
Frano Kulli/
Ernest Koliqi, themeluesi e drejtuesi i revistës “Shkëndija” në kohën e luftës, në Tiranë, njëherësh drejtues i Institutit të studimeve shqiptare (1940-1944), i ndodhur tashma, për shkaqe të njohuna historike, larg atdheut, në mërgatë, e përvijon veprimin e vet intelektual, jo vetëm si nevojë të shpërfaqjes së të mbrendëshmes së vet ditunore e ndjesore, aq të pasuna të dyja, por ma përtej kësaj, si mision atdhedashjeje. Një shërbesë, që në rrethanat e “së ndaluemes” i ofron ndjesinë e detyrimit me u gjënd në sintoni me këto rrethana tue vendosë ekuilibrat e mprehtë midis shtysave që e kishin qitë jashtë prej atdheut dhe ndjesisë së tij të përzemërt drejt atdheut të dëshiruar…Pezmi e pengu prej atdheut që të jashtëqet i konvertuem në dashni shumëfishe për atdheun që e ke limfë të gjallësisë sate. E me ç’mjete tjera përveç se me dije e me zemër. Tue synue rezonimin e vehtjes te të tjerë e të tjerë bashkëkombas, të qitun përdhunshëm prej dheut amë edhe ata. Te arbëreshët e “gjakut të shprishur” ma së pari, po edhe te bashkëkohës e bashkëvuajtës të së njëjtës rrethanë. E nis kështu botimin e revistës së tij “Shejzat”. Për shqipen e bartësit e përdoruesit e saj kudo ndodhen, jashtë vendit amë.
Dëshira editoriale për ta pasë “Dritën e Shêjzave” në një botim solid e të plotë ka qenë e kahershme për ne, e bashkëshoqnueme me një tis shqetësimi permanent që atë ta përcillnim tek lexuesi ynë i sotëm pa mungesa e në gjithë plotninë e vet, me autenticitetin e paprekun, ashtu siç në të vërtetë ajo asht; përfaqësuese e dêjë e zanit të një kohe pezull të shqiptarisë. Sidomos asaj të mërgatës.Siç do ta përcillte vetë Koliqi themeluesi e përvijuesi deri në frymën e fundme i revistës albanologjike në numrin nistor të saj, në vitin e largët 1957, të titulluar: Mbas udhëhekjes së Shêjzave, shpalos synimin dhe platformen afatgjatë: “Botimi i kësaj të përkohëshmje ka për qëllim të kryemit e nji detyre intelektuale kundrejt atdhéut shi në kohë kur në kuadrantin e historís grepat po shënjojnë nji ças rreziku jetëshues”.
Kjo arritje për ne u bâ e mundun me ofrimin plot dëshirë të mbështetjes së studiuesit , publicistit e filozofit, profesorit të Urbaniana-s në Romë, Ardian Ndreca, përvijuesit të botimit permanent të “Shejzave” tash e në vijim. Mirënjohje e shumë rrespekt dedikatës së Tij.
”Kjo e përkohëshme don të jét tryezë e lirë kuvêndi burrnor,të mbajtun mbrenda caqeve t’urtís e të njerzís. Çdo shqiptar qi ka nji mendim fryt-dhânës për të shfaqun dhe din t’a shfaqi në shqipe të pastër, çdo intelektual qi lakmon të rrahi nji çâshtje ditunore ose don të paraqesi prodhimet e veta letrare, ka me gjetun vênd në këto fletë tona, mjaft qi të frymëzohet në xhixhillí të Shêjzave, hyllsí virtytesh arbnore.
E, Ernest Koliqi e kish kalue si pak kush sproven e dyfishtë; ditunar i pakundshoq e misionar i sprovuem…
* * *
Koliqi, njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më në zë të Shqipërisë së kohës u përfshi në një qeveri “të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta”, pohon studiuesi dhe historiani Berndt Fischer (R. Gurakuqi: Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939- 1946, fq.177).
Sikurse ende kujtohet e, unë e kam përmendë shpesh, si e dhanë gojore edhe një bisedë e Koliqit , rrethanë e momentit kur ai ftohet në Tiranë për t’i propozue postin e ministrit.
Asht viti 1939 ai kishte pak kohë që ishte emnue titullar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Simbas gojëdhanës, Koliqi nuk e jep përnjiherë pëlqimin, por kërkon pak ditë kohë. Prej atje kthen në Shkoder e takon… At Gjergj Fishten.
– Më kanë propozue me u bâ ministër i arsimit, pader…
– Me u bâ ministër – ia kthen pader Gjergji, pa prit spjegime ma të gjata prej bashkëfolësit.
– Po, unë s’kam mujt me e dhanë fjalën, për pa u pá e me fol me ty, pader – kërkon të shtjellojë kërkesen e vet Koliqi, ma parë se me ia marrë mendimin e matun atij që e çmonte aq shumë.
– Po pra po, me u bâ ministër – ia kthen me të shpejtë e me kambëngulje pader Gjergji e i thotë premë argumentin e vet, pa i lënë shtjellë për arsyetime të tjera: – me u bâ se tanë tjerët e bâjnë ma keq se ti… ( O Zot ç’farë kut vlerësmi për vlerat kishin njerëzit si ata. Me një ekzigjencë shembullore për dijet e për punët në dobi të saj e të kombit).
Dhe, Ernest Koliqi kështu u bë ministër i shtetit për Arsimin. Ministri me gjurmën më të dukëshme e të dobishme në arsimin e shqiptarëve…
Sapo filloi punën në këtë detyrë, ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët ma të shquem dhe filloi përpilimin dhe botimin e teksteve shkollore. Si ministër i Arsimit, në shtatorin e vitit 1941 mundësoi me një vendim që mbi 200 arsimtarë normalistë të shkonin në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Pa u caktue ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhë ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, ministri i Arsimit, profesori Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht një nga aktet ma sublime edhe sepse ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në rranjosjen e dëshirës për të mësue shqipen në të gjithë trojet shqiptare.
Prej shtetit të brishtë shqiptar, ende pa u formësue mirë si i tillë shkoi ndër mend dhe e bani punë të kryeme dërgimin te vëlleznit e nji gjaku atë për çfarë ishte ma e nevojëshme atje. Dërgoi mësues për të dhanë dije, duke plotësue kështu të nxanit e të mësuemit shqip si nevojë jetikë për ruajtjen e idenditetit kombëtar të shqiptarëve të atjeshëm, të cilët historia e padrejtë i kishte shkëputë prej trungut të kombit e dheut âmë.
Në vijim të asaj ç’ka nisi ministri Koliqi, “në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)… Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të Institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë” (Abdylaziz Veseli, Shkollat dhe Arsimi Shqip në Prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941- 1944, II, Gjilan 2003, fq 101.) (Romeo Gurakuqi: Gazeta Metropol).
Në nji letër dërgue më 16 tetor 1941 konsullit shqiptar Kolë Rrota në Vjenë nga ministri i Arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare, Ernest Koliqi thuhet se ka angazhuar Norbert Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari… Edhe si arsye madhore për ta shpëtue albanologun e shkëlqyeshem hebré nga kthetrat e nazistave…
* * *
E gjithë ajo çfarë përfshin caku kohor i gati tri dekadave të pandërpreme, që përmblidhen në këtë libër të vëllimshëm asht “prozë poetike” e tija, siç e emërton me të drejtë përgatitësi i librit, prof. Ndreca, aq moderne në stilistikë sa e gjithë proza e tij e shkurtë artistike, që, siç asht e njoftun u shenjue që në fillesat e veta si avangardë e shkrimtarisë shqiptare të viteve ’30 të shekullit që shkoi. Po ka aty edhe shkrime ma të herëshme, fletë të shkëputuna të nji ditari të vjetër, që ribotohen te “Shejzat”. Ose shkrime të tjera që ishin botue ma parë te gazetat e fletoret e Tiranës, atyne viteve o te “Gazeta shqiptare” që delte në Bari të Italisë si, bie fjala, ”Mëngjes në Kaninë” me 1935-en. Sikurse pena e njohësit me themel edhe të letërsisë së bashkëkombasve të vet, ndalë e i analizon me stimë e pa u kursye në qortime kur e sheh të nevojëshme; Mustafa Kruja, Medi Frashëri, Ndoc Nikaj, Fishta, Noli, Anton Harapi, Petrota e arbëreshë të tjerë. Ndalë përimtë në “Dy shkollat letrare të Shkodrës”, ajo e françeskanëve dhe ajo e Jezuitëve. Bashkë me rrespektin për gjithçka të vlertë, nuk ngurron me marrë n’dorë fshikullën e qortimit: Mos të qitët Zoti me ta, sepse pingul u asht mbushë mêndja qi vetëm nji pash u mbesin mbrapa Patër Gjergjit e Faikut në stil.
E masandej te Migjeni në shkrimin përmbyllës të vëllimit: “Migjeni dhe unë”, talentin e të cilit e kishte njoftë dhe përkrahë qysh në fillesë. Duke qenë pjesë e rëndësishme e redaksisë, Koliqi i boton për së pari poezinë “Të lindet njeriu…” në Fletoren “Iliria”, në faqen e tretë, aty ku botoheshin firmat ma të njohuna letrare të viteve ’30. Porse ai nuk e ndalë qortimin për ata të tjerë që e mitizojnë poetin e ri të talentuem. “Migjeni zên nji vend të spikatun në radhët e shkrimtarëve tonë, por ia damtojnë nâmin ata qi hiperbolikisht e ngjisin në majen e Parnasit, ku mbretnon me dy-tre shokë të tjerë Fishta.”
E kështu, e gjithë fasha e “Dritës së Shêjzave” vjen si një ylber shkrimor e stilistik që përshkon me dritën e yllësisë shpirtin e shkrimtarit të përpjestuem në dysh, në pezullinë që i diktoi përdhunshëm koha kur ai jetoi, andej e këndej brigjeve të Adriatikut.