
Mësuese Fabjola (Gjinaj) Marku/
Long Island, NY – 19 shtator 2026 Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” në Long Island hapi dyert për vitin e ri shkollor, duke nisur vitin e saj të tretë radhazi, për fëmijët që janë të interesuar të mësojnë shqip.
Dita e parë solli emocione të bukura, takime me miq të vjetër dhe njohje të reja. Fëmijët u rikthyen në klasë me dëshirën për të mësuar, ndërsa prindërit i shoqëruan me të njëjtin qëllim: t’u japin fëmijëve mundësinë të ruajnë dhe të zhvillojnë lidhjen me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Shkolla “Gjergj Fishta” ka lindur nga dëshira për të krijuar një hapësirë ku fëmijët shqiptarë të diasporës të mund të mësojnë shqip dhe, njëkohësisht, të njihen më nga afër me historinë, kulturën dhe traditat e vendit të origjinës së familjeve të tyre. Programi i shkollës nuk kufizohet vetëm te mësimi i gjuhës. Nëpërmjet mësimeve dhe aktiviteteve të ndryshme, synohet që fëmijët të krijojnë një marrëdhënie të natyrshme me kulturën shqiptare dhe ta shohin gjuhën shqipe si një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit familjar.
Gjatë këtyre tre viteve, shkolla është mbështetur nga përkushtimi i mësuesve, prindërve dhe pjesëtarëve të komunitetit. Një rol të rëndësishëm ka pasur edhe dëshira e familjeve për t’u krijuar fëmijëve një mundësi të tillë, edhe pse jeta në diasporë shpesh i vendos gjuhën e origjinës përballë shumë gjuhëve dhe kulturave të tjera. Dita e parë e këtij viti ishte një tjetër dëshmi se kur prindërit, mësuesit dhe komuniteti bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, mund të krijohet diçka me vlerë për brezin e ri.
Me shumë punë dhe përkushtim, viti i tretë i Shkollës Shqipe “Gjergj Fishta” sapo ka nisur. Përpara janë mësime, aktivitete dhe shumë momente të tjera që do t’i japin fëmijëve mundësinë të mësojnë, të shoqërohen dhe të afrohen gjithnjë e më shumë me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ftojmë komunitetin shqiptar në Long Island të regjistrojë fëmijët pranë shkollës shqipe “Gjergj Fishta” New York. Mirpresim regjistrime të reja.
“Arsimi është amanet i kombit dhe përgjegjësi ndaj brezave”. Një vit i ri shkollor, një tjetër hap i vogël për të mbajtur shqipen gjallë në Long Island.