
Nga Paskal Kaçani/
Ka histori që nuk mbyllen kurrë në sirtarët e pluhurosur të arkivave zyrtare, sepse ato rrahin si një zemër e dytë në gjoksin e bijve që refuzuan harresën. I tillë është rrëfimi epik dhe i përgjakur për Hasan Hyso Ormenin, Komandantin legjendar të Çetës së Velçës. Një burrë që la gjurmët e veta me gjak e sakrificë në Luftën e Vlorës të vitit 1920, që shërbeu si roje vigjilente në kufijtë e atdheut dhe që u vra pabesisht në muzgun e nëntorit 1944. Pasi ranë armët, mbi familjen e tij u përplasën dallgët më të egra dhe mizore të diktaturës komuniste, duke nisur një kalvar gjysmëshekullor persekutimi, ndarjeje dhe lotësh, por edhe një qëndrese të pashembullt për të çuar në vend amanetin e lirisë.
Kushtrimi i vitit 1920: Thyerja e ligjit të fisit për lirinë e Vlorës
Në verën e vitit 1920, Vlora ziente nga lufta kundër pushtuesve italianë. Përballë rrezikut të shuarjes së familjeve, drejtuesit e luftës morën një vendim të prerë: djemtë e vetëm të përjashtoheshin nga fronti, me qëllim që të mos u shuhej fisi. Hasan Hyso Ormeni ishte djalë i vetëm, por për të, liria e atdheut peshonte më shumë se çdo rregull. Ai e theu këtë urdhër dhe u rreshtua në vijën e parë. Trimëria dhe autoriteti i tij bënë që të zgjidhej Komandant i Çetës së Velçës, një nga formacionet kryesore luftarake me mbi 120 luftëtarë. Në betejën epike të Qafës së Koçiut, ku lufta u bë fyt më fyt, çeta e tij mbajti peshën kryesore. Ndonëse mori dy plagë të rënda në secilën shpatull, Hasani nuk e braktisi fushëbetejën.
Ditën e triumfit, kur italianët u dëbuan nga Vlora, Çetës së Velçës iu dha nderi të parakalonte para tribunës. Në krye të saj, mbi kalë, qëndronte Hasani – me plagët e lidhura që ende pikonin gjak, duke u kthyer në një legjendë të gjallë për të cilën fshati nisi të thurrte këngë:
“Kush u hodh mbi tel i pari, Hasan Hyso faqebardhi…”
Oficer i kufijve dhe mik i Avni Rustemit
Pas luftës, Hasani u titullua oficer me gradë dhe rrogë, duke u caktuar në mbrojtje të kufijve veriorë të Shqipërisë. Në vitin 1922, ai u plagos sërish në përpjekje me bandat serbo-malazeze, një ngjarje që do të ushqente urrejtjen e tij të përjetshme ndaj shovinizmit serb.
Me bindje të forta demokratike dhe fanoliste, ai ishte mik i afërt i Avni Rustemit. Kur Ahmet Zogu bëri reformat dhe u vetëshpall mbret, Hasani, i rritur me idealet e lirisë dhe demokracisë, refuzoi këtë formë qeverisjeje. Ai u largua nga ushtria dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes, në Velç, për të bërë jetën e thjeshtë të fshatarit, por pa e ulur kurrë vigjilencën.
Lufta e Dytë Botërore: Rreshtimi me Ballin Kombëtar dhe tragjedia e nëntorit ’44
Më 7 prill 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, Hasan Hyso Ormeni ishte ndër të parët që doli në pritë me armë në dorë. Më vonë, falë miqësisë personale me Mit’hat Frashërin dhe i udhëhequr nga parimet kombëtare, ai u rreshtua me Ballin Kombëtar. Ai e dallonte herët se sistemi komunist, që po futej në Vlorë përmes të dërguarve serbë si Dushan Mugosha, ishte një sistem pa bosht orientues që mohonte pronën private dhe lirinë.
Nën drejtimin e Ballit, çeta e tij bëri beteja të mëdha frontale kundër gjermanëve në Drashovicë dhe në Gjorm, ku me mitralozin e tij në dorë arriti të zmbrapste forcat gjermane, duke shpëtuar nga rrethimi madje edhe vetë partizanët. Por, pas dështimit të Marrëveshjes së Mukjes, lufta vëllavrasëse nisi egërsisht. Shtëpia e Hasanit në Velç, e cila kishte qenë një nga bazat më të mëdha antifashiste ku strehoheshin ilegalisht krerë të të dy krahëve (si Hysni Kapo, Ali Demi e Hysni Lepenica), u shpall tabelë qitjeje.
Më 4 nëntor 1944, me urdhër të Qarkorit të Vlorës dhe në prani të Mugoshës, u mor vendimi fatal për djegien e shtëpisë së tij. Partizanët rrethuan shtëpinë dykatëshe prej guri. Hasani, me mitralozin e lehtë anglez në dorë, doli në oborr për të çarë rrethimin, duke i lënë amanet bashkëshortes, Sulotes, që të mos qante nëse ai vritej. Partizanët, duke e njohur trimërinë e tij, nuk guxuan të qëllonin dhe ai arriti të largohej në mal.
Shtëpia u bë shkrumb e hi, ndërsa vëllai i madh 18-vjeçar, Hysua, u rrah egërsisht dhe u dërgua për t’u pushkatuar në Ramicë, duke u shpëtuar mrekullisht vetëm nga ndërhyrja trime e Ramize Gjebresë që i doli para automatikut.
Vrasja në pritë dhe thyerja e familjes
Në ditët e fundit të nëntorit 1944, përballë hakmarrjes komuniste, Hasani mori tre djemtë e tij dhe u nis drejt Tiranës për t’u arratisur nga Shqipëria. Te shtëpia e inxhinier Kujtim Beqirit u mor një vendim që do të ndryshonte fatet: inxhinieri e bindi Hasanin që ta linte djalin e tij të vogël, Xhevitin (vetëm 10 vjeç), në Tiranë, pasi rruga do të ishte gjatë dhe e rrezikshme. Atë darkë, Hasani me dy djemtë e tjerë u nisën drejt veriut.
Por historia u tregua mizore. Vetëm dy kilometra pa mbërritur në Laç, Hasani ra në një pritë dhe u vra në pabesi. Dy djemtë e tij arritën të çanin rrethimin, duke u arratisur në Itali e më pas në Amerikë, ndërsa djali i vogël, Xheviti, mbeti vetëm, në një Shqipëri që po futej në natën e gjatë të diktaturës.
Gati gjysmë shekulli harresë, lotë dhe besnikëri
Për 48 vite me radhë, familja mbeti e ndarë në dysh, pa asnjë lajm. Në Shqipëri, nusja e vëllait të madh, Sanija, e cila kishte mbetur vetëm 20 vjeçe, vuri shaminë e zezë dhe nuk u martua kurrë. Ajo punoi në kooperativë nën persekutimin e regjimit, mbajti shtëpinë hapur dhe rriti Xhevitin, i cili punonte si murator në çdo cep të Vlorës. Edhe vëllai në Amerikë mbeti i pamartuar, duke ruajtur në zemër premtimin e rinisë.
Më 17 janar 1991, me ardhjen e demokracisë, vëllezërit u kthyen. Takimi në aeroport ishte përtej përlotjes – ishte një ringjallje. Vëllai i madh puthi tokën shqiptare dhe u takua me Sanijen e tij: ai i mbajtur mirë nga jeta amerikane, ajo e kërrusur dhe e plakur para kohe nga punët e rënda. Fjalët e tij në atë takim mbeten një monument dashurie dhe respekti:
“Sanije, u ndamë në të ri e po takohemi në pleqëri. Më mbajte shtëpinë hapur, më ruajte nderin. Të faleminderit!”
Amaneti i heshtur: Gjetja e eshtrave dhe drejtësia e historisë
Djali i vogël i Hasanit, Xheviti, nuk mund të gjente qetësi pa kryer amanetin më të madh: gjetjen e eshtrave të babait të tij. Pas kërkimesh të gjata në zonën e Krujës, Milotit dhe Laçit, fati e çoi te dëshmitarët e fundit të asaj nate të ftohtë të nëntorit 1944.
Një ish-partizan në fshatin Gjorm të Krujës, me lot në sy, pranoi se natën e vrasjes kishte gjetur trupin e një burri me një letër në gjoks ku shkruhej “Hasan Hyso, Vlorë”. Ai ishte varrosur me respekt me urdhër të një komandanti me mbiemrin Delia, i cili kishte qenë mik fanolist me Hasanin. Me ndihmën e banorëve vendas dhe me traktor, Xheviti arriti të zhbënte dheun dhe të gjejë eshtrat e të atit që i shfaqej çdo natë në ëndërr.
Eshtrat e Hasan Hyso Ormenit u kthyen në Vlorë dhe u varrosën me ceremoninë e merituar në varrezat e dëshmorëve të vrarë nga regjimi.
Sot, pas vitesh të tëra mohimi, drejtësia historike u vendos në vend: Hasan Hyso Ormeni u shpall zyrtarisht “Nderi i Qarkut të Vlorës”. Ai la pas një histori epike trimi, një djalë të vogël si Xheviti që rindërtoi nderin e familjes me punë të ndershme si murator, si dhe 7 fëmijë e 17 nipër e mbesa që sot shkëlqejnë në rrugët e Evropës, duke dëshmuar se fara e lirisë dhe e dinjitetit nuk shuhet kurrë.