
Prof. Enriketa Papa/
Më poshtë,dy faqe nga gazeta e Grazit, Grazer Tagblatt, e 2 dhjetorit 1912, e cila ilustron përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi nga Perandoria Osmane me një hartë të shtetit shqiptar të synuar, si dhe me një portret të Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit. Ilustrimet shoqërohen me lajme të hollësishme mbi zhvillimet e vrullshme në Ballkan, në kontekstin e Luftës Ballkanike, qëndrimet e Fuqive të Mëdha dhe presionet e ushtruara si ndaj Perandorisë Osmane, ashtu edhe ndaj shteteve ballkanike.
Gazeta, duke iu referuar një sërë burimesh nga agjenci lajmesh dhe organe të shtypit evropian, pasqyron gjithashtu bashkërendimin e qëndrimeve të Italisë dhe Austro-Hungarisë në mbështetje të çështjes shqiptare, si dhe fatet e popujve të Ballkanit në këtë përplasje të madhe për dominim dhe ekspansion territorial në kurriz të njëri-tjetrit.
Vetëm 4 ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, gazeta austriake Grazer Tagblatt botonte një sërë lajmesh mbi çështjen shqiptare, pretendimet territoriale të Serbisë, kandidaturat për fronin shqiptar, qëndrimin e arbëreshëve të Italisë, rrethimin e Shkodrës dhe zhvillimet që lidheshin me Ismail Qemalin.
Në gazetë pasqyrohet atmosfera politike dhe diplomatike e atyre ditëve, kur shpallja e Pavarësisë realizoi vullnetin politik të shqiptarëve, teksa njohja ndërkombëtare, përcaktimi i kufijve dhe e ardhmja e shtetit shqiptar mbeteshin ende çështje të hapura.
Më poshtë lajmet mbi ndodhitë e post-pavarësisë qënë gazetë përmendet si “autonomi”, duke qenë ende ngjarje në zhvillim e sipër.![]()
Grazer Tagblatt, Abend-Ausgabe (botimi i mbrëmjes), e hënë, 2 dhjetor 1912, viti XXII, nr. 333.
𝐀𝐬𝐧𝐣ë 𝐢𝐥𝐮𝐳𝐢𝐨𝐧! (𝐍𝐮𝐫 𝐤𝐞𝐢𝐧𝐞 𝐓ä𝐮𝐬𝐜𝐡𝐮𝐧𝐠!)
Për sa i përket autonomisë së Shqipërisë, Serbia do t’u nënshtrohet dëshirave unanime të Evropës, por, në kundërshtim me këtë, do të këmbëngulë me vendosmëri në zotërimin e një porti shqiptar në Adriatik. Edhe në këtë çështje ndodhemi përpara një konkretizimi dhe, rrjedhimisht, përpara një acarimi të konfliktit.
Kostandinopojë, 1 dhjetor.
Në pikën e katërt të protokollit të armëpushimit përcaktohet:
Fortesat e rrethuara të Adrianopojës dhe Shkodrës do të furnizohen me ushqime gjatë 14 ditëve dhe do të marrin çdo ditë racione ushqimore për ditën përkatëse.
𝐍𝐞𝐠𝐨𝐜𝐢𝐚𝐭𝐚𝐭 𝐞 𝐩𝐚𝐪𝐞𝐬 (𝐃𝐢𝐞 𝐅𝐫𝐢𝐞𝐝𝐞𝐧𝐬𝐯𝐞𝐫𝐡𝐚𝐧𝐝𝐥𝐮𝐧𝐠𝐞𝐧)
Paris, 1 dhjetor.
Gazeta „Temps“ boton nga një burim gjysmëzyrtar njoftimin e mëposhtëm:
Në vija të përgjithshme janë përcaktuar kushtet e paqes, sipas të cilave Turqia thuhet se është e gatshme të lidhë paqe me Aleancën Ballkanike.
Maqedonia fiton autonominë me Selanikun si kryeqytet. Edhe Shqipëria bëhet autonome, por një pjesë e saj i jepet Malit të Zi. Të dyja vendet autonome vendosen nën sovranitetin e shteteve ballkanike. Si kusht përfundimtar figuron hyrja e Turqisë në Aleancën Ballkanike.
𝐊ë𝐫𝐜ë𝐧𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐪𝐞𝐬 𝐧𝐠𝐚 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐚 (𝐃𝐢𝐞 𝐁𝐞𝐝𝐫𝐨𝐡𝐮𝐧𝐠 𝐝𝐞𝐬 𝐅𝐫𝐢𝐞𝐝𝐞𝐧𝐬 𝐝𝐮𝐫𝐜𝐡 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐞𝐧)
Rusia nuk ka bërë asnjë deklaratë në Vjenë.
Berlin, 1 dhjetor.
Përfaqësuesi në Vjenë i gazetës „Vossische Zeitung“, në bazë të informacioneve nga qarqe kompetente, deklaron se lajmi, sipas të cilit Rusia kishte njoftuar zyrtarisht në Vjenë se nuk i mbështeste më kërkesat e Serbisë lidhur me Shqipërinë dhe një port në Adriatik, është krejtësisht i pasaktë. Në qarqet kompetente nuk dihet asgjë për këtë.
𝐙ë𝐫𝐚 𝐪𝐞𝐭ë𝐬𝐮𝐞𝐬 𝐧𝐠𝐚 𝐏𝐞𝐫𝐚𝐧𝐝𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐆𝐣𝐞𝐫𝐦𝐚𝐧𝐞 (𝐁𝐞𝐬𝐜𝐡𝐰𝐢𝐜𝐡𝐭𝐢𝐠𝐞𝐧𝐝𝐞 𝐒𝐭𝐢𝐦𝐦𝐞𝐧 𝐚𝐮𝐬 𝐝𝐞𝐦 𝐃𝐞𝐮𝐭𝐬𝐜𝐡𝐞𝐧 𝐑𝐞𝐢𝐜𝐡𝐞)
Këln, 1 dhjetor.
Gazeta „Kölnische Zeitung“ njofton nga Beogradi:
Çështja e autonomisë së Shqipërisë tashmë është hequr nga negociatat, pasi Serbia pranon pikëpamjen e Evropës dhe të Austrisë se autonomia duhet të jepet. Lidhur me çështjen e diskutueshme të portit, ka të ngjarë të arrihet gjithashtu një marrëveshje.
𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐚 (𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧𝐢𝐞𝐧): 𝐊𝐚𝐧𝐝𝐢𝐝𝐚𝐭ë 𝐩ë𝐫 𝐟𝐫𝐨𝐧𝐢𝐧 𝐩𝐫𝐢𝐧𝐜ë𝐫𝐨𝐫 (𝐊𝐚𝐧𝐝𝐢𝐝𝐚𝐭𝐞𝐧 𝐟ü𝐫 𝐝𝐞𝐧 𝐅ü𝐫𝐬𝐭𝐞𝐧𝐭𝐡𝐫𝐨𝐧)
Berlin, 1 dhjetor.
Gazeta „Lokalanzeiger“ njofton se Shqipëria pritet të fitojë autonominë nën princin Mexhid.
Beograd, 1 dhjetor.
Sipas një njoftimi të gazetës „Tribuna“, udhëheqësi i shqiptarëve myslimanë, Dervish Kamil (Dervish Hima), po agjiton në favor të kandidaturës së princit Karol të Rumanisë për fronin princëror të Shqipërisë së pavarur.
𝐍𝐣ë 𝐬𝐮𝐥𝐦 𝐧𝐝𝐚𝐣 𝐟𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫 𝐧ë 𝐃𝐮𝐫𝐫ë𝐬 (𝐄𝐢𝐧 𝐀𝐧𝐬𝐜𝐡𝐥𝐚𝐠 𝐚𝐮𝐟 𝐝𝐢𝐞 𝐚𝐥𝐛𝐚𝐧𝐢𝐬𝐜𝐡𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐠𝐠𝐞 𝐢𝐧 𝐃𝐮𝐫𝐚𝐳𝐳𝐨)
Beograd, 1 dhjetor.
Sipas njoftimeve të gazetave, në Durrës, flamuri kombëtar shqiptar, i cili ishte ngritur mbi ndërtesën qeveritare, është hequr me forcë dhe vjedhur nga autorë të panjohur.
Kur trupat serbe hynë në Durrës, udhëheqësit e shqiptarëve u arratisën në anijet që ndodheshin në port.
𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë𝐭 𝐞 𝐈𝐭𝐚𝐥𝐢𝐬ë 𝐩ë𝐫 𝐩𝐚𝐯𝐚𝐫ë𝐬𝐢𝐧ë 𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐬ë (𝐃𝐢𝐞 𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧𝐞𝐫 𝐈𝐭𝐚𝐥𝐢𝐞𝐧𝐬 𝐟ü𝐫 𝐝𝐢𝐞 𝐔𝐧𝐚𝐛𝐡ä𝐧𝐠𝐢𝐠𝐤𝐞𝐢𝐭 𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧𝐢𝐞𝐧𝐬)
Romë, 1 dhjetor.
Agjencia Stefani njofton: Kryeministrit Giolitti dhe markezit di San Giuliano u kanë mbërritur telegrame nga të gjitha kolonitë shqiptare në Italinë e Jugut, në të cilat ato shprehen në mënyrën më të zjarrtë në favor të pavarësisë së Shqipërisë dhe protestojnë kundër një copëtimi të mundshëm të saj.
Përfaqësuesit e shqiptarëve në Sicili, të cilët u mblodhën sot në Palermo, shprehën dëshirën që qeveria, besnike ndaj traditave të saj liberale, të mbronte të drejtat e paprekshme të popullit shqiptar dhe integritetin e territorit shqiptar, në të cilin ushtritë e shteteve ballkanike kishin depërtuar duke shkelur pikërisht ato parime, mbi bazën e të cilave vetë këto shtete kishin mundur të konstituoheshin si kombe të pavarura.
𝐌𝐚𝐥𝐢 𝐢 𝐙𝐢 𝐤𝐮𝐧𝐝ë𝐫 𝐧𝐣ë 𝐩𝐨𝐫𝐭𝐢 𝐬𝐞𝐫𝐛 𝐧ë 𝐀𝐝𝐫𝐢𝐚𝐭𝐢𝐤 (𝐌𝐨𝐧𝐭𝐞𝐧𝐞𝐠𝐫𝐨 𝐠𝐞𝐠𝐞𝐧 𝐞𝐢𝐧𝐞𝐧 𝐀𝐝𝐫𝐢𝐚𝐡𝐚𝐟𝐞𝐧 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐞𝐧𝐬)
Romë, 1 dhjetor.
Gazetës „Giornale d’Italia“ i raportohet nga Tivari:
Nga ana malazeze vihet re një pakënaqësi e madhe për shkak të vrullit me të cilin Serbia parashtron kërkesën e saj, të pajustifikueshme me asgjë, për një port dhe një korridor drejt Adriatikut.
Mbreti Nikolla nuk është aspak i prirur të mbështesë kërkesën e Serbisë për një port në Adriatik.
𝐓𝐮𝐫𝐪𝐢𝐚 – 𝐗𝐡𝐨𝐧𝐭𝐮𝐫𝐪𝐢𝐭 𝐤ë𝐫𝐜ë𝐧𝐨𝐣𝐧ë 𝐬𝐮𝐥𝐥𝐭𝐚𝐧𝐢𝐧 (𝐓ü𝐫𝐤𝐞𝐢. 𝐃𝐢𝐞 𝐉𝐮𝐧𝐠𝐭ü𝐫𝐤𝐞𝐧 𝐝𝐫𝐨𝐡𝐞𝐧 𝐝𝐞𝐦 𝐒𝐮𝐥𝐭𝐚𝐧)
Berlin, 2 dhjetor.
Siç njofton gazeta „Morgenpost“ nga Kostandinopoja, sulltani thuhet se gjatë ditëve të fundit ka marrë nga Gjeneva një letër kërcënuese, të cilën e kanë nënshkruar Ahmed Riza, Xhavidi dhe Ismail Qemali.
Në të, ata i kujtojnë sulltanit betimin e tij ndaj kushtetutës dhe mirënjohjen që u detyrohet xhonturqve.
Çështja e komplotit xhonturk thuhet se u detyrohet vetëm intrigave të Qamil Pashës, me pikëpamje reaksionare. Ata e këshillojnë sulltanin që tani të përdorë autoritetin e tij fetar si kalif dhe, nëpërmjet një dekreti, t’u bëjë thirrje të gjithë myslimanëve të Azisë dhe Afrikës për luftë të shenjtë. Të dërguarit e tyre thuhet se kishin kryer tashmë përgatitje të mëdha deri në Indi.
Xhonturqit presin rrëzimin e Qamilit dhe rivendosjen e një kabineti kushtetues. Përndryshe, ngjarjet në Kostandinopojë do ta befasojnë sulltanin.
Këto fjalë thuhet se nuk përbëjnë një kërcënim të zbrazët, pasi xhonturqit kanë ende shumë përkrahës të vendosur në ushtri dhe në radhët e klerit, të cilët e kuptojnë plotësisht veprimtarinë reaksionare të Qamilit.
𝗥𝗿𝗲𝘁𝗵𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗦𝗵𝗸𝗼𝗱𝗿ë𝘀 (𝗗𝗶𝗲 𝗕𝗲𝗹𝗮𝗴𝗲𝗿𝘂𝗻𝗴 𝘃𝗼𝗻 𝗦𝗸𝘂𝘁𝗮𝗿𝗶)
Rjeka, 1 dhjetor.
Siç njoftohet nga shtabi i përgjithshëm në Grudë, bombardimi i Shkodrës zgjati dje dy orë. Predha të rënda ranë në mes të qytetit dhe shkaktuan, pa dyshim, dëme të mëdha. Sot në mëngjes, në kushte të favorshme atmosferike, operacioni rifilloi. Mbreti shkoi pranë trupave, ku ushtron personalisht komandën. Morali i ushtarëve është i shkëlqyer.
Rjeka, 30 nëntor.
Mbreti, i shoqëruar nga princi trashëgimtar Danilo, i cili është shëruar nga shqetësimet e tij shëndetësore, ka mbërritur në shtabin e përgjithshëm në Grudë.
Mbreti u drejtoi trupave një fjalim, në të cilin lavdëroi trimërinë dhe moralin e mirë të ushtarëve dhe i nxiti që të vazhdonin t’u qëndronin besnikë traditave të vjetra luftarake të malazezëve.
Pasditen, mbreti inspektoi pozicionet dhe dha urdhrat përkatës lidhur me vendosjen e kolonave sulmuese. Bombardimi i Shkodrës me bateri të rënda u zhvillua po gjatë pasdites.
Rjeka, 1 dhjetor, në mbrëmje.
Shkodra po bombardohet fuqishëm. Reshjet e dendura të shiut pengojnë përparimin.
𝐋𝐮𝐟𝐭𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐬𝐞𝐫𝐛𝐨-𝐭𝐮𝐫𝐤𝐞 (𝐃𝐢𝐞 𝐬𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐜𝐡-𝐭ü𝐫𝐤𝐢𝐬𝐜𝐡𝐞𝐧 𝐊ä𝐦𝐩𝐟𝐞)
Beograd, 1 dhjetor.
Siç njoftohet zyrtarisht, Elbasani është marrë nga trupat serbe pa luftime.
⸻
Burimi: Grazer Tagblatt, Abend-Ausgabe, 22. Jahrgang, Nr. 333, Montag, 2. Dezember 1912, Fq. 1-4, 6-7.
Österreichische Nationalbibliothek