijë Kryeministri Rama: Qeveria është për qytetarët dhe e qytetarëve.

Studentët që po kërkojnë arsim më të mirë, perspektivë, llogaridhënie dhe demokraci duhet të dëgjohen, jo të luftohen. Historia ka treguar se zëri i popullit nuk mund të shtypet me forcë, e as pushteti të mbahet me dhunë.

🇺🇸 Në një letër që i kam dërguar Ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, z. Eric Wendt, e shpreha shqetësimin tim të thellë për këtë situatë. Jam shumë i shqetësuar nga pamjet e tmerrshme të arrestimeve dhe përdorimit të tepruar të forcës policore ndaj studentëve, si dhe të keqtrajtimit të gazetarëve që po mbulojnë protestat.

Prandaj, Ambasadorit Wendt i kërkova që Amerika të mos mbetet vëzhguese pasive e këtyre ngjarjeve, por të angazhohet në mbrojtje të lirive dhe të drejtave demokratike në Shqipëri.

Për më shumë se 100 vjet, që nga Presidenti Woodrow Wilson e deri më sot, Amerika ka qëndruar pranë popullit shqiptar 🇺🇸🇦🇱 Edhe sot, shqiptarët i kanë sytë nga miku i tyre më i madh.

Shqipëria ka nevojë për demokraci të vërtetë. Për një qeveri që punon e i jep llogari popullit, jo që shtyp e godet protestat e studentëve.

Në ditët në vijim, ne si komunitet shqiptaro-amerikan do të angazhohemi me miqtë tanë në Washington, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave të qytetarëve në Shqipëri.

Zoti e bekoftë popullin amerikan!

Zoti e bekoftë popullin shqiptar!

Filed Under: Mergata

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT