
Të nderuara vatrane, të nderuar vatranë,
Të dashur bashkatdhetarë dhe miq,
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, ju uroj Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Sot nderojmë ata që ngritën flamurin në Vlorë dhe të gjithë ata që punuan e sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Vatra e ushtron këtë mision gjatë gjithë vitit. Ne zhvillojmë takime me përfaqësues të institucioneve amerikane në të gjitha nivelet, nga ai federal te ai shtetëror dhe vendor. Në këto takime afirmojmë çështjen shqiptare, përcjellim shqetësimet e bashkëkombësve tanë dhe punojmë për të forcuar miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kushtet e sotme, ky angazhim kërkon edhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vetë shqiptarëve. Vatra nxit bashkëpunimin në të gjitha fushat me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, me përfaqësuesit shqiptarë në Shkup, Tuz e Ulqin, në Luginën e Preshevës dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Nga arsimi e kultura te ekonomia dhe investimet, diaspora jonë mund të lidhë njerëz e institucione dhe ta bëjë këtë bashkëpunim konkret. Me veprimtaritë tona kulturore i afrojmë brezat e diasporës. Përmes Enciklopedisë së Vatrës ua përcjellim atyre historinë e kontributit shqiptar në Amerikë.
Vatra ruan pavarësinë e saj politike, mban qëndrim neutral ndaj partive dhe nuk ndërhyn në politikën e përditshme në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare. Dyert tona janë të hapura për bashkëpunim me të gjithë ata që duan t’i shërbejnë interesit kombëtar. Vatra angazhohet për stabilitet politik e institucional dhe për konsensus kombëtar. I ftoj përfaqësuesit e gjithë spektrit politik në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare të bashkëpunojnë për çështjet që na bashkojnë dhe ta forcojnë, me punë të përbashkët, partneritetin me Amerikën. Interesi kombëtar i shqiptarëve mbetet përparësia që udhëheq çdo angazhim të Vatrës.
Urime Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!
Zoti i bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë!
Zoti e bekoftë Amerikën!