
Në përkujtim të 135 vjetorit të hapjes së Institutit Kyrias (Qiriazi)
Gjovalin Gjeloshi
Amaneti i Gjerasim Qiriazit për motrën Sevasti
Më 4 janar 1894, Gjerasimi 33 vjeçar, në orën e vdekjes, i dha së motrës këshillën e fundit: “Dy janë forcat që do të pengojnë në udhën tënde kombëtare: hyqymeti turk dhe Kleri grek. Hapi sytë e mos i kundërshto këto dy forca përnjëherësh, sepse janë të tmerrëshme kur janë të bashkuara. Po nuk munde të bësh ndryshe, përpiqu të fitosh ndihmën e miqve të fortë që simpatizojnë punën tonë kombëtare. (Luarasi, 1972). Dhe motra, ashtu vijoi, me këshillën e vëllait. Ajo luftoi fort, vetë dhe fitoi edhe ndihmën e miqve të fortë.
Nga rrënjët e Rilindjes Kombëtare e deri te themelet e shtetit të pavarur dhe dy dekada të tjera në vijimësi, historia e arsimit shqip mban edhe emrin e tri figurave të shquara: Sevasti Qiriazi-Dako, Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako.
Në këtë përvjetor të Pavarësisë, gazeta Dielli rikthen në vëmendje një epope sakrificash, përkushtimi dhe atdhetarie, që nisi me dritën e parë të Shkollës së Vashave në Korçë dhe vazhdon të jetojë edhe sot, në Kodër-Kamëz, aty ku u ngrit një shekull më parë. Është një histori kujtese dhe një monument i gjallë i kombit, i ndërtuar mbi dijen, emancipimin dhe dashurinë për atdheun.
“Pishtari ndriçonjës” dhe lufta për arsimin kombëtar
“Pishtari ndriçonjës”, u quajt në atë kohë shkolla e vashave (Luarasi, 1972). Epopeja nis më 23 tetor 1891. Në një Shqipëri ende nën sundimin osman, ku analfabetizmi ishte i përhapur dhe arsimimi i femrës konsiderohej nga shumë qarqe konservatore si një sfidë ndaj traditave të kohës, Sevasti Qiriazi, sapo e diplomuar në Kolegjin Amerikan të Konstandinopojës (Robert College), guxoi të ndërmerrte një nismë që do të ndryshonte historinë e arsimit shqiptar. Bashkë me vëllain e saj, Gjerasimin, ajo u bë një nga themelueset e Shkollës së Parë Shqipe të Vashave në Korçë, institucionit që shënoi një kthesë të rëndësishme në përpjekjet për arsimimin kombëtar të vajzave shqiptare.
Sevastia ishte gruaja e parë shqiptare që kishte përfunduar studimet në këtë institucion të rëndësishëm amerikan. Në diplomimin e saj, Gjerasimi kishte ftuar edhe poetin Naim Frashëri, i cili i tha Sevastisë këto fjalë: “Motër, nuk mund të bësh punë më të vlefshme, nga ç’ke në mend të bësh për çlirimin mendor të grave të Atdheut të robëruar…Dalç faqebardhë”. Pastaj i kërkoi diplomën që ta regjistronte në zyrën e arsimit, siç e donte rregulli. (Luarasi, 1972).
Shpejt, këtij misioni iu bashkua edhe motra e saj më e vogël, Parashqevi Qiriazi, e cila përfundoi të njëjtin Kolegj, si e motra dhe u bë një nga shtyllat kryesore të shkollës. Të dyja motrat ishin mësuese dhe veprimtare të vendosura të çështjes kombëtare. Ato u përballën me kundërshtime të forta shoqërore e fetare, me presionet e autoriteteve osmane dhe Kishës ortodokse greke, me vështirësi financiare dhe me mungesën e theksuar të teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Përballë këtyre pengesave, ato nuk u tërhoqën. Përkundrazi, u bënë vetë hartuese tekstesh, përkthyese dhe organizatore të procesit mësimor. Përgatitën materiale për gjuhën shqipe, gramatikën, historinë dhe njohuritë e përgjithshme, duke u përpjekur që shkolla të ishte një vend mësimi dhe një vatër ku formohej vetëdija kombëtare.
Parashqevi Qiriazi: nga Albabeti i Manastirit, Diplomate në Paris
Parashqevi Qiriazi, që thirrej nga amerikanët Priskie Kyrias (Ikonomi, 2023), ishte e vetmja grua pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit, në këtë ngjarje historike, ku u diskutua dhe u vendos çështja e alfabetit të gjuhës shqipe. Ajo mori pjesë si përfaqësuese e Shkollës së Vashave dhe u zgjodh sekretare e Kongresit, duke qenë në qendër të një prej vendimeve më të rëndësishme të historisë sonë kulturore. Prania e saj aty dëshmonte se gruaja shqiptare kishte fituar tashmë një vend në diskutimet më të rëndësishme për të ardhmen e kombit.
Pas Kongresit, Parashqevia përgatiti dhe botoi, më 1909, një abetare sipas alfabetit të ri, duke kontribuar drejtpërdrejt në përhapjen e njësimin e shkrimit shqip. Ky ishte një hap i rëndësishëm për shkollën kombëtare, pasi alfabeti i përbashkët krijonte mundësinë e përdorimit të teksteve dhe të një sistemi më të njësuar të mësimit të gjuhës.
Kur fati i Shqipërisë ishte përsëri në rrezik dhe pretendimet territoriale të shteteve fqinje kërcënonin ekzistencën e saj, Parashqevia, nga SHBA udhëtoi drejt Parisit si përfaqësuese e Partisë Politike Kombëtare Shqiptare të Amerikës. Ajo u bë një nga gratë e rralla shqiptare që morën pjesë në përpjekjet diplomatike të kësaj periudhe, duke mbrojtur të drejtat kombëtare përpara qarqeve ndërkombëtare.
Përveçse si një përfaqësuese politike, ajo ishte një intelektuale që njihte gjuhët, historinë dhe argumentet e çështjes shqiptare. Në këtë përpjekje, shtypi, memorandumet dhe kontaktet me personalitete amerikane e evropiane ishin mjete të rëndësishme për të kundërshtuar projektet e copëtimit të Shqipërisë. Prania e saj në këtë konferencë ishte një dëshmi tjetër se gratë shqiptare nuk ishin më vetëm pjesëmarrëse në jetën arsimore, por edhe aktore të çështjeve të mëdha kombëtare.
Sevasti Qiriazi dhe Partia Politike në SHBA
Ndërkohë që Parashqevia mbronte interesat shqiptare në arenën diplomatike evropiane, Sevasti Qiriazi-Dako mbante gjallë përpjekjet arsimore dhe patriotike në diasporën shqiptare të Amerikës. Pas një periudhe qëndrimi në Rumani e Bullgari, motrat Qiriazi së bashku me Kristo Dako u vendosën në Shtetet e Bashkuara, ku vijoi veprimtarinë e saj në shërbim të çështjes kombëtare. Ato u mësuan shqiptarëve punëtorë gjuhën shqipe duke botuar libra dhe duke shtypur revistën Yll’i Mëngjesit.
Sevasti u bë një nga figurat qendrore të organizimit politik shqiptar në SHBA, duke marrë për një periudhë edhe drejtimin e Partisë Politike Kombëtare Shqiptare. Në këtë rol, ajo kontribuoi në organizimin e komunitetit shqiptar, në përhapjen e informacionit për Shqipërinë dhe në mbrojtjen e interesave të saj në një periudhë kur shteti i ri shqiptar kishte nevojë për mbështetje ndërkombëtare.
Diaspora shqiptare e Amerikës kishte krijuar tashmë një traditë të rëndësishme organizimi përmes shoqërive patriotike, federatës Vatra dhe shtypit në gjuhën shqipe. Në këtë mjedis, veprimtaria e Sevastisë dhe e bashkëpunëtorëve të saj mori një rëndësi të veçantë. Ajo dëshmonte se përpjekja për Shqipërinë nuk kufizohej vetëm brenda kufijve të saj, por vazhdonte edhe nëpërmjet shqiptarëve të emigruar.
Një nga mjetet më të rëndësishme të kësaj veprimtarie ishte shtypi. Gazetat dhe revistat shqiptare në Amerikë shërbenin si burim informacioni, si hapësirë debati dhe si instrument për të sensibilizuar opinionin publik amerikan. Përmes tyre, çështja shqiptare bëhej e njohur edhe për miqtë e huaj, ndërsa emigrantët shqiptarë ruanin lidhjet me gjuhën, historinë dhe atdheun.
Sevastia përveç veprimtarisë politike, vijoi të shkruante dhe të bashkëpunonte në botime, duke sjellë kujtime nga Rilindja Kombëtare dhe nga përpjekjet e para për arsimin e vajzave. Shkrimet e saj kanë vlerë të veçantë edhe si dëshmi historike, sepse ruajnë përjetime dhe të dhëna nga një periudhë që shënoi lindjen e arsimit kombëtar për femrat shqiptare.
Kristo Dako: bashkëshorti, bashkëpunëtori dhe mendimtari
Në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, një rol të rëndësishëm luan Kristo Dako, bashkëshorti i Sevastisë dhe bashkëpunëtori i ngushtë i dy motrave Qiriazi. Ai ishte një intelektual me formim të gjerë, arsimtar, matematikan, publicist dhe veprimtar politik, i cili e vuri dijen dhe përgatitjen e tij në shërbim të çështjes kombëtare.
Dako ishte një mbështetës i veprimtarisë së motrave Qiriazi. Ai ishte një bashkëpunëtor aktiv në hartimin e teksteve, në organizimin e institucioneve arsimore dhe në përpjekjet për ta bërë çështjen shqiptare të njohur në botën perëndimore. Kristo Dako la gjurmë të rëndësishme në historinë e shtypit shqiptar. Në revistën Yll’ i Mëngjesit ai trajtoi çështje të ndryshme të publicistikës, të politikës dhe të përgjegjësisë së shtypit. Ai konsiderohet si personi që shkroi i pari Kodin e gazetarisë shqiptare, të cilin e botoi në Yll’i mëngjesit, duke dëshmuar interes për edukimin qytetar dhe organizimin demokratik të vendit.
Formimi i tij në matematikë dhe histori, i dha mundësinë të kontribuonte edhe në përgatitjen e materialeve mësimore për shkollën. Në bashkëpunim me Sevastinë dhe Parashqevinë, ai ndihmoi në krijimin e një baze më të plotë tekstesh dhe materialesh për mësimdhënien. Kjo veprimtari ishte veçanërisht e rëndësishme në kushtet kur arsimi shqiptar vuante nga mungesa e librave dhe nga nevoja për përmbajtje të përshtatshme për shkollat kombëtare.
“Yll i Mëngjesit”: Tribunë e Arsimit Kombëtar
Një nga frytet më të rëndësishme të bashkëpunimit të kësaj tresheje – Trinia, siç e quante gazeta Dielli, treshen drejtuese të Partisë Politike, (Ikonomi, 2023) ishte revista Yll’ i Mëngjesit, e cila u botua në Boston nga viti 1917 deri në vitin 1920. Ajo ishte një tribunë e rëndësishme e mendimit kombëtar, e arsimit dhe e emancipimit shoqëror. Parashqevi Qiriazi ishte botuese, menaxhere dhe pronare e periodikut, ndërsa Sevasti Qiriazi dhe Kristo Dako ishin ndër bashkëpunëtorët e tij të rëndësishëm.
Një rëndësi të veçantë kishte fakti se revista nuk i drejtohej vetëm lexuesit shqiptar. Përmes përmbajtjes dhe komunikimit në gjuhën angleze, ajo synonte të informonte edhe opinionin amerikan për historinë, kulturën dhe të drejtat e popullit shqiptar. Kjo ishte një mënyrë e zgjuar për ta kthyer shtypin në instrument të diplomacisë kombëtare. Në shtyllat e revistës Parashqevia botoi “Memorandumin”, platformën e saj për zhvillimin e arsimit kombëtar në Shqipëri, duke shprehur qysh në fillim besimin se “tërë zyrtarët e ministrisë së Arsimit të mos merren me tjetër send, po të bëjnë theror tërë kohën dhe tërë fuqinë e mendjes së tyre në altar të arsimit kombëtar”. (Yll’i Mengjesit, nr.11, 1920).
Kodër-Kamëz: Instituti Femëror “Kyrias”
Pas viteve të gjata të veprimtarisë në Korçë dhe në diasporën shqiptare, Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako u kthyen në Shqipëri me një synim të qartë: ta shndërronin përvojën e tyre arsimore dhe kombëtare në një institucion të qëndrueshëm, që do t’u shërbente brezave të rinj. Më 2 tetor 1922 u hap Instituti Femëror “Kyrias”, në zonën e Kodër-Kamzës, pranë Tiranës. Ai përfaqësonte një fazë të re në historinë e shkollës së themeluar në Korçë më 1891. Kodër Kamzën, vetë motrat Qiriazi, e kanë konsideruar, një rihapje e institucionit të mëparshëm, por në të vërtetë ishte një projekt arsimor më i gjerë, i mbështetur në përvojën e fituar në Shqipëri, Turqi, Rumani, Bullgari dhe Shtetet e Bashkuara.
Instituti u bë një qendër e rëndësishme e arsimit të vajzave në Shqipëri.
Rëndësia e tij qëndronte te programet mësimore dhe te filozofia arsimore që e udhëhiqte: përgatitja e brezave me kulturë, dije, përgjegjësi qytetare dhe vetëdije kombëtare. Më 11 prill 1925 u vendos edhe gurthemeli i ndërtesës së re, duke shënuar një tjetër hap në konsolidimin e këtij projekti arsimor. Megjithatë, rrugëtimi i institutit nuk ishte i lehtë. Ndryshimet politike dhe pushtimi i vendit sollën vështirësi të mëdha, ndërsa më 1944 institucioni u mbyll. Pas vendosjes së regjimit komunist, mjediset dhe pasuria e tij u konfiskuan, por njëkohësisht “u konfiskua” edhe një traditë arsimore që kishte nisur më shumë se gjysmë shekulli më parë. Nëse flasim sot për “ndërkombëtarizim të arsimit të lartë”, instituti Kyrias e kishte realizuar qysh atëherë.
Dhe historia e tyre vazhdon…Kolegji Universitar “Qiriazi”
Emri dhe vepra e tyre mbetën pjesë e kujtesës kombëtare, pavarësisht ndërprerjeve dhe vështirësive që solli periudha e diktaturës. Sot, 135 vjet pas hapjes së Shkollës së Vashave në Korçë dhe më shumë se një shekull pas themelimit të Institutit Femëror “Kyrias”, është një fat i veçantë që vepra e Qiriazëve dhe e Kristo Dakos nuk ka mbetur thjesht një kujtim muzeal apo një përkujtim formal. Ajo vazhdon të jetojë përmes një tradite arsimore që lidh tri etapa të rëndësishme të historisë së arsimit shqiptar: Shkollën e Vashave në Korçë, Institutin Femëror “Kyrias” dhe Kolegjin Universitar “Qiriazi”.
Në të njëjtën hapësirë historike të Kodër-Kamzës, ku funksionoi Instituti Femëror “Kyrias”, sot vijon veprimtarinë Kolegji Universitar “Qiriazi”. Dhe këtu qëndron një nga dëshmitë më domethënëse të kësaj vazhdimësie: godina ku dikur zhvilloi veprimtarinë Instituti “Kyrias” është po ajo ku sot zhvillon veprimtarinë Kolegji Universitar “Qiriazi”. Pra, trashëgimia nuk është ruajtur vetëm në emër dhe në kujtesë, por edhe në të njëjtën hapësirë fizike, ku vazhdon të ushtrohet misioni arsimor. Kolegji, i themeluar në vitin 2006, po nga familja Dako-Qiriazi, si Shkolla e Lartë Jopublike “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” dhe i riformatuar në vitin 2016, nga Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, si Kolegji Universitar “Qiriazi”, synon të ruajë e të përcjellë më tej këtë traditë. Natyrisht, kohët, programet dhe kërkesat e arsimit kanë ndryshuar, por ideali themelor mbetet i njëjtë: dija si kusht për përparimin e individit dhe të shoqërisë.
Kjo vijimësi historike, arsimore dhe fizike i jep Kolegjit Universitar “Qiriazi” një identitet unik dhe një përgjegjësi të veçantë. Të mbash emrin e Sevastisë, Parashqevisë dhe Kristo Dakos, të vazhdosh një traditë arsimore të nisur prej tyre dhe të zhvillosh veprimtarinë në të njëjtën godinë ku funksionoi Instituti “Kyrias”, është një nderim i veçantë për të kaluarën, por edhe një detyrim për ta përfaqësuar denjësisht atë në të tashmen. Trashëgimia e tyre kërkon punë të përditshme, përkushtim ndaj arsimit cilësor dhe formim të brezave që do të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Burime:
Luarasi, Skënder: Publicistika e motrave Qiriazi. Tribuna e Gazetarit. Nr. 6 (51), 1972
Revista “Yll’i Mëngjesit”, Nr.11, 1920.
Ikonomi, Ilir: Fan Noli, Vëllimi i parë. UET, 2023.