• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FINAL COUNTDOWN

November 3, 2026 by s p

Shqipëria në buzë të greminës demokratike.

Nga Kolec Ndoja

Në vitet tridhjetë, Winston Churchill paralajmëronte Europën për rrezikun që përfaqësonte Adolf Hitleri. Ndërsa udhëheqësit europianë kërkonin kompromise dhe mënyra për të fituar kohë, Churchill kuptonte se problemi nuk ishte një krizë e zakonshme politike, por natyra e pushtetit që po ndërtohej. Historia i dha të drejtë. Por kur Europa e kuptoi plotësisht rrezikun, çmimi ishte katastrofik.

Sot, duke parë zhvillimet në Shqipëri, më rikthehet ai mësim. Nuk pretendoj të jem Churchill dhe as ta barazoj Shqipërinë e sotme me Gjermaninë e viteve tridhjetë. Por e njoh rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e një njeriu, ndërsa ata që duhet ta kufizojnë sillen sikur kanë gjithë kohën e botës.

Nuk kam frikë se historia do të më japë të drejtë. Kam frikë se, kur të më japë të drejtë, për Shqipërinë do të jetë tepër vonë.

Historia që nuk duhej të përsëritej

Shqipëria e ka paguar shtrenjtë pushtetin personal.

Në vitet 1944–1946, Enver Hoxha konsolidoi sundimin komunist përmes shtypjes së opozitës, burgimeve, përndjekjeve dhe ekzekutimeve politike. Zgjedhjet e dhjetorit 1945 nuk ishin konkurrencë e lirë ndërmjet partive të pavarura. Pluralizmi po asgjësohej.

Hoxha nuk u bë diktator brenda një dite. Institucionet u nënshtruan, kundërshtarët u eliminuan nga jeta politike dhe besnikëria ndaj udhëheqësit zëvendësoi përgjegjësinë ndaj kombit.

Në dhjetor 1990, brezi ynë u ngrit kundër atij sistemi. Si një ndër themeluesit e Partisë Demokratike në Shkodër, e kujtoj mirë se nuk kërkuam leje nga diktatura për të themeluar pluralizmin. Morëm përgjegjësinë dhe vepruam. Sot, pas më shumë se tri dekadash, shtroj një pyetje që dikur do të më dukej e paimagjinueshme:

A po lejojmë që mendësia e pushtetit absolut të rikthehet përmes institucioneve që krijuam për ta penguar?

Edi Rama dhe rreziku i pushtetit personal

Po e them pa ekuivok, duke marrë përgjegjësinë për gjykimin tim:

Edi Rama është Enver Hoxha i rimishëruar politikisht.

Nuk po barazoj krimet e diktaturës komuniste me Shqipërinë e sotme. Po flas për atë që shoh si të njëjtën mendësi sundimi: vullnetin për ta vendosur pushtetin personal mbi institucionet dhe për ta trajtuar kundërshtimin si pengesë që duhet neutralizuar.

Për mua, Rama përfaqëson rrezikun më të madh për lirinë politike të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit.

Dhe shqetësimi nuk është vetëm retorika e tij.

Kemi parë shembje pronash e biznesesh në emër të ligjit, urbanistikës dhe mbrojtjes së mjedisit. Por a zbatohet i njëjti ligj ndaj qytetarit të zakonshëm dhe investitorit të lidhur me pushtetin? A respektohen e drejta e pronës, procedurat ligjore dhe vendimet gjyqësore?

Ligji që godet të dobëtin, por toleron të fuqishmin, nuk është drejtësi e barabartë. Në drejtësi, Sali Berisha kaloi afro një vit në arrest shtëpie; Ilir Meta dhe Erion Veliaj u arrestuan në kuadër të hetimeve penale. Asnjëri nuk është mbi ligjin dhe arrestimi nuk provon fajësinë. Po ashtu, këto masa nuk provojnë vetvetiu ndërhyrjen e kryeministrit. Por pikërisht për këtë arsye, pavarësia e drejtësisë dhe mungesa e ndikimit politik duhet të jenë të padiskutueshme.

Skandali i të dhënave të votuesve dhe praktikat e patronazhimit kanë ngritur shqetësime për privatësinë dhe profilizimin politik. Akuzat për presion administrativ, financim të paligjshëm dhe ndikim të krimit të organizuar në zgjedhje kërkojnë hetim të plotë.

Sepse çështja nuk është vetëm kush i fiton zgjedhjet.

Çështja është nëse qytetari mund të votojë lirisht dhe nëse institucionet kanë ende fuqinë ta kufizojnë pushtetin. Një kryeministër nuk është pronar i shtetit. Një shumicë parlamentare nuk është pronare e Republikës. Ata luajtën me zjarrin. Por Shqipëria nuk duhet të digjet. Sali Berisha dhe Ilir Meta sot janë bashkë në opozitë, bashkëvuajtës politikë të një përballjeje që nuk po arrijnë ta fitojnë.

Nuk po arrijnë ta përballojnë Edi Ramën as të ndarë, as së bashku. Por ata mbajnë edhe një përgjegjësi të rëndë historike. Për vite me radhë, përqendrimi i vendimmarrjes në rrethe të ngushta, mungesa e demokracisë së brendshme dhe përjashtimi i njerëzve të aftë dobësuan partitë dhe copëzuan potencialin e opozitës. Shumë individë u larguan ose krijuan forca të vogla politike, ndërsa besnikëria ndaj kryetarit shpesh vlejti më shumë se mendimi i lirë.

Në gjykimin tim, kjo kulturë politike ndihmoi në krijimin e kushteve që Rama të konsolidonte pushtetin.

Ata luajtën me zjarrin e pushtetit personal dhe sot po ndiejnë vetë nxehtësinë e tij. Por populli shqiptar nuk ka pse të paguajë çmimin e gabimeve të tyre. Berisha dhe Meta mund të jenë duke paguar një çmim të rëndë politik e personal. Megjithatë, përgjegjësia e tyre nuk përfundon te fati individual. Ata patën mundësinë të ndërtonin një pluralizëm më të fortë dhe më të hapur.

Sot, as bashkimi i tyre nuk mjafton. Ata mund ta kenë humbur betejën e tyre për pushtet. Por nuk kanë të drejtë ta tërheqin Shqipërinë në humbjen e tyre.

Shqipëria është më e madhe se partitë

Rreziku që unë shoh nuk është Partia Socialiste si bashkësi qytetarësh. Në atë parti ka njerëz të ndershëm, profesionistë dhe patriotë që e duan Shqipërinë. Ata nuk janë armiqtë e demokracisë.

Por çdo deputet socialist, ashtu si çdo deputet demokrat, i detyrohet besnikëri Kushtetutës dhe qytetarëve, jo vullnetit personal të një kryetari.

Edhe opozita duhet ta kuptojë se nuk mjafton një marrëveshje mes udhëheqësve të vjetër. Duhet t’u hapë dyert atyre që u mënjanuan, forcave të vogla politike dhe brezit të ri.

Shqipëria ka nevojë për përgjegjësinë e të gjithëve: socialistëve e demokratëve, studentëve, mësuesve, prindërve, intelektualëve, profesionistëve dhe diasporës. Jo për të harruar dallimet politike, por për të mbrojtur atë që është më e rëndësishme se çdo parti: lirinë dhe rendin kushtetues. Asnjë parti nuk është kombi. Asnjë kryetar nuk është shteti.

Ora nuk pret

Në gjykimin tim, demokracia shqiptare ndodhet në buzë të greminës. Nuk mjafton të thuhet se do të ketë zgjedhje të tjera. Zgjedhjet kanë kuptim vetëm kur konkurrenca është e lirë, institucionet janë të pavarura dhe qytetarët nuk kanë frikë nga pushteti.

Kjo nuk është thirrje për hakmarrje apo dhunë. Është thirrje për përgjegjësi të menjëhershme kushtetuese, për drejtësi të pavarur, për mbrojtjen e protestës paqësore dhe për llogaridhënie pa përjashtim.

Shqipëria nuk ka pse të përjetojë një tjetër tragjedi për të mësuar një mësim që historia ia ka dhënë tashmë.

Paralajmërimi im nuk u drejtohet vetëm atyre që qeverisin. U drejtohet edhe atyre që kanë qeverisur, atyre që kërkojnë të qeverisin dhe atyre që kanë autoritetin të veprojnë, por zgjedhin heshtjen.

Historia nuk do të gjykojë vetëm atë që e përqendroi pushtetin. Do të gjykojë edhe ata që e panë rrezikun dhe nuk bënë atë që mundeshin për ta ndalur.

Populli shqiptar nuk ka pse të paguajë për ambiciet dhe gabimet e udhëheqësve të tij. Nuk ka pse të humbasë lirinë për të cilën breza të tërë sakrifikuan.

Nuk kam frikë se historia do të më japë të drejtë. Kam frikë se, kur të më japë të drejtë, për Shqipërinë do të jetë tepër vonë. Numërimi mbrapsht nuk është për fatin e një kryeministri, as për karrierën e dy udhëheqësve të opozitës. Është për përgjegjësinë tonë ndaj lirisë së Shqipërisë.

Dhe ora nuk pret.

Filed Under: Komente

VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË

November 2, 2026 by s p

Nga diplomacia e diasporës dhe vizioni kombëtar i Fan Nolit te mbështetja e presidentëve amerikanë – një histori e organizimit, miqësisë dhe afirmimit ndërkombëtar të shtetit shqiptar.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Kur atdheu mbrohej edhe përtej oqeanit

Historia e shtetformimit shqiptar nuk mund të kuptohet plotësisht pa rolin e diasporës, veçanërisht të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kohën kur Shqipëria përballej me rrezikun e copëtimit territorial dhe me pasiguri të mëdha politike e diplomatike, shqiptarët e Amerikës u shndërruan në një faktor të rëndësishëm të organizimit kombëtar dhe të mbrojtjes së çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Në këtë kapitull të historisë sonë spikasin Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, Fan Noli, Faik Konica dhe dy presidentë amerikanë, Woodrow Wilson e John F. Kennedy. Përmes veprimtarisë së tyre, në periudha të ndryshme historike, u ndërtua një lidhje e rëndësishme ndërmjet organizimit kombëtar shqiptar dhe mbështetjes politike amerikane.

Kjo histori dëshmon se pavarësia nuk është vetëm akti i shpalljes së një shteti. Ajo kërkon organizim kombëtar, institucione funksionale, diplomaci të aftë dhe aleanca ndërkombëtare. Për shqiptarët, beteja për shtetësi u zhvillua jo vetëm në trojet e tyre, por edhe në qendrat diplomatike të Evropës dhe në Uashington.

“Vatra” – diplomacia e diasporës në shërbim të shtetformimit

Më 28 prill 1912, në Boston të SHBA-së, u themelua Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, një nga organizatat më të rëndësishme të historisë politike dhe kombëtare shqiptare. Ajo lindi në një periudhë vendimtare, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej, kryengritjet shqiptare po intensifikoheshin dhe aspirata për pavarësi po merrte formë konkrete.

Themelimi i “Vatrës” nuk ishte thjesht bashkimi i shoqërive të emigrantëve. Ishte një akt i vetëdijshëm i organizimit kombëtar përtej kufijve të atdheut. Patriotët shqiptarë kuptuan se, përballë interesave të fuqive të mëdha dhe pretendimeve territoriale të shteteve fqinje, dashuria për atdheun duhej të shndërrohej në veprim politik, publicistik dhe diplomatik.

Një instrument i rëndësishëm i këtij misioni ishte gazeta “Dielli”, e cila shërbeu si tribunë e mendimit kombëtar, e informimit dhe e ndërgjegjësimit politik. Përmes saj, padrejtësitë ndaj shqiptarëve, e drejta për pavarësi dhe rreziku i copëtimit territorial u bënë pjesë e debatit publik amerikan.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria u përball me pushtime dhe pasiguri të rënda për ekzistencën e saj shtetërore, “Vatra” intensifikoi veprimtarinë. Organizoi mbledhje fondesh, zhvilloi kontakte politike, përhapi argumente historike dhe mbështeti përpjekjet për ruajtjen e pavarësisë.

Rëndësia e saj qëndron në shndërrimin e diasporës nga një bashkësi emigrantësh në një faktor të organizuar të veprimit kombëtar. “Vatra” dëshmoi se atdheu mund të mbrohet edhe përtej oqeanit, përmes dijes, organizimit, medias dhe diplomacisë.

Fan Noli dhe Faik Konica – mendja, fjala dhe vizioni i diplomacisë shqiptare

Në historinë e “Vatrës” dhe të Rilindjes Kombëtare, Fan Noli zë një vend të jashtëzakonshëm. Ai ishte klerik, intelektual, shkrimtar, përkthyes, politikan dhe diplomat, por mbi të gjitha një veprimtar që e kuptoi se çështja shqiptare duhej të fitonte mbështetje në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes.

Noli kontribuoi në organizimin e jetës fetare shqiptare në Amerikë, në zhvillimin e arsimit dhe kulturës kombëtare, si dhe në krijimin e një hapësire të përbashkët të veprimit patriotik. Në vitin 1908 u shugurua prift dhe u bë një nga figurat themelore të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Kontributi i tij mori një dimension të veçantë diplomatik në vitet e Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1918, Noli ishte ndër nënshkruesit e memorandumit të komunitetit shqiptaro-amerikan drejtuar presidentit Woodrow Wilson dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Robert Lansing, për mbrojtjen e pavarësisë dhe të drejtave kombëtare të Shqipërisë.

Në këtë rrugëtim rol të rëndësishëm pati edhe Faik Konica, një nga mendjet më të ndritura të kulturës dhe publicistikës shqiptare. Përmes revistës “Albania”, ai kishte kontribuar në afirmimin e gjuhës, identitetit dhe historisë kombëtare shqiptare.

Noli dhe Konica, megjithëse kishin dallime në karakter dhe pikëpamje, u bashkuan rreth një ideali madhor: Shqipëria e lirë, e pavarur dhe e afirmuar ndërkombëtarisht.

Konica përfaqësonte kulturën dhe mendimin kritik, ndërsa Noli organizimin, oratorinë dhe veprimin politik. Bashkëpunimi i tyre dëshmon se interesat kombëtare kërkojnë bashkim përtej dallimeve individuale.

Woodrow Wilson – mbështetja amerikane në një moment vendimtar për Shqipërinë

Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, presidenti i 28-të i SHBA-së, Woodrow Wilson, zë një vend të veçantë. Emri i tij lidhet me mbrojtjen e parimeve të rendit ndërkombëtar, të pavarësisë së popujve dhe të kundërshtimit të marrëveshjeve të fshehta që cenonin të ardhmen e tyre.

Më 8 janar 1918, Wilsoni paraqiti programin e njohur të Katërmbëdhjetë Pikave. Pika e njëmbëdhjetë trajtonte çështjet ballkanike dhe kërkonte garantimin e pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve të rajonit.

Një nga kërcënimet më serioze për Shqipërinë ishte Traktati i Fshehtë i Londrës i 26 prillit 1915, i cili parashikonte ndryshime territoriale në Ballkan dhe cenonte rëndë interesat shqiptare.

Qëndrimi i Wilsonit kundër zbatimit të marrëveshjeve të fshehta që binin ndesh me parimet e shpallura prej tij përbënte një mbështetje të rëndësishme për çështjen shqiptare.

Në Konferencën e Paqes në Paris, çështja shqiptare u bë pjesë e përballjes diplomatike ndërmjet fuqive të mëdha. Në këtë periudhë, mbështetja politike amerikane pati rëndësi të veçantë për mbrojtjen e ekzistencës së Shqipërisë si shtet i pavarur.

Më 28 korrik 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit, në dokumentin kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve SHBA–Shqipëri, vlerësoi shprehimisht mbështetjen e presidentit Wilson për një shtet të pavarur shqiptar gjatë Konferencës së Paqes në Paris.

Fan Noli dhe John F. Kennedy – nga miqësia politike te vazhdimësia e lidhjeve shqiptaro-amerikane

Një kapitull tjetër interesant i kësaj historie është lidhja ndërmjet Fan Nolit dhe presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, John F. Kennedy. Kjo lidhje e vendos veprimtarinë e Nolit në një dimension më të gjerë historik, duke dëshmuar se diplomacia shqiptare në Amerikë nuk u kufizua vetëm në periudhën e krijimit të shtetit shqiptar, por vazhdoi edhe në dekadat e mëvonshme.

Në vitin 1958, Fan Noli i drejtoi një letër senatorit të atëhershëm John F. Kennedy, në të cilën shprehte urimet dhe mbështetjen e tij për karrierën politike të tij. Ky komunikim dëshmon interesimin e Nolit për zhvillimet politike amerikane dhe rëndësinë që ai i kushtonte figurave që përfaqësonin vlerat demokratike dhe lirinë.

Kennedy, i cili në atë kohë përfaqësonte shtetin e Masaçusetsit në Senatin amerikan, kishte kontakte me komunitetet emigrante dhe me organizatat e tyre. Në këtë kontekst, komuniteti shqiptaro-amerikan dhe Federata “Vatra” përfaqësonin një traditë të konsoliduar të organizimit qytetar dhe patriotik.

Pas zgjedhjes së Kennedy-t president, në prill të vitit 1961, ai i dërgoi një mesazh Federatës “Vatra” me rastin e 50-vjetorit të themelimit të saj, duke vlerësuar kontributin e shqiptarëve të Amerikës në ruajtjen e idealeve demokratike.

Ky komunikim institucional kishte rëndësi të veçantë, sepse dëshmonte vazhdimësinë e lidhjeve ndërmjet institucioneve amerikane dhe organizimit kombëtar shqiptar në Amerikë.

Kontributi i Nolit në këtë marrëdhënie nuk duhet parë vetëm përmes një letre apo një komunikimi me një senator që më vonë u bë president. Rëndësia e tij qëndron në faktin se ai kishte ndërtuar, gjatë dekadave, një urë komunikimi ndërmjet shqiptarëve dhe institucioneve politike amerikane. Ai e kishte kuptuar se miqësia ndërmjet dy popujve duhet të mbështetet në marrëdhënie të qëndrueshme, në vlera demokratike dhe në përfaqësim të organizuar.

Prandaj, lidhja Noli–Kennedy mund të shihet si një simbol i vazhdimësisë së miqësisë shqiptaro-amerikane: nga beteja për njohjen dhe mbrojtjen e Shqipërisë në fillim të shekullit XX, te afirmimi i rolit të diasporës shqiptare në shoqërinë amerikane në mesin e atij shekulli.

Filed Under: Komente

A JANË PLUMBAT E GOMËS VETËM GOMË?

October 31, 2026 by s p

Kur një shtet e quan dhunën mjet sigurie dhe plagosjen pasojë të rendit.

Nga Rafael Floqi

Ka një mashtrim të vogël gjuhësor që mund të fshehë një tragjedi të madhe njerëzore. Quhet “plumb gome”. Dy fjalë që tingëllojnë pothuajse të padëmshme. Goma na kujton gomat e makinave, lodrat e fëmijëve, diçka elastike që përkulet dhe nuk vret. Por kur ajo del nga tyta e një arme, me shpejtësi dhe energji të mjaftueshme për të shkatërruar një sy, për të çarë lëkurën apo për të dëmtuar organet e brendshme, nuk është më thjesht gomë. Është një predhë.

Dhe predha nuk bëhet e pafajshme vetëm sepse nuk është prej plumbi. Në Tiranën e tetorit 2026, kjo lojë fjalësh mori përmasa dramatike. Brenda një jave, të paktën 16 protestues dhe qytetarë u raportuan të plagosur nga predhat kinetike të policisë. Goditje në fytyrë, në qafë, në kraharor, në bark. Gjashtë gazetarë raportuan se ishin goditur gjatë ushtrimit të detyrës.

Një i ri, Erjon Vishkulli, u godit në syrin e majtë më 24 tetor dhe u transportua drejt Italisë, ku mjekët po përpiqeshin t’i shpëtonin shikimin.

Çfarë peshe ka fjala “jovdekjeprurëse” për një njeri që rrezikon të mos shohë më?

Sepse plumbat e gomës mund të mos jenë projektuar për të vrarë, por kjo nuk do të thotë se nuk vrasin.

Historia e ka provuar këtë edhe në trojet shqiptare. Më 10 shkurt 2007, në Prishtinë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini humbën jetën nga predhat e gomës të përdorura nga policia e UNMIK-ut gjatë një proteste. Dy jetë të humbura që mbeten paralajmërim se terminologjia policore nuk e ndryshon fizikën e një goditjeje.

Në të vërtetë, shumë prej këtyre predhave nuk përbëhen vetëm nga gomë e butë. Ato mund të kenë bërthamë të fortë ose përbërje të tjera, sipas modelit. Rrezikshmëria varet nga masa, shpejtësia, largësia dhe pjesa e trupit që goditet. Një predhë e tillë mund të shkaktojë verbim, hemorragji, dëmtime të organeve dhe vdekje.

Prandaj Kombet e Bashkuara i trajtojnë si armë me rrezik serioz, përdorimi i të cilave duhet t’u nënshtrohet kufizimeve të rrepta. Ato nuk janë mjete për të ndëshkuar një turmë, për të trembur qytetarët apo për t’u dhënë protestuesve një mësim. Por çfarë ndodh kur policia qëllon horizontalisht, drejt pjesëve të sipërme të trupit?

Dëshmitë dhe pamjet nga protestat e Tiranës ngrenë pikërisht këtë shqetësim. Një student 22-vjeçar deklaroi se ishte goditur në pjesën e sipërme të kraharorit ndërsa përpiqej të qetësonte një përplasje. Gazetarë që transmetonin drejtpërdrejt raportuan goditje me predha. Të tjerë denoncuan plagosje në fytyrë dhe qafë.

Këto janë pretendime që kërkojnë hetim të pavarur, jo përfundime të nxituara. Por numri dhe natyra e plagosjeve e bëjnë të pamundur trajtimin e tyre si incidente të parëndësishme. Natyrisht, edhe policët kanë të drejtë të mbrohen. Gurët, kapsollat dhe sulmet ndaj tyre nuk mund të justifikohen me të drejtën e protestës. Shteti ka detyrimin të mbrojë jetën, institucionet dhe rendin publik.

Por këtu qëndron dallimi themelor ndërmjet shtetit demokratik dhe shtetit që e sheh qytetarin si armik: policia duhet të neutralizojë kërcënimin, jo të ndëshkojë turmën. Në një demokraci, fajësia është individuale. Nuk mund të shpallet fajtor një student sepse ndodhet pranë një protestuesi që hedh gurë. Nuk mund të bëhet shënjestër gazetari sepse raporton nga vendi i përplasjes.

Edhe më shqetësues është dimensioni politik.

Kryeministri Edi Rama, duke komentuar protestat, deklaroi se personi që qëndron pranë një protestuesi të dhunshëm mund të bëhet gjithashtu shënjestër e policisë. Por afërsia fizike nuk është bashkëfajësi penale. Një shtet që e mjegullon këtë dallim rrezikon ta shndërrojë të drejtën e protestës në një aktivitet ku qytetari duhet të pranojë mundësinë e plagosjes vetëm pse ndodhet në rrugë.

Akoma më alarmante është përmbajtja e një regjistrimi audio të publikuar në media, ku, sipas transkriptimit të paraqitur në kallëzim, dëgjohet urdhri:

“Me plumba gome dhe me gaz! Mos i kurseni!”

Autenticiteti, konteksti dhe autorësia e këtij urdhri duhet të verifikohen nga drejtësia. Por nëse provohet se ai ka udhëhequr përdorimin e forcës, atëherë problemi nuk mbetet te polici që tërheq këmbëzën. Ai ngjitet në zinxhirin komandues.

Kush e dha urdhrin? Kush e miratoi? Kush e mbikëqyri? Kush kontrolloi nëse përdorimi i armëve ishte i domosdoshëm dhe proporcional? Këto pyetje nuk mund të mbulohen me konferenca shtypi apo deklarata solidariteti. Ministria e Brendshme ka njoftuar verifikime dhe hetime lidhur me ankesat e qytetarëve. Kjo është e nevojshme, por nuk mjafton. Duhet transparencë mbi municionin, protokollet e qitjes, regjistrimet filmike dhe përgjegjësinë e komandimit.

Dhe mbi të gjitha, duhet drejtësi e barabartë: për protestuesin që sulmon policin dhe për policin që përdor forcë të paligjshme ndaj protestuesit.

Sepse një uniformë nuk është imunitet dhe një protestë nuk është licencë për dhunë. Në fund, çështja nuk është vetëm nëse plumbat e gomës janë prej gome. Çështja është se çfarë ndodh me një demokraci kur pushteti fillon t’i quajë plagët e qytetarëve kosto normale të ruajtjes së rendit.

Sot mund të jetë syri i një studenti. Nesër kraharori i një gazetari. Pasnesër fytyra e një qytetari që kalonte rastësisht. Dhe kur shteti mësohet të qëllojë drejt qytetarëve të vet, rreziku nuk matet më vetëm me numrin e të plagosurve, por me humbjen e besimit te institucionet. Plumbi i gomës mund të jetë elastik. Ligji nuk duhet të jetë. Ai nuk mund të zgjatet sipas interesit të qeverisë, të ngushtohet sipas urdhrit të policisë dhe të zhduket kur viktima kërkon drejtësi. Sepse në fund, pyetja më e rëndësishme nuk është nëse plumbat janë prej gome. Pyetja është: a është bërë ndërgjegjja e pushtetit prej gome, që përkulet përpara çdo abuzimi, por nuk thyhet kurrë nga përgjegjësia?

Filed Under: Komente

SKENDERBEU NË ROMË, një copëz e Shqipërisë në zemër të Italisë

October 30, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Roma, qyteti i perandorëve, i papëve dhe i monumenteve që kanë sfiduar shekujt, ruan në një prej shesheve të saj edhe kujtimin e një shqiptari që historia e Evropës nuk mund ta harrojë: Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Më 27 tetor 1940, në Piazza Albania, në Romë, u përurua monumenti kushtuar Heroit tonë Kombëtar, vepër e skulptorit italian Romano Romanelli.

Data nuk ishte e rastësishme për nga atmosfera politike e kohës: Evropa ishte përfshirë në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa Italia fashiste, e drejtuar nga Benito Mussolini, kishte nisur tashmë rrugën e saj të agresionit ushtarak. Vetëm nje ditë më vonë, më 28 tetor 1940, Italia do të sulmonte Greqinë nga territori i Shqipërisë, të cilën e kishte pushtuar në prill të vitit 1939.

Kështu, monumenti i prijësit që kishte mbrojtur tokat shqiptare nga zgjerimi osman u ngrit në një kohë kur vetë Shqipëria ndodhej nën pushtimin italian. Ky kontrast historik i jep përurimit një dimension që shkon përtej ceremonisë dhe artit: një hero i qëndresës shqiptare zinte vend në hapësirën publike të kryeqytetit të një shteti që kishte vënë nën sundimin e vet atdheun e tij.

Monumenti nuk mund të lexohet vetëm si një gjest artistik apo diplomatik. Ai duhet parë edhe në kontekstin e politikës së jashtme italiane dhe të marrëdhënieve italo-shqiptare të asaj kohe. Për regjimin fashist, lidhjet historike mes dy brigjeve të Adriatikut shërbenin edhe si instrument i propagandës politike. Por historia e një simboli nuk mbaron domosdoshmërisht te qëllimet e atyre që e ngritën. Me kalimin e kohës, kuptimi i tij mund të fitojë një jetë të vetën, më të gjerë se rrethanat e lindjes.

Ka edhe një fakt domethënës që e bën këtë histori më interesante: monumenti nuk ishte konceptuar fillimisht për Romën. Romano Romanelli e kishte fituar konkursin për realizimin e tij në vitin 1938, me synimin që statuja të vendosej në Tiranë. Rrethanat politike të viteve 1939–1940 bënë që vepra të përfundonte në kryeqytetin italian.

Romanelli (1882–1968) ishte një skulptor italian i njohur, i cili gjatë regjimit fashist mori porosi të rëndësishme monumentale. Ai e paraqiti Skënderbeun jo si një figurë të palëvizshme të së kaluarës, por si një prijës mbi kalë, me shpatën e zhveshur dhe vështrimin e një luftëtari që vazhdon të jetë në lëvizje.

Monumenti është një grup skulpturor prej bronzi, i vendosur mbi një piedestal prej travertini, gur karakteristik i arkitekturës monumentale romake. Sipas katalogut të trashëgimisë kulturore të Bashkisë së Romës, lartësia e përgjithshme e tij arrin rreth 6,5 metra. Skënderbeu paraqitet i veshur me kostumin tradicional shqiptar dhe me përkrenaren karakteristike me brirë, ndërsa kali ecën me hap të matur. Nuk është vrulli i një sulmi të çastit, por qëndrueshmëria e një komandanti që e njeh peshën e historisë.

Në këtë paraqitje, arti i Romanellit përpiqet të bashkojë forcën fizike me autoritetin moral. Kali, shpata dhe përkrenarja janë shenja të luftëtarit; qëndrimi i prijësit shpreh vendosmërinë e njeriut që nuk e mat madhështinë e vet me pushtetin që zotëron, por me kauzën që mbron.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405–1468) i përket atij grupi të rrallë figurash historike, emri i të cilave kapërcen kufijtë e vendit ku lindën. Pas kthimit në Krujë në vitin 1443, ai u bë udhëheqësi i qëndresës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës, bashkoi një numër princash shqiptarë në një aleancë politike e ushtarake që synonte të organizonte mbrojtjen e vendit.

Për afro një çerek shekulli, qëndresa e udhëhequr prej tij fitoi jehonë përtej Adriatikut. Në një Evropë të shqetësuar nga zgjerimi osman, Skënderbeu u shndërrua në simbol të rezistencës dhe në një figurë të njohur të botës së krishterë perëndimore. Marrëdhëniet e tij me Mbretërinë e Napolit dhe me sundimtarë të tjerë italianë dëshmojnë se veprimtaria e tij nuk ishte e izoluar brenda hapësirës shqiptare.

Pas vdekjes së tij, më 17 janar 1468, kujtimi i Skënderbeut vazhdoi të jetonte në kronika, libra, piktura dhe vepra arti. Në shekujt pasues, figura e tij u bë një nga shtyllat e kujtesës historike shqiptare dhe një simbol i identitetit kombëtar.

Prandaj, kur një shqiptar qëndron sot përpara monumentit në Romë, ai nuk sheh vetëm një kalorës prej bronzi. Sheh një pjesë të historisë së vet, të ngritur në një qytet ku çdo gur duket se ka një histori për të treguar.

Emri i sheshit është gjithashtu pjesë e historisë. Përpara se të quhej Piazza Albania, ai njihej si Piazza Raudusculana, sipas emërtimit historik të lidhur me një portë të mureve të lashta të Romës. Sheshi mori emrin e ri në kontekstin e aneksimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939. Kjo e bën të domosdoshme që monumenti të shihet edhe në dritën e kohës kur u ngrit, pa e shkëputur nga propaganda dhe interesat politike të regjimit të atëhershëm.

Megjithatë, historia ka një mënyrë të veçantë për t’i tejkaluar qëllimet e politikës. Regjimet kalojnë, kufijtë ndryshojnë dhe ideologjitë humbasin pushtetin, ndërsa figurat historike mund të vazhdojnë të jetojnë në ndërgjegjen e popujve përmes kuptimeve që brezat u japin.

Në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, administrata e Romës vendosi në bazamentin e monumentit një mbishkrim përkujtimor. Ky detaj dëshmon se kujtesa e heroit vazhdoi të shënohej edhe shumë kohë pas përurimit të tij.

Sot, Piazza Albania është një pikë e veçantë në hartën shpirtërore të shqiptarëve. Në një qytet që ruan trashëgiminë e Romës së lashtë dhe të Rilindjes, Skënderbeu qëndron si dëshmi e lidhjeve historike mes Shqipërisë dhe Italisë, por edhe si kujtesë e një identiteti që nuk u tret në shekuj.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron domethënia e vërtetë e këtij monumenti: ai na kujton se historia nuk është vetëm ajo që ndodh në kohën e vet, por edhe ajo që mbetet pasi koha ka ndryshuar gjithçka tjetër.

Më 27 tetor 1940, në Romë u ngrit një Skënderbe prej bronzi. Por ajo që shqiptarët shohin në Piazza Albania është shumë më tepër se bronzi: është kujtimi i një prijësi, krenaria e një kombi dhe jehona e një qëndrese që i përket historisë së Evropës.

Dhe sa herë që një shqiptar kalon në atë shesh, mes zhurmës së qytetit dhe hapave të njerëzve, kalorësi i heshtur duket sikur i pëshpërit të njëjtën porosi: atdheu nuk jeton vetëm në tokën ku lindim, por edhe në kujtesën që mbajmë gjallë.

Filed Under: Komente

KUSH I MASAKROI STUDENTËT DHE KUSH E DOGJI TIRANËN?

October 30, 2026 by s p

Protestat studentore janë padyshim niveli më i lartë i protestës së një shoqërie dhe, padyshim, kanë rrezikshmërinë më të lartë për regjimet e korruptuara dhe autokratike.

Nuk ka, mendoj, shqiptar me një minimum inteligjence që të besojë se regjimi i hajdutëve, së bashku me establishmentin e korruptuar, ka pritur me duar në xhepa ardhjen e studentëve në Tiranë dhe protestën e tyre të pritshme.

Kthejini, po të doni, filmimet dhe shikoni provokimin dhe ndërhyrjen e dhunshme e të pamotivuar pranë Ministrisë së Arsimit, ditën e parë.

Sigurisht që policia e Ergys Agasit e kishte bërë gati jo vetëm skenarin e përballjes me protestën e studentëve, por kishte dhënë edhe instruktazhet e duhura.

Se çfarë instruktazhesh kishin dhënë krerët e policisë së Ergysit, na e zbulon zv./drejtori, z. Edmond Meshini:

Më 26 tetor 2026, mediat shqiptare raportuan se zv./drejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini, kishte nënshkruar një shkresë drejtuar komisariateve të Tiranës. Sipas raportimeve, shkresa kërkon:

1. Numra identifikimi të dukshëm për punonjësit e policisë.

2. Identifikimin e automjeteve të përdorura në operacione.

3. Respektimin e të drejtave të të miturve gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje.

4. Moskontrollimin e pajisjeve elektronike private pa vendim gjykate.

Mendoni pak: të gjitha këto pika përfaqësojnë shkelje flagrante të ligjit shqiptar për Policinë e Shtetit, të evidentuara në qindra e mijëra raste, madje të ngritura edhe nga krerët më të rëndësishëm të komisioneve të Kongresit Amerikan. Vetëm krerëve të policisë iu deshën 14 ditë për të ndryshuar urdhrin e parë.

Madje, shkeljet kanë shkuar deri aty sa të rrahin barbarisht bijtë e shqiptarëve nëpër komisariate, jo vetëm për t’ua marrë celularët, por edhe fjalëkalimet.

I bëj thirrje SPAK-ut që të hetojë dhe të zbulojë urdhrin origjinal dhe instruktazhet e dhëna për trupën policore të Tiranës, pasi të gjitha pikat që thekson nëndrejtori i policisë, madje edhe më shumë, janë shkelur dhe dhunuar në mënyrë flagrante e në dritën e diellit.

Në cilin ligj të Policisë së Shtetit parashikohet që policia të dhunojë dhe të masakrojë rininë shqiptare në rrugicat dhe lokalet e Tiranës për faktin e thjeshtë se kanë marrë pjesë në protestë?

Me çfarë ligji kryeministri i vendit e ka suprimuar, përmes propagandës online dhe policisë së tij të krimit, të drejtën e protestës në Shqipëri?

Kush e shkatërroi dhe e dogji qendrën e Tiranës?

Shikoni, ju lutem, statistikat dhe informacionet nga Policia, Prokuroria dhe Gjykatat shqiptare:

1. Një person është lënë në burg me akuza që përfshijnë zjarrvënie dhe vjedhje bankash.

2. Në rastet e tjera ka persona nën hetim për shkatërrim prone dhe zjarrvënie, por njoftimet nuk japin numrin individual për secilën vepër.

3. Nuk ka konfirmim gjyqësor se ndonjë person është dënuar përfundimisht për këto veprime.

Një dallim i rëndësishëm: nuk kemi ende një numër të verifikuar të studentëve të arrestuar posaçërisht për djegien e bizneseve private dhe thyerjen e dyqaneve.

Sipas statistikave të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave shqiptare, vetëm një person është dokumentuar dhe ndaluar për zjarrvënie dhe thyerje lokalesh e institucionesh, ndërkohë që janë ndaluar dhe shoqëruar mijëra studentë, madje edhe adoleshentë.

Që janë djegur dhe shkatërruar biznese, lokale e institucione, madje që këto akte ua kanë faturuar studentëve protestues pa prova, vetëm nëpërmjet mediave të pushtetit, këtë e kanë parë të gjithë shqiptarët drejtpërdrejt.

Por qenka ndaluar vetëm një person!

I bëj thirrje SPAK-ut dhe BKH-së që të hetojnë personat e maskuar, të dalë nga Ministria e Brendshme, me makina pa logon e policisë pa uniforma policore, pasi, sipas statistikave të Policisë, vetëm studentët protestues nuk e paskan djegur Tiranën.

I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit Shqiptar, në të gjitha nivelet: nëse dëshironi që shteti shqiptar të ekzistojë, mbrojeni të drejtën e shqiptarëve për të protestuar, së bashku me të gjitha liritë dhe të drejtat që u garanton Kushtetuta, por që janë dhunuar nga pushteti i narkotrafikut dhe shërbëtorët e tij.

U bëj thirrje pronarëve të bizneseve dhe qytetarëve të Tiranës që të ruajnë çipat e kamerave të tyre, pasi jo shumë larg, ato do të kenë vlerë qindra mijëra dollarë.

Shqiptarë, mbështetni bijtë dhe bijat tuaja për të drejtën e tyre hyjnore për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, përndryshe keni për t’u kalbur të vetmuar në apartamentet tuaja.

Ajet Delaj

New York

Filed Under: Komente

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 512
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT