• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MOS E HUMBISNI KËTË MOMENT HISTORIK

October 7, 2026 by s p

Nga Washingtoni në Bruksel, Shqipëria ka përpara një mundësi që kërkon vendim, jo më shumë justifikime.

Nga Frank Shkreli

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe mesazhi i saj për Shqipërinë nuk duhet të trajtohen si një tjetër episod diplomatik. Ato janë një sinjal politik: Evropa është më afër, por dera nuk hapet vetëm me deklarata.

“Objektivi është në horizont”, tha von der Leyen. Tani Shqipëria duhet të tregojë nëse ka vullnetin, kapacitetin dhe seriozitetin për ta arritur atë objektiv. Kohët e fundit, zyrtarja e lartë evropiane vizitoi Shqipërinë dhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor me synimin për të ndihmuar ato vende në rrugën drejt antarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Kjo, paraprakisht, dhe përball 6 tetorit, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, si dhe 15-16 tetorit, kur liderët e Bashkimit Europian do të diskutojnë zgjërimin dhe reformat e brendshme.

Nuk besoj se fjalët e von der Leyen të jenë vetëm një frazë diplomatike, kësaj rradhe. Është një moment që duhet marrë seriozisht. Shqipëria është më pranë Evropës se kurrë më parë. Por, pikërisht, për këtë arsye nuk duhet të humbasim kohë. Tani nuk mjafton më të themi se jemi evropianë.

Shqiptarët e kanë deklaruar orientimin e tyre perëndimor në mënyra të ndryshme për më shumë se tri dekada. Shqiptarët, ndryshe nga elitat e tyre politike të këtyre 35-viteve tranzicion i pafund, kanë dëshmuar ndjenjat e tyre pro-perëndimore me votën, me sakrifica, me emigrimin, me lidhjet familjare e kulturore me Perëndimin, me mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe me dëshirën për të ndërtuar një shtet demokratik pro-perëndimor pas shëmbjes së komunizmit zyrtar. Por pas më shumë se tri dekada reformash, negociatash dhe pritjeje, retorika pro-evropiane e Tiranës zyrtare, nga të dy partitë kryesore, nuk mjafton më.

Nëse Shqipëria duhet të ndërtojë shtetin që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kjo do të thotë drejtësi të pavarur, zgjedhje të besueshme dhe të pa kontestueshme, luftë të pakompromis kundër korrupsionit, media të lira, administratë profesionale dhe institucione që respektojnë qytetarin, pronën dhe ligjin. Këto nuk janë kërkesa të tepërta të Brukselit. Janë kushtet minimale që kërkohen nga një shtet normal funksional. Mesazhi evropian është i qartë. Përparimi i bërë deri tani, vlerësohet, por nuk mjafton. Reformat duhet të zbatohen, të maten dhe të prodhojnë rezultate. Nuk ka më vend për vetëkënaqësi, propagandë të flliqt apo përpjekje për ta shitur çdo hap procedural si sukses historik.

Integrimi nuk matet me flamuj, fotografi me udhëheqës perendimorë, madje edhe me pagesë, dhe konferenca shtypi. Integrimi i vërtetë matet me mënyrën se si funksionon drejtësia, si zhvillohen zgjedhjet, si kontrollohet pushteti dhe si mbrohet qytetari në Shqipëri. Sepse ndërsa kryeministri shqiptar flet në kancelaritë europiane për një Ballkan që duhet të afrohet sa më shpejt me Bashkimin Europian, në Tiranë për disa muaj, zhvillohen protesta të vazhdueshme kundër mënyrës së qeverisjes aktuale.

Ajo që nisi më 30 maj të këtij viti, me kundërshtimin ndaj projekteve të mëdha turistike është zgjeruar tani në një revoltë më të gjerë politike dhe qytetare. Protestuesit kërkojnë llogari, përgjegjësi, hetim të akuzave për korrupsion dhe, gjithnjë e më shumë, dorëheqjen e kryeministrit. Kjo është një pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në Shqipëri që Europa nuk duhet ta shohë vetëm nga larg. Protestat tre-mujore qytetare janë një mesazh politik që duhet të dëgjohet nga klasa politike shqiptare dhe mos të injorohet nga Evropa dhe as nga Shreret e Bashkuara. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf

Evropa nuk është dekor politik as Bashkimi Evropian nuk është një organizatë e përsosur shtetesh. Megjithkëtë, ai ent evropain përfaqëson shtetin ligjor, përgjegjësinë institucionale, transparencën, kontrollin mbi pushtetin dhe demokracinë funksionale. Nëse këto standarde nuk bëhen realitet në jetën e përditshme në Shqipëri, “mbyllja e kapitujve të negociatave” do të mbetet një arritje teknike dhe jo një ndryshim i vërtetë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Prandaj, politika shqiptare duhet të heqë dorë njëherë e mirë, nga një keqkuptim i rrezikshëm se integrimi evropian nuk është projekti i një qeverie, partie apo lideri. Është dhe duhet të jetë një zgjedhje strategjike kombëtare. Asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta përvetësojë këtë proces as këtë projekt, por gjithashtu asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta pengojë procesin e integrimit për interesa të ngushta politike ose partiake. Por edhe Evropa duhet të jetë e vetdijshme se procesi i integrimt të Shqipërisë nuk mund të arrihet vetëm me një krah të politikës shqiptare.

Shtetet e Bashkuara mbeten partneri i Kombit shqiptar, i pa zëvendësueshëm, për sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndërsa Bashkimi Evropian është hapi i radhës për ta shndërruar këtë orientim në standarde politike, ekonomike dhe institucionale. Nga Washingtoni në Bruksel, rruga është e qartë. Ajo që mungon nuk është drejtimi, por vendosmëria e klasës politike shqiptare për të ecur drejtë këtij objektivi të madh mbarë-kombëtar “në horizont”, sipas deklaratës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Tiranë.

Duke pasur parasysh gjëndjen kritike politike në Tiranë, ky moment historik kërkon arritjen e një marrëveshjeje të re politike ndërmjet partive politike të Shqipërisë rreth disa objektivave konkrete, për të hapur derën njëherë e mirë drejtë antarsimit përfundimtar të Shqipërisë në BE. Për një drejtësi pa ndërhyrje nga politika, për zgjedhje pa manipulim, për institucione të pavarura, për një administratë pa militantizëm, për një luftë reale kundër korrupsionit dhe transparencë në përdorimin e pushtetit dhee të financave publike. Kërkon gjithashtu diçka që politika shqiptare pozitë-opozitë, pa dallim, e ka shmangur vazhdimisht, e që është pranimi i rregullave që kufizojnë pushtetin. Standardet evropiane nuk janë të dobishme vetëm kur kritikojnë kundërshtarin. Ato vlejnë edhe kur kërkojnë llogari nga qeveria, kur mbrojnë të drejtat e opozitës, kur garantojnë kritikën dhe ndalojnë abuzimin me institucionet e shtetit. Shqipëria nuk mund të presë që Brukseli ta ndryshojë atë, për të bëlrë të mundur antarsimin. Janë shqiptarët ata që duhet t’a ndryshojnë Shqipërinë. Kjo do të thotë se qeveria duhet të zbatojë reformat e nevojshme, opozita të ofrojë alternativa dhe institucionet të veprojnë pa frikë nga pushteti politik. Do të thotë, gjithashtu, që shoqëria civile, media dhe qytetarët të mos mjaftohen me duartrokitje apo ankesa, por të kërkojnë afate, rezultate dhe përgjegjësi ng Kuvendi dhe nga politika në përgjithsi.

Mundësia është reale për antarësim, por nuk është e pakufishme. Ajo mund të humbasë në luftërat e vogla politike, në retorikën boshe dhe në protagonizmin e liderëve. Mund të humbasë edhe nga lodhja e një shoqërie që ka pritur gjatë dhe nga një klasë politike që është mësuar të premtojë më shumë sesa zbaton. Prandaj ky moment kërkon veprim të menjëhershëm, jo një tjetër cikël premtimesh boshe. Qeveria duhet të publikojë një plan të matshëm për reformat, me afate dhe përgjegjës konkretë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të miratojë ligje që forcojnë institucionet, jo pushtetin e radhës të një lideri ose partie politike. Opozita duhet ta trajtojë integrimin si interes kombëtar, jo si armë propagandistike. Institucionet e drejtësisë duhet të tregojnë rezultate të prekshme. Dhe qytetarët duhet të kërkojnë llogari për çdo premtim të pambajtur.

Siç thashë më lartë, orientimi perëndimor i shqiptarëve është prej kohësh një zgjedhje historike. Nga Frank Shkreli – Kur historia trokiti në derë: “Liria erdhi,po a u ndërtua shteti?” | Gazeta Telegraf. Tani orientimi i deritanishëm pro-perëndimor, duhet të bëhet realitet institucional dhe i përditshëm. Jo vetëm në dokumente e ligje që nuk zbatohen, por në vendimet e gjykatave, në administratë, në zgjedhje, në ekonomi, lirinë e shtypit dhe, sidomos, në marrëdhënien e shtetit me qytetarin. Nga Washingtoni — Frank Shkreli: Amerika dhe shqiptarët, një miqësi që nuk njeh kohë | Gazeta Telegraf — në Bruksel.

Nga aleanca te anëtarësimi, nga ëndrra te konkretizimi, Shqipëria ka përpara një rrugë të qartë, me një objektiv, “në horizont”. Por rruga nuk përshkohet vetëm me fjalë. Unë u garantoj se Evropa nuk do të vijë ta ndërtojë Shqipërinë. Shqipëria duhet të ndërtojë veten, për antarësim dhe integrim në Evropë. Dhe këtë duhet ta bëjë tani. Është koha që orientimi perëndimor i shqiptarëve, i shprehur dhe i dëshmuar për më së një shekull, më në fund, të konkretizohet, në një Shqipëri, anëtare e Bashkimit Evropian, me vlera evropiane. Ky nuk është vetëm një objektiv politik. Është një moment historik për Kombin shqiptar. Mos e humbisni!

Filed Under: Komente

LIRISË T’I JAPIM SHTET

October 6, 2026 by s p

Kolec Ndoja/

Nga pyetja “Përse?” te zotimi i Nëntorit të Tretë.

Ka pyetje që dalin nga plagët dhe kërkojnë përgjigjen e një brezi të tërë. “Përse?” e Alfons Grishajt është njëra prej tyre. Përse një popull që ka sakrifikuar kaq shumë për lirinë ende përballet me padrejtësinë, përçarjen dhe pasigurinë? Përse shqiptarët dëshmojnë zotësi në kaq shumë vende, ndërsa në atdhe shpesh e kanë të vështirë ta shndërrojnë atë në mirëqenie të përbashkët?

Kjo pyetje më kthen te vizioni i shprehur në tekstin e Proklamatës së Nëntorit të Tretë, të datuar më 28 nëntor 2025, në Nju-Jork: hapja e një udhëtimi drejt një Republike të Re Kushtetuese të Kombit Shqiptar.

Sot ai vizion kërkon shtjellim. Çfarë duhet të ndërtojmë që liria të jetë e sigurt, pushteti të japë llogari dhe përkatësia kombëtare të bëhet përgjegjësi e përbashkët?

Liria fitohet me sakrificë, por mbrohet çdo ditë nga ligji dhe institucionet.

Historia jonë është pjesë e historisë së një hapësire që i dha botës romake dhe Kostandinopojës figura të rëndësishme. Justiniani, i lindur në Dardani, lidhi emrin e tij me një trashëgimi të madhe juridike. Në shekujt e mëvonshëm, shqiptarë si Qyprilinjtë arritën majat e qeverisjes osmane. Sami Frashëri kontribuoi në kulturën e Stambollit dhe hartoi një vizion për të ardhmen shqiptare.

Këto jetë duhen kuptuar brenda kohës së tyre. Ato na ftojnë të shqyrtojmë si aftësia individuale mund të marrë drejtim dhe vazhdimësi në shërbim të vendit tonë.

Gjergj Kastrioti e lidhi qëndresën me bashkimin. Besëlidhja e Lezhës u dha prijësve një qëllim të përbashkët. Rilindasit e vazhduan përpjekjen përmes gjuhës, shkollës, kulturës dhe organizimit politik. Në Vlorë, më 1912, Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij i dhanë aspiratës kombëtare shprehjen e pavarësisë.

Në Kosovë, Ibrahim Rugova i dha kërkesës për liri një përfaqësim politik dhe një rrugë drejt besimit ndërkombëtar. Qëndresa qytetare, sakrifica e luftëtarëve dhe mbështetja e aleatëve janë pjesë të rrugës së Kosovës drejt lirisë. Për brezin tonë, nderimi i kësaj trashëgimie kërkon institucione që mbrojnë çdo qytetar.

Edhe përvojat e popujve të tjerë na mësojnë se liria kërkon punë pas shpalljes së saj.

Amerikanët shpallën pavarësinë më 1776 dhe hartuan Kushtetutën më 1787. Ideali i qeverisjes me pëlqimin e qytetarëve mori një organizim institucional, ndërsa padrejtësitë e rënda të republikës së hershme kërkuan përpjekjen e brezave për t’u kapërcyer.

Gjermanët, më 1990, e realizuan bashkimin përmes vullnetit qytetar, vendimeve demokratike, marrëveshjeve juridike dhe negociatave ndërkombëtare. Prej kësaj përvoje mund të mësojmë se aspirata kombëtare kërkon përgatitje, besim dhe rrugë paqësore. Historia shqiptare ka rrethanat e veta dhe kërkon zgjidhjen e vet.

Në këtë frymë, Nëntori i Tretë propozon një etapë të re përgjegjësie. Vizioni i Shtetit Mbarëshqiptar që shtroj për diskutim synon t’i japë përkatësisë sonë kombëtare një organizim të qëndrueshëm kushtetues, duke lidhur shqiptarët në atdhe dhe diasporë, me respekt për sovranitetin e Shqipërisë dhe Kosovës, integritetin territorial dhe të drejtat e secilit.

Forma përfundimtare e këtij organizimi duhet të dalë nga shqyrtimi publik dhe vullneti demokratik. Proklamata ofron një pikënisje morale: Këshillin e Lartë Kombëtar me katër dhoma — të Atit, të Nënës, të Pasardhësve dhe të Popullit.

Në këtë arkitekturë simbolike, trashëgimia e Kastriotit lidhet me drejtësinë dhe sovranitetin; shembulli i Nënë Terezës me dinjitetin dhe përkujdesjen; pasardhësit me gjuhën, arsimin dhe vazhdimësinë; populli me burimin demokratik të mandatit. Puna kushtetuese duhet të përcaktojë si këto parime mund të marrin formë përfaqësimi, kompetencash dhe kontrolli.

Në qendër mbetet qytetari. Sovraniteti i përket atij. Përfaqësuesit marrin një mandat të përkohshëm për shërbim. Çdo e drejtë duhet të ketë një institucion përgjegjës dhe një mjet efektiv mbrojtjeje. Merita duhet të vlerësohet me ndershmëri; shkelja duhet të shqyrtohet mbi prova, përmes gjykimit të drejtë.

Ky është kuptimi praktik i përgjigjes ndaj “Përse?”: të ndërtojmë kushtet që zotësia të kontribuojë, sakrifica të ruajë frytin e saj dhe abuzimi të mos mbetet pa përgjegjësi.

Apeli u drejtohet shqiptarëve kudo që jetojnë, institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, juristëve, studiuesve, të rinjve dhe organizatave të diasporës. Secili ka diçka për të sjellë: dije, përvojë, punë dhe gatishmëri për të dëgjuar. Miqësia me aleatët dhe bashkëpunimi me fqinjët janë pjesë e kësaj rruge.

Një popull me rrënjë të lashta e nderon historinë duke u dhënë fëmijëve një të ardhme të lirë dhe të denjë.

Lirisë t’i japim shtet.

Shtetit t’i japim ligj.

Ligjit t’i japim fuqi për të mbrojtur çdo qytetar.

Ky është zotimi që propozoj për Nëntorin e Tretë: ta kthejmë kujtesën në përgjegjësi dhe përgjegjësinë në një vepër të përbashkët për brezat.

Referenca historike: Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, 1899; Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së, 1776, dhe Kushtetuta e SHBA-së, 1787; Traktati i Bashkimit të Gjermanisë dhe Traktati “Dy plus Katër”, 1990. Pikënisja e vizionit të autorit: teksti i “Proklamatës së Nëntorit të Tretë”, i datuar më 28 nëntor 2025.

Filed Under: Komente

Përdorimi politik i trupit të gruas: riprodhim, dekor, shpërqendrim

October 5, 2026 by s p

Fatmira Nikolli/

Në diktaturë femra shqiptare lindte fëmijë për shtetin. Regjimi e quante “emancipim” dhe e vishte me parulla barazie dhe foto propagandistike të grave me kazmë në dorë. Por pas kësaj fasade, trupi i saj i përkiste gjithmonë dikujt tjetër: shtetit që kërkonte krahë pune e fëmijë që do të bëheshin ushtar, familjes që kërkonte të ruante nderin, partisë që vendoste deri edhe për të drejtën e saj për të dashuruar. Kur një grua ‘gabonte’, humbiste gjithçka: shtëpinë, nderin dhe fëmijët. Burri, që kishte bërë të njëjtin “faj”, vazhdonte jetën njësoj. Sepse trupi i saj ishte publik, i tiji mbetej privat.

Kanë kaluar 35 vjet e megjithatë, përdorimi politik i trupit të gruas vijon njësoj, veçse me metoda të reja. Sot, gruas nuk i kërkohet më të lindë për atdheun. I kërkohet të duket mirë për të. Gruaja bëhet fytyra e bukur në një listë elektorale, numri që plotëson kuotën ose stilolapsi që firmos në emër të interesave (ekonomikë e politikë) të burrave. Është në parlament, disi më pak në pushtet lokal, por gjithnjë, larg pushtetit real.

Në secilën etapë, gruaja përballet me peshoren e moralit, një metodë dhune e kontrolli që e përndjek së paku në metropole, sepse përtej tyre, gratë shqiptare përballen me të njëjtat sfida që kishte që në kohën e mbretërisë: martesa të hershme, arsimim i ulët, liri e trup i menaxhuar nga të tjerët. Nëse punojnë, kanë barrën e karrierës dhe atë të familjes, punën e papaguar të kujdesjes për fëmijët, shtëpinë, pastrimin, si barrë e detyrim ‘natyror’.

Fenomeneve të riprodhimit e dekorit, së fundmi i shtohet edhe ai i shpërqendrimit. Në kohë skandalesh reale që tundin themelet e shtetit: korrupsion, para publike që zhduken, pushtet i keqpërdorur, trupi i gruas përdoret si shpërqendrim. “Sex sells” është metoda e preferuar e spindoctors, ndërsa barra e moralit bie sërish mbi trupin e gruas. Skandali bëhet gjithnjë për trupin e saj, kurrë për pushtetin e tyre.

Eksperimentet ndryshojnë. Nga qenie që lindte për shtetin, te fytyra që zbukurojnë listat, në trupa që përdoren për të fshehur çdo gjë tjetër, gruaja shqiptare vazhdon të jetë instrument në duart e të tjerëve. E megjithatë, siç shkroi John Stuart Mill që në shekullin e 19-të, “mbi veten, mbi trupin dhe mendjen e vet, individi është sovran”.

Filed Under: Komente

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, nga bashkimi elektoral te platforma e qëndrueshme e kësaj krahine

October 4, 2026 by s p

Refik Hasani/

Bashkimi i votës është mjeti; përfaqësimi politik është instrumenti; ndërsa mbrojtja dhe avancimi i të drejtave dhe interesave të shqiptarëve të kësaj Krahine mbeten qëllimi më i gjerë.

Dje, më në fund, pas një periudhe të gjatë përpjekjesh, apeleve dhe thirrjeve për bashkimin e votës shqiptare, subjektet politike shqiptare të Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të shpallura për 25 tetor 2026.

Profesori Refik Hasani e ka artikuluar publikisht iniciativën për një listë të përbashkët shqiptare që nga Marrëveshja e Konçulit, më 20 maj 2001. Që nga atëherë, sa herë që janë mbajtur zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ai ka kërkuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare, pasi vazhdimisht është garuar në disa lista zgjedhore.

Ai ka kërkuar që shqiptarët të përfaqësohen me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë, duke iu referuar edhe Referendumit të 1-2 marsit 1992 dhe Marrëveshjes së Konçulit, e cila u arrit në prani dhe nën monitorimin, mbikëqyrjen dhe garantimin e faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar.

Përmes vështrimeve dhe opinioneve, intervistave, deklaratave, prononcimeve dhe propozimeve, por edhe përmes tryezave, debateve, studimeve dhe kumtesave, ai nuk u ndal së kërkuari që shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të garonin me një listë të përbashkët, të unifikuar rreth një qëllimi, programi dhe platforme.

Këtë e ka parë të nevojshme edhe në funksion të bashkërendimit, koordinimit, harmonizimit dhe artikulimit të kërkesave, si dhe të vendosjes së interesave të përgjithshme të shqiptarëve mbi interesat e ngushta partiake.

Intelektuali Refik Hasani, nga Bujanoci, e shihte bashkimin e votës shqiptare të këtij rajoni si një mënyrë për të rritur numrin e mandateve, për të krijuar një zë më të fuqishëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe për të mundësuar bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera joshumicë.

Ai vazhdimisht argumentonte se ndarja në disa lista e shpërndante votën shqiptare dhe dobësonte mundësinë për një përfaqësim më të madh në Parlamentin e Serbisë.

Ai ka kërkuar gjithashtu që Prishtina dhe Tirana zyrtare ta ndryshojnë diskursin dhe narrativat e përdorura, ndërsa SHBA-ja, BE-ja dhe OKB-ja të reflektonin pozitivisht dhe të mbështesnin një qasje të tillë të re.

Në këtë kuadër, ai ka kërkuar veçanërisht ndaljen e pasivizimit të organizuar të adresave, që e konsideron si pjesë të praktikave margjinalizuese dhe diskriminuese, si dhe përfaqësim proporcional dhe mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

Kështu, për Hasanin, lista e përbashkët nuk ishte qëllim në vetvete, por një instrument politik për të rritur përfaqësimin dhe për ta bërë më të fuqishëm artikulimin e kërkesave të shqiptarëve etnikë e autoktonë të kësaj Krahine.

Ai e ka lidhur vazhdimisht bashkimin elektoral me shmangien e shpërndarjes së votës dhe me mundësinë për të rritur përfaqësimin shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Arritja që partitë politike shqiptare të garojnë me një listë të vetme në zgjedhjet parlamentare të Serbisë përbën një zhvillim me disa objektiva të rëndësishëm:

A. Bashkimin e subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në një garë të përbashkët.

B. Maksimizimin e votës shqiptare, duke shmangur shpërndarjen e saj në disa lista.

C. Rritjen e përfaqësimit parlamentar të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

D. Krijimin e një zëri të përbashkët shqiptar në Parlament.

E. Bashkimin rreth një programi dhe platforme të përbashkët dhe jo vetëm rreth një liste zgjedhore.

Përfaqësimi politik duhet të përdoret edhe për ngritjen e çështjeve që lidhen me diskriminimin, pasivizimin e adresave, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin proporcional dhe të drejtat kolektive të shqiptarëve.

Në këtë kuptim, iniciativa e Hasanit është konceptuar si një qasje më e gjerë politike: nga bashkimi elektoral drejt një platforme të përbashkët për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Krahinës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Tani ai këmbëngul edhe në propozimin për hapjen e një zyre ndërlidhëse në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, e cila do të ishte një ndihmesë e madhe për të dëbuarit, të zhvendosurit dhe të shpërngulurit nga komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët aktualisht qëndrojnë në Kosovë.

Veprimtaria publike e Refik Hasanit nuk kufizohet vetëm te kjo iniciativë. Ai në vazhdimësi është angazhuar për reciprocitetin në mes të Kosovës dhe Serbisë, për hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc, për respektimin e Referendumit dhe vullnetit plebishitar të kësaj Krahine, të shprehur më 1-2 mars 1992, si dhe për respektimin e sakrificës në mbrojtje të pragut, dinjitetit dhe identitetit.

Ai ka kërkuar gjithashtu njohjen e rolit të luftës së armatosur të UÇPMB-së, e cila, sipas tij, mbrojti edhe varret e të parëve, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit, në mënyrë që çështja e kësaj Krahine të ngrihet dhe të parashtrohet edhe në instanca ndërkombëtare, si BE-ja dhe OKB-ja.

Me përkushtim, duke iniciuar edhe projekte të tjera për shqiptarët e kësaj Krahine, ai ka kontribuar dhe ka qenë iniciator në propozimin për miratimin e rezolutës, të miratuar me nr. 10-R-003, më 24 prill 2026, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për shqiptarët etnikë e autoktonë që jetojnë në trojet e veta në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Publicisti Refik Hasani është një nga zërat më të hershëm dhe më të vazhdueshëm që ka kërkuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Ai e ka artikuluar qartë këtë kërkesë dhe e ka përsëritur ndër vite, duke e lidhur bashkimin e votës shqiptare me rritjen e përfaqësimit parlamentar, krijimin e një zëri të përbashkët dhe mbrojtjen më efektive të interesave të shqiptarëve të kësaj Krahine.

Ai vazhdon të kërkojë pa u ndalur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me parimet universale të të drejtave të njeriut, barazinë para ligjit dhe instrumentet e së drejtës ndërkombëtare.

Ai kërkon që të mos ndiqen dy standarde krejt të ndryshme, pra standarde të dyfishta, sepse thekson se, mbi të gjitha, kjo Krahinë nuk e ka të zgjidhur statusin e saj politik dhe juridik, gjë që, sipas tij, përbën një pengesë për zhvillimet e mëtejshme.

Profesori Refik Hasani vazhdimisht e thekson se:

“Çështja e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është vetëm një çështje e brendshme e Serbisë, por një problem që kërkon vëmendje dhe zgjidhje evropiane.”

Prandaj, arritja e marrëveshjes së subjekteve politike shqiptare për një listë të vetme duhet të shërbejë si bazë për një bashkëpunim më të gjerë, të mbështetur në një program të përbashkët, një platformë të qartë dhe një mekanizëm të përhershëm koordinimi e harmonizimi.

Nëse lista e përbashkët shqiptare arrin të shndërrohet nga një marrëveshje zgjedhore në një platformë të përbashkët politike, hapi i ardhshëm nuk do të jetë vetëm ruajtja e unitetit elektoral. Bashkimi elektoral duhet të pasohet nga bashkimi programor, institucional dhe strategjik, në funksion të krijimit të një platforme të qëndrueshme politike shqiptare të kësaj Krahine.

Duhet të vazhdojë përpjekja për të krijuar një platformë dhe një program për artikulimin institucional të kërkesave të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të drejtave kolektive, si dhe për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të kësaj Krahine, të bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët.

Filed Under: Komente

Join us for the 34th Albanian Festival at SUNY Purchase on November 1st, 2026. Doors open at 4 pm and the show runs from 5 pm to 8 pm

October 2, 2026 by s p

Join us for the 34th Albanian Festival at SUNY Purchase on November 1st, 2026. Doors open at 4 pm and the show runs from 5 pm to 8 pm.

You can buy tickets now at the Our Lady of Shkodra church and by calling any of the ticket managers listed below.

We’ll have plenty of new music, dances, and costumes for you to enjoy! Don’t miss out on this year’s show!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 512
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT