
Virgjil Kule/
Ishte 28 Nëntori i vitit 1443, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti ngriti për herë të parë flamurin kuqezi, duke thënë fjalët që do të përcillnin jehonën e tyre në shekuj: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush”.
Pikërisht atë flamur të Skënderbeut, më 28 Nëntor 1912, 40 burra të ndritur të kombit e ngritën në Vlorë, pasi nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Ata ishin: Ismail Qemal Bej Vlora, Dom Nikoll Kacorri, Vehbi Dibra Agolli, Babë Dudë Karbunara, Elmaz Boce, Veli Harci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani, Aristidh Ruci, Abdi Toptani, Abaz Dilaver Celkupa, Mid’hat Frashëri, Shevqet Dajiu, Zihni Abaz Kanina Hamzaraj, Xhelal Koprëncka, Hajredin Cakrani, Qemal Karaosmani Elbasani, Iljaz Vrioni, Sali Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja Emanoil, Dhimitër Zografi, Murad Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiridon Ilo, Tahnas Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, Myrteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Merlika Kruja, Ferit Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa, Zyhdi Ohri.
“Në Vlonë, më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912”, ata vendosën firmat e tyre nën një tekst konciz të shkruar aty për aty “pas fjalëve të mbajtura nga kryetari Ismail Kemali Beu mbi rreziqet e mëdha dhe mjerimet në të cilat ndodhej Shqipëria”.
Citoj tekstin: “Shqipëria më sot të bahet në vete, e lirë dhe e mosvarme”.
Rrallë për të mos thënë asfare përmendet e plotë lista e firmëtarëve të pavarësisë sigurisht për shkak të zhvillimeve politike të mëvonshme, kur politikat e ditës krijuan preferenca diskriminuese ndaj biografive të tyre. Kjo nuk ka qenë as e drejtë moralisht dhe as e pranueshme shkencërisht. Kur shkruajmë historinë e një ngjarjeje madhore personazhet kyce të saj duhen vlerësuar në kontekstin e momentit kur ka ndodhur ngjarja. Dhe ngjarja ka qenë aq madhore sa nuk mund të ndodhte pa pjesmarrjen e njerëzve me kulturë të gjerë, me shpirt të madh e me ideale sublime. Në një kor firmash ata njëzëri iu drejtuan botës: “Shqipëria më sot të bahet në vete, e lirë dhe e mosvarme”!
Fjalët e deklaratës së pavarësisë, sado solemne që tingëllojnë, do të mbeteshin të shurdhëta në rast se nuk do të kishin poshtë tyre elementin jetësor, firmat e atyre burrave që patën ndërgjegjen dhe guximin jo vetëm për t’i shpallur ato fjalë botërisht, por edhe për të luftuar për zbatimin e tyre duke qenë të gatshëm të sakrifikonin gjithcka: reputacionin personal, pasurine dhe jetën.
Në ato momente aq të vështira për fatet e kombit tonë, ata fiksuan në histori një akt madhor trimërie, heroizmi dhe largpamësie politike. Vendosja e firmës në dokumentin e pavarësimit të Shqipërisë kërkonte që secili prej tyre të tejkalonte me guxim hezitimin e natyrshëm që krijohet gjatë situatave politike tejet të paqarta duke zënë një pozicion të mirëpërcaktuar – armik i Portës së Lartë. Por jo vetwm. Ata u vetshpallën edhe armiq të të gjithë shovinistëve fqinjë që mezi prisnin ta zhduknin shqiptarinë si farë e si truall. Këta burra rridhnin nga familjet më të pasura, kishin tituj, cifliqe dhe kariera të realizuara nëpër Europë e në Perandorinë Otomane. Të gjitha këto ata i lanë peng në shkëmbim të rrezikut, të plumbit të tradhëtisë ose edhe të varrit pa emër. Dhe për ironi të fatit, boja e zezë me të cilën ata hodhën firmat u kthye në dënim me vdekje, persekutim dhe tragjedi personale për shumicën prej tyre si psh:
Luigj Gurakuqi, mendja gjeniale e financave dhe arsimit, që dhuroi çdo qindarkë për shtetin e ri, u vra pabesisht në rrugët e Barit në Itali. Kur mjekët ligjorë kontrolluan xhepat e xhaketës së tij, gjetën vetëm dy monedha të vogla. Vdiq në varfëri ekstreme njeriu që i dha pasuri shpirtërore një kombi.
Lef Nosi, njeriu erudit që ruajti me xhelozi dokumentin origjinal të Pavarësisë, u arrestua pas Luftës së Dytë Botërore, u quajt tradhtar dhe u pushkatua. Trupi i tij u hodh në një varr pa emër, ndërsa emri i tij u tentua të fshihej nga kujtesa kolektive.
Shefqet Daiu, avokati që daktilografoi me duart e veta tekstin e Deklaratës, ndërroi jetë në vitin 1946 nën tortura çnjerëzore në qelitë e burgut komunist.
Sheh Ibrahim Karbunara, kleriku patriot që bekoi flamurin, u pushkatua barbarisht së bashku me të birin.
Dom Nikollë Kaçorri, nënkryetari i parë i qeverisë së Ismail Qemalit, vdiq në mërgim në Vjenë, i sëmurë dhe i harruar….etj.
Për brezat që pasuan, firmëtarët e pavarësisë dhanë leksionin e parë të patriotizmit modern, të angazhimit serioz e vetmohues për kryerjen e detyrës më kryesore ndaj atdheut – pavarësimit të tij. Mes tyre, spikati zëri, financimi dhe shpirti i diasporës shqiptare në Bukuresht, Boston, Kajro e Stamboll duke e bërë diasporën shtyllen kurrizore të mbijetesës sonë kombëtare.
Valët e mërgimit na kanë shpërndarë në dhera të huaj e nëpër rrugë të largëta, por asnjë distancë gjeografike nuk ka pas forcë ta shuajë atë që etërit e pavarësisë e shënuan në kodin tonë gjenetik: dashurinë e pakushtëzuar për flamurin kuqezi. Për më tepër, falë zhvillimeve të teknologjive të komunikimit, sot atdheun e kemi fare pranë. Me një klikim marrim vesh gjithcka që ndodh aty ndërsa me një klikim tjetër, nëpërmjet votës, duhet dhe mund të ndikojmë fuqishëm që në atdheun tonë të përsoset demokracia, qeverisja, sistemi i drejtësisë dhe politikat sociale. Action is needed!
Kështu do shprehim mirënjohjen ndaj veprës së lavdishme të etërve të pavarësisë së atdheut tonë.