
Bujar Meholli/
Te veprimtaria artistike e Fan S. Nolit përkthimi zë vend shumë të rëndësishëm. Ai përktheu sërë veprash nga letërsia e përbotshme, por pjesa më e madhe I përket lëmit kishtar. Përktheu numër të madh tekstesh liturgjike për t’u shërbyer besimtarëve pas themelimit të Kishës shqiptare. Përkthimet e Nolit në lëmin kishtar ndahen në dy periudha. Në periudhën e parë ai përktheu dhe botoi gjashtë librat e parë, i ndikuar nga përkthyesi i Biblës dhe filologu Konstandin Kristoforidhi. Libri i parë që Noli përktheu ishte Shërbes’ e Javës së Madhe, 1908, për të vazhduar me librat e tjerë, Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe, 1909, Librë e të Kremteve të Mëdha të Kishës Orthodoxe, 1911, Triodi i Vogël, 1913, Pesëdhjetore e Vogël, 1914, e Lutjesorja, po atë vit, për ta përmbyllur periudhën e parë të përkthimeve liturgjike. Në fillim ndikimi i Kristoforidhit ishte i qartë, por më pas Noli arrin që ta krijojë poetikën autentike të përkthimeve fetare.
Në periudhën e dytë bëjnë pjesë Uratore e Kishës Orthodokse, 1941, Kremtore e Kishës Orthodokse, 1947, Triodi dhe Pesëdhjetorja, 1952, në shqip, kurse në gjuhën angleze, Orthodox Prayer Book (Libri i shërbesave dhe pjesë nga ungjijtë e apostujt), 1949, Three Liturgies of the Eastern Orthodox Church (Tri meshat e Kishës Ortodokse Lindore), 1955, dhe Liturgy and Catechism of the Eastern Orthodox Church (Meshë dhe katekizëm, shqip e anglisht), 1955. Në fushën e muzikës, Noli, po ashtu, përktheu disa tekste me shumë interes si Hymnore për Kor të Përzier (Libër muzikor në shqip), 1936, Eastern Orthodox Hymnal (Hymnore Lindore Ortodokse, anglisht), 1951, Byzantine Hymnal (Hymnore bizantine, anglisht), 1959.
Noli ka qenë i prirë nga kërkesa e brendshme që e shtynte drejt të mirës dhe sjelljes dritë te lexuesi (siç bënte para tij poeti romantik Naim Frashëri), përmes një poezie të fuqishme, nganjëherë me perceptime surreale, tek e cila shfaqen trazimet shpirtërore karshi realitetit. Caku që niset ta arrijë përmes artit poetik është e mira, hyjnorja, vëllazëria dhe barazia që duket sikur krijojnë utopinë majtiste noliane, në linjë me platformën ideologjike të rilindësit të madh Sami Frashëri. Në poezitë e Nolit kemi të bëjmë me ndërthurjen e motiveve biblike, politike dhe shoqërore. Këto motive biblike ai i përdorë si simbole, por jo apriori nga aspekti teologjik. Ajo që e bën interesante veprimtarinë dhe personalitetin e Nolit, është se ai asnjëherë nuk kushtëzohet a privohet nga petku a dogma fetare, përkundrazi shfrytëzon këtë përparësi duke përcjellë me tone të zjarrta dashurinë ndaj atdheut dhe gjuhës shqipe te shqiptarët.
Fan S. Noli bëhet tribun i shqiptarëve dhe i vegjëlisë, qoftë me fjalimet, qoftë me shkrimet e fuqishme, duke mbrojtur të drejtat e popullit dhe duke u përpjekur për emancipimin e tij. Për ta parë Nolin si një profet të shqiptarëve përmes fjalëve plot pathos, ndërmendim këtë shprehje të poetit romantik Jeronim de Rada, që te vepra e tij e njohur Skënderbeu i pafan (1870) thoshte se poezia është një privilegj si dhe profecia, ajo nuk bëhet (nuk prodhohet) sipas vullnetit të njeriut. Vizioni i veprimit hyjnor për ndryshimin e fateve të njerëzve është një dhunti e profetëve, përgatitja për jetën e lartësive u përket vetëm poetëve të lindur. Nisur nga kjo, Fan S. Noli mund të merret si poet bashkëpunëtor i perëndisë krijuese, kur dihet se në Dhiatën e Vjetër fjala e Zotit është akt krijimi i mirëfilltë, ndërsa poeti është ai që krijon diçka në tokë.
Fan S. Noli ishte njohës i mirë i greqishtes bizantine prej nga i përkthente tekstet nga origjinali. Si intelektual poliglot dhe njohës i mirëfilltë i muzikës bizantine dha kontribut të madh në përkthimin e teksteve liturgjike dhe himneve kishtare që thureshin për t’u kënduar. Karakteristikë e këtyre përkthimeve, si rëndom, është rikrijimi, pra përkthimi i lirë që e aplikoi edhe në vepra letrare dhe në liturgjike. Te këto të fundit përpiqej ta jepte në shqip thelbin me qëllim lehtësimin e mbajtjes së meshave pas pavarësimit të Kishës shqiptare. “Imzot Theofani jo vetëm krijoj veglën e parë që hapi rrugën drejt Autoqefalisë kishëtare, por edhe farkoj terminologjinë shqipëtare për Kishën Orthodokse”, shprehet Kuteli.
Vizionet e Nolit për demokracinë, mendimin, vullnetin e lirë dhe punën praktike e sistematike e përbëjnë simbiozën – si klerik që përbrenda domenit fetar ndërfut ide përparimtare si, fjala vjen, në fjalimin e mbajtur në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, me rastin e 100-vjetorit të statujës së lirisë, ku Amerikën e quan nënë kombëtare që ofron demokracinë, mundësinë e barazinë. Noli pikas katër liritë që Amerika ofron – karakteristike dhe idealiste për një Shqipëri utopike – lirinë e përgjegjësisë, lirinë e shmangies së frikës, lirinë e fjalës dhe besimit. Trysnia subversive e Perandorisë Osmane kundrejt gjuhës shqipe ishte kontrapunkt i idealeve amerikano-perëndimore pas të cilave shkonte Noli, ithtar i idesë së predikimit në shqip (rrugë e trasuar qysh nga klerikët shqiptarë mesjetarë me rëndësi kruciale për zhvillimin e gjuhës dhe identitetit tonë) të Ungjillit të Jezu Krishtit. “Ne besojmë se përdorimi i një gjuhe që kuptohet nga populli pajtohet me traditat më të vjetra të Kishës.
Kjo traditë vjen që nga koha e Zotit tonë shpëtimtar, i cili u thoshte apostujve të tij – shkoni dhe mësoni të gjitha kombet”, thotë ai. “Në përputhje me këtë urdhëresë i kemi sjellë popullit mesazhin e Zotit, duke shërbyer e predikuar dhe përhapur literaturë në gjuhën që e kuptojnë, pra, shqip. Kemi botuar 14 libra liturgjike kryesore, 10 prej tyre në gjuhën shqipe dhe 4 në anglisht. Këto arritje u bënë të mundshme në sajë të Lirisë së besimit dhe mirësive që gëzojmë në demokracinë e madhe amerikane. Jemi mirënjohës që jetojmë në tokën e njeriut të lirë – Zoti e bekoftë Amerikën!” e përmbyllë fjalimin.
Në vëllimin e pestë të kompletit të veprave të Nolit, botuar nga Argeta-LMG, përfshihet intervista mbi përkthimin e “Dhjatës së Re”, ku Noli shpalos përvojat e përkthimit, vlerëson përkthimin e Kristoforidhit të cilin e cilëson kryevepër, ani pse kritikon disa pasazhe që përkthehen sipas Xheimsit I, të cilin e ndiqnin protestantët. “Duhet ta pranoj se nuk jam i kënaqur me përkthimin tim, po e lexoj dhe rilexoj, mendoj se duhet ndrequr përsëri, siç i këshillonte Bualo pasardhësit e tij: Corrigez toujours. Kam disa plane. Dua të shkruaj poezi të tjera, ndoshta një vëllim tjetër me poezi si ato të botuara te Albumi. Sa u përket përkthimeve, libri për të cilin jam interesuar është Libri i Këngëve. Këtë libër doja ta përktheja se është një kryevepër e himneve kishtare”, përgjigjet Noli, ndër të tjera.
I njohur për stilin unik të përkthimit që plekset më tepër me termin shqipërim, Noli i shmanget dogmës zyrtare të përkthimit duke qenë kreativ, autentik dhe i çliruar nga ndjekja e verbër e origjinalit, siç e bëri dhe në përkthimet letrare në shqip. Ndaj ai nuk ndjek as traditën e Xheimsit I të protestantëve, as përkthimin Duei të katolikëve, kështu duke hedhur dritë mbi disa fragmente të vështira të Librit të Shenjtë. Lavdërimet për punën përkthimore i pranon nga dr. Henri van Djuzen, dekan i seminarit të bashkimit teologjik të Nju-Jorkut, në një letër prej së cilës po I ndajmë ca pasazhe më poshtë:
“I dashur Mitropolit Noli, u jam thellësisht mirënjohës për kopjen e përkthimit tuaj të Dhjatës së Re në anglishten e sotme. Megjithëse akoma nuk kam pasur kohë ta lexoj plotësisht e ta vërej me kujdes e në mënyrë kritike, menjëherë nxora përkthimin që u keni bërë disa fragmenteve shumë të rëndësishme; ato tingëllojnë të qarta, origjinale, të fuqishme dhe tejet stimuluese. Në secilin rast ato janë më të mira se ato të përkthimit zyrtar të Dhjatës së Re. Vëllimin tuaj e mbaj në tavolinën e punës, fare pranë. Kam ndërmend të merrem shpesh me të, gjithmonë me mirënjohje për ju, dhe me konsideratë për shërbimin e lartë tuaj ndaj kristianëve të denjë. Uroj që libri juaj të njihet dhe përdoret gjerësisht, unë do ta lavdëroj sa herë që të më jepet rasti”.