
Toma Apostull pasi vuri dorën në plagë besoi.
Zef Pergega
Krishti i Gjallë na fton ta pranojmë thirrjen e Tij që na drejton për t’u bërë njerëz të rinj e dëshmitarë të sinqeritetit e të së vërtetës, si apostujt që i komunikuan Tomës takimin e tyre me Të: “E pamë të Ringjallurin”, e si Toma që pas dyshimeve, pas vështirësisë së besimit, ra në gjunjë duke rrëfyer fenë e tij në Zotin e Gjallë, edhe ne të besojmë e të biem në gjunjë para Krishtit Zot e Shpëtimtar.
“Krishti është gjallë”, një thirrje që sot në rreth 200 besimtarë të mbledhur në festë në kishën shqiptare të “Shën Thomait” në Detroit, tingëlloi si një tingull lajmetar që e sollën engjëjt. Kishin ardhur nga shumë zona, mbasi edhe zgjedhjet e reja edhe e diela e pas Pashkëve e shenjtë e lumnueme në sytë e besimtarëve, këshilli i ri me kryetar 27-vjeçarin, Aleksandër Kume, me anëtarin e këshillit Niko Butka, nipin, shkrimtarin model të satirës shqiptare, Nonda Buka ose Gjergj Fishta i Jugut, aq më tepër me energjitë hyjnore e kombëtare të priftit të ri Juxhin Shkurtin, për të marrë pjesë në meshë dhe në festë, e cila përkoi me 97-vjetorin e themelimit të saj në Detroit nga Fan Noli. Në themelet e saj të forta u lartua fjala në Hyun dhe në shpirtin atdhetar të ortodoksëve shqiptarë. Tani ndihet më fort fryma shqiptare në kishën plot dhe në zemrat zjarr në besim të mbushura shpirtërisht.
Drekën e bekoi Lumturia e Tij Fra Danakas, sekretari i përgjithshëm i Arkidioqezës shqiptare në Amerikë. U kënduan dy himne kombëtare nën moderimin e Androko Mengri, si dhe nën zërin melodioz e melankolik të këngëtares Ermira Babaliu. Aktivitetin e përcolli AlbTV i shqiptarëve të Amerikës nëpërmjet gazetarit Rafael Floqi.
At’ Shkurti ndër të tjera tha: “…Zemra ime është plot, vëllezër dhe motra të dashur, siç janë zemrat tuaja plot, të shoh kaq shumë njerëz të mbledhur në shenjtëroren tonë. Falënderoj Zotin që në një farë mënyre njerëzit po zgjohen me besim. Që njerëzit janë bërë më të fortë, më të palëkundur. Krishti është ai që na themelon. Krishti është ai që na udhëzon. Zemra ime është gjithashtu plot, kur ju shoh juve nga larg, që jeni këtu në këtë shenjtore. Zemra ime është plot kur shoh besimtarët ortodoksë që janë duke u lutur në këtë vend të shenjtë dhe kërkojnë shpëtim. Një falënderim sot për Ekrem Bardhën, Konsullin e Nderit, i nderuari Mondi Rakaj nga Federata “Vatra”, biznesmenë, shkrimtarë, njerëz të besimit e të kulturës që na kanë ardhur sot si miq në shtëpinë e Zotit. Ky është edhe një motiv më tepër për të punuar për misionin e shenjtë të fjalës së Zotit në të mirë të bashkimit të komunitetit!”
Takimin e përshëndeti Mondi Rakaj e Rafael Floqi. Fjalën kryesore e mbajti kryetari i këshillit të kishës, Aleksandër Kume.
Detroit, 19 prill 2026