• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për Rinën e shtrenjtë, Naum Prifti tri letra dashurie në vitet ’50

October 28, 2026 by s p

Letra e Parë – Naum Prifti

Ti më pyet s’të vjen keq? Përse ma bën këtë pyetje?

Unë s’e dija në ato çaste, ose së paku nuk e dija me saktësi se ç’ ishe ti për mua e se çfarë përfaqësonte kjo lidhje shpirtërore, ato mendime që mbushnin zbrazëtinë dhe hapësirat e bardha.

Tronditja ishte kaq e madhe sa vërtet nervat sikur u mpinë dhe kjo ish arsyeja që unë nuk ndjeva asgjë, veç lajmit. As më besohej, qe tamam sikur të lajmërojnë papritur se të ka vdekur një i afërm dhe ty të duket e pabesueshme, e pakonceptueshme se me të ke qenë para dy ore, ke biseduar në një tryezë, dhe ke bërë shaka, ke pirë usmjall e ngrënë akullore.

Pastaj vjen e vërteta e hidhur, humbja është e rëndë, tronditëse, e pazëvendësueshme.

Ç ‘është kjo zbrazëtirë që ndjej? Gjithçka brenda meje u shemb e u vithis, dhe unë e shikoj këtë gërmadhë të rrëzuar.

Unë provoj një ndjenjë të tillë. S’ di si do marr veten, po ndjej sikur një pjesë brenda meje vdiq, pa shpresë shërimi.

Nuk e paskam ditur se të paskam dashur kaq shumë. Ky zbulim, në raste të tjera do të më ngushëllonte po tani më bën të mendohem. Sikur gjithë ditën të kisha ngrënë bakër nuk do ta ndjeja gojën kaq të hidhur. Diçka u helmua brenda meje, por jo me vullnetin tënd, jo me dëshirën tënde. Dhe këtu qëndron fatkeqësia jonë e përbashkët.

Lumturia më e madhe për mua është se të desha, po sot tok me hidhërimin ndjeva se edhe ti më paske dashur. Unë s’e kërkova asnjëherë këtë pohim.

Ne nuk u ndamë, ne na ndanë

Po unë pyes veten si mund të na ndajnë?

Unë mund të mos të të shoh, po kjo s’ më pengon të të dua, unë mund të mos të takoj, po kjo s’ më pengon të bisedoj me ty, unë mund të mos dëgjoj zërin tënd, po kjo s’ më pengon të mendoj për ty, të këshillohem me ty të të ëndërroj ty, ty!

Atëherë nuk kisha pse të shqetësohesha dhe aq më pak s’kisha të drejtë të shqetësoja askënd. Prita. Ish gjëja më e mirë që mund të bëja. Dhe pritja nuk më dha përgjigje të saktë. Unë e dija se kjo do ngjiste njëherë, e prisja si një të ardhme që do vinte pa tjetër, sepse njeriu provon thuajse të njëjtën gjë dy herë në jetë, njëherë kur hyn në moshën e rinisë dhe herë tjetër kur ndahet prej saj. Janë dy stinë të afërta, me drita, nuancë e ngjyra si pranvera me vjeshtën dhe çuditërisht ngjasin shumë midis tyre.

Po kështu, ti paske qenë Ajo! E pritura, e mjegulluar, pa formë konkrete, pa timbër të caktuar, pa zë, pa emër. Tani si një figurë që del nga nata çdo gjë u qartësua gjer në detajet më të vogla, gjer te kaçurrelja e flokëve mbi një anë të ballit, gjer te ngjyrat e irisit.

A mund të ishte dikush tjetër në vend teje? Më përpara s’mundej se po të qe e mundur do të kish ngjarë kjo që po ngjet me ty. Më vonë?

Tani që të gjeta ty, kë mund të pres më vonë?

Letra e Dytë

Naum Prifti

Ndjenja (’50 -’60)

Kujtimi dhe përfytyrimi yt nuk më ndahet. Ato vijnë tek unë kudo që jam e kudo që shkoj sikur ajri i këtij qyteti të ketë fuqi e të komandojë pa pushim imazhe nga të tuat, timbrin e zërit tënd, ngjyrat e tua.

Si është e mundur që një njeri të zërë kaq shumë vend brenda jetës së një njeriu tjetër, si është e mundur që parafytyrimi e mendimi të pushtojnë edhe çdo qelizë të trurit?

Tani më duket sikur e shpjegoj atë dalldisje (më fal s’gjeta fjalë më të përshtatshme) që provon njeriu kur dashuron për herë të parë, atë gjendje kur nis të jetojë e jeton mes ëndrrës dhe realitetit, mes botës që krijon vetë dhe midis asaj që ekziston në të vërtetë.

Më duket se për këtë arsye, ata që duhen mbeten aq të pakuptuar për të tjerët dhe veprimet e topitja e tyre mbetet disi enigmatike. Kontrast i çuditshëm tropitja dhe egzaltimi në të njëjtën kohë.

Kam pyetur veten në se ti je vërtet Ajo dhe kam venë në provë sinqeritetin e ndjenjave të mia. Po të qenë të sipërfaqshme s’do të arrinin të ngrinin valë nga fundi, ai do ishte i qetë dhe lëkundjet do të fashiteshin shpejt.

Letra e Tretë

Naum Prifti

Dita e fundit e gushtit!

Kjo verë mbaroi po mua më duket se ka qenë vera më e gjatë në jetën time. E dija se vera i ka ditët të gjata po është tjetër ta dish e tjetër ta ndjesh peshën e gjatësisë dhe asnjëherë nuk jam gëzuar më tepër se këtë vit për mbarimin e verës. Duke numëruar ditët e gjata thosha sa larg është vjeshta!

Po kë prisja vallë afrimin e vjeshtës apo afrimin tënd?

Kjo dita e fundit e gushtit ka një ngjyrë të posaçme në Tiranë. Ajo ripërtërihet nga viti në vit duke ruajtur gjithmonë po ato karakteristika. Rrugët mbushen çuditërisht shumë me fytyra të reja. Një ecejake e vazhdueshme. Takime. Qeshje. Hyrje e dalje nëpër dyqane. Parakalojnë valixhet e drurit. Të famshmet valixhe druri. Vula e provincës dhe e nxënësve të rinj. Ata duken menjëherë nga ecja, nga vështrimi i tyre kureshtar, nga habija që shfaqin padashur, nga kontrasti që bëjnë me të tjerët. Të tjerët si të njohur të vjetër me qytetin dhe me rrugët e tij e dinë ku venë, dinë ku të qëndrojnë, dinë të ambientohen, kurse ata të valixheve ecin si të hutuar me vështrim të etur shikojnë kalimtarët mos dallojnë ndonjë fytyrë të njohur.

Valixhe druri! Edhe unë kështu kam ardhur në Tiranë, me një valixhe të rëndë druri. Dhe s’ mund ta harroj një episod. Atëherë i peshonin gjërat personale në agjencitë e transportit dhe nuk duhej të kalonte peshë 10 kg. Dhe mund ta merrni me mend në ç ‘telash rashë dhe s’dija si të dilja nga

halli që më kishte zënë kur vura re se vetëm valixhja pa asgjë brenda peshonte plot 7 kg. Qe prej druri të njomë. Pra duhej të shpija në Tiranë 7 kg dru dhe 3 kg tesha. Raport i çuditshëm. Atëherë fillova ta gdhendja me sqepar, po përbrenda që të mos ia prishja bukurinë. Nxora një tufë të madhe me bujashka dhe valixhen e bëra gdhënçka-gdhënçka . Kur erdha në Korçë që ta lehtësoja akoma në shumë, një pjesë të mirë të rrobave i vesha.

E merrni me mend vapën time. Sikur nuk ishin mjaft rrobat që kisha veshur u shtova sipër edhe disa të tjera. Ca nga ndryshimi i klimës e ca nga rrobat e malësisë ai udhëtim po kthehej në vuajtje e mundim, po unë s’ i vija re se shkolla e Tirana ishte si një dritë që vezullonte në largësi dhe më ndizte ëndrrat e fantazinë.

Ti ndoshta ke ardhur mbrëmë ose do të vish sot. Unë e ndjej këtë afrim, e ndjej se humori im ndryshon. Vjeshta ty do të sillte këtu dhe mua më gëzon kaq shumë ardhja e kësaj vjeshte. Nesër është vjeshtë!

Filed Under: Komente Tagged With: Rafaela Prifti

“Vjeshta Arabe” në Europë dhe Shqipëria

October 21, 2026 by s p

Alfons Grishaj/

Shqipëria zgjohet, ndërsa Europa lëndohet…

Europa, me shumicë votash, miraton legjislacionin për deportimin e emigrantëve të paligjshëm. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaron: “The West is under attack!” (“Perëndimi është nën sulm!”), ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet në Gjermani me ovacione.

Sipas deklaratave të politikanëve europianë dhe amerikanë, zhvillimet e fundit nuk janë të rastësishme, por pjesë e një skenari të përgatitur prej vitesh. Marco Rubio e kishte paralajmëruar Europën, zëvendëspresidenti amerikan kishte ngritur shqetësimin, ndërsa presidenti Trump e kishte theksuar me forcë rrezikun që, sipas tij, paraqet emigracioni i paligjshëm. Megjithatë, këto kambana alarmi kishin rënë në vesh të shurdhër.

Sot, 450 milionë qytetarët e Bashkimit Europian duket se janë lënduar, pikërisht pas trazirave që, në këndvështrimin tim, përfaqësojnë një përplasje midis forcave të errësirës dhe vlerave të qytetërimit modern.

Europa dhe Amerika i hapën dyert për emigrantët e ndershëm, duke u ofruar mundësinë për një jetë më të mirë, për punë, dinjitet dhe përparim. Mirëpo, krahas shumicës dërrmuese të njerëzve paqësorë, sipas shqetësimeve të ngritura, në këto lëvizje mund të jenë infiltruar edhe elementë ekstremistë, të lidhur me organizata dhe ideologji radikale.

Ata që ushqejnë iluzione për përplasje dhe destabilizim harrojnë një të vërtetë të thjeshtë: nuk mund të ndërtohet e ardhmja mbi urrejtjen dhe përçarjen midis miliona të ardhurve dhe qindra miliona europianëve që kanë jetuar prej brezash në këto troje.

Një përllogaritje e tillë e verbër mbetet një iluzion i shkretëtirës, një shpresë e destinuar të shuhet.

A është Shqipëria përballë të njëjtit udhëkryq?

Ndërkohë, në Shqipërinë tonë, pas muajsh të tërë protestash qytetare dhe paqësore, Edi Rama zgjodhi heshtjen dhe një kokëfortësi të pashpjegueshme politike. Me një qëndrim arrogant, me mungesë vizioni atdhetar dhe me një vetëkënaqësi që sfidon çdo logjikë politike, ai nuk arriti të kuptonte se rruga e hapur nga qytetaria për një dorëheqje dinjitoze mund ta shpëtonte Shqipërinë nga shkatërrimi dhe imazhin e saj nga rrënimi.

Pra, a mendon ai se vlen më tepër se imazhi i Shqipërisë, më tepër se demokracia dhe rregullat e saj, më tepër se e drejta legjitime e një populli të zhgënjyer deri në palcë?

“Fox News” thekson se protestat në Shqipëri po zhvillohen kundër korrupsionit qeveritar, duke përjashtuar kështu, sipas këtij interpretimi, mundësinë e një orkestrimi të jashtëm.

Atëherë, përse nuk dëgjohet zëri i demonstruesve prej muajsh të tërë? Dhe pikërisht këtu qëndron tragjedia! Pas kësaj sjelljeje shpërfillëse, demonstruesit filluan përshkallëzimin e protestave, ku, sigurisht, mund të shfaqen edhe elementë që, sipas disa burimeve europiane, ndjekin qëllime krejtësisht të tjera.

Por demonstratat e studentëve dhe të popullit tonë nuk kanë të njëjtin karakter apo qëllim me zhvillimet që po ndodhin në Europë. Ato kanë një synim të pastër dhe të thjeshtë: dorëheqjen e panegociueshme të njeriut që, sipas protestuesve, e ka çuar vendin në prag të një kataklizme.

Ata nuk ushqejnë iluzionet e “Vjeshtës Arabe”, e cila, në këndvështrimin tim, po trondit Europën.

Shqiptarët e njohin fenë e tyre dhe traditën e bashkëjetesës fetare. Nëse do të ndodhte ndryshe, ndikimi i ideologjive ekstremiste dhe i frymës së asaj që unë e quaj “Vjeshta Arabe” do ta rrezikonte dhe dëmtonte rëndë kauzën e drejtë të protestuesve.

Një zhvillim i tillë do ta komprometonte qëllimin e rrëzimit të një qeverie të akuzuar për korrupsion dhe, njëkohësisht, do t’i ofronte Edi Ramës mundësinë të paraqitej përpara Europës si viktimë e trazirave që kanë përfshirë kontinentin.

Kështu, ai mund të pretendonte se Shqipëria po përballet me të njëjtat rreziqe që shqetësojnë edhe vendet europiane, duke e përdorur këtë argument për të justifikuar dhunën dhe masat represive.

Historia na ka mësuar se dhuna shpesh bëhet mjeti me të cilin pushtetet autoritare zgjasin jetën e tyre, derisa shoqëria të paguajë një çmim të rëndë dhe të lindin martirë të rinj.

Amerikanët, miqtë tanë të sinqertë, e kanë shprehur qëndrimin e tyre nëpërmjet ambasadës: “Protesta paqësore, por jo dhunë!”

Politika që po i mohon Shqipërisë të ardhmen europiane

E kam thënë me qindra herë dhe nuk do të lodhem duke e përsëritur: Ne nuk vuajmë nga mungesa e “politikanëve”, por nga mungesa e vizionit të tyre politik!

Në vend të udhëheqësve me vizion, kemi njerëz që sillen si luftëtarë mesjetarë me jataganë, duke u ndeshur me njëri-tjetrin me egërsi të pashoqe, pa kuptuar se në këtë përplasje po shkatërrojnë jo vetëm veten, por edhe të ardhmen e vendit.

Ata djegin tokën mbi të cilën qëndrojnë dhe u mohojnë shqiptarëve të drejtën për t’u bërë pjesë e denjë e familjes së madhe europiane, së cilës historikisht dhe kulturalisht i përkasin.

Shqiptarët janë një popull me rrënjë të lashta në kontinentin europian. Ata nuk duhet të mbeten peng i ambicieve personale, i konflikteve politike dhe i papërgjegjshmërisë së atyre që pretendojnë t’i përfaqësojnë.

Pas zhvillimeve të fundit dhe ndryshimeve në politikat europiane të emigracionit, ekziston shqetësimi se shumë shqiptarë të ndershëm, të cilët kanë ndërtuar jetën e tyre me mund dhe sakrifica, mund të përballen me pasoja të padrejta. Nuk e përjashtoj mundësinë që çështja e regjimit të vizave të rikthehet në tryezat e diplomacisë europiane.

Amerika mund të ndërmarrë masa më të rrepta për vizat. Anglia duket se po ecën në të njëjtin drejtim. Rupert James Graham Lowe, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra nacionaliste ndaj emigracionit, propozon masa ekstreme, që të kujtojnë politika të një kohe të shkuar.

Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka qenë e qartë në qëndrimet e saj.

Ebba Busch, zëvendëskryeministrja e Suedisë, ka deklaruar se Islami duhet të përshtatet me vlerat suedeze dhe se myslimanët që nuk integrohen duhet të largohen nga Suedia.

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëron se ata që kanë shkaktuar djegie dhe shkatërrime do të mbajnë përgjegjësi. Por lind pyetja: përse nuk e braktisi koncertin e Céline Dion, ndërkohë që Franca po përballej me trazira?

Dominik Tarczyński, anëtar i Parlamentit Europian, ka përdorur një retorikë edhe më të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm, duke bërë deklarata kërcënuese për ata që tentojnë të kalojnë kufirin polak. Kjo gjuhë dhe këto politika, herët a vonë, mund të prekin edhe vëllezërit dhe motrat tona.

E gjithë kjo katrahurë do të ketë një faturë!

A është e përgatitur Shqipëria, pas kësaj rrokullisjeje, për një situatë kur portat e Europës mund të mbyllen dhe emigrantët e paligjshëm të kthehen në vendet e origjinës, bashkë me ata që mund të jenë shënjestruar nga politikat e reja të emigracionit?

Kush do ta paguajë çmimin?

Çmimin më të rëndë rrezikon ta paguajë qytetari i zakonshëm shqiptar, ai që kërkon vetëm të jetojë me dinjitet, të punojë me ndershmëri dhe t’u sigurojë fëmijëve të tij një të ardhme më të mirë. Shqipëria rrezikon të kthehet shumë vite pas. Dhe kjo më dëshpëron thellësisht!

Në këtë rast, kush është humbësi i vërtetë? Kush humbi më shumë: demokracia e nëpërkëmbur nga mosmirënjohja apo intoleranca jodemokratike?

Kurdo që Edi Rama të japë dorëheqjen, ajo do të jetë e vonuar! Dëmi tashmë është bërë!

Pyetja që mbetet është: pas dorëheqjes së tij, a do të zërë vend arsyeja qytetare, për të mos krijuar më iluzione, por për të formuar njerëz që punojnë për kombin?

A do të mësojmë ndonjëherë që, në politikë, të bëjmë dallimin e qartë dhe të paanshëm se atdheu është më i madh se partitë?

Partitë duhet të qytetërohen. Ato duhet të jenë të denja për t’u votuar. Në të kundërt, duhen braktisur, duhen lënë pa ujë, që të vyshken derisa të shuhen.

Humbësi më i madh është shqiptari që nuk mëson! Sepse një popull që nuk mëson nga historia e tij, rrezikon të bëhet përsëri viktimë e saj.

Zgjidhja përfundimtare: Një sistem i ri qeverisjeje

Unë i kam shkruar prej vitesh mendimet e mia për mënyrën e qeverisjes së Shqipërisë. E kam parashikuar këtë katrahurë, ashtu siç parashikova, nëpërmjet një shkrimi të botuar në gazetën “Tribuna Demokratike”, në vitin 1994, rikthimin e komunistëve në pushtet, ashtu siç ndodhi më vonë.

Disa miq të mi, udhëheqës të asaj kohe, qeshën me parashikimin tim. Por, kur ndodhën ngjarjet e vitit 1997, ata më pyetën: “Si ka mundësi që e dije se do të vinte kjo ditë e zezë?”

Sot po përsëris një propozim që e kam hedhur me shkrim prej shumë vitesh: Shqipëria duhet të ketë një sistem zgjedhor dhe qeverisës të frymëzuar nga modeli amerikan, të mbështetur mbi balancimin dhe kontrollin e ndërsjellë të pushteteve, ku Presidenti i Republikës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Nëse nuk ndërmarrim një reformë të tillë, do të vazhdojmë të bëjmë një hap përpara dhe dy hapa prapa!

Do të përsërisim pafundësisht të njëjtën mendësi të vjetër, atë të bajraktarizmit primitiv, ku interesi kombëtar sakrifikohet për hir të një thirrjeje të verbër:

“PARTIA IME!”

Por Shqipëria nuk është pronë e asnjë partie, e asnjë kryeministri dhe e asnjë udhëheqësi.

Shqipëria u përket shqiptarëve!

Filed Under: Komente

Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!

October 19, 2026 by s p

Gazi Aga/

Ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk mund të kalohet me heshtje. Studentet dhe të rinjtë po protestojnë, duke shprehur zemerimin dhe shqetesimin per te ardhmen e tyre. Ne fakt rinia eshte edhe vokacion i nje “brezi te ndrydhur” nga pesimizmi.

Perballe ketij zeri qytetar, pergjegjesia e pushtetit nuk eshte te mbylle syte, e te aktivizoje doren e hekurt, por te reflektoje.

Te gjithe ju qe ne nje forme a tjeter keni pushtet politik: Degjojeni rinine, perpara se te humbni perjetesisht besimin e saj! Reflektoni para se t’i lini nje ardhmeri shterpe femijeve tuaj. Pushteti nuk eshte prone personale dhe fitorja ne zgjedhje nuk eshte leje per te shperfillur qytetaret.

Pamjet dhe raportimet e vazhdurshme per dhune policore ndaj studenteve jane thellesisht shqetesuese. Policia ka detyrimin te ruaje rendin, por ky detyrim nuk i jep askujt te drejten te perdore force te paligjshme apo joproporcionale. Studentet nuk duhet te trajtohen si armiq, por si bijte dhe bijat e ketij vendi, zeri i te cileve meriton te degjohet.

Nje fjale edhe per bizneset private qe demtohen gjate trazirave: ato nuk jane fajtore per krizen politike. Cdo biznes i demtuar pa faj duhet te demshperblehet ne menyre te drejte. Drejtesia duhet te mbroje si protestuesin e ligjshem, ashtu edhe pronen e qytetarit te pafajshem.

Ne shqiptaret kemi perjetuar nje diktature qe zgjati pothuajse gjysme shekulli. Nuk duhet te lejojme qe dobesimi i institucioneve, perqendrimi i pushtetit dhe shperfillja e qytetareve te na cojne drejt nje sistemi ku kohezgjatja e autokracise mund tja kaloje edhe vete komunizmit.

Si prind, si shqiptar, si imam, besoj se drejtesia dhe pergjegjesia publike jane amanet moral, eshte afat per te sherbyer. Shqiperia nuk i perket asnje partie. Ajo u perket te gjithe qytetareve dhe brezave qe vijne.

Partite vijne e ikin. Pushtetet ndryshojne. Por pasojat e vendimeve te sotme mund t’i trashegojne femijet tane per dekada. Le te reflektojne te gjithe, perpara se te jete teper vone. Shqiperia mbi partine. Kombi mbi pushtetin. Drejtesia mbi interesin personal.

Zoti zgjofte zemrat e fikura dhe ndergjegjet e ndrydhura. Zoti na mundesofte t’u leme femijeve tane nje ardhmeri ku meritokracia, demokracia dhe drejtesia do te sundojne mbi cdo interes personal dhe partiak.

Zoti na bashkofte ne te mire! Zoti na befte celes te se mires dhe dry te se keqes!

Foto: Vlasov Sulaj

Filed Under: Komente

ME KË JE, ME ATA QË RRAHIN APO ME ATA QË RRIHEN?

October 18, 2026 by s p

Nga Visar Zhiti/

Thënë troç, me kë je tani, me ata që rrahin apo me ata që rrihen? Kjo është pyetja më alarmante, sipas meje, mes alarmeve dhe sirenave të makinave të shumta të policisë, që shkarkojnë policë në rrugë, po ashtu që hedhin ujë me furi po aq njëlloj mbi protestuesit për t’i shpërndarë, kur uji nuk është gjendur aq menjëherë për të shuar zjarret masive pyjeve apo djegieve tani, pastaj hedhja e bombave me gaz lotsjellës, megjithëse këtë popull e kanë bërë kaq shumë për të qarë sa nuk ka nevojë për ndihmën e asnjë lloj kimie tjetër, ndërkaq mes këtij kaosi eskalionet e egërsuara të protest-shtypësve si bishat që lëshoheshin në arena në rendin skllavo-pronar, me ato shkopinj gome si me një bri tepër, godasin njerëz, kë të shohin, edhe po nuk e patën afër, e kërkojnë, sidomos po të jetë i ri, student, gjimnazist, e shtrijnë për tokë, e godasin ku të mundin, i shkulin çantën nga supi, ia hapin se mos ka lënde plasese, armë dhe, për çudi të tyre, i gjejnë vetëm libra.

Thënë troç, me kë je tani? Me ata që rrahin apo me ata që rrihen? Dhe befas më ndërmendet që fjala troç mund ta ketë prejardhjen nga fjala tru, sipas gjuhëtarëve, pra folë me tru, je me zjarrmí politike, me interesa vetanake, por si qytetar, si patriot.

Unë jam me ata që rrihen. Dhe ata që rrahin bëjnë gabim të rëndë, kur godasin si vandalë qytetarët e tyre, madje faj dhe krim kur përgjakin studentët, si mund të derdhësh në rrugë gjakun e ardhmërisë? Është e padurueshme dhe e dënueshme. Jo vetëm për teprim të rrezikshem në zbatimin e ligjit dhe të detyrës, etj, po dhe të ligjit moral, të ligjeve njerëzore të pashkruara, në dëmtim të kujtesës njerëzore, sidomos të kujtesës së të ardhmes, që nuk ta fal kurrë…

Kujtoj çantën tonë të studentit, në diktaturë, në shekullin e kaluar. Nëqoftëse do të na i kontrollonte policia, mes librave do na gjente dhe fletoret me përkthime studentore të poetëve të huaj, ata që mundnim, fshehurazi, në ndonjë libër të dhënë në mirëbesim, revista, një pjesë dhe të ndaluar si emra, ishte d;eshira jonë për botën që na mungonte.

Kujtoj që më i rrezikshme ishte poeti ruso-sovjetik Evgenij Jevtushenko, jo vetëm si revizonist, që kishin tradhtuar marksiz:em-leniznizmin, kupto: stalinizmin, por ai kishte shkruar dhe një poezi kundër Enver Hoxhës. Vargjet nga ai: në kohën kur rriheshin njerëz, unë isha me ata që rriheshin dhe jo me ata që rrihnin, më kumbojnë dhe sot dhe i hodha si pyetje.

Me kë jeni, me shkopin e dhunës së policit apo me studentët, me kujtes;en e tyre, çfarë do t’u japim.

PAMJE NGA FËMIJËRIA E SË ARDHMES

…po kthehem prapë te poezia, te Jevtushenko, atë kisha. Është një poezi e tij e shkruar në 1963, “Pamje nga fëmijëria”, ku ai kujton si fëmijë një rrahje të një fëmije tjetër në publik, turmat shkuan për ta parë, por dhe për t;e marr:e pjes:e në rrahje. Kohë e Stalinit. Në njërën nga strofat tregohet: …Në zemrat e vogla diçka u mblodh, kur pamë se si ngushtohej rrethi i palltove prej lëkure delesh, i gëzofëve, i kapelave, (mbi atë fëmijën, shën. imi) dhe ai me kokën futur mes supeve, nën breshërinë e grushteve, shqelmave, pështymave e shuplakave. Papritur nga e djathta dikush e goditi me hov. Papritur nga e majta ia përplasën ballin… Doli gjaku… E rrihnin me ëndje. Me fantazi. Me afsh. Pashë me sa shkathtësi dhe me sa saktësi ia shtonin goditjet… Çizme (të shtetit, shën. imi) dhe i zoti i tyre – një qenie me turi si të ndershëm, tmerrësisht krenar për parimet e veta – e godiste pareshtur. E godiste me bindjen e sigurt, të patundur se kishte të drejtë, dhe, i djersitur, i skuqur, i gëzuar.

Dhe në strofën e fundit poeti thotë: por unë, një djalosh, qaja nga turpi. Dhe nëse njëqind veta a më shume ishin ata që ulërinin të tërbuar dhe rrihnin dikë – edhe nëse e meritonte! – unë nuk do të bëhem kurrë i njëqind e njëti! Kritika vërejti se thelbi moral i poezisë së Jevtushenkos nuk është vetëm të mos bëhesh i njëqind e njëti me ata që rrahin, por të bëhesh i dyti, pranë atij që po rrahin. (Jevtushenko thoshte se, edhe kur nuk i pëlqenin disa poetë apo disidentë, nuk e lejonte kurrë veten të dilte kundër tyre kur fillonin t’i rrihnin. Këtu qëndron thelbi i asaj që kujtoj).

Ka poezi që mbeten në kujtesë jo vetëm për bukurinë e tyre, por edhe për një pyetje morale që nuk pushon së na ndjekuri: ku jemi ne kur përndiqet një tjetër? Me rrahësit, qofshin dhe shumicë, apo me të rrahurin, qoftë dhe i vetëm dhe i pambrojtur?

Po kur rrihen studentët në protestën e tyre? Ky është çasti kur dhuna zbulohet në formën e saj më të rrezikshme: jo si një shpërthim i verbër i së keqes, por si një veprim që justifikohet me votën, me shumicën fiktive, me të drejtën e huimbur, me bindjen se meritojnë të ndëshkojnë. A nuk është pikërisht kjo që ndodh sa herë drejtuesit i japin vetes të drejtën të poshtërojnë, të përjashtojnë apo të shkatërrojnë të madhen, të përbashkëtën, sepse kanë shpallur fajtor përpara se t’i dëgjojnë ata që prishin të zemëruar të voglën, të tyren…

Edhe sikur shumica të besojë se ka të drejtë, kjo nuk e çliron individin nga përgjegjësia për veprimet e veta.

Dhe nuk është e arsyeshme gjithmonë forca e shtetit për ta ndalur ndryshimin. Dhe asaj të mos i shtohet dora jonë, zëri ynë, heshtja, kur është miratuese.

Dhe prova më e vërtetë e qytetarit nuk është se si sillet kur është mes të fuqishmëve, por ku qëndron kur të tjerët ngrihen, qofshin dhe pakë, qoftë dhe një student. Po kur janë të gjithë dhe i mbështet një popull që ndjehet i braktisur, me keq akoma, i tradhtuar? Sepse në fund historia nuk na pyet sa ishin ata që ushtronin dhunën, por na bën të ndjejmë se ku ishim ne atëhere, kur rrihej e ardhmja?

ME KË JE, ME QYETARËT

APO ME ATA QË S’DUAN NDRYSHIMIN?

Dhuna gjithmonë është e padrejtë. Populli e ndjen kur nuk durohet më. Shqipëria jonë e vogël në këtë shekull të ri u ndje më e lirë, më e pasur, e hapur me botën e përparuar Perëndimore, pjesë e aleancës më të fuqishme NATO-s, n jë komb me dy shtete, edhe Republikën e Kosovës, njohu dëshirat e veta, ca I preku me dorë, ca i largohen si në legjendën e Tantalit, pa dhe afrime të gabuara, djallëzore, zgjime ambicjesh të vjetra si përbindësha. Sërbia nuk i ndahet obsesionit paranajoka që Kosova është djepi i saj. Dhe sa herë ka turbullira në Shqipëri do të gjendet dikush nga qarke të caktuara greke që të përfitojë. K:eto ditë të shqetësuara lexoj që një zv/minister grek vjen në Korçë dhe deklaron se këtu duhet të vijë çdo grek që të shohë rrënjët e hershme(?!). Sharlatanizëm.

Ku do t’i shohë rrënjët, kur nuk sheh degët? Çamërinë zhuritur, revolucionin grek me gjak arvanitasish, që sigurisht luftuan për Greqinë, por tër;e ato fshatra përreth Athinës apo në Thiva (Teba e dikurshme) që ende flasin shqip dhe s’u njihet asnjë e drejtë gjuhe, etj, etj. Po serbët, që e dinë fare mirë që në Ballkan erdhën nga Uralet aty nga shekulli VI-VII pas Krishtit dhe vendi s’ishte bosh, i papabanuar, që priste ata, por ishte plot me shqiptarët e hershëm, me qytetërin dhe mirëpritjen e tyre. Edhe në kohët më të begata të tyre, ata kurrë nuk kanë qenë ndonjëherë shumicë në Kosovë, e shkruanin dhe studiues jugosllavë, kujtoj një shkrim në “Corriere della Sera” të eseistit dhe shkrimtarit kroat Predrag Matvejeviç. E ç’janë këto vende fqinjë që nuk i gjejnë djepet dhe rrënjët e tyre tek shtëpia e tyre, por tek tjetrit?

Kausi i tanishëm në Tiranë e në qytete të tjera nuk i shërben Shqipërisë dhe përgjegjës është lidershipi politik, paaftësia e shtetit. Protesta është drejtë. Studentët po ndjeheshin pa të ardhme, populli me atdheun që po i lëkundej nën këmbë. Dhe u ngritën sërisht. Më furishëm. Duan që Shqipëria të jetë e tyrja, të begatohet edhe më, por jo të polarizohet, oligarkë të rrezikmshëm e të varfër të nëpërkëmbur, të kenë pronat e tyre, bizneset e tyre, liritë dhe të drejtat, rini me të ardhme, me identitet dhe kulturë, me fqinjësi të mire me Greqinë e Serbinë, malin e Zi e Italinë, me Ballkanin dhe gjithë Europën, të jenë në BE dhe gjithmonë me aleatin e tyre jetik, SHBA, në mbrojtjen e tyre dhe investimet e tyre, me një vetvete në gjendje dhe të fortë.

Për këtë duhet të punojnë deputetët e tyre, partia së i cilës i japin shuminën, kryeministri që del prej saj, presidenti që zgjidhet nga parlementi, si kryeqytetar që përfaqëson unitetin kombëtar, Komandantin e forcave të armatosura të Republikës. Për fat të keq shqiptarët nuk e dinë kë kanë president, n;e k:eto ditë r;enda e me rrezik ai del nga përgjumja dhe thotë që i pret në zyrë protestuesit (?!). Që t’i vënë flakën dhe zyrës së tij? Ai duhet të dalë nga zyra përballë protestuesve dhe të flasë me ta dhe jo të lërë vetëm policët, shpesh të uritur, q:e dalin nga rradhët e protestuesve dhe u japin shishe me ujë, përqafime apo puthin bashkë Flamurin. Mësoni, o deputetë, nga virtytet e popullit që ju zgjodhi, apo vini nga listat partiake, ju zgjodhi kryetari?

Dhe kryeministri nuk është për t’i rënë defit në fitore, por të zgjidhë krizën siç i duhet vendit e siç ia kërkon populli, qoftë dhe të sakrifikojë veten. Bashkë me presidentin që zgjodhi vetë, të dalë para protestuesve. Nëse ndjehet vetëm, ashtu kërkoi të jetë, i gjithpushtetshëm. Më mrekullon që protestuesit brohërasin: “Liri shqiptarëve, vdekje tradhtarve!” Kujtesa e thirri nga e kaluara, një parrullë e përdorur gjatë Luftës II Botërore e patriotëve, e Ballit Kombër, e naimjanëve, e thjeshtë, e qartë, aq sa i duhej Shqipërisë, madje dhe me rimë si një distik, për të qenë dhe e bukur. Ata u mundën, pasi u tradhtuan, i di historia shkaqet, por ama fitimtarët nuk paskëshin qenë në anën e duhur të historisë.

ME KË JE, ME SHQIPËRINË

APO ME ARMIQTË E SAJ?

Për nuk ka shumë kohë për arsyetime, por për veprim.

Nga poezia kalojmë në një artikullin, të nxjerrë sot, “Quo Vadis, Shqipëri”, nga gazetari dhe politologu i njohur shqiptaro-amerikan, Dr. Elez Biberaj. Është një ndihmë emergjente. Ai “bën një skaner të qartë me një vështrim të kthjellët në një situatë aq të trubullt dhe të trishtueshme për vendin tonë”, një pasqyrë dhe një udhëzuers. ndihmesë. Ai flet si atëhere nga “Zëri i Amerikës”, që paraprinte revoltat studentore dhe të popullit në fillim të viteve ’90, kur kërkohej ndryshimi i madh.

Shqiptarët e Amerikës i janë gjendur atdheut të të parëve me dashuri dhe fuqi, të bashkuar si në një vatër, me zërat e euroamerikanit Faik Konica dhe Imzot Fan Noli, me atë që u arratis dhe erdhi nga burgjet e komunizmit në SHBA, Profesor Arshi Pipa, po kështu dhe veprimtari, Profesor Sami Repishti, etj, kryesia e shqiptarëve të Amerikës ka qenë si një qeveri, kur Shqipëria s’kishte shtet, etj, etj. Në vazhdim, Dr. Elez Biberaj me profesionalizëm dhe kulturë demokratike shkruan, po sjell fundin e shkrimit të tij “Qua v adis, Shqipëri?”:

“Kriza e tanishme e Shqipërisë ka nxjerrë në pah kufijtë e një modeli politik që nuk gëzon më besimin e segmenteve të gjera të shoqërisë. Megjithatë, periudhat e tronditjeve të thella mund të krijojnë edhe mundësi për ripërtëritje. Studentët dhe aktivistët e rinj që kanë dalë në ballë të lëvizjes së tanishme janë trashëgimtarë të aspiratave demokratike që transformuan Shqipërinë më shumë se tri dekada më parë. Kërkesat e tyre për llogaridhënie, përfaqësim dhe mundësi pasqyrojnë vendosmërinë për të ndërtuar një shtet më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, më gjithëpërfshirës dhe më demokratik.

Shqipëria ka dëshmuar vazhdimisht një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përballur dhe për t’u ringritur përballë vështirësive. Përgjegjësia tani bie mbi udhëheqësit e saj politikë që të përgjigjen me vizionin, vetëpërmbajtjen dhe ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare që kërkon ky moment. Nëse ia dalin, trazirat e tanishme mund të kujtohen përfundimisht si pika e kthesës që frymëzoi një brez të ri për të ndihmuar në përmbushjen e aspiratave demokratike të Shqipërisë.” Shqipëri, dëgjo zërin e së shkuarës, por më shum:e të së ardhmes dhe vepro. Të duam!

Filed Under: Komente

Ministria e gestapos

October 17, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Unike në Europë dhe në histori. Ministria jonë e arsimit dhe shkencës, aty ku duhej të kishte njerëz që mendojnë për dijen, progresin, gjeneratat e ardhshme, – ka ditë që është kthyer në një gestapo. Skenat e studentëve të shtrirë në tokë në mjediset e saj janë të paimagjinueshme, përbëjnë shkelje ligjore dhe për ministrinë përbëjnë një trashëgimi negative që do mbetet gjatë në memorien shoqërore e shtetërore. Për këtë MAS do jetë objekt hetimi nga organet e drejtësisë dhe përgjegjësit meritojnë të përballen me pasojat.

Skenat ku nga zyrat e ministrisë dalin forca speciale për të goditur të rinjtë protestues apo hidhet gaz për të dëmtuar studentë e gjimnazistë janë e njëjta linjë, e njëjta trashëgimi. Skenat ku në kangjellat e ministrisë lidhen me pranga studentë dhe tashmë edhe skenat e sotme që prej zyrave të ministrisë së arsimit qëllohen studentët dhe gjimnazistët janë fundi i fundit! Protesta pa pasur edhe në 2018, edhe më parë, incidente ka pasur, por asnjë ministër tjetër më përpara, as nga ata eksperimentalët e tjerë të dështuar të së njëjtës parti, nuk ka lejuar degradimin e MAS deri në këtë pikë. Asnjë, asnjëherë, as këtu, dhe në asnjë vend europian.

Mirela Kumbaro dhe cilido tjetër aty që paguhen me taksat tona dhe që e kthyen ministrinë e arsimit dhe shkencës në këtë gjendje duhet të dorëhiqen, me turp dhe ndjesë për paaftësinë, arrogancën, brutalitetin dhe primitivitetin e tyre. Ju kurrë nuk bërë pyetjen përse janë kundër jush, përse nuk ju duan, përse nuk ju besojnë, përse rrezikojnë jetën e tyre për të protestuar para jush, – ju thjesht i injoruat, i tallët, i braktisët, i etiketuat dhe tani edhe po i degdisni në qelitë e komisariateve të Tiranës.

Një turp i madh, që tashmë po përbën edhe një krim ndaj dijes, arsimit, shkencës, shoqërisë dhe të ardhmes.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 512
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT