
Nga Mimoza Dajçi/
Statuja e një Gruaje me pishtar në dorë, vendosur në qendër të Kryeqytetit Amerikan në Washington, D.C., përfaqëson “Shpresën dhe Lirinë”, të drejtat e njeriut dhe demokracisë që triumfon mbi errësirën e tiranisë. Mbi bazamentin e saj shkruhet: “Për më shumë se 100 milionë viktimat e komunizmit, për ata që duan lirinë, si dhe për lirinë e pavarësinë e të gjitha kombeve të robëruara”.
Ky monument shërben si simbol universal i rezistencës paqësore dhe kujtesës historike për të gjithë individët që vuajtën ose humbën jetën nën regjimet totalitare. Këtë fakt dëshroj ta lidh me praninë e domosdshme të një Monumenti për gratë e ish-të persekutuara politike në qendër të Kryeqytetit të Tiranës (edhe pse një akt i vonuar), por do të ishte jashtëzakonisht i nevojshëm dinjiteti, drejtësie historike dhe reflektimi kombëtar, pasi edhe gratë vuajtën ferrin e rëndë e të errët të asaj diktature çnjerëzore.
Duke qenë se autor i atij represioni politik ishte vetë shteti, ishte dhe është detyrë e shtetit të kërkojë falje dhe të realizojë jo vetëm dëmshpërblimin financiar, por edhe dëmshpërblimin moral duke ngritur një Memorial të tillë në qendër të Kryeqytetit. Burgosjet, internimet dhe persekucionet politike edhe ndaj grave dhe fëmijëve në Shqipëri nuk erdhën nga individë privatë, por nga aparati shtetëror i kohës përmes ligjeve gjykatave dhe organeve të ekzekutimit të dënimeve.
Prandaj në këtë tranzicion të tejzgjatur, çështja e ndërtimit të një monumenti kombëtar në Tiranë për të nderuar gratë dhe fëmijët që vuajtën nëpër burgjet politike, kampet politike të internimit dhe provuan mbi trupat e tyre persekucione të ndrysme gjatë diktaturës komuniste përbën një detyrim moral, ligjor dhe kushtetues të shtetit shqiptar. Eshtë një përgjegjësi institucionale e shtetit i cili krijoi këtë tragjedi, pasojat e së cilës kjo shtresë po i vuan akoma.
Edhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e njohin memoralizimin si një formë dëmshpërblimi moral, detyrë kjo që garanton se krimet e kaluara nuk do të harrohen dhe se viktimat e pafajshme do të nderohen publikisht.
Në kalvarin e atij regjimi, gratë shqiptare mbajtën një peshë dyfishe, ato që vuajtën drejtpërdrejt në burgje e kampe internimi, dhe ato që përballuan diskriminimin, vetminë dhe presionin e egër shoqëror për të mbajtur gjallë familjet e tyre ndërsa bashkëshortët apo baballarët ishin të dënuar. Gratë ishin vërtet “heroina të heshtura” që ditën të mbronin njerëzoren, besimin dhe dinjitetin në kushtet e survejimit kolektiv.
Periudha e diktaturës komuniste në Shqipëri do të mbetet një nga plagët më të rënda dhe më tragjike të historisë kombëtare. Kampet e internimit dhe të punës së detyruar si ai i Tepelenës, Lushnjës, Maliqit, Bënçës etj, dëshmojnë çmimin e tmerrshëm njerëzor që paguan mijëra familje të pafajshme, veçanërisht gratë dhe fëmijët.
Kampi i Tepelenës, i njohur për kushtet e tij çnjerëzore, urisë, sëmundjeve dhe të ftohtit ekstrem, mbetet simbol i kësaj tragjedie, ku sipas zyrave të shtetit (AIDSSH), ky kamp që funksionoi nga viti 1949 –1953, kap shifrën e rreth 300 fëmijëve të moshave nga foshnja deri në 12-14 vjeç, të cilët vdiqën nga uria, dizenteria, tifoja, i ftohti dhe mungesa e kujdesit mjekësor. Që do të thotë se pothuajse gjysma e viktimave në Kampin e Tepelenës ishin fëmijë.
Prania e këtij monumenti në zemër të Kryeqytetit në një hapësirë publike mbart në vetëvete një silbolikë të fortë, që do të shërbente si kujtesë e përhershme për çmimin e lirisë, për të mos lejuar kurrë rikthimin e diktaturës. Do të nxise dialogun ndërmjet brezave, duke ndihmuar të rinjtë që nëpërmjet artit të kuptojnë se liria sot është ndërtuar mbi sakrificat e heshtura të djeshme.
Edhe pse shpesh e kemi ngritur zërin si në Shqipëri edhe në SHBA me gratë ish të persekutuara politike, përsëri nuk kemi parë një ndërgjegjësim apo realizim të një Memoriali të tillë, dedikuar kësaj shtylle të shoqërisë, të cilat rritën dhe edukuan fëmijët e tyre në kushte extreme varfërie nën vëzhgimin e vazhdueshëm të sigurimit të shtetit të izoluara nga shoqëria, dhe që akoma po lihen në hije nga historia zyrtare e të gjitha kohëve dhe politika. Kuota e përfshirjes së gruas në parlamentin shqiptar në kuotën 30%, akoma nuk është arritur, aq më tepër shumë më larg është ajo e përfshirjes së gruas ish të persekutuar politike në një kuotë të caktuar.
Sigurisht duke u financnuar nga shteti me fondet publike shërben si mjet ndërgjegjësimi arsimor, shoqëror e historik duke garantuar që diktatura dhe shkelja e të drejtave të njeriut të mos përsëriten më kurrë. Financimi i këtij Memoriali nga buxheti i shtetit do të simbolizojë pranimin e fajit nga ana e pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës dhe do të shënojë një hap të domosdoshëm drejt shërimit të memories kolektive shqiptare.