

Irena Dragoti/
Intuitë, koherencë, pjekuri letrare apo, sido që ta emërtoj, aftësinë e shkrimtarit Pashko Camaj për të dëgjuar si duhet një të vërtetë përpara se ta shndërrojë atë në gjuhën e shkruar, fillimisht do ta etiketoja si aftësi eksploruese të së panjohurës midis ekzistencës dhe shmangies së vetvetes. Romani “Brenga” i Dr. Pashko R. Camaj zhbiron paralelisht historinë me dramën morale të dy personazheve në dy rrethana të ndryshme. Dr. Pashko Camaj, ky lexues i saktë i njeriut të diktaturës, përcjell kujtesën si një detyrim moral ndaj atyre që shenjën e ndryshimit ua vuri guximi.
A mund ta mendojmë mërgimin si një mur të lartë ndarës me të shkuarën? A është mërgimi “krim” në tendencën për t’i ikur një shoqërie apo ideologjie ku mungesa e lirisë është baza e saj? A përbën krim mungesa e lirisë në sisteme totalitare? A kishte zgjidhje të tjera përpos dualitetit ikje apo vuajtje në shoqëri të tilla?
Këto janë pyetje që më kanë munduar qysh prej viteve ’90, kur në vendin tonë u masivizua plaga e mërgimit dhe unë isha thjesht një adoleshente. I ringrita këto pyetje sapo përcolla faqet e para të romanit “Brenga”. Dhe ishte pikërisht takimi i parë i autorit me Toninin, retrospektiva e këtij të fundit, që më bindi se “Brenga” e Dr. Pashko Camaj vjen si përgjigje e pyetjeve ekzistenciale të një populli 45 vite pa liri. Letërsia që kam prekur pas viteve ’90 dhe që trajton përvojat totalitare noton kryesisht mes dy poleve: dëshmisë historike dhe reflektimit filozofik. Në këtë këndvështrim, romanin “Brenga” të Dr. Camaj do ta klasifikoja si vepër hibride, pasi narrativa e tij tejkalon të dy polet, duke mundësuar që lexuesi të bëjë dallimin midis lirisë si materie dhe lirisë si shpirt.
Romani “Brenga”, ky enumeracion dyshor ose dual, thënë ndryshe me dy miq, dy rrugë, dy sisteme, nuk është tjetër veçse metafora e ndarjes së shqiptarit në shekullin XX midis mundësisë dhe pamundësisë, midis zgjedhjes dhe imponimit. Është pikërisht narracioni i Dr. Pashko Camaj që vendos përballë Toninin dhe Markun si dy mënyra të ndryshme ekzistence: Tonini (Amerika), personifikim i lirisë si mundësi për t’u ribërë falë guximit dhe dëshirës për horizont; Marku (Shqipëria), si mbyllje dhe pamundësi zgjidhjesh e ndryshimi.
Kur Tonini i lirë zhytet në ankthin e fajit, Marku i robëruar ruan një lloj pastërtie tragjike. Pikërisht këtu qëndron vlera rrëfyese e Dr. Pashko Camaj, kur përmbys idenë se liria nuk është shpëtim apo zgjidhja absolute për qetësinë dhe lumturinë njerëzore, por as mungesa e saj nuk nënkupton shkatërrim e humbje dinjiteti. Shkrimtari dëshmon se e njeh mirë metafizikën e lirisë. “Brengën” autori e sjell edhe si dëshmi të kujtesës kolektive, po aq sa si mundësi ndërgjegjësimi. Ai është njohës kaq i mirë i një prej diktaturave më të egra në Evropë, edhe pse liria, mirëqenia dhe karriera në Amerikë mund ta joshnin me harresë.
Dr. Camaj, me këtë narrativë, është një lloj Tonini që “brengën” e tij për vëllezërit shqiptarë e shlyen me këtë vepër. Tonini guxoi dhe zgjodhi lirinë, por nuk e shmangu dot ndjenjën e fajit. Dr. Pashko Camaj guxoi me “Brengën” për t’u shndërruar, pavetëdijshëm, në misionar për brezat e rinj. Koha, për romancierin Camaj, është një spirale ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja bashkëjetojnë. Sinqeriteti me të cilin autori sjell historinë e një kombi është pikërisht kontrasti me shoqërinë totalitare që sheh urrejtjen si motor të zhvillimit të saj.
Filozofi Martin Heidegger, në veprën e tij “Qenia dhe Koha”, argumenton teorinë brilante “të qenurit i hedhur në botë”, ku thotë se njeriu nuk zgjedh rrethanat, por zgjedh të përshtatet me to. Marku, figura e hedhjes në një botë armiqësore, dhe Tonini, figura e ikjes nga ajo botë, zgjodhën të përshtaten. “Brenga” është pikërisht ajo urë mes fatit dhe ndërgjegjes që shtegtimi nuk e shkurton, por e zgjat. A mjafton liria për një zemër të munduar nga faji? — është retorika që përshkon fund e krye romanin, për të marrë përgjigje vetëm pasi ta kesh lexuar.
Një liri me retorikë është një brengë dhe robëri e mendjes. Tonini i mendjemunduar na kujton Dostojevskin te vepra “Krim dhe ndëshkim”, me mesazhin se faji është më i fortë se ligji dhe ndëshkimi nuk është juridik, por shpirtëror. Nga ana tjetër, Marku i afrohet perceptimit të njeriut nga Albert Camus: njeriu hero, por heroizmi i tij është absurd në shoqërinë ku jeton; megjithatë ai e shpërfill absurdin me dinjitet, në kufijtë e mbijetesës.
Duke lexuar romanin, bindesh se shkrimtari, përpara se t’i hedhë në skenë këta personazhe, u ka bërë një “skaner” me syrin e filozofit. Ai nuk sjell evidenca apo ditar, por një skenë të tërë interpretimi të një realiteti ku secili do të ndihej aktor për nga emocioni. Megjithatë, Dr. Camaj ruan një autenticitet të fortë, duke krijuar teorinë e tij filozofike se liria pa paqe shpirtërore është një formë tjetër burgu. Ky paradoks i fuqishëm nuk të amullon, por të kujton madhështinë e Milan Kunderës, ku historia kolektive prodhon fatin individual, po aq sa e tejkalon atë në drejtim të qartësisë morale.
E drejtpërdrejta, e herë kronika, e shndërrojnë “Brengën” në dimension dëshmie. “Brenga” është mision për të mos harruar! Brenga është atdhedashuri që mjekon plagët e vjetra të Atdheut. Brenga është zë për shqiptarinë në dyert e politikës ndërkombëtare.
Brenga është Dr. Pashko Camaj — ky shqiptar, ky filozof, rrëfimtar, mjek i historisë që merr frymë me ritmin e origjinës!
Harold Bloom-in, një nga kritikët më të dashur për mua, duke parë qartësinë morale të Dr. Camaj, pyetjes sime: “A krijon romani një figurë që mbetet?”, do t’i përgjigjej: “Po”. Është Marku, tragjizmi që ia doli të rezistojë në një vend ku e keqja shfaqet si normalitet. Është Tonini, i cili, pa qenë realisht fajtor, ndërton një faj simbol për të ruajtur lidhjet me Markun, mikun e tij të ngushtë.
Të gjithë kemi nevojë për një pasqyrë të vetes në çaste dilemash dhe këtë ka bërë shkrimtari Camaj. Ai ka ndërtuar një vepër në sistemin e pasqyrave, duke na bërë të ditur se rrethanat nuk e ndryshojnë njeriun, por nxjerrin në pah më të thellën e nënvetëdijes. Në pamje të parë, “Brenga” hedh dritë mbi dy plagë të një kombi — diktaturën dhe emigracionin ndër dekada — por, nëse depërton më thellë, do të lexosh mes ngjarjesh pyetjen ekzistencialiste: “A mund të mbijetojë miqësia përtej historisë?”
Përgjigjja në roman vjen si “Klithma” e Edvard Munch, për shkatërrimin jo vetëm të sistemit, por edhe të ideve që mbijnë në pyllin totalitar. Njeriun e lirisë me njeriun e vuajtjes realisht i bashkon kujtesa — rruga e vetme e drejtësisë që ofron ky roman etik. Do ta përkufizoja pa frikë këtë roman si romani i fatit të ndarë për fajin pa krim dhe pamjaftueshmërinë e lirisë. Fatit mund t’i ikësh, por a i ikën dot historisë? Historia është “Brenga” që nuk e shkul dot.
A mjafton liria, dimensioni i sakrificës, simbolika e kryqit dhe dilemat në këtë roman për të konkluduar se shkrimtari ka dhënë nga vetja më shumë se tradita?!
Narrativa e tij, që ruan traditën por edhe e transformon, nëse do të kalonte në penën e T. S. Eliot, jam e sigurt se ky i fundit do t’i shtrëngonte dorën fort Dr. Pashko Camajt, duke i thënë: “Në një botë të fragmentuar, kjo vepër është kaq e disiplinuar artistikisht!” Camaj, ky shkrimtar epik, me hapësirë të jashtëzakonshme ngjarjesh, thekson absurdin e sistemeve diktatoriale në stilin e Camus, zhbiron personazhet me psikoanalizë dhe nuk bie në ngjyrat inekzistente të jetës.
Unë e lexova “Brengën” për t’ju folur sot për të, por brenga e vetme që kam nga sot është nëse arrita ta përcjell te ju si risi narrative. “Brenga” e Dr. Pashko Camaj nuk jep përgjigje përfundimtare për sistemet totalitare dhe përjetuesit e saj, por ngre pyetje që vazhdojnë të jehojnë përtej tekstit. Sepse “Brenga” nuk është ajo që mbetet pas historisë, por ajo që historia nuk arrin ta shuajë brenda njeriut. Dhe ndoshta, pikërisht këtu qëndron forca e saj më e madhe: në aftësinë për të na kujtuar se njeriu mund të ndryshojë vendin, por rrallëherë arrin të ndryshojë peshën e vetvetes.