
Sokol Paja
Foto: Willson Lleshaj/
Ngritja e Flamurit Kombëtar me rastin e 114 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në oborrin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, është një akt kujtese, nderimi dhe përkushtimi ndaj historisë, identitetit dhe sakrificave të kombit shqiptar.
Famullitari Dom Pjetër Popaj deklaroi se kjo ditë nuk është thjesht një përkujtim historik; është një çast i shenjtë për t’i dhënë falënderime Zotit të gjithpushtetshëm që e mbajti gjallë popullin shqiptar gjatë pesë shekujve të vuejtjeve, sprovave, pushtimeve dhe errësinave otomane. Përmes çdo stuhie, flaka e identitetit tonë, e gjuhës sonë dhe e besimit tonë u mbajt e ndezur nga sakrifica e heronjve të panumërt, e martirëve dhe e trimave a trimershave të thjeshtë që nuk pranuan ta lanë shpirtin tonë shqiptar të shuhej.
Ndërsa festojmë këtë pavarësi, tha Dom Pjetër Popaj kujtojmë me nderim të thellë figurat e mëdha të historisë sonë — tue fillue me Gjergj Kastriotin Skënderbeu, i cili për 25 vjetë mbrojti trojet dhe fenë tonë me guxim, deri tek Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe Don Nikoll Kaçorrit dhe patriotët tjerë që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë. Ne gjithashtu i kujtojmë në lutjet tona martirët tanë modernë të fesë, të cilët vuajtën dhe dhanë jetën e tyre nën persekutimin komunist, që drita e Krishtit të ndriçojë në tokën shqiptare, tha ndër të tjera famullitari Dom Pjetër Popaj.
Kryetari i këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës Ndrekë Tonaj në fjalën e tij theksoi se kjo traditë e bukur, e organizuar dhe e mbajtur gjallë ndër vite nga Kisha “Zoja e Shkodrës”, ka një rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar në Amerikë. Ajo na bashkon rreth simbolit tonë kombëtar, na kujton rrënjët tona dhe u përcjell brezave të rinj dashurinë për gjuhën, flamurin, historinë dhe atdheun. Kisha Katolike Shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë kombëtare. Ajo ka qenë jo vetëm vatër e besimit, por edhe vatër e atdhedashurisë, e arsimit, e kulturës dhe e ruajtjes së identitetit shqiptar. Klerikët dhe institucionet katolike shqiptare, brenda dhe jashtë atdheut, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e gjuhës shqipe, në ndërgjegjësimin kombëtar dhe në përpjekjet për liri e pavarësi.
28 Nëntori 1912 përfaqëson një nga ngjarjet më madhore të historisë sonë. Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, ngritja e Flamurit nga Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij, shënuan kurorëzimin e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për të qenë të lirë, tha ndër të tjera z.Tonaj.