
Skënder Anamali, themelues dhe studiues i shquar i arkeologjisë dhe i historisë antike të Shqipërisë, është ndarë nga jeta më 21 prill 1996. Ai ka lindur në Shkodër, ku kreu shkollën e mesme, dhe ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Padovës (Itali).
Më 1947 filloi punën si arkeolog në Institutin e Shkencave në Tiranë dhe, bashkë me H. Cekën, hapën muzeun e parë arkeologjik (1948).
Anamali ndërmori gërmime të pavarura në qytetin e Amantias, në Apoloni dhe në Durrës. Problemet historiko-arkeologjike që lidhen me kulturën e arbërve të hershëm u bënë objekt i kërkimeve dhe studimeve të tij deri në fund të jetës.
Gjatë kësaj periudhe realizoi gërmime sistematike në varrezën mesjetare të Krujës, në Koman, Bukël, Shurdhah, në bazilikën e Linit, në kalanë e Pogradecit, në kalanë e Stelushit, në bazilikën e Ballshit etj. Rezultatet shkencore të këtyre gërmimeve u pasqyruan në mbi 70 artikuj e studime, të botuara edhe jashtë vendit, ku ai përcakton përbërësit e kulturës arbërore dhe procesin e lindjes e të zhvillimit autokton të bartësve të saj.
Skënder Anamali është autor i monografisë për qytetin ilir të Amanties, bashkautor i vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë” (1965), si dhe bashkautor i veprave “Historia e Shqipërisë” (1959) dhe “Historia e popullit shqiptar”, vëll. I (2002). Ai është gjithashtu i lidhur me botimin “Corpus des inscriptions latines d’Albanie” (Romë, 2009) dhe autor i vëllimit “Des Illyriens aux Albanais” (Tiranë, 2011).
Skënder Anamali ishte anëtar i “Shoqatës Ndërkombëtare për Epigrafi Greke dhe Latine”, me seli në Paris.
Historia e kërkimeve arkeologjike moderne për mesjetën e hershme shqiptare filloi, u rrit dhe u zhvillua për afro gjysmë shekulli nëpërmjet punës së palodhur të prof. Skënder Anamalit dhe arkeologëve të tjerë. Ishin vitet ’60 kur arkeologjia shqiptare e drejtoi vëmendjen nga kultura e antikitetit të vonë dhe e mesjetës së hershme. Ky orientim i ri i kërkimeve, i rëndësishëm për historinë dhe arkeologjinë e kësaj periudhe, iu besua prof. Skënder Anamalit.
Tezat kryesore të përcaktuara prej tij janë se kultura e varrezave të mesjetës së hershme të zbuluara në Shqipërinë e Veriut është një kulturë vendëse, e cila lulëzoi në shek. VII–VIII; se bartësit e kësaj kulture janë pasardhësit e ilirëve; se romakët nuk arritën të romanizojnë plotësisht popullsinë e kësaj treve dhe nuk ka prova arkeologjike për ndryshime etnike; si dhe se materialet arkeologjike, ashtu si ato gjuhësore, dëshmojnë autoktoninë e popullit shqiptar.
Skënder Anamali ka lënë një trashëgimi të larmishme me artikuj, referate dhe kumtesa për periudhën antike të vonë dhe mesjetën e hershme shqiptare, të botuara në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Në aspektin historik, këto punime karakterizohen nga shfrytëzimi dhe interpretimi i të dhënave arkeologjike në funksion të ndriçimit të përkatësisë etnike dhe të vazhdimësisë së kulturës nga antikiteti i vonë në mesjetë, si dhe në trajtimin e problemit të gjenezës së arbërve.