
Më 29 nëntor 2022, Komiteti Ndërqeveritar i UNESCO-s vendosi të përfshijë dijen dhe mjeshtërinë e punimit të xhubletës, si dhe përdorimin e saj, në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që ka nevojë për mbrojtje urgjente.
Ky vendim u mor gjatë seancës së shtatëmbëdhjetë të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, e cila u zhvillua në Rabat të Mbretërisë së Marokut (28 nëntor – 3 dhjetor 2022).
Vendimi shënoi një moment të rëndësishëm për kulturën shqiptare, duke vlerësuar një nga dëshmitë më të veçanta të trashëgimisë sonë etnografike. Xhubleta, veshje tradicionale e grave e ruajtur ndër shekuj kryesisht në trevat malore të Shqipërisë së Veriut, përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme mjeshtërie, simbolesh dhe kujtese kulturore.
Përfshirja në UNESCO erdhi si rezultat i një pune të gjatë kërkimore, dokumentuese dhe institucionale, ku kontribut të rëndësishëm dhanë studiuesit e etnografisë, institucionet e trashëgimisë kulturore dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes ekspertizës shkencore dhe mbështetjes së procesit të nominimit.
Në këtë përvjetor kujtojmë rëndësinë e ruajtjes, studimit dhe përcjelljes së kësaj trashëgimie unike te brezat e rinj, si një pjesë e identitetit kulturor shqiptar dhe e trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit.