
Ndue Ukaj/
Sot lexova në mediat suedeze një tekst që fliste se si norvegjezët e mundën Suedinë në letërsi. Autorja e tekstit, Hanna Jedvik, e lidhte këtë me kushtet e punës së shkrimtarëve norvegjezë, në krahasim me ata suedezë, duke zbuluar kështu dallime që i ndajnë dy vendet si një humnerë.
Në këtë tekst, autorja suedeze tregonte se para disa javësh u shpallën fituesit e Çmimeve të Këshillit Nordik – çmime shumë prestigjioze – dhe se shumë suedezëve u mbeti goja hapur, sepse në të pesë kategoritë u shpallën fitues norvegjezë: në letërsinë artistike, letërsinë për fëmijë dhe të rinj, film dhe muzikë. Kjo ishte arsyeja që një drejtues i sektorit të kulturës në gazetën Expressen, Victor Malm, e kishte cilësuar këtë si një ngjarje “poshtëruese”.
Autorja e tekstit, Hanna Jedvik, duke mos u pajtuar me Malmin, shtjellon rrethanat që kanë çuar në këtë rezultat. Sipas saj, krijimi i artit me cilësi të lartë kërkon kohë. Ndonjëherë, shumë kohë. Shkrimi i një romani të mirëfilltë, eksperimentimi me forma të reja të shprehjes, deri në realizimin përfundimtar, kërkojnë si këmbëngulje, ashtu edhe kohë pune, thotë ajo. Për ta shpjeguar këtë realitet, ajo shtron një pyetje dhe më pas paraqet disa të dhëna:
“Mos vallë pikërisht këtu gjendet çelësi i sukseseve kulturore norvegjeze? Të paktën ta shqyrtojmë këtë mundësi. Një bursë shtetërore norvegjeze për punë krijuese, e destinuar për artistët, në vitin 2026 arrin në 342 193 korona norvegjeze në vit (rreth 365 000 korona suedeze, të konvertuara në euro, përafërsisht 36 mijë euro në vit). Kjo vlen si për shkrimtarët dhe artistët pamorë, ashtu edhe për kompozitorët dhe artistët e arteve skenike.”
Autorja, më tej, tregon se bursat mund të jepen deri në pesë vjet dhe paguhen çdo muaj, si të ardhura nga puna që i nënshtrohen tatimit. Ato llogariten edhe për përfitimin e kompensimit në rast sëmundjeje dhe rriten çdo vit. Kurse në Suedi realiteti është krejt ndryshe. Fondi Suedez i Shkrimtarëve ndan bursa njëvjeçare pune, në vlerë prej 70 000 deri në 100 000 koronash. Bursat trevjeçare arrijnë në 176 000 korona në vit, ndërsa ato pesëvjeçare në 186 000 korona në vit.
Këto krahasime tregojnë vetëm një aspekt të organizimit të jetës letrare në vende të ndryshme të Europës, ngaqë, siç dihet, kudo në Europë tregu i librit është shumë më i pasur, ka çmime letrare me vlera të mëdha dhe ka përkrahje për këtë aktivitet të bukur njerëzor nga shumë institucione, fondacione etj.
Por ta kontekstualizojmë këtë debat në realitetin shqiptar.
Pyetjes se cili është statusi i shkrimtarit shqiptar, pakkush mund t’i japë një përgjigje pozitive. Sepse politikat kulturore që zbatohen në shtetet shqiptare janë krejtësisht përçmuese për shkrimtarin. Nuk ka asnjë shkrimtar shqiptar që ndihmohet në forma siç ndodh në Europë.
Pse?
Politikat kulturore, nëse nuk e kanë qëllim të ndërgjegjshëm këtë përçmim, e kanë mendësi, ngaqë i frikësohen statusit të shkrimtarit, librit dhe mundësive që krijon ai për njerëzit. Pra, një fakt është i pamohueshëm: kudo në hapësirat shqiptare ka një raport negativ të institucioneve kulturore me punën e shkrimtarit. Ajo është një punë që as nuk çmohet, as nuk vlerësohet. Ajo që quhet ndihmë shtetërore për shkrimtarët në hapësirat shqiptare është një lloj lëmoshe poshtëruese, që nuk i siguron krijuesit asnjë hapësirë a mundësi për punë, asnjë mundësi që të punojë me këmbëngulje e durim. Madje, edhe ato pak fonde që jepen, shpërndahen mbi parime të ngushta, më shumë partiake, pra, pa ndonjë standard të mirëmenduar kulturor.
Thjesht, shkrimtari shqiptar është krijuesi më i përçmuar në hapësirat kulturore shqiptare, ndonëse kultura shqiptare përfitimet më të mëdha dhe më të dobishme i ka prej botës së letërsisë.
Letërsia shqipe dhe kombi shqiptar
“Gjuha është më e vjetër se shteti”, – thoshte nobelisti i letërsisë Josip Brodsky në ligjëratën e Nobelit, për të vazhduar se “…prozodia i mbijeton gjithmonë historisë”.
Pakkush e ndien më shumë se ne këtë të vërtetë.
Sepse, përgjatë shekujve të gjatë të sundimit e dhunës, kur nuk kishim shtet e ishim buzë humnerës, kishim gjuhën; kur nuk kishim institucione, kishim pak libra. Dhe falë këtij aktiviteti njerëzor, ndonëse i zhvilluar në kushte e rrethana tepër të rënda, u ruajt ekzistenca jonë kombëtare dhe u krijuan dy shtetet tona.
Pra, ishin gjuha, poezia e librat që bënë dritë në errësirën e madhe ku ishte katandisur kombi shqiptar.
Në zanafillën e saj, letërsia shqipe ka një frazë goditëse, por njëkohësisht edhe magjepsëse: “n’së të dashunisë së popullit tonë”.
Letërsia shqipe ka lindur për dashuni ndaj popullit, që ishte plandosur në mjerim, i rënduar nga mjegulla e robërisë dhe padijes. Më saktësisht, letërsia shqipe ka lindur si dashuni ndaj dijes e gjuhës, siç shkruanin Buzuku e Bogdani, dy themeltarë të kulturës letrare shqipe, për të vazhduar deri në kohët e sotme.
Letërsia është krijim, është dashuri, pra është eros, prej së cilës krijohen botë, botë të gjuhës, kufijtë e së cilës çdo brezni i zgjeron duke shkruar për temat aktuale, duke evokuar kujtesën e duke regjistruar ato ndjesi e të vërteta që nuk i regjistron historia.
Le të kthehemi edhe një herë te burimi i parë i letërsisë shqipe, që ishte dashuria. Kjo dashuri, tek autorët e parë, u shfaq si dashuri e kryqëzuar: horizontale e vertikale. Një dashuri që tokësoren e lidhte me qielloren. Kjo për arsye se krijuesit e parë shqiptarë ishin njëherësh njerëz të besimit, priftërinj.
Pas kësaj periudhe të mesjetës shqiptare, shfaqet Rilindja Kombëtare. Shkrimtarët shqiptarë, kryesisht në diasporë, u bënë apostuj të ideve kulturore – njëkohësisht edhe të ideve politike – duke formësuar kështu edhe platformën për çlirim, liri e pavarësi. E gjithë Rilindja Kombëtare përshkohej nga një frymë e thellë emancipimi, përmes unitetit gjuhësor e idesë kulturore që kishte mbjellë letërsia. Ishte Naim Frashëri që predikonte dritën në atë errësirë, me vargjet goditëse:
“Në mes tuaj kam qëndruar/e jam duke përvëluar,/që t’u ap pakëzë dritë,/natënë t’ua bënj ditë.”
Ç’ishte kjo natë që poeti donte t’ua bënte dritë shqiptarëve?
Ishte nata e robërisë, e territ të robërisë, të cilën Naimi, ashtu sikurse edhe sivëllezërit shkrimtarë, donte ta kthente në dritë.
Pra, letërsia shqipe, si aktiviteti më i hershëm i kulturës kombëtare dhe njëkohësisht i kujtesës kulturore, ishte mburoja kryesore kundrejt robërisë, errësirës, shtypjes, por edhe nxitësja kryesore për liri, çlirim e emancipim. Dhe ajo që quhet “kujtesë kulturore”, le të themi, një lloj institucioni ku jetësohet e kaluara dhe ruhet në forma e simbole që mund të barten nga një brez në tjetrin, te ne formën më përfaqësuese dhe më të gjallë e ka gjetur te letërsia.
Pra, nuk ka ndonjë aktivitet tjetër njerëzor që t’i ketë shërbyer më shumë historisë sonë kulturore sesa letërsia, që nga zanafilla e saj deri në kohët tona, me shkrimtarin më përfaqësues të letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë.
Sikurse Rilindja Kombëtare, që ishte një lëvizje në thelb kulturore, me ideale kulturore, edhe lëvizja e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, në fund të shekullit të kaluar, në thelb ishte lëvizje kulturore, emancipuese, me prijës njeriun e librit, kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën.
Shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa thotë se “një shoqëri pa letërsi, ose një shoqëri në të cilën letërsia është lënë – si një ves i fshehur – në margjinat e jetës shoqërore dhe personale, dhe është transformuar në diçka si një kult sektar, është një shoqëri e dënuar të bëhet shpirtërisht barbare, dhe madje të rrezikojë lirinë e saj”.
A rrezikon shoqëria jonë të bëhet shpirtërisht barbare?
A po e rrezikon lirinë?
Mos vallë ajo që thoshte Kadare, se shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence, po vazhdon tani të shfaqet në një trajtë tjetër?