
Përgatiti mësuese, Fabjola (Gjinaj) Marku/
28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë është një datë e rëndësishme historike që bashkon shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve. Kjo ditë e shënuar për kombin shqiptar bashkoi vatranët, prindërit dhe nxënës e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” New York, si dhe bashkatdhetarë shqiptarë, për të celebruar Ditën e Flamurit në Long Island, N.Y. Aktiviteti u hap me Himnin e Flamurit të Amerikës dhe më pas me Himnin e Shqipërisë.
Kryetari i “Vatrës” Long Island dr. Paulin Marku ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, vatranëve, prindërve dhe mësueseve për të festuar një nga ditët më të shënuara të historisë sonë kombëtare – 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në ligjëratën e tij përmendi vuajtjet, sakrificat dhe betejat e shqiptarëve me një udhëtim të gjatë dhe të vështirë për të fituar Pavarësinë e Shqipërisë. Ai pohoi se shqiptarët luftuan për shekuj me radhë për mbrojtjen e tokave dhe çlirimin e tyre, por në Lidhjen e Prizrenit mbajtur në qershorit 1878 krerët shqiptar u organizuan me vendosmëri e përkushtim si në aspektin politik kombëtar dhe luftarak për të ndaluar copëtimin e viseve shqiptare dhe për të kërkuar të drejtat e tyre.
Pavarësia e Shqipërisë u realizua fatmirësisht me 28 Nëntor 1912 dhe Vlora bashkoi shqiptarët nga të gjitha krahinat. Ismail Qemali ngriti flamurin i rrethuar nga patriot të shumtë që për shekuj kishin ëndërruar Pavarësinë e Shqipërisë. Ne duhet të kujtojmë me nder dhe përulësi dëshmorët e atdheut, sakrificat e tyre dhe gjithçka ata bënë që të gëzojmë një Shqipëri të Lirë dhe të Pavarur. Në mbyllje theksoi edhe rolin e “Vatrës” në procesin e Shtet formimit dhe në bashkimin e komunitetit shqiptar të Amerikës dhe rëndësinë që shkollat shqipe kanë për lëvrimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe ndër breza, sidomos në mërgatë.
Prof. Dr. Luigj Gjoka përshëndeti të pranishmit dhe u ndal në rëndësinë e Pavarësisë së Shqipërisë dhe suksesin e shqiptarëve nëpër botë. Ndër të tjera, shprehu mirënjohje për shkollën “Gjergj Fishta” duke u ndalur në suksesin e arritur më nxënësit në mësimin e gjuhës shqipe dhe inkurajoi prindërit që të vazhdojnë traditën dhe të përcjellin vlerat dhe kulturën shqiptare në diasporë. Në mbyllje falënderoi stafin e shkollës për suksesin e arritur me nxënësit të cilët sot, recitojnë, këndojnë e kërcejnë valle shqiptare.
Aktiviteti u prezantua nga nxënëset e Shkollës “Gjergj Fishta” N.Y. Alisia Durra & Klea Bilali.
Programi artistik filloi me këngë kushtuar bukurisë së Arbërisë me këngën “Moj e bukura Arbëri — këndoi, Emeli Marku; Me vargjet e Naim Frashëri që gjallërojnë malet, fushat, natyra dhe dashuria për vendlindjen. Pjesë nga “Bagëti e Bujqësi” — recitoi Wendy Bilali; Me këngën kushtuar dy figurave që simbolizojnë trimërinë dhe krenarinë shqiptare “Jemi Ilira, jem Teuta —kënduan Bora & Parta Loxha; Me poezinë, Flamuri ynë — recitoi Kamila Marku; Le ta kujtojmë këtë ditë të madhe përmes këngës, “28 Nëntori”— këndoi, Ajla Durra; Traditat tona nuk ruhen vetëm në kujtime; ato jetojnë në lëvizjet, ritmet dhe gëzimin që përcillet nga brezi në breza me këngën Albulena performuan nxënësit e shkollës shqipe; Historia jonë ka edhe faqe të dhimbshme, të shkruara me sakrifica dhe me mallin e nënave që pritën bijtë e tyre. Një poezi prekëse që na fton të kujtojmë dhe të ndiejmë. Kërkon nëna bijtë e humbur — recitoi, Alisia Durra; Atdheu është vendi ku ruhen kujtimet tona më të dashura, por edhe ndjenja që na shoqëron kudo në jetë.
Përmes këngës na përcjell dashurinë për vendlindjen, Vendi im —këndoi, Wendy Bilali; Atdheu nuk është vetëm një emër. Është kujtim, mall, gjuhë dhe dashuri që nuk njeh largësi. Me poezinë “Atdheu im”, recitoi Parta Loxha; Shqipëria është si një nënë që i mban gjithmonë bijtë e saj në zemër, kudo që ata të jetojnë. Këtë dashuri do ta përcjellë Uarda Bilali me këngën “Shqipëri, o nëna ime”; Fjala atdhe mbart brenda saj shumë ndjenja: dashuri, mall, kujtime dhe krenari. Secili prej nesh e përjeton në mënyrën e vet Ajla Durrën me poezi në “Atdheu”. Vallja shqiptare është një gjuhë më vete. Në çdo hap e në çdo ritëm ruhet një copëz e trashëgimisë sonë. Vallen tradicionale “Baresha”, interpretuan nxënëset e shkollës tonë; Kënga popullore është një pasqyrë e shpirtit shqiptar. Këngën “Çka zogu që po qan”, këndoi Klea Bilali; Poezinë “Flamuri ynë”- recitoi Bora Loxha; Fëmijët janë shpresa dhe vazhdimësia e gjuhës e kulturës sonë.
Me poezinë “Të vegjlit”- recitoi, Uarda Bilalin; Dashuria për atdheun nuk njeh kufij. Me këtë mesazh të bukur, kënduan “Duaje atdheun tënd”- Alisjen dhe Ajla Durrën; Ka vargje që nuk plaken kurrë dhe poetë që me penën e tyre i dhanë zë dashurisë për Shqipërinë. poezinë e Naim Frashërit “Ti Shqipëri më jep nder”- recitoi Aron Domi; Me këngën “Vendi im” përformoi- Anna Marku; Të duash atdheun do të thotë të ruash gjuhën, të respektosh traditat dhe t’ua përcjellësh ato brezave që vijnë. Me këngën, Zemra rreh për Shqipërinë — kendoi, Kamila Marku; Gjuha është shtëpia e shpirtit të një kombi dhe na ndihmon të mos harrojmë kurrë se kush jemi. Me vargjet e poetit të madh Gjergj Fishta “Gjuha Shqipe” — recitoi, Emeli Marku; Dashuria për atdheun jeton në çdo fjalë shqip, në këngë, në valle dhe në flamurin kuq e zi që valëvitet krenar, Vallja e Tropojës — performuan nxënësit e shkollës; Çdo krahinë shqiptare ka historinë, zakonet dhe këngët e saj. Ato janë pjesë e pasurisë sonë kulturore dhe e krenarisë sonë kombëtare. Me këngën Jam Drenicë, jam Dukagjin — kënduan Bora & Parta Loxha.
Në mbyllje të koncertit prezantueset falënderuan të gjithë vatranët për mbështetjen dhe për ruajtjen e identitetit tone kombëtar. Po ashtu, falënderuan edhe prindërit për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Ne jemi larg atdheut, por jo larg rrënjëve tona falë mësueseve tona të dashura, profesor Paulinit, mësuese Fabjolës dhe mësuese Dorinës, të cilët punojnë me përkushtim çdo javë për të na mësuar gjuhën amtare, historinë kombëtare dhe vlerat kulturore shqiptare pranë shkollës “Gjergj Fishta” New York.
Mesuese Fabjola përshëndeti të pranishmit dhe uroj Ditën e Flamurit. Ndër të tjera, ajo shprehu mirënjohje ndaj prindërve dhe komunitetit shqiptar të Long Island dhe solli në vëmendje sakrificën dhe përkushtimin për ruajtjen e gjuhës kombëtare. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por i madh në histori, në bukuri dhe në krenari. Ajo jeton në zemrat tona, kudo që ndodhemi. Ndaj secili prej nesh ka detyrë kombëtare të ruajë dhe trashëgojë ndër breza vlerat kombëtare, “Një popull që nuk trashëgon gjuhën dhe traditat është i predispozuar drejt asimilimit”. Në mbyllje shprehu mirënjohje për mësuese Dorinë për angazhimin në shkollën shqipe dhe ftoi komunitetin të sjellin fëmijët pranë shkollës për të mësuar falas pranë shkollës shqipe. Ju uroj Gëzuar Pavarësisë e Shqipërisë!
Mësuese Dorina uroj Festën e Pavarësisë dhe u shpreh se profesioni dhe detyra e çdo arsimtare të jap kontributin e ruajtjes së gjuhës e vlerave shqiptare në emigracion. Shkolla shqipe është një mundësi për të bashkuar komunitetin, fëmijët dhe çdo shqiptar në diasporë. Edhe pse jetojmë larg atdheut, Shqipërinë e mbajmë pranë në gjuhën që flasim, në këngët që këndojmë dhe në traditat tona. Ajo uroi Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë dhe përgëzoi nxënësit për përformancën e tyre dhe falënderoi prindërit për bashkëpunim me shkollën shqipe.
Një mikeshë e shkollës shqipe, Denisa Karaçi ju uroi Pavarësinë e Shqipërisë dhe falënderoi shkollën Gjergj Fishta për kontributin dhe vazhdimësinë në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare në diasporë. Ajo solli një moment prekës bisedën me fëmijët e saj, të veshur me kostume kombëtare, të cilët e kishin pyetur nëse po udhëtonin për në Shqipëri?!- përgjigjja e saj ishte se aty ku ka shqiptarë është një copëz Shqipëri, ne po shkojmë në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” ku recitohet, këndohet e mbi të gjitha flitet shqip.
Prindërit e shkollës shqipe shtruan katering me gatime tradicionale shqiptare përgatitur me përkushtim dhe ushqime të bollshme për të gjithë të pranishmit. Festa vazhdoi deri vonë me muzikë dhe valle popullore.
“Vatra” Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York urojnë Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!
Rroftë Shqipëria! Rroftë kombi shqiptar! Lavdi e mirënjohje përjetë atyre që sakrifikuan për Lirinë dhe Pavarësinë tonë!
27 Nëntor 2026, Long Island, New York