
Nga udhëtimi i Ismail Qemal Vlorës për shpalljen e pavarësisë.
Ilir Ikonomi
Për të shpallur pavarësinë, Ismail Qemalit iu desh të ndërmerrte një udhëtim, tashmë legjendar, që nisi në Stamboll më 2 nëntor 1912. Pasi arriti në Bukuresht dhe mori mbështetjen e patriotëve shqiptarë të Rumanisë, më 7 nëntor pasdite ai u nis me tren nga Bukureshti drejt Austrisë. Me të arritur në Vjenë, Ismail beu u vendos në Grand Hotel, një ndërtesë madhështore buzë unazës së famshme të kryeqytetit austriak.
Gazeta kryesore në Vjenën e asaj kohe, Neue Freie Presse, me tirazh prej mbi 50 mijë kopjesh, ishte në një farë mënyre zëdhënësja e pikëpamjes qeveritare të Austro-Hungarisë. Menjëherë pas arritjes së Ismail beut, gazeta dërgoi në Grand Hotel një korrespondent, i cili i mori atij një intervistë.
NEUE FREIE PRESSE: Ç’qëndrim mbani ndaj pretendimit të Serbisë për të patur një port në Adriatik?
ISMAIL QEMALI: Kjo është njësoj sikur Zvicra e rrethuar me male të thoshte se, meqë nuk ka dalje në det, nuk mund të ekzistojë dot në qoftë se nuk i jepet porti i Gjenovës.
NEUE FREIE PRESSE: Por, a ka të drejtë Serbia për një port, në Adriatik ose në Egje?
ISMAIL QEMALI: Nuk më takon mua të them nëse Serbia ka të drejtë për një port në Egje. Kjo është një çështje ku ne nuk përzihemi. Por e kuptoj gjithashtu se, për sa kohë që në Shqipëri sundonte regjimi i paqytetëruar turk, Serbia mund të ankohej se meqë nuk kishte dalje në Adriatik, zhvillimi i saj ekonomik mbeti prapa. Mirëpo, krejt e ndryshme do të jetë gjendja e Serbisë kur shqiptarët të jenë zotër të vetes. Shqipëria do të ketë ambicien për t’u bërë shtet i qytetëruar dhe do të dëshirojë marrëdhënie të mira me Serbinë. Kështu, Serbia do të jetë në gjendje t’i përdorë portet shqiptare për tregtinë e saj. Edhe nën regjimin e Turqisë ajo e gjeti një rrugë drejt detit me anë të hekurudhës për në Selanik. Nëse Serbisë i duhet një mushkëri për të marrë frymë, atëherë Shqipëria e pavarur, me portet e saj të Adriatikut, sigurisht që nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e saj të ardhshëm ekonomik.
Biseda u zhvendos në çështje të tjera: “Nuk do të kishte mëkat më të madh, – tha Ismail Qemali, – në qoftë se fitimtarët e tanishëm do të përpiqeshin të pasuroheshin në kurriz të shqiptarëve. Shqiptarët nuk do t’i nënshtroheshin kurrë një fati të tillë dhe Gadishulli Ballkanik do të mbetej vazhdimisht një shesh trazirash.”
NEUE FREIE PRESSE: Ju kërkoni një Shqipëri të pavarur?
ISMAIL QEMALI: Që Shqipëria të jetë një shtet i pavarur, këtë e kërkon jo vetëm interesi i shqiptarëve, por edhe interesi i përgjithshëm i Evropës. Evropa nuk do t’i gëzojë dot frytet e lirisë, nëse Shqipëria copëtohet. Ne duhet të trajtohemi njëlloj si shtetet e Ballkanit. Nëse rajonet e pushtuara do të duhet të shkëputen krejt nga Turqia, po ashtu duhet që edhe Shqipëria të bëhet e pavarur.
NEUE FREIE PRESSE: Sa e madhe do të ishte një Shqipëri e pavarur dhe cili do të ishte kryeqyteti i saj?
ISMAIL QEMALI: Shqipëria e pavarur do të jetë një shtet me rreth dy milion e gjysmë banorë. Ky shtet duhet të përfshijë të tërë Vilajetin e Shkodrës, pjesën shqiptare të vilajetit të Janinës, pjesën shqiptare të Manastirit, pjesën perëndimore të Manastirit përreth Ohrit, Dibrën, Elbasanin, Korçën, sanxhakun e Pejës me Gjakovën, sanxhakun e Prizrenit, një pjesë të sanxhakut të Shkupit dhe një pjesë të sanxhakut të Prishtinës. Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani, për arsye të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të luante edhe Vlora, ku mund të shkonte hekurudha. Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë.
NEUE FREIE PRESSE: Cili do të jetë princi juaj?
ISMAIL QEMALI: Sa për çështjen, nëse ne do të vihemi nën një princ dhe se kush mund të jetë ai, do të kemi kohë të vendosim më vonë.
NEUE FREIE PRESSE: Po malësorët çfarë qëndrimi po mbajnë? A po luftojnë ata për Malin e Zi?
ISMAIL QEMALI: Sipas mendimit tim, në Evropë janë përhapur keqkuptime. Malësorët luftojnë kundër Turqisë e jo për Malin e Zi. Ata luftojnë për pavarësinë e Shqipërisë. Ne shqiptarët jemi të gjithë të një mendjeje në dëshirën për një Shqipëri të pavarur. Ne të gjithë, myslimanë, ortodoksë apo katolikë, e gjejmë veten në këtë dëshirë. Te ne ka familje, ku një anëtar i përket një feje dhe tjetri një feje tjetër, por këto dallime fetare nuk na ndajnë aspak në qëndrimet tona politike.
NEUE FREIE PRESSE: Si i shikoni marrëdhëniet e ardhshme mes Shqipërisë dhe Austro-Hungarisë?
ISMAIL QEMALI: Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë dhe me Italinë, në mënyrë që këto dy shtete të mbështesin nevojat tona kulturore dhe ekonomike. Një vendi të vogël i nevojitet përkrahja e shteteve të mëdha dhe është e qartë se kjo mbështetje tek dy vendet aleate të Adriatikut, Austro-Hungaria dhe Italia, do të vijë vetvetiu. Kështu, monarkia e madhe fqinje, mysafir i së cilës jam tani, mund të ketë vetëm përfitime nga një Shqipëri e pavarur.
Ismail beu përmendi edhe diçka. “Sulltani, – i tha ai gazetarit, – sigurisht do të mbetet Kalifi që do të përfaqësojë gjithnjë interesat fetare në Shqipëri.” Në kontekstin e gjithë intervistës, ku toni kryesor ishte shkëputja nga Turqia, ky pohim dukej si i bërë për diplomaci. Ismail Qemali ishte i kujdesshëm të mos zemëronte elementin pro-turk brenda Shqipërisë, i cili kishte mjaft ndikim. Shqiptarët identifikoheshin në një masë të madhe me fenë myslimane dhe fanatizmi fetar i popullatës që e gjente frymëzimin në Stamboll, te Kalifi, mund të bëhej një pengesë për Ismail beun. Në të njëjtën mënyrë, ai i ruhej zemërimit të pritshëm të qeverisë osmane me aktin që donte të ndërmerrte.
Këtu, natyrisht, ishte edhe çështja tjetër delikate ku Ismail beut i duhej të tregohej një ekuilibrist i mirë. Fjala ishte për dilemën e atyre malësorëve katolikë që ishin radhitur me Mbretin Nikollë për të luftuar kundër turqve. Ismail Qemali iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë, por tashmë dihej se në viset veriore, ku urrejtja ndaj xhonturqve ishte e papërmbajtur, malësorët ishin joshur nga premtimet e malazezëve dhe qenë armatosur prej tyre. Të ndikuar nga propaganda, një pjesë e malësorëve e shihnin luftën e re si një betejë mes Krishtërimit dhe Islamit të përfaqësuar nga Turqia. Për disa patriotë shqiptarë të jugut kjo ishte e papranueshme, sepse, sipas tyre, momenti ishte delikat dhe çdo përpjekje duhej përqendruar te shpëtimi i kombit. Ismail beu, pa hyrë në hollësi në intervistën e tij, përpiqej ta minimizonte rëndësinë e ndarjeve fetare dhe t’u tregonte qarqeve diplomatike dhe publikut ndërkombëtar se kryesore për shqiptarët, myslimanë apo të krishterë, ishte dëshira për pavarësi.
Intervista u botua më 8 nëntor në edicionin e mbrëmjes të gazetës. Mund të shihet lehtë se vetëm dy ditë pas largimit nga Rumania, Ismail beu kishte nisur të fliste hapur për pavarësinë, ndryshe nga deklaratat që jepte në Bukuresht. Kjo intervistë është ndoshta dokumenti i parë i publikuar, ku ai e artikulon pa mëdyshje pavarësinë, për të cilën do të shkonte në Shqipëri.
Ndërkaq, tani mund të thuhej se Turqia ishte në tërheqje të pakthyeshme në të gjitha territoret e saj evropiane. Ushtritë ballkanike nuk përmbaheshin më. Nga frontet e luftës njoftime të rëndësishme pasonin me shpejtësi njëra-tjetrën. Më i fundit ishte se Mbreti Konstantin i Greqisë kishte hyrë në Selanik si fitimtar dhe forcat turke ishin mposhtur pa ndonjë qëndresë të fortë përballë ushtrisë greke.
E nesërmja, 9 nëntor, ishte një ditë e rëndësishme për Ismail Qemalin. Ai u prit nga gjeneral-major Blasius Schemua, shef i shtabit të forcave të armatosura austro-hungareze. Gjenerali me origjinë sllovene ishte emëruar në këtë post një vit më parë në vend të gjeneralit von Hötzendorf. Ndryshe nga Ministri i Jashtëm Leopold von Berchtold, ushtaraku Schemua ishte për veprime aktive qysh para fillimit të luftës. Në fund të shtatorit ai kishte kërkuar pushtimin e Fushë-Kosovës, për të mos lejuar një bashkim të Serbisë dhe Malit të Zi si dhe për të siguruar një korridor për lidhjen me Shqipërinë. Schemua kishte kërkuar gjithashtu që Austro-Hungaria t’i shpallte hapur synimet e saj të përgjithshme dhe pastaj të ngulte këmbë në arritjen e tyre. Berchtoldi nuk kishte pranuar, pasi sipas tij nuk ishte e qartë se sa do të prekeshin interesat austriake nga lufta që ende nuk kishte filluar.
As Ismail Qemali dhe as austriakët nuk folën kurrë për takimin me gjeneralin Schemua. Austriakët përpiqeshin të ruanin asnjanësinë dhe ata mund t’ia kenë shpjeguar mysafirit rëndësinë e mbajtjes së sekretit. Ky takim ishte i rëndësishëm për të dy. Schemua përgatitej të shkonte në Budapest ashtu si edhe shumica e personaliteteve më të larta të monarkisë, sepse ishte radha e kryeqytetit hungarez të bëhej mikpritës i seancave të parlamentit. Takimin e zbulon gazeta hungareze Az Est e datës 10 nëntor, e cila shkruante: “Udhëtimit të Schemuas në Budapest po i jepet shumë rëndësi, pasi shefi i shtatmadhorisë priti dje udhëheqësin shqiptar Ismail Qemali, i cili e informoi për gjendjen në Shqipëri.”
Atë ditë Schemua la një shënim në ditarin e tij, ku shprehte shqetësimin e njohur të zyrtarëve më të lartë austriakë se një shtet serb në Adriatik mund t’i shtrinte dorën Italisë në çdo kohë, qoftë për të shfaqur preferencë ndaj saj në çështjet ekonomike, ose për të ndjekur hapa të përbashkëta politike kundër monarkisë.
Pikërisht më 9 nëntor, ditën e takimit me gjeneralin Schemua, Ismail beu zbriti në zyrën telegrafike të hotelit Grand dhe dërgoi një telegram në frëngjisht drejt Bashkisë së Vlorës. Në mesazh thuhej: “Arriverai premier bateau. Avenir Albanie assuré,” që përkthehej: “Arrij me anijen e parë. E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.” Në telegramin e tij ai e quan këtë “një lajm të gëzueshëm.”
Nga i mori Ismail beu sigurimet kur ai ende nuk kishte shkuar në ministrinë e jashtme austriake? Mund të themi me një farë sigurie se ka qenë takimi me shefin e shtabit austro-hungarez, që e bindi Ismail Qemalin se “e ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.” Duhet të ketë qenë Schemua, i cili e ka siguruar Ismail beun se Austro-Hungaria nuk do të lejonte që shqiptarët ta humbisnin mundësinë për të patur shtetin e tyre. Gazeta franceze Le Matin shkruante dy ditë më pas se “udhëheqësi i njohur shqiptar, Ismail Qemal bej, i cili ndodhet në Vjenë, thuhet se ka marrë nga një mjedis zyrtar austro-hungarez sigurimin se Monarkia nuk mund dhe nuk do ta tolerojë copëtimin e Shqipërisë.” Përsëri fjala është për gjeneralin Schemua. Ka arsye të besojmë se ishte vetë Ismail Qemaili ose njerëzit pranë tij që ua jepnin këto lajme gazetave.
Mesazhi i Ismail beut vazhdon kështu: “Telegrafoni kudo, njerëzit të kenë besim të plotë për fatin e atdheut, këshillojuni harmoni vëllazërore, bashkëpunim, rregull në punët publike, ruajtje të rendit. U jepni rretheve lajmin e gëzueshëm. Përshëndetje atërore. Qemal. Grand Hotel.”
Telegrami i drejtohej djalit tjetër të tij, Et’hem beut. Qysh në verë të atij viti, Et’hemi 28-vjeçar kishte shkuar në Vlorë bashkë me të atin dhe kishte qëndruar atje për të përgatitur fushatën zgjedhore të babait.
Fjalët telegrafike të Ismail beut nga Vjena ishin një formulë, me të cilën ai orvatej t’u jepte garanci njerëzve që e prisnin në Shqipëri. Ata në asnjë mënyrë nuk duhet të humbisnin durimin ose të binin nën ndikime që nuk e favorizonin aktin për të cilin ai po i përgatiste.
Pak ditë më vonë, Ismail Qemali u takua në Budapest, larg syve të publikut, me ministrin e jashtëm Von Berchtold, i cili i vuri në dispozicion një anije për të shkuar në Shqipëri. Ismail beu arriti në Durrës më 21 nëntor dhe shpalli pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912.