
Nga Rafael Floqi/
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Vendimi shkaktoi zemërim e protesta në Kosovë dhe diasporë. Gjykata këmbëngul se shqyrton përgjegjësinë individuale, jo legjitimitetin e UÇK-së. Por, kur dënohen drejtuesit e saj, ndarja ndërmjet individit dhe organizatës bëhet e vështirë në ndërgjegjen publike. Dënimi është individual juridikisht, por njolla ka efekt më të gjerë historik.
Ky vendim riktheu një pyetje që shqiptarët e shmangën për vite: përse pranuam që udhëheqësit e luftës sonë të gjykoheshin nga një trupë ndërkombëtare, larg Kosovës? Përse besuam se të huajt do të ishin domosdoshmërisht më të paanshëm dhe më të drejtë?
Guvernatorët e pashpallur
Në Shqipëri dhe Kosovë, ambasadorët e shteteve të fuqishme fitojnë shpesh një titull që nuk ua njeh as Kushtetuta dhe as Konventa e Vjenës: atë të “guvernatorit” të pashpallur. Ata nuk e kanë marrë juridikisht këtë pushtet. Ua kanë dhënë institucionet e dobëta, politikanët që kërkojnë mbështetje nga jashtë dhe një opinion publik që i beson më shumë vulës së huaj sesa shtetit të vet. “Guvernatori” nuk është status diplomatik, por metafora e një sovraniteti që ne vetë e ushtrojmë me pasiguri.
A është kjo shenjë e një kompleksi kombëtar inferioriteti? Përgjigjja nuk mund të jetë një “po” e thjeshtë. Megjithatë, në sjelljen tonë politike dallohet prirja për t’i dhënë autoritetit të huaj më shumë besim sesa vetvetes. Kjo lidhet edhe me kodin e mikpritjes. Por kur ai transferohet në politikë, miku nuk ulet vetëm në krye të sofrës; vendoset në krye të shtetit. Fjala e tij merr më shumë peshë se vota dhe ligji vendas.
Gjatë komunizmit, modeli sovjetik u shpall si standardi me të cilin duhej matur çdo institucion shqiptar. Epërsia ushtarake e teknike e Moskës u shndërrua në epërsi të supozuar morale: Moska dinte, Tirana duhej të bindej. Pas komunizmit ndryshoi qendra e autoritetit, por jo gjithmonë psikologjia e marrëdhënies.
Shtetet e Bashkuara nuk mund të barazohen me Bashkimin Sovjetik. Ndërhyrja e NATO-s shpëtoi popullsinë e Kosovës dhe aleanca me SHBA-në mbetet jetike. Por mirënjohja krijoi rrezikun që miqësia të ngatërrohej me pagabueshmërinë. Politikanët përdorin takimet me ambasadorët si certifikata legjitimiteti. Krijohet një rreth vicioz: sa më të dobëta institucionet, aq më shumë kërkohet ndërhyrja e huaj; sa më shumë vendimmarrja delegohet, aq më pak zhvillohen institucionet.
Psikologjia e varësisë
Psikologjia sociale e quan këtë “brendësim të inferioritetit”. Një komb i vogël mund ta shndërrojë pabarazinë e fuqisë në hierarki të vlerës. Një shtet i madh ka më shumë ushtri, para dhe ndikim; prej kësaj nxirret gabimisht përfundimi se ka edhe gjyqtarët më të drejtë, diplomatët më të mençur dhe politikat më morale. Fuqia ngatërrohet me drejtësinë, prestigji me të vërtetën.
Krenaria kombëtare dhe inferioriteti politik mund të bashkëjetojnë: lartësojmë të kaluarën, por ia dorëzojmë të huajit autoritetin mbi të tashmen.
Në Kosovë vepron edhe frika nga braktisja. Përvoja e viteve 1998–1999 krijoi bindjen e arsyeshme se pa Amerikën dhe NATO-n, Kosova nuk mund të shpëtonte. Por nga pohimi “Amerika na ndihmoi të shpëtonim” u kalua shpesh te përfundimi “Amerika nuk mund të gabojë ndaj nesh”. Kur aleatët kërkuan një gjykatë të përqendruar te ish-pjesëtarët e UÇK-së, u përhap arsyetimi se ajo do ta pastronte luftën dhe udhëheqësit do të ktheheshin shpejt të pafajshëm.
Dhomat e Specializuara u miratuan nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015. Ato janë juridikisht pjesë e sistemit kosovar, por ndodhen në Hagë dhe përbëhen nga personel ndërkombëtar. U paraqitën si garanci për pavarësi dhe mbrojtje të dëshmitarëve, por krijuan një paradoks: gjykata mban emrin e Kosovës, ndërsa Kosova ka ndikim tepër të kufizuar mbi të.
Pranimi i saj ishte përzierje mirënjohjeje, presioni diplomatik, dobësie institucionale dhe frike nga izolimi. Udhëheqësit besuan se bashkëpunimi do ta mbronte marrëdhënien me Perëndimin. Por vendimi e goditi besimin te miku i pagabueshëm. Përgjegjësia penale mbetet individuale dhe duhet të mbështetet në prova, por miqësia politike nuk garanton drejtësi të përsosur.
Një fjalë e vetme Marre
Kur mori vesh vendimin, kryeministri Edi Rama reagoi me vetëm një fjalë: “Marre!” Në shqipen e Kosovës dhe të Veriut ajo do të thotë drejtpërdrejt turp. Por turp për kë? Për gjykatën dhe ata që dhanë vendimin? Për mekanizmin që u përqendrua pothuajse vetëm te njëra palë e luftës? Apo edhe për ne shqiptarët, që pranuam dhe ndihmuam krijimin e tij pa kërkuar garanci të mjaftueshme për barazi, transparencë dhe mbrojtjen e së vërtetës historike?
Ndoshta “marre” duhet lexuar në të dyja drejtimet: si akuzë ndaj një vendimi që shumë shqiptarë e konsiderojnë të padrejtë dhe si qortim ndaj naivitetit tonë politik. Besuam se miku do të ishte domosdoshmërisht i drejtë. I dorëzuam një institucioni të jashtëm edhe një pjesë të kujtesës së luftës.
Gjykatësi mund të thotë se nuk po gjykohet UÇK-ja, por vetëm katër persona. Juridikisht, ky është dallim themelor. Por historia nuk funksionon vetëm me kategoritë e sallës së gjyqit. Kur dënohen drejtuesit kryesorë, efekti simbolik prek edhe UÇK-në. Ajo mund të mos jetë ulur formalisht në bankën e të akuzuarve, por hija e aktgjykimit bie mbi emblemën, luftëtarët dhe kujtesën e saj.
Prandaj duhen mbrojtur njëkohësisht dy parime: askush nuk është mbi drejtësinë, por as drejtësia nuk duhet përdorur për të rishkruar historinë e agresionit, rezistencës dhe çlirimit.
Nga mikpritja drejt barazisë
Mikpritja është virtyt, por shteti nuk është shtëpi private. Ambasadori është përfaqësues i një vendi mik, jo kryetar i familjes politike shqiptare. Mendimi i tij duhet dëgjuar, por jo trajtuar si urdhër. Partneriteti me SHBA-në është pasuri strategjike, por nuk kërkon nënshtrim intelektual.
Problemi nuk zgjidhet duke kaluar nga adhurimi i ambasadorëve te armiqësia ndaj Perëndimit. Kjo do të ishte vetëm përmbysja e të njëjtit kompleks. Zgjidhja është pjekuria: të jemi mirënjohës pa qenë të bindur verbërisht; të bashkëpunojmë pa hequr dorë nga gjykimi kritik; të pranojmë përgjegjësinë individuale pa lejuar delegjitimimin e luftës çlirimtare; dhe të ndërtojmë institucionet tona, që të mos kenë nevojë për ambasadorin si noter, arbitër apo guvernator. E njëjta “marre” kolektive bënë ata që prisnim lirimin e Thaçit nga Grenelli.
Sovraniteti fillon në mendje. Një komb nuk bëhet i barabartë vetëm kur njihet nga të tjerët, por kur pushon së konsideruari veten nxënës të përhershëm në oborrin e fuqive të mëdha. Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për miq, por miqtë duhen parë siç janë: jo të pagabueshëm, jo gjithmonë të paanshëm dhe jo të autorizuar të zëvendësojnë institucionet tona.
Në daç e pëlqeni apo jo ajo “kafshë politike”, kryeministri Aktual Albin Kurti ia pat përmendur këtë Thaçit qysh më 2014. E që të mos i bëjmë gropën vetes, si ky i fundit. Duhet të kuptojmë se miqësia e vërtetë nuk kërkon përulje. Ajo kërkon respekt të ndërsjellë, përgjegjësi dhe barazi.