
Rafaela Prifti/
Libri me karakter enciklopedik “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” nga historiani dhe profesori Bardhosh Gaçe është botim voluminoz që dokumenton jetën, veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë delegatëve firmëtarë të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar. Autori e sjell shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 përmes figurave që morën pjesë në këtë ngjarje, për ta kuptuar atë si vepër të përpjekjeve të shumë atdhetarëve dhe i një lëvizjeje të gjatë kombëtare. “Shpallja e Pavarësisë në Vlorë ishte përgjigje ndaj rreziqeve që kërcënonin trojet shqiptare dhe rezultat i një vetëdijeje kombëtare të forcuar ndër vite,” shprehet Prof. Gaçe. Shpallja e Pavarësisë kishte 83 delegatë, nga të cilët 74 ishin të diplomuar si juristë, ekonomistë, ushtarakë, mësues, klerikë, astronomë, ku përfshiheshin përfaqësues të të katër komuniteteve fetare: katolikë, muhamedanë, ortodoksë e bektashinj. “Kjo ishte Shqipëria e të gjithëve, Shqipëria e Ismail Qemalit,” shkruan studiuesi Albert Habazaj.
Monografia “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” është i pasuruar me dokumente origjinale, të publikuara për herë të parë, i plotësuar me faksimile, fotografi, portrete, shkrime, gjykime etj., nga albanologu i njohur prof. dr. Bardhosh Gaçe. Autori e quan me modesti libër publicistiko-historik, por botimi i tretë nga Argeta me 371 faqe është “një ansambël monumental” i apostujve të pavarësisë, siç e cilëson Albert Habazaj.
Ismail Qemali dhe delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë shprehën dëshirën e popullit për të jetuar i lirë dhe për të pasur shtetin e vet. Duke i sjellë ata në vëmendje, libri i Prof. Gaçes është dëshmi se pas datës së shënuar qëndrojnë vendime të guximshme dhe sakrifica disavjeçare. Studimi i kushton hapësirë të veçantë përhapjes së ideve kombëtare përmes shtypit shqiptar. Gazetat dhe revistat e kohës shërbyen si mjete informimi, por edhe si platforma ku u diskutuan gjuha shqipe, të drejtat kombëtare dhe nevoja për bashkim. Shkrimet e atdhetarëve ndihmuan që ideja e një Shqipërie të pavarur të kapërcente kufijtë e qyteteve dhe të arrinte te shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Shtypi e përgatiti opinionin publik për rëndësinë e ngjarjeve dhe i dha zë kërkesës për liri.
Duke lexuar për secilën figurë të Pavarësisë në veprën e Prof. Gaçes krahazi me shtypin shqiptar të periudhës dhe dokumentacione përkatëse konsolidohet teza se Pavarësia ishte një proces me shumë përbërës: veprim politik, përpjekje diplomatike, qëndresë dhe punë për zgjimin kombëtar.
Libri ruan kujtesën e njerëzve që vepruan në atë moment historik, ndërsa shtypi na ndihmon të shohim se si u përhapën dhe u mbështetën idetë e tyre. Në rastin e patriotit Myfid bej Libohova, një prej shtatë delegatëve të Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, Profesor Gaçe, krijon profilin e jetës dhe veprimtarisë se tij politike. I arsimuar në drejtësi, Libohova mbrojti çështjen kombëtare dhe alfabetin shqip në parlamentin osman, botoi artikuj në shtyp, dhe protestoi kundër dhunës së ushtrisë osmane ndaj shqiptarëve. Pas shpalljes së Pavarësisë, ai u bë ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Ismail Qemalit dhe zhvilloi misione diplomatike në Evropë për çështjen e kufijve të Shqipërisë. Autori përmend angazhimin e tij në mbrojtjen e viseve jugore dhe detyrat shtetërore që mbajti më vonë, përfshirë poste ministrore dhe përfaqësimin diplomatik në Romë. Prof. Gaçe mbështetet te kujtime, dokumente arkivore dhe gazeta të kohës, veçanërisht Përlindja e Shqypnies, për të treguar si shtypi pasqyroi veprimtarinë e Libohovës. Në tërësi, ai paraqitet si një figurë me rol të rëndësishëm në diplomacinë dhe administrimin e shtetit shqiptar, por përfshin edhe vlerësime kritike të Eqerem bej Vlorës për karakterin dhe reputacionin e tij politik. Me këtë qasje autori ndërton dhe plotëson me përkushtim tablonë e aktivistëve dhe shpallësve të pavarësisë.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës u mblodh në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912 dhe mbajti punimet me shtatë mbledhje historike deri më 7 dhjetor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemal Bej Vlorës. Në këtë enciklopedi, Prof. Gaçe sjell profilin e 83 delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, që shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. “Sipas saktësimeve të mëtejshme që bëmë në procesverbalin e Kuvendit Kombëtar të botuar në gazetën “Përlindja e Shqipniës” të Qeverisë së Vlorës, botimit “Dokumente historike” të Lef Nosit, gjurmimeve të Teki Selenicës dhe materialeve të Arkivit Qendror të Shtetit, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë këta delegatë:
Berati 4 delegatë
Sami Vrioni
Iljaz Vrioni
Raq Tutulani
Babë Dudë Karbunara
Çamëria 4 delegatë
Veli Gerra
Jakup Veiseli
Rexhep Demi
Azis Tahir Ajdonati
Delvina 1 delegat
Avni bej Delvina
Dibra 2 delegatë
Myfti Vehbi Dibra
Sherif Lëngu
Durrësi 4 delegatë
Abaz Efendi Çelkupa
Mustafa Agë Hanxhiu
Jahja Ballhysa
Dom Nikollë Kaçorri
Elbasani 4 delegatë
Shefqet Daiu
Lef Nosi
Qemal Karaosmani
Dervish bej Biçaku
Gramsh-Tomorricë 1 delegat
Ismail Qemali
Gjirokastra 7 delegatë
Azis Efendi Gjirokastra
Elmas Boçe
Veli Harxhi
Myfid Libohova
Petro Goga
Jani Papadhopulli
Hysen Hoxha
Korça 3 delegatë
Pandeli Cale
Thanas Floqi
Spiro Ilo
Kosova 11 delegatë
Rexhep bej Mitrovica
Bedri Pejani
Sali Gjuka
Mitat Frashëri
Mehmet Pashë Deralla
Isa Boletini
Riza Bej Gjakova
Hajdin Draga
Dervish bej Ipeku
Zeejnel Begolli
Qerim Begolli
Kruja 1 delegat
Mustafa Kruja
Lushnja 3 delegatë
Qemal Bej Mullai
Ferid Vokopola
Nebi Sefa
Mallakastra 1 delegat:
Hajredin Cakrani
Mati 3 delegatë
Ahmet Miftar Beu [Ahmet Zogu]
Riza Bej [Çela]
Kurt Bej [Aga Kadiu]
Ohri dhe Struga 6 delegatë
Zyhdi bej Ohri
Dr. H. Myrteza [Myrteza Ali Struga]
Nuri Sojlliu
Hamdi bej Ohri
Mustafa Baruti
Dervish Hima
Peqini 1 delegat
Mahmut Kaziu
Përmeti 2 delegatë
Veli bej Këlcyra
Syrja bej Vlora
Pogradeci 1 delegat
Hajdar Blloshmi
Vlora 6 delegatë
Ismail Qemali
Zihni Abaz Kanina
Aristidh Ruci
Qazim Kokoshi
Jani Minga
Eqerem bej Vlora
Skrapari 1 delegat
Xhelal Koprencka
Shijaku 3 delegatë
Xhelal Deliallisi
Ymer bej Deliallisi
Ibrahim Efendiu
Tepelena 3 delegatë
Fehim bej Mezhgorani
Kristo Meksi
Aristidh Ruçi
Tirana 2 delegatë
Abdi bej Toptani
Murat bej Toptani
Shkodra 1 delegat
Luigj Gurakuqi
Kolonia Shqiptare e Bukureshtit 4 delegatë
Dhimitër Zografi
Dhimitër Mborja
Dhimitër Berati
Dhimitër Ilo
Njëra pas tjetrës, faqet e veprës së Profesor Bardhosh Gaçes ngrihen si një monument i plotë kushtuar pavarësisë, patriotëve të vendosur, drejtuesve vizionarë dhe një populli që kërkonte të ardhmen e vet. Së bashku me dëshmitë e shtypit shqiptar dhe dokumentacionet e publikuara për herë të parë, kjo vepër e fton lexuesin të rikthehet në formë më të plotë tek dita që shënon themelet e shtetit shqiptar. Ajo na kujton se pavarësia e fituar kërkon vlerësim dhe njohje të saktë të historisë në çdo kohë sepse është një mësim i vyer për të tashmen.