
Xheladin Zeneli*/
Ka libra që lexohen për informacion, ka të tjerë që lexohen për arsye të tjera. Por ka edhe libra që, përtej faqeve të tyre, synojnë të hapin një debat shoqëror. “Identiteti pa mbrojtje institucionale” i Prof. Dr. Nail Dragës i përket kësaj kategorie.
Z. Draga është studiues i çështjeve etnogjeografike, demografike dhe kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi, ndërsa veprimtaria e tij lidhet prej dekadash me analizën e pozitës së shqiptarëve dhe zhvillimeve shoqërore në këtë hapësirë.Si intelektual i formuar në kryqëzimin mes shkencës dhe angazhimit publik, ai prej vitesh është një nga zërat më konsekuentë të mendimit kritik shqiptar në Ulqin dhe në Mal të Zi. Në veprat e tij të mëparshme – nga “Kultura dhe shoqëria civile” te “Etnia dhe Hapësira” dhe “Debati i munguar” – ai ka ndërtuar gradualisht një projekt mendor: emancipimin e shqiptarit nga roli i objektit të politikës në subjekt të saj. Ky libër është vazhdimësi e natyrshëme i atij projekti.
Libri i tij i fundit “Identiteti pa mbrojtje institucionale” nuk është një libër nostalgjik për identitetin. Është një libër i lindur nga një shqetësim i thellë, i dokumentuar dhe i përjetuar: çfarë ndodh me një komb kur i ka simbolet, por nuk i ka institucionet? Çfarë ndodh me shqiptarët në Mal të Zi, dhe më gjerë, kur identiteti i tyre varet nga vullneti i mirë i qeverive, e jo nga garancia e ligjit dhe e institucioneve autonome?
Teza qendrore është e thjeshtë dhe për këtë arsye tronditëse: identiteti pa institucione është i pambrojtur. Gjuha që nuk mësohet në shkollë publike, historia që nuk përkujtohet nga shteti, viktima që nuk njihet nga ligji, prona që nuk mbrohet nga pushteti vendor – të gjitha janë forma të një asimilimi të ngadaltë, të heshtur, demokratik në dukje.
Autori nuk mjaftohet me denoncimin. Ai bën anatominë e mekanizmit. Na tregon si “Këshillat kombëtarë” shndërrohen në “dekor të qeverisë”. Si integrimi përdoret si alibi për asimilim. Dhe si “mentaliteti i të nënshtruarit” – ajo sëmundje e vjetër e elitave tona politike – bëhet aleati më i mirë i politikave shtetërore.
Por ky libër nuk është vetëm kritikë. Është edhe thirrje. Z.Draga beson te demokracia, por jo te demokracia fasadë. Ai beson te integrimi, por te një integrim që nuk kërkon heqjen dorë nga identiteti i vet. Përfaqësimi autentik, partitë e popujve pakicë si vlerë e pluralizmit, përballja me të shkuarën komuniste si obligim demokratik – janë propozime konkrete për një rend tjetër më të mirë shoqëror.
Dhe mund të flasësh për të drejtat e një popullsie autoktone, siç janë shqiptarët në Mal të Zi,por këto të drejta marrin kuptim të plotë vetëm kur shndërrohen në praktika dhe mekanizma institucionalë.
Lexuesi do të gjejë në këto faqe një stil të prerë publicistik, pa zbukurime të tepërta akademike, por me peshën e argumentit shkencor. Do të gjejë zemërim, po – por një zemërim të disiplinuar nga arsyeja. Do të gjejë, mbi të gjitha, një intelektual që nuk shkruan për karrierë, por për përgjegjësi.
Në një kohë kur debati publik shqiptar shpesh lodhet mes patetikës dhe cinizmit, ky libër na kthen te pyetja themelore: kush na mbron ne, kur ne nuk mbrojmë dot veten përmes institucioneve?
Në përfundim,
“Identiteti pa mbrojtje institucionale” është një vepër që e vendos çështjen e identitetit shqiptar në Mal të Zi përballë një realiteti konkret: identiteti nuk është vetëm trashëgimi e së kaluarës, por edhe përgjegjësi për të ardhmen.
Forca e librit qëndron në përpjekjen për ta lidhur gjuhën me arsimin, arsimin me institucionet, institucionet me demokracinë, kulturën me debatin publik dhe identitetin me përgjegjësinë qytetare.Nëse identiteti është kujtesa e një populli, atëherë institucionet janë mekanizmi përmes të cilit kjo kujtesë mund të transmetohet te brezat e ardhshëm.
Dhe pikërisht në këtë pikë, “Identiteti pa mbrojtje institucionale” e tejkalon kufirin e një libri dhe shndërrohet në një dokument reflektimi mbi kohën, shoqërinë dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes.
*(Analizë e librit “Identiteti pa mbrojtje institucionale” të autorit, Dr. Nail Draga).