
Av.Hasan Metuku/
Tirana dhe qytetet kryesore të Shqipërisë po përjetojnë një valë të jashtëzakonshme protestash popullore. Kjo levizje duhet pagëzuar si “Forca e të Vërtetës” pasi ka nxjerrë në shesh mijëra qytetarë, studentë, familjarë dhe përfaqësues të diasporës.
Kjo revoltë e shtrirë në kohë, tashme dy jave plot, nuk është thjesht një reagim i izoluar, por një manifestim i pastër i lodhjes kombëtare ndaj modelit qeverisës.
Në qendër të revoltës qëndron kërkesa e panegociueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Lidhjet e Qeverisë me Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin
Ky zemërim qytetar po ushqehet nga denoncimet e vazhdueshme për lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar, trafikantëve të drogës dhe eksponentëve të larte te qeverisë socialiste. Protestuesit mbajnë pankarta që akuzojnë elitën politike për dorëzimin e pasurive publike te grupet oligarkike dhe projektet klienteliste.
Qeverisja 13-vjecare ka shkatërruar konkurrencën e ndershme, ka penalizuar biznesin e vogël dhe ka nxitur shpërnguljen masive të rinisë, duke bere qe rreth 1 milione shqiptare te largohen nga vendi vetem gjate qeverisjes se Rilindjes varrosese socialiste.
Ndjenja e thelle qytetare është se shteti është vendosur në shërbim të përfitimeve private, duke lënë pas dore mirëqenien e qytetarëve të thjeshtë te cilët shihen nga pushteti si bankomat votash ne cdo zgjedhje por qe boshatis bankomatet e tyre gjate mandatit qeverises.
Fryma Perëndimore dhe Distancimi nga Klasa e Vjetër Politike
Ndryshe nga organizimet e shkuara partiake dhe politike, kjo valë protestash udhëhiqet nga një frymë thellësisht perëndimore, qytetare dhe paqësore. Një nga karakteristikat më dalluese është refuzimi i dhunës dhe distancimi i prerë nga partitë tradicionale politike.
Parullat e protestes dëshmojnë se qytetarët kërkojnë një rotacion total të elitës korruptive.
Mobilizimi i qytetareve bëhet në mënyrë organike përmes rrjeteve sociale, duke shfaqur një standard të lartë të vetëdijes demokratike që i ngjan shoqërive të zhvilluara evropiane.
A mund ta rrëzojë kjo protestë qeverinë?
Presioni i vazhdueshëm popullor e ka aftësinë të lëkundë themelet e çdo ekzekutivi, por rrëzimi i qeverisë kërkon që rezistenca të jetë afatgjatë dhe e shtrirë në çdo sektor të jetës publike.
Sic e kemi pare, qeveria socialiste ka treguar rezistencë, duke u përpjekur t’i minimizojë tubimet ose t’i quajë ato si të ndikuara nga jashtë duke ngritur teori absurde te nje konspiracioni nderkombtar ndaj Shqiperise, si dhe duke organizuar antimitingje partiake si pergjigje ndaj protestes qytetare.
Perbuzja dhe percmimi i qeverise socialiste dhe Edi Rames ndaj protestuesve dhe kesaj levizje perendimore deshmon panikun dhe ankthin qe satrapi ka kur ngrihet vegjelia. Zgjimi eshte i frikshem!
Skandalet korruptive thellohen, dhe SPAK sapo ka nisur hetim masiv ndaj kasaphanes se pronave ne Zvernec dhe Vlore, dhe shpresojme te perfshije gjithe bregdetin dhe gjithe Shqiperine, por keto probleme pronesie jane thjeshte maja e ajsbergut te ketij kobi kombtar te krijuar nga zyrtaret.
Prandaj lëvizja duhet të filloje etapen e re te protestes duke e pershkallezuar atë dhe të bllokojë funksionimin normal të institucioneve përmes mosbindjes civile, dhe dorëheqja e kryeministrit mbetet një skenar krejtësisht i mundshëm.
Paralelja me Lëvizjen Gandiste Satyagraha
Pyetja nëse kjo protestë mund të shndërrohet në një lëvizje të stilit Satyagraha (forca e së vërtetës përmes rezistencës paqësore) gjen përgjigje te vetë emri i revolucionit.
Ashtu si lëvizja e Mahatma Gandit, “Forca e të Vërtetës” bazohet në dy shtylla: rezistenca e paanshme ndaj të keqes dhe refuzimi i plotë i dhunës fizike.
Për t’u bërë një “Satyagraha” e vërtetë shqiptare, lëvizja duhet të kalojë nga thjesht marshimet e pasdites drejt akteve të mirëfillta të mosbindjes civile paqësore, siç janë grevat, bojkotet e taksave apo bllokimet sistematike, duke dëshmuar se sovraniteti i takon popullit dhe jo qeveritarëve.
Protesta dhe Nevoja për një Manifest Politik Kombëtar
Për të garantuar që ky vrull qytetar të mos venitet, ekziston një nevojë urgjente për një Manifest Politik të qartë. Ky dokument duhet të shërbejë si udhërrëfyes për ndërtimin e një Shqipërie Evropiane përmes këtyre pikave jetike:
• Dekriminalizimi i Plotë i Shtetit:
Shkëputja institucionale dhe ndëshkimi i çdo lidhjeje mes zyrtarëve publikë, trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar.
• Garantimi i të Drejtave të Pronës:
Ndalimi i marrjes arbitrare për qëllime të projekteve klienteliste dhe mbrojtja e pronës private të qytetarëve.
• Liria dhe Pavarësia e Institucioneve:
Vazhdimi dhe Reformim i thellë i sistemit të drejtësisë për të garantuar ndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë.
• Rritja e Mirëqenies Ekonomike:
Rishikim i sistemit të taksave, luftë ndaj monopoleve dhe krijimi i kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
“Forca e të Vërtetës” ka ndezur shpresën se ndryshimi i sistemit nuk është thjesht një dëshirë, por një mision i mundshëm.
Përmes një Manifesti të strukturuar dhe një qëndrese paqësore të palëkundur, Shqipëria mund të shkëputet nga tranzicioni i gjatë dhe të zërë vendin që i takon si një shtet me dinjitet evropian.