• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

November 6, 2026 by s p

Epilog i Bienales “Niko Nikolla” – gjashtë vite vizion, katër edicione dhe një histori që vazhdon.

Njeriu nuk trashëgon vetëm një emër. Trashëgon një histori, një kujtesë dhe, mbi të gjitha, përgjegjësinë për atë që zgjedh të ndërtojë me to.

Në vitin 2020, nisa rrugëtimin e Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës “Niko Nikolla”. Një ide që lindi nga dashuria për artin, nga respekti për historinë e karikaturës shqiptare dhe nga dëshira për t’i dhënë asaj një hapësirë të denjë në dialogun ndërkombëtar.

E imagjinoja si një urë që do të lidhte artistët shqiptarë me botën, si një pikë takimi ku karikatura do të fliste përtej gjuhëve, kufijve dhe dallimeve kulturore. Një nismë shqiptare që do të mund të fitonte identitet dhe njohje përtej Shqipërisë.

Sot, pas gjashtë vitesh dhe katër edicionesh, kjo ide ka marrë një përmasë tjetër. Bienalja nuk është më thjesht një nismë kulturore. Ajo është shndërruar në një platformë ndërkombëtare, me identitetin, historinë, komunitetin artistik dhe vazhdimësinë e saj. Është një institucion kulturor i ndërtuar përmes punës, vizionit dhe përkushtimit të Albanian Excellence.

Edicioni i katërt, i zhvilluar në Korçë nga 31 tetori deri më 2 nëntor 2026, e dëshmoi edhe një herë këtë dimension. Rreth 250 artistë nga më shumë se 54 vende, rreth 200 punime të përzgjedhura për ekspozim, ekspozita, një juri ndërkombëtare dhe takime mes artistësh e kulturash të ndryshme. Një aktivitet që e ktheu Korçën në një pikë takimi të karikaturës ndërkombëtare.

Por pas asaj që publiku sheh qëndron një botë e tërë pune.

Të krijosh dhe të prodhosh një Bienale ndërkombëtare do të thotë të ndërtosh gjithçka nga fillimi: konceptin, strukturën, komunikimin, marrëdhëniet me artistët, procesin artistik, bashkëpunimin me jurinë, institucionet dhe ambasadat, ekspozitat, katalogët, ceremoninë dhe çdo detaj tjetër që e bën një aktivitet të tillë të funksionojë.

Gjashtë muajt e fundit kanë qenë një periudhë pune intensive. Pas çdo ekspozite, çdo artisti të mirëpritur dhe çdo momenti të bukur të Bienales ka pasur vendime, përgjegjësi, koordinime dhe sfida që nuk shfaqen në fotografi. Është ajo pjesë e padukshme e prodhimit, pa të cilën asnjë ngjarje e madhe nuk mund të marrë jetë.

Në këtë rrugëtim, Agim Sulaj, bashkëthemelues dhe drejtor artistik, ka dhënë një kontribut te jashtezakonshem në zhvillimin dhe konsolidimin artistik të Bienales.

Përvoja e tij ndërkombëtare dhe lidhjet me komunitetin e karikaturës kanë qenë pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi.

Mirënjohje për të gjithë artistët, juristët, bashkëpunëtorët dhe partnerët që kanë kontribuar në këtë histori.

Por ka edhe një dimension tjetër të kësaj historie, shumë personal për mua: emri i babait tim, Niko Nikolla.

Emri i tij përfaqëson një trashëgimi artistike dhe kulturore që e mbaj me dashuri dhe respekt të thellë. Por të vendosësh emrin e babait tënd në një veprimtari ndërkombëtare është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Do të thotë të kujdesesh që ai emër të përfaqësohet me dinjitet, të marrë vlerën që meriton dhe të jetojë përmes një vepre që i qëndron kohës.

Dua të bëj një dallim që për mua është thelbësor: të nderosh emrin e babait është një ndjenjë personale; të krijosh dhe të drejtosh një institucion kulturor është një përgjegjësi profesionale dhe publike. Këto dy gjëra nuk duhen ngatërruar.

Bienalja “Niko Nikolla” nuk është një ceremoni kujtimi dhe as një detyrim familjar. Ajo është një institucion kulturor që ka ndërtuar identitetin e vet përmes katër edicionesh, punës së Albanian Excellence, pjesëmarrjes së artistëve ndërkombëtarë dhe një vizioni që kërkon vazhdimësi.

Në këtë përgjegjësi familjare, motra ime dhe unë kemi qenë gjithmonë bashkë. Kemi ndarë mendime, kemi marrë vendime së bashku dhe kemi kërkuar që emri dhe trashëgimia e babait tonë të përfaqësohen me dinjitet. Edhe Çmimi i Familjes Nikolla është shprehje e kësaj lidhjeje dhe e dëshirës sonë për ta mbajtur gjallë kujtimin dhe vlerat e tij.

Por krijimi dhe prodhimi i Bienales ka kërkuar një punë të veçantë, një vizion dhe një përgjegjësi profesionale që i kam marrë përsipër përmes Albanian Excellence.

Trashëgimia na dha një arsye për të ëndërruar. Por Bienalen e ndërtuam me shume punë.

Kjo është e vërteta që përmbledh më së miri këtë rrugëtim: dashuria për trashëgiminë dhe përgjegjësia për të krijuar diçka me identitetin dhe vlerën e vet.

Sot, duke parë pas, ndiejmë krenari për atë që kemi ndërtuar, mirënjohje për njerëzit që u bënë pjesë e kësaj historie, por edhe lodhjen e një pune që ka kërkuar shumë më tepër sesa mund të tregojnë fjalët.

Besoj se puna kulturore duhet jo vetëm të vlerësohet, por edhe të mbështetet. Përkushtimi ka nevojë për vlerësim, përgjegjësia për mbështetje dhe puna profesionale për shpërblimin që meriton. Një institucion kulturor nuk mund të mbështetet pafundësisht vetëm te sakrifica personale e atyre që e ndërtojnë.

Dhe rrugëtimi nuk përfundon këtu.

Gjatë ditëve të Bienales në Korçë lindi edhe ideja e Albanian Excellence për krijimin e Shkollës Shqiptare të Karikaturës, një nismë që synon t’u japë fëmijëve dhe të rinjve mundësinë të zbulojnë dhe zhvillojnë talentin e tyre. Pritja entuziaste e artistëve pjesëmarrës dhe gatishmëria e tyre për të kontribuar na japin arsye të besojmë se kjo ide mund të bëhet një tjetër vlerë e qëndrueshme për kulturën shqiptare.

Në fund, besoj se vlera e një institucioni nuk matet vetëm me aktivitetet që organizon, por me gjurmët që lë, me njerëzit që bashkon dhe me trashëgiminë që krijon.

Niko Nikolla është emri që na frymëzon. Albanian Excellence është institucioni që e ka kthyer këtë vizion në veprimtari konkrete. Bienalja është vepra që, përmes punës dhe bashkëpunimit, ka fituar identitetin dhe jetën e saj.

Një emër mund të trashëgohet. Një institucion duhet ndërtuar. Një vepër duhet dëshmuar me kohën.

Dhe unë besoj se Bienalja “Niko Nikolla” e ka nisur tashmë historinë e saj përtej një brezi, përtej një familjeje dhe përtej një emri. Ajo i përket artit, kulturës dhe të gjithë atyre që besojnë se Shqipëria mund të krijojë dhe të mbajë institucione kulturore me vlerë ndërkombëtare.

Flora Nikolla

Ideatore dhe producente e Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës “Niko Nikolla”

Drejtore Ekzekutive, Albanian Excellence

Filed Under: Sociale

MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!

November 3, 2026 by s p

Nga solidarizimi me diktaturën e djeshme komuniste te reaagimi simbolik ose heshtja përballë padrejtësive të sotme.

Nga Frank Shkreli/

Ekziston një paradoks i dhimbshëm në historinë politike shqiptare, të cilin duket se bota shqiptare ende nuk ka guximin ta analizojë deri në fund. Shqiptarët shpesh janë solidarizuar me pushtetin, edhe kur ai pushtet ka qenë në kundërshtim të hapur me lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e bashkëkombësve të tyre, të sanksionuara dhe nga konventat ndërkombëtare.  Kjo nuk është dukuri e re.  Gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, ndërsa mijëra shqiptarë burgoseshin, pushkatoheshin, internoheshin dhe persekutoheshin për bindjet e tyre politike, fetare apo intelektuale, një pjesë e shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, vazhdonte të solidarizohej me regjimin diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Propaganda komuniste, bindjet ideologjike, interesat politike dhe mungesa e informacionit, gjatë dekadave, luajtën rolin e tyre.  Madje, për një kohë të gjatë, edhe një pjesë e diasporës shqiptare e shihte regjimin e Tiranës përmes syzeve të propagandës komuniste, ndërsa zërat e kundërshtarëve të diktaturës shpesh mbeteshin të izoluar dhe të pambështetur.

Historia duhet të shërbejë si mësim, jo si dekor për përvjetorë.  A po përsërisin shqiptarët të njëjtin gabim?  Sot, pas më shumë se tri dekadash “pluralizëm politik”, përballemi me një pyetje të ngjashme. Kur studentët dhe qytetarët shqiptarë protestojnë për të drejtat e tyre, kur ata kërkojnë llogari nga pushteti dhe kur përballen me trajtime që ngrenë shqetësime për respektimin e lirive demokratike, ku është solidariteti i shqiptarëve, kudo që jetojnë, në trojet shqiptare dhe në mërgim?  Le të bëjmë një krahasim: nëse një regjim serb, malazez, grek apo ndonjë regjim tjetër i huaj do të sillej me protestuesit shqiptarë në të njëjtën mënyrë, siç po sillen disa elementë të policisë shqiptare me protestuesit, a do të qëndronin shqiptarët – kudo që gjënden — indiferentë?  Vështirë të besohet! Në diasporën shqiptare në Amerikë e Evropë, do të organizoheshin protesta, demonstratata, lobime, do të bëheshin deklarata dhe do të kërkohej ndërhyrja e institucioneve ndërkombëtare.  Por kur problemet ndodhin brenda shoqërive tona e kur përgjegjësia bie mbi qeveritë shqiptare, solidariteti shpesh zbehet. Dhe çka është edhe më keq, ndahet sipas bindjeve partiake e politike ose zëvendësohet nga heshtja e plotë. Pse ndoshsë kjo? 

Patriotizmi nuk mund të jetë në shërbim të pushtetit.  Këtu qëndron, poblemi themelor: një pjesë e shqiptarëve dhe orgnaizatave të tyre, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare por sidomos në mërgim, ku gëzojnë të gjitha të drejtat e njeriut, duket se e kanë më të lehtë të identifikohen me pushtetin, cilido qoftë ai, sesa me qytetarin që kërkon të drejtat e veta themelore të njeriut, nga i njëjti pushtet.

Kjo ishte një nga tragjeditë e periudhës komuniste. Dhe nuk duhet të lejojmë që, në rrethana të tjera historike dhe politike, të përsëritet e njëjta logjikë shumë e gabuar.  Nuk mund të jesh kundër shtypjes së shqiptarëve nga regjimet e huaja dhe të heshtësh kur të drejtat e tyre cenohen brutalisht nga qeveritë shqiptare.  Nuk mund të kërkosh drejtësi për bashkëkombësit në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut apo Greqi, ndërsa nuk tregon të njëjtën ndjeshmëri për studentët dhe qytetarët në Shqipëri.  Nuk mund të mbrosh viktimat e diktaturës së djeshme dhe të relativizosh padrejtësitë e sotme vetëm sepse pushteti ushtron padrejtsitë e një partie të cilën ti ose organizata jote simpatizon.  Të drejtat e shqiptarëve nuk mund të varen nga emri, flamuri apo përkatësia partiake e atij që qeveris. Sidomos, diaspora duhet të ruajë ndërgjegjen e saj historike morale dhe atdhetare.  Diaspora anti-komuniste shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht, ka një histori të gjatë angazhimi për çështjen kombëtare. Ajo ka qenë në front të luftës kundër komunizmit gjatë luftës së ftoftë, ka mbështetur fuqimisht, Kosovën në luftë e në paqë dhe ka denoncuar shtypjen dhe ka kërkuar lirinë e shqiptarëve, kudo dhe gjithmonë.

Por kjo trashëgimi angazhimi politik nuk duhet të shndërrohet vetëm, në një kujtim të së kaluarës. Diaspora nuk mund të jetë e zëshme vetëm atëherë kur bëhet fjalë për çështje kombëtare jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa të jetë indiferente ndaj zhvillimeve demokratike në vendin amë. Nuk them se solidariteti është detyrim për të mbështetur çdo protestë, çdo slogan apo çdo kërkesë politike. Solidariteti është, para së gjithash, detyrim për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar, për të kritikuar dhe për të kërkuar llogari pa frikë nga dhuna apo ndëshkimi i pushtetit, qoftë në Tiranë apo në Prishtinë.  Mësimet e historisë nuk duhen harruar. Shqiptarët kanë vuajtur shumë nga regjimet shtypëse, nga diktatura komuniste dhe nga padrejtësitë e regjimeve të huaja. Pikërisht për këtë arsye, shqipptarët,duhet të jenë ndër të parët që reagojnë kur liria dhe dinjiteti i qytetarit shqiptarë, vihen në pikëpyetje kudo qoftë, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.  Në realitetin e sotëm politiko-ushtarak në Evropë mund të kemi një standard ndaj trajtimit të shqiptarëve në trojet e veta në Ballkanin Perendimor nga regjimet e huaja dhe një tjetër standard për trajtmin e shqiptarëve vendas nga regjimet shqiptare në Tiranë ose Prishtinë.  Por si një mbrojtës i viktimave të komunizmit në Shqipëri, gjatë dekadave, unë nuk mund të deklarohem që të kujtojmë viktimat e komunizmit dhe në të njëjtën kohë të hedhim në harresë selektive viktimat e padrejtësive të sotme ndaj studentve dhe qytetarve protestsues në Tiranë dhe anë e mbanë Shqipërisë. Dhe, mbi të gjitha, nuk mund ta quajmë veten komb të bashkuar nëse solidaritetin për njëri tjetrin e kushtëzojmë me interesat politike e partiake të pushtetit në fuqi, cilido qoftë ai.  “Motra jena, shoqe s’jena!”  Pra, a jemi solidarë kur njëri prej nesh kërkon, me të drejtë, liri dhe drejtësi?  Kjo është pyetja që shqiptarët kudo, duhet t’ia bëjnë vetes, jo vetëm sot, në kohën e protestave studentore, por edhe duke parë pas në historinë e vet. Sepse një komb dhe solidariteti i tij në mbrojtje të drejtave të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim, nuk dëshmohet vetëm nga mënyra se si një komb kundërshton armiqtë e jashtëm të shqiptarëve. Dëshmohet gjithashtu edhe nga guximi për të mos mbrojtur padrejtësitë ndaj bashkvendasve kur ajo kryhet nga të vetët.

Diktatura e djeshme komuniste duhet të na kishte mësuar se solidariteti me pushtetin nuk është gjithmonë solidaritet me Kombin. Dhe demokracia e sotme duhet t’i mësojë shqiptarët se solidariteti i vërtetë duhet të fillojë me qytetarin, me lirinë dhe me të drejtën për të kundërshtuar pushtetin, duke protestuar, si shqiptarë për të drejtat e veta.Edhe Prishtina zyrtare gjithashtu nuk mund të kufizohet te komentet ceremoniale në lidhje me ngjarjet aktuale në Tiranë. Nëse Kosova e konsideron Shqipërinë nënë ose motër, atëherë solidariteti duhet të shprehet me mbështetje të fortë publike për të drejtën e protestës, me thirrje për dialog të drejtpërdrejtë e të sinqert me studentët duke refuzuar çdo përpjekje për t’i etiketuar ata si të manipuluar nga forca të huaja, apo të dhunshëm vetëm sepse kritikojnë pushtetin.

Studentët nuk po kërkojnë leksione patriotizmi nga askush. Ata kërkojnë universitete funksionale, tarifa të përballueshme, konvikte dinjitoze, transparencë në financim dhe mundësi reale punësimi. Këto nuk janë kërkesa radikale. Janë detyrime bazë të një shteti, anëtar i NATO-s, që pretendon të jetë demokratik dhe evropian. Mendoj se kjo është një tezë historike, veçanërisht, e rëndësishme që duhet të trajtohet, seriozisht, edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, ashtuqë të mos i përsërisë sot gabimiet e një pjese të diasporës së djeshme, e cila, në rrethana të caktuara, që solidarizuar me regjimin komunist të Tiranës dhe jo me viktimat e tij. Frank Shkreli: Një thirrje për diasporën shqiptaro-amerikane, Shqipëria ka nevojë për zërin tonë | Gazeta TelegrafKjo është një çështje që meriton debat të hapur dhe të ndershëm nga të gjithë, qoftë nga Prishtina zyrtare, qoftë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe meeë gjerë.

Frank Shkreli

Filed Under: Sociale

SOVRANI ZGJEDH DIALOGUN…

October 31, 2026 by s p

Kolec Ndoja

Pishtar i Demokracisë

Bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër, 1990/

Në dhjetor të vitit 1990, nuk kërkuam leje nga diktatura për të themeluar pluralizmin. Morëm përgjegjësinë. Vepruam. Sot, pas tridhjetë e gjashtë vjetësh, Shqipëria përballet me një tjetër provë: pushtetin e përqendruar në duart e një njeriu dhe institucionet që duhet t’i shërbejnë qytetarit, jo kryetarit. Alfons Grishaj, në shkrimin “Demonstratat dhe komprometimi i tyre”, paralajmëron me të drejtë se përçarja e protestës dhe opozitës i shërben pushtetit. Por përgjigjja ndaj kësaj përçarjeje nuk është të presim ftesën e Kryeministrit. Rama mund të ofrojë dialogun e tij. Sovrani ka të drejtë të zgjedhë dialogun e vet. Rama duhet të largohet. Po të tjerët? Trembëdhjetë vjet qeverisje mjaftojnë për të kërkuar përgjegjësi. Denoncimet për dhunë ndaj studentëve e qytetarëve, frikësim, përndjekje politike dhe abuzim me institucionet kërkojnë hetim të pavarur.

Studentët nuk janë armiq të shtetit. Policia nuk është roje personale e Kryeministrit.Por Rama nuk është vetëm. Pas tij qëndrojnë shumica socialiste, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve. Edhe Presidenti ka detyrime kushtetuese që nuk mund t’i shmangë. Kur Rama të largohet, askush të mos thotë: “Nuk kishim çfarë të bënim. Ai ishte diktator. Ishte i çmendur!” Këtë justifikim e dëgjuam pas komunizmit. Sot jemi në demokraci. Deputetët kanë votën. Institucionet kanë kompetencat. Secili ka përgjegjësinë e vet. Askush nuk mund të fshihet pas Ramës. Rama duhet të largohet. Pikë. Pa dhunë, në rrugë kushtetuese.

PD dhe studentët: forca që duhet bashkuar

Në vjeshtën e vitit 1991, pa mbushur ende një vit nga themelimi i PD-së, në Shkodër krijuam fraksionin që kërkoi daljen e saj nga Qeveria e Stabilitetit. Ai qëndrim kontribuoi në përshpejtimin e zgjedhjeve dhe fitoren demokratike të marsit 1992. Atëherë nuk pritëm që ndryshimin ta bënte dikush tjetër. Vepruam edhe brenda partisë sonë. Partia Demokratike nuk është thjesht një strukturë opozitare. Ajo udhëhoqi ardhjen e pluralizmit në pushtet, ndërmori reformat e para të transformimit demokratik dhe, nën drejtimin e Sali Berishës, kontribuoi në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, zhvillimin e infrastrukturës dhe integrimin euroatlantik. Kjo histori, bashkë me strukturat, përvojën dhe rezultatet e PD-së, është një kapital politik dhe kombëtar që studentët nuk duhet ta anashkalojnë. Studentët kanë energjinë, pavarësinë dhe besimin qytetar që asnjë parti nuk mund t’i krijojë me urdhër. PD dhe studentët kanë më shumë për të bashkuar sesa për të ndarë. Asnjëra palë nuk duhet ta nënshtrojë tjetrën.

Sali Berishës i drejtohem pa ekuivoke:

Ne që themeluam PD-në të dhamë besimin për t’i shërbyer demokracisë, jo për ta lidhur përgjithmonë partinë me një njeri. Kontributi yt historik është i rëndësishëm. Pikërisht për këtë, përgjegjësia jote sot është edhe më e madhe: të bashkosh opozitën, të hapësh rrugën për një brez të ri dhe të vendosësh interesin e Shqipërisë mbi ambicien personale. Nëse nuk mund ta bësh, hapi rrugën atij që mundet. Edhe PD duhet t’i hapë rrugën një lëvizjeje më të gjerë qytetare, ta mbështesë atë dhe, nëse duhet, të pranojë rolin e pakicës brenda saj. Kjo nuk e dobëson PD-në. E nderon historinë e saj.

Dialogu nuk është pronë e Kryeministrit

I drejtohem Berishës, drejtuesve të PD-së dhe përfaqësuesve të studentëve: Uluni menjëherë në një tryezë. Pa kushte për drejtimin. Pa pazare për poste. Pa dorëzuar pavarësinë e protestës. Përfshini pedagogët, intelektualët dhe përfaqësuesit e pavarur të shoqërisë civile. Bashkoni strukturën dhe përvojën e opozitës me energjinë e studentëve. Qëllimi është një: përfundimi paqësor dhe kushtetues i qeverisjes Rama, zgjedhje të lira dhe institucione që nuk i nënshtrohen më një kryetari. Udhërrëfyesi Kombëtar për zgjidhjen paqësore të krizës është paraqitur tashmë. Ai mund të shërbejë si bazë pune, jo si kusht për bashkimin.

Kjo tryezë nuk ka nevojë për lejen e Ramës, as për miratimin e tij mbi pjesëmarrësit apo rendin e ditës. Dialogu që propozoj nuk është një tryezë ku Kryeministri zgjedh bashkëbiseduesit dhe përcakton kufijtë e ndryshimit. Është një nismë e lirë e forcave demokratike dhe qytetare, që marrin vetë përgjegjësinë për të ndërtuar alternativën. Nuk kërkoj drejtimin e saj, as ndonjë post. Nuk pres ftesë. Jam i gatshëm të veproj menjëherë për t’i afruar palët. Kapitali politik nuk është i pashtershëm. Nëse PD dhe studentët presin dobësimin e njëri-tjetrit, rrezikojnë të humbasin të dy. Bashkimi bën fuqinë. Përçarja i zgjat jetën pushtetit.

Republika i përket Sovranit

Në vitin 1990 nuk kërkuam një diktator më të mirë. Kërkuam lirinë. Sot nuk mjafton një kryeministër tjetër. Duhet një Republikë ku askush nuk e trajton shtetin si pronë. Nuk duam një pronar të ri të pushtetit. Duam t’i japim fund idesë se pushteti ka pronar. Pushteti është besim i përkohshëm i Sovranit. Qytetarët kanë të drejtën t’i zgjedhin, t’i kontrollojnë dhe t’i ndryshojnë drejtuesit e tyre. Sovrani nuk e refuzon dialogun. Refuzon që dialogu t’i imponohet si privilegj i pushtetit. Sovrani zgjedh vetë me kë bisedon, për çfarë bisedon dhe cilën rrugë demokratike ndjek. Në vitin 1990 u bashkuam për të fituar pluralizmin. Sot zgjedhim dialogun për të bashkuar forcat dhe për ta kthyer pushtetin aty ku buron: te qytetari.

Filed Under: Sociale

Një ndryshim i madh për çështjet e emigracionit!

October 30, 2026 by s p

Av. Hasan Metuku/

Gjykata e Lartë ka lejuar administratën Trump të bllokojë gjyqtarët e emigracionit që të pezullojnë përkohësisht rastet e dëbimit.

Përmes zgjidhjes së një padie me Teksasin, administrata anashkaloi procesin e gjatë formal të shfuqizimit të rregullit për t’i dhënë fund praktikës së epokës Biden, të njohur si “mbyllja administrative”.

Administrata Trump i dha fund praktikës së epokës Biden që lejonte pezullimin e rasteve të dëbimit.

Ky vendim hap rrugën që qeveria federale të rihapë potencialisht qindra mijëra raste dëbimi të pezulluara më parë nga gjyqtarët, duke përshpejtuar ndjeshëm procesin e largimit për migrantët në mbarë vendin.

Çfarë do të thotë saktësisht ky vendim për ata që janë në proces?

Në parim, kjo do të thotë që gjyqtarët e emigracionit nuk mund t’i pezullojnë më rastet për një kohë të papërcaktuar.

Qeveria tani ka të drejtë të rihapë dhe të shqyrtojë me shpejtësi qindra mijëra dosje që ishin bllokuar ose lënë pezull gjatë administratës Biden.

Për ata që duan të lexojnë më shumë mbi detajet ligjore:

Ky vendim i Gjykatës së Lartë të SHBA-së u mor pas një kërkese urgjente dhe mban numrin zyrtar të dosjes No. 26A500 (City of Baltimore, et al. v. Texas, et al.). Ky urdhër la në fuqi vendimin e Gjykatës së Teksasit që shfuqizon rregulloren e vitit 2024 për mbylljen administrative.

Metuku Law P.C.

Filed Under: Sociale

MONOGRAFI E VEÇANTË KUSHTUAR MALËSISË

October 28, 2026 by s p

Botimet të cilët trajtojnë shqiptarët në Mal të Zi nga ana e autorëve të ndryshëm kanë marrë hov pas vitit 1990, më rastin e dështimit të ideologjisë komuniste dhe miratimin e pluralizmit politik, si kudo në vendet e ish kampit socialist, në Evropën Juglindore.

Në këtë aspekt as autorët shqiptarë nuk qëndruan statik por botuan studime e botime të veçanta ku si preokupim profesional ishte trajtimi i temave në lidhje me shqiptarët në këtë mjedis nga e kaluara e deri ditët tona. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse për të parën herë u mundësua të shkruhet pa cenzurë sepse në monizëm pasojat ishin evidente.

Nail Draga

Në gamën e botimeve të tilla bën pjesë edhe libri “Malësia – studime e hulumtime” i autorit Anton Lulgjuraj i cili ditë më parë ka dalur nga shtypi.

Autori librin e ka konceptuar duke e ndarë në gjashtë kapituj , të cilët paraqesin një unitet logjik në trajtimin e çështjeve të cilat janë prezantuar në aspektin kronologjik, historik, gjeografik e antropologjik.

Malësia e Madhe sinonim i veriut shqiptar

Të rralla janë ata krahina në hapësirën etnogjeografike shqiptare që veçohen me një unitet natyror e shpirtëror në etnokulturën kombëtare siç është veriu shqiptar që është sinonim për Malësinë e Madhe.

Kemi të bëjmë pikërisht me tri kategori që e dallojnë Malësinë e Madhe në botën shqiptare dhe jashtë saj të cilat janë:

e para, së veriu shqiptar është sinonim i Alpeve shqiptare;

e dyta,së shtatë malet i kanë dhënë emrin e identitetin Malësisë së Madhe dhe

e treta: se veriu shqiptar përmes xhubletës e cila është vështja autentike kombëtare shqiptare paraqet pasaportën shqiptare.

Andaj, duke pasur parasysh këto të dhëna, dhe të kaluarën historike dhe trashëgëminë kulturore e kombëtare, më të drejtë Malësia e Madhe është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit”, që është krenari për të gjithë banorët e saj në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi.

Pikërisht duke marrë parasysh këto vlera të veçanta Malësia e Madhe ka qenë motiv dhe inspirim për krijues të fushave të ndryshme për hulumtime shkencore. Andaj në aspekt vlerësoj angazhimin e A.Lulgjurajt i cili në saj të punës serioze disa vjeçare opinionit në përgjithësi e ati shkencor e kulturor në veçanti i ka dhuruar monografinë “Malësia”, me një qasje shumëdimensionale, për këtë pjesë të hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Malet si faktor i identitetit

Në traditën popullore shqiptare krahina etnografike e Malësisë së Madhe e cila njihet edhe si Malësia e Mbishkodrës, përbëhet prej shtatë maleve, të cilët kanë veçoritë lokale por kanë ruajtur unitetin popullor në pjesën veriore të hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Por, në sajë të rrethanave shoqërore të kohës duke filluar nga nga pjesa e dytë shekulli XIX, ky unitet në aspektin territorial filloi të pësoi ndryshime. Kemi të bëjmë aspiratat pushtuese të Malit të Zi për zgjerim territorial ndaj trojeve shqiptare ku ne Kongresin e Berlinit(1878) ku iu dhuruan dy male(Koja dhe Trieshi) ndërsa ky reduktim nuk përfundoi me kaq sepse në Konferencën e Londrës(1912/13) u vendos që edhe Gruda dhe Hoti(pjesa perëndimore) t´i dhurohen Malit të Zi.

Ishin këto vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha, kundër vullnetit të shqiptarëve, duke mos marrë parasysh kriteret etnike e historike, sepse shqiptarët kanë luftuar për të qenë të lirë dhe të bashkuar në shtetin shqiptar, ku Malësia e Madhe është dëshmi historike në mbrojtje të hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Nga situata e tillë Malësia e Madhe u nda në dy pjesë, katër malet(Kojë,Triesh,Grudë e Hot) kaluan në administrim të Malit të Zi, ndërsa tre male(Kelmend, Kastrat e Shkrel) mbetën në kuadrin e Shqipërisë. Dhe nga ajo kohë në mënyrë artificiale u kriuan dy Malësi, ndonëse kemi të të bëjmë me të njëjtin popull i cili me dinjitet edhe sot mbron identitetin kombëtar shqiptar.

Duke marrë parasysh se krahinat etnografike trajtohen në mënyrë unike, autori në këtë botim trajton pjesën perëndimore të saj e cila është në kuadër të Malit të Zi, duke ofruar të dhëna me interes për katër malet nga aspekti historik, gjeografik, entologjik e antropologjia sociale.

Vendbanimet si kategori antropogjeografike

Në literaturën shkencore për vendbanimet është pranuar definimi gjeografik duke theksuar se vendbanimi është njësi e veçantë territoriale-antropogjeografike, me emër të veçantë pa marrë parasysh numrin e shtëpive. Vendbanimet veçohen me hapësirën e tyre territoriale, numrin e shtëpive dhe të banorëve në një vend të caktuar dhe si të tillë paraqesin dukuri komplekse, që trajtohen nga disciplina te ndryshme shkencore.

Pikërisht duke marrë parasysh këto çështje autori vendbanimet dhe lagjët e tyre prezantohen me të dhëna gjeografike, historike e antropologjike duke ofruar informacione të cilat opinioni do ti lexojë më kërshëri, sepse përveç literaturës së konsultuar, autori ka zhvilluar takime me banorë vendas, të cilët kanë ofruar të dhëna me interes për çështjet përkatëse, duke ndriçuar të kalurën dhe të tashmën e tyre dhe të tërë Malësisë.

Pikërisht këtu është vlera e veçantë e këtij botimi sepse autori është pëpjekur për të analizuar shkaqet e pasojat e mos zhvillimit të këtij mjedisi ku popullsia shqiptare vazhdimisht ka bërë përpjekje për të mbijetuar, në rrethana të ndryshme shoqërore. Të dhënat për numrin e shtëpive të banuara aktualisht e atyre të pabanuara janë dëshmi e migrimit të popullsisë, në pjesën e fushore të Malësisë apo gjetiu e ate kryesisht në botën e jashtme, dëshmon se Malësia po zvoglohet numërikisht proces i cili vazhdon gjithnjë me pasoja të mëdha kombëtare. E dhëna se në Detroit të SHBA-ve ka ma shumë malësorë se sa në Malësi, madje sipas të disa të dhënave trefish ma shumë, është dëshmi e një konstatimi të tillë.

Duke trajtuar vendbanimet e Malësisë autori ka prezantuar një numër të

konsideruar të mikrotoponimeve në mjediset përkatëse të cilët kanë vlerë të veçantë onomastike. Numri i tyre në këtë botim është relativisht i lartë andaj kemi të bëjmë më një lëndë me interes sidomos për gjuhësinë dhe gjeografinë historike.

Sfidat e mbijetesës

Në përgatitjen e këtij botimi autori ka konsultuar një litearturë selektive, por edhe burime të ndryshme të autorëve të cilët me herët kanë shkruar për Malësinë, duke pasur qendrim kritik, sepse jo të gjithë kanë prezantuar realitetin për këtë krahinë të hapësirës etnogjeografike shqiptare. Ndërsa prezantimi i hartave, tabelave dhe fotografive kompletojnë çështjet e trajtuara në aspektin demografik e hapësinor për vendbanimet e kësaj krahine etnografike.

Të dhënat e prezantuara për Malësinë në të kaluarën dhe në ditët tona dëshmojnë evoluimin e antropologjisë sociale të popullsisë shqiptare në këtë mjedis specifik gjeografik. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse Malësia përjetoi rrethana të veçanta shoqërore e politike sidomos në dy shekujt e fundit(XIX e XX), nga njëri pushtues në tjetrin ku arriti të sfidoj rrethanat e kohës duke mbijetuar në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar.

E vërteta e heshtur por jo e harruar

Nuk ka dilemë se vlera e një libri nuk varet nga tema dhe përmbajtja të cilën e shtjellon por nga dilemat dhe debatin që krijon të lexuesi.

Pikërisht kemi të bëjmë me çështjet e heshtuara shoqërore që në kohën e monizmit ishin të ndaluara, por ka ardhur koha që ato kërkojnë përgjigje për kohën se ishin me pasoja për shqiptarët në Malësi, në të kaluarën e deri në ditët tona.

Vetëm me një vullnet e pa paragjykime e qasje emocionale por me mbeshtetje të argumentuar do të zbardhej e vërteta e heshtur por jo e harruar e krimeve të pushtetit të kohës kundër shqiptarëve në Malësi. Andaj, ndonëse të vonuar ka ardhur koha të demaskohet politika antishqiptare e pushtetit ish jugosllav si para Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Sepse kemi të bëjmë me vrasjen e dhjetëra shqiptarëve në Malësi pa vendime gjyqësore vetëm se ishin shqiptarë apo si të pa përshtatshëm për pushtetin. Ndërsa emrat e individëve të tillë të cilët na i prezanton autori i kësaj monografie e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Pikërisht një çështje e tillë meriton hulumtim të veçantë duke botuar artikuj e botime për të njoftuar opinionin e gjerë për krimet e pushtetit ndaj shqiptarëve të dhëna të cilat në kohën e monizmit ka qenë temë e ndaluar, ku pak kush ka pasur informata të sakta, përveç rrethit të ngushtë familjar.

Në këtë drejtim duhet angazhim, profesionalizëm dhe guxim intelektual për të shpalosur të vëretën sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Shqetësime jo vetëm demografike

Duke lexuar këtë monografi jo vetëm studiuesit por edhe lexuesi në mes tjerash heton së disa çështje janë shqetësuese dhe më pasoja për Malësinë. Kemi të bëjmë kryesisht për çështjet demografike si emigrimi i popullsisë, rënia e natalitetit, moshënimi i popullsisë dhe shpopullimi i vendbanimeve, kryesisht ato të vogla në zonën malore.

Ndonëse migrimi i popullsisë është bërë trend bashkëkohor, pasojat mungesës së planit zhvillimor dhe investimeve nga ana e pushtetit në të kaluarën ka ndikuar që popullsia e Malësisë të pësojë ndryshime sasiore që dëshmohet nga të dhënat statistikore. Dhe nuk ka pasur se si të jetë ndryshe sepse për Malësinë nuk janë pyetur banorët e saj, por kanë vendosur të tjerët në Podgoricë, ku pasojat e tilla janë të pranishme edhe sot.

Çështje të veçantë paraqet edhe definimi i përkufizimit të territorit të komunës së Malësisë, çështje që është e hapur ku komisioni i komunës viteve të fundit ka punuar duke e dërguar në arbitrazh, andaj qytetarët presin një vendim të drejtë për tërë territorin e Malësisë.

Por, shqetësim të veçantë paraqet dukuria e shitjës së pronave së trashëguara nga banorët në vend por edhe nga diaspora që është gabim që nuk falët sepse ate që të parët e kanë vlerësuar dhe ruajtur me gjelozi, tash trashëgimtarët e tyre janë duke iu shitur të tjerëve për përfitime materiale. Ndonëse këto individë mund të përfitojnë materialisht, por nga ana tjetër do të ndikojnë në ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë në Malësi me pasoja tash dhe në të ardhmën.

Pikërisht nga ky aspekt në Malësi ka kohë që është bërë çështje e veçantë vendosja e popullsisë boshnjake në Dheun e Zi, e cila ka marrë përmasat e kolonizimit. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një kontigjent të lartë kësaj popullsie e cila këtu ka ndërtuar për tre dekada rreth 800 shtëpi të kësaj bashkësie. Një numër i tillë mbetën çështje e hapur sepse ndikon në ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë në nivel komune, andaj meriton përgjigje sipas ligjeve dhe standardëve ndërkombëtare, sepse ndryshimi mekanik i strukturës kombëtare të popullsisë në një mjedis ku rrezikohet popullsia autoktone është vepër e kundërligjshme.

Pasi nga viti 2018, Malësia është komunë e pavarur, në lidhje me këtë çështje duhet të angazhohet pushteti lokal me ekspert vendor apo të huaj, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme në favor të komunës, e ate sa ma parë, sepse çdo vonesë do të jetë me pasoja.

Përfundim

Libri “Malësia” e A.Lulgjurajt nuk ka dilemë se pasuron botimet në shqip për viset shqiptare në Mal të Zi si dhe bibliotekat persoale për të gjithë ata që librin e kanë pasion, duke dëshmuar se libri shqip është pasuri dhe vlerë kombëtare.

Të gjithë ata që në të ardhmën do të trajtojnë tema të cilat kanë të bëjnë me Malësinë ky botim është referencë e nevojshme sepse me qasjen dhe trajtimin e çështjeve obligon jo vetëm studiuesit e ndryshëm, por, edhe të gjithë ata që kulturën e leximit e kanë pasion, ndërsa hapësirën etnogjeografike shqiptare si preokupim individual e profesional.

Libri ”Malësia” është i mirëseardhur për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të njihen me antropologjinë sociale përkatësisht me të kaluarën dhe të tashmën e kësaj pjese të hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Andaj, këtë libër iu rekomandoj të gjithë qytetarëve të Malësisë në vend, e sidomos atyre në diasporë, sepse ndonëse janë larguar nga vendlindja, ata kudo që jetojnë e punojnë vendlindjen e kanë me vete, duke mbetur simbol i identitetit kulturor e kombëtar shqiptar.

Filed Under: Sociale

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT