
Paulin Zefi/
Statuja monumentale e Mbretëreshës Teuta ndërthur figurën mbretërore me simbolikën ilire dhe elemente të frymëzuara nga trashëgimia arkeologjike e trevave ku ajo ka patur bërthamën e shtetit të saj. Prosopografia e Mbretëreshës, veçanërisht portreti i fytyrës, paraqet një grua të re, me tipare harmonike dhe bukuri të theksuar. Fytyra është trajtuar me linja të buta e të ekuilibruara, duke ndërthurur delikatesën femërore me një shprehje të qetë, të sigurt, dinjitoze dhe shumë autoritare. Kurora mbi kokë përforcon statusin e saj mbretëror dhe identitetin e figurës si sunduese, duke e vendosur portretin e Teutës në qendër të kompozimit monumental. Ajo nuk shërben vetëm si shenjë e pushtetit, por edhe si element vizual që e dallon figurën e mbretëreshës dhe i jep asaj një prani solemne e autoritare.
Parzmorja bashkon funksionin luftarak me atë ceremonial, duke shprehur fuqinë ushtarake dhe autoritetin mbretëror. Ndërsa brezi i gjerë dekorativ, së bashku me motivet rrethore, rozetat, relievet dhe format gjeometrike, është frymëzuar nga repertori ornamental i objekteve metalike prej bronzi dhe argjendi, të zbuluara në Tumat ilire të Shqipërisë Veriperëndimore dhe në pjesën shqiptare të Malit të Zi. Pelerina e gjatë dhe e valëzuar, që zbret në mënyrë të lirshme përgjatë trupit, krijon një kontrast të fuqishëm me karakterin e fortë të armaturës. Lëvizja e saj e trajtuar në mënyrë dinamike i jep statujës ndjesinë e një figure në ecje dhe e lidh siluetën mbretërore me hapësirën përreth.
Në të njëjtën kohë, pelerina e zgjeron vizualisht figurën dhe i jep monumentit një karakter solemn, monumental dhe ceremonial. Në dorën e majtë, mburoja ilire simbolizon mbrojtjen dhe fuqinë e Mbretërisë Ilire të Ardianëve, e cila në vitin 230 p.K., nën Teutën, kur arriti kulmin e fuqisë, shtrihej nga lumi Neretva në Veri dhe deri në Gjirin e Korintit në Jug. Dekori i mburojës me rrathë koncentrikë e radialë krijon një kompozim që evokon perëndinë kryesore ilire, diellin, dhe rrezatimin e tij, duke e shndërruar mburojën në një simbol të forcës, dritës dhe qëndrueshmërisë. Në dorën e djathtë, heshta ngrihet vertikalisht si shenjë e autoritetit dhe vendosmërisë, ndërsa gjarpri i mbështjellë rreth saj, që në vlerësimin tim është elementi më madhështor, përfaqëson totemin ilir dhe lidhjen me botën simbolike e mitike të lashtësisë (sot, Ora e shtëpisë). Në tërësinë e saj, statuja e paraqet Mbretëreshën Teuta si një figurë të fuqishme mbretërore, ku armët, veshja, ornamentika dhe atributet simbolike bashkohen në një gjuhë të vetme artistike. Çdo element kontribuon në ndërtimin e një imazhi monumental që synon të evokojë pushtetin, autoritetin, identitetin dhe kujtesën historike të Mbretërisë Ilire të Ardianëve.
*Kjo kryevepër artistike përfaqëson një simbol të
jashtëzakonshëm të së kaluarës sonë të lavdishme dhe që do të shërbejë si një pikë shumë e rëndësishme referimi për të ardhmen…
Tani e kanë rradhën: Bardhyli, Grabosi I, Aleksandri i Madh, Kleiti, Glauku, Pirro, Longari, Bato I, Monuni, Mytili, Agroni, Skerdilaidi, Pleurati II dhe Genti….
*Iniciatori: Marin Mema;
*Skulptori: Julian Muçollari;
*Personi që e solli në Lezhë: Paulin Zefi,
*Personi që përzgjodhi vendndodhjen: Pjerin Ndreu;
*Konsulent shkencor: Neritan Ceka;
*Financimi i statujës: Shqiptarët e zakonshëm
, të cilët ju pergjigjën nismës së Marinit për mbledhjen e fondit;
*Financimi i piedestalit dhe rehabilitimi i hapësirës: Bashkia Lezhë.
*Përshkrimi teknik:
Lartësia totale e monumentit: 8.70 m: 3.25 m i përkasin piedestalit dhe 5.45 m është statuja prej bronzi.
Pesha: 1.270 kg.
Përbërja e materialit: 85% bakër (Cu), 5% kallaj (Sn), 5% zink (Zn) dhe 5% plumb (Pb). Ky është një aliazh i përzgjedhur për të krijuar një sipërfaqe të qëndrueshme, me karakteristikë të veçantë estetike dhe patinim të kontrolluar.
Ngjyra: Statuja është trajtuar me një ton patine të gjelbër-blu (verdigris), të ngjashëm me ngjyrimin karakteristik të Statujës së Lirisë në New York City
, duke synuar një pamje elegante, monumentale dhe të harmonizuar me mjedisin panoramik të “Rânës së Hèdhun”, në Shëngjin
.