
Në kushtet e reja të përplasjes globale ndërmjet globalistëve dhe konservatorëve sovranistë, Kombi Shqiptar duhet të rreshtohet qartë dhe pa ekuivok në grupimin konservator-sovranist, që aktualisht udhëhiqet nga Presidenti Trump.
Për të realizuar këtë, padyshim që duhet të iniciohet dhe të ndërtohet një strategji kombëtare, e cila, në kushte normale, duhet të udhëhiqet nga institucionet legale në Tiranë dhe Prishtinë, por që, fatkeqësisht, pushteti në të dyja kryeqytetet shqiptare menaxhohet nga globalistët.
Që Gjykata e Dhomave të Specializuara të Kosovës pētgjate viteve 2010-2016 është krijuar nga globalistët evropianë dhe amerikanë, këtë nuk besoj se e vë kush në dyshim.
Nëse shqiptarët e kuptojnë këtë, atëherë mund ta gjejnë rrugën e shpëtimit kombëtar, pasi të jeni të bindur se pas kësaj gjëma të tjera do të vijnë, pasi dënimi i krerëve të Kosovës është bërë i mundur qëkurse është krijuar Gjykata Speciale, me bashkëpunimin e dakordësinë e globalistëve në Tiranë e Prishtinë përgjatë viteve 2010–2016 gjithçka tjeter eshte hipokrizi duke mbajtur ne paraburgim clirimtaret per 6 vjet e pranuar “prova” e deshmi pa identitet transparent .
Shikoni çfarë hipokrizie e talljeje me fatet e Kombit përfaqëson binomi Rama-Kurti, me lotët e tyre të krokodilit dhe fjalimet patetike kundër Gjykatës që e kanë ndërtuar miqtë e tyre, me suportin e tyre të drejtpërdrejtë.
Është detyrë e intelektualëve shqiptarë që të zgjojnë dhe të drejtojnë popullin shqiptar drejt së ardhmes, e cila, me siguri, nuk është globalizmi pasi internacionalen komuniste e kemi provuar pergjate 50 viteve.
E patë se si binomi komunisto-globalist Rama-Kurti preu edhe kontaktin e vetëm që Kombi Shqiptar pati me administratën antiglobaliste të Presidentit Trump, duke nxjerrë nga zyra ish-Presidenten Vjosa Osmani dhe, të dy së bashku, iu bashkuan samitit të ekstremit të majtë të Barcelonës këtë pranverë, i cili ishte mbledhur posaçërisht për të promovuar globalizmin dhe për të luftuar Presidentin Trump.
A ju kujtohet momenti se kur doli urdhër-arresti për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi?
Hashim Thaçit iu nxor urdhër-arresti pikërisht në momentin kur ishte duke udhëtuar nëpërmjet Gjermanisë për në Shtëpinë e Bardhë, në një takim të planifikuar me Presidentin Trump.
Shkojmë më tej. Pas dy javësh nga arrestimi i Hashim Thaçit, udhëtoi për në Shtëpinë e Bardhë ish-Kryeministri Abdullah Hoti.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump realizoi në atë moment njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe realizoi një marrëveshje zhvillimi që, sipas deklarimeve të bëra në atë kohë, mbështetej me 17 miliardë dollarë.
Por çfarë ndodhi më tej me ardhjen në pushtet të globalistit Kurti? Edhe sot e kësaj dite nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje historike të realizuar nga Presidenti Trump në Parlamentin e Kosovës, megjithëse ajo kishte një interes të madh për zhvillimin e Kosovës.
Shqiptarë, zgjohuni, nëse realisht e doni kombin tuaj, pavarësisht se ku jetoni e punoni, pasi, si popull autokton dhe tradicional në doket e zakonet tona, nuk na bashkon asgjë me internacionalen komunisto-globaliste dhe agjendat e tyre perverse!
Nuk mund të qëndrojmë apo të deklarohemi si populli dhe Kombi më pro-amerikan i botës, kur votojmë në vazhdimësi lidershipin globalist dhe antiamerikan.
Cili nga ju e ka lexuar apo dëgjuar deklaratën përfundimtare të globalistëve të Barcelonës, ku morën pjesë binomi Kurti-Rama?
Analistët dhe gazetarët duhet t’u kërkojnë Kurtit dhe Ramës që ta bëjnë publike.
Po përse nuk e botojnë?
Përgjigjja është e thjeshtë: sepse ky takim është organizuar kundër Presidentit Trump.
Duhet ta kuptojmë të gjithë se dënimi i lidershipit të Kosovës nuk është kundër katër individëve, siç u munduan ta kamuflojnë gjyqtarët e huaj të Speciales së Kosovës në Hagë, pa asnjë simbol të shtetit të Kosovës në sallën e gjyqit apo në veshjet e tyre, por është një proces makabër kundër Kombit Shqiptar, i menduar dhe programuar që nga krijimi i Gjykatës Speciale. Fatkeqësisht, gjëma të tjera do të pasojnë në të ardhmen e afërt, nëse nuk do të dimë ta ndalim këtë program armiqësor ndaj kombit dhe popullit shqiptar.
Është koha për qeveri të shpëtimit kombëtar në Tiranë dhe Prishtinë, ku të përfaqësohet interesi dhe vullneti i Kombit Shqiptar dhe jo agenda komunisto-globaliste, si deri tani.
Nëse nuk e kuptojmë këtë dhe nuk e kthejmë kombin shqiptar aty ku e ka vendin, nën ombrellën amerikane, nesër do të jetë vonë. Dhe të mos harrojmë se historia ka fshirë nga harta gjeopolitike e botës kombe më të mëdha se ne.
AJET DELAJ
New York