
Prof. Milazim Krasniqi/
Nacionalizmi shqiptar, i vështruar për nga natyra, funksioni dhe transformimet që ka pësuar që nga shfaqja e deri sot, rezulton që ka njohur një periudhë të shkurtër afirmimi dhe një periudhë të gjatë degradimi të vazhdueshëm. Historia e tij, caqet e tij dhe deformimet drastike, kur shikohen në dritën e definimeve standarde teorike për nacionalizmin, sot e paraqesin këtë nacionalizëm si një fantazmë, që dikur paskësh jetuar, ndërsa sot sillet vërdallë si hije, i injoruar, i pakuptuar, i keqtrajtuar dhe i manipuluar pa pikë mëshire, nga pasardhës jo të fismë të ideologëve të nacionalizmit shqiptar. Ata që e farkëtuan dhe e funksionalizuan, si një instrument praktik të formimit të kombit e të shtetit kombëtar, nuk do ta besonin degradimin e zbulimit të tyre. Ata besonin me të vërtetë që nacionalizmi shqiptar ishte i aftë të ndërtonte kombin dhe shtetin kombëtar shqiptar, sepse e farkuan në asi formati që ai të ishte i fuqishëm që t’i përballonte sfidat në misionin e tij iluminues. Por, besimi i baballarëve të nacionalizmit shqiptar, rezultoi një besim pa mbulesë për kohët që erdhën pas tyre, ndonëse në kohën kur ata vepruan, ai e dha provën. Ajo ishte koha e nacionalizmit si i tillë, po edhe e nacionalizmit shqiptar, që ndonëse lindi me pak vonesë, u bë konkurrues me nacionalizmat që e rrethonin.
Kur dhe ku lindi nacionalizmi shqiptar? Është mendim i pranuar gjerësisht se nacionalizmi shqiptar lindi me vonesë të dukshme, në raport me nacionalizmat e tjerë të popujve të Ballkanit. Por, arsyet për këtë vonesë nuk janë te mungesa e elitave intelektuale e politike. E vërteta është që elitat intelektuale dhe politike të shqiptarëve, natyrisht të etabluara në administratën e Perandorisë Osmane, ishin mjaft të konsoliduara e konkurruese me shumicën e elitave të kombeve të tjerë të Ballkanit. Por, nevoja e tyre për ta drejtuar angazhimin e vet në kahun e nacionalizmit shqiptar nuk ishte shfaqur më herët, ngase shqiptarët, së paku shumica muslimane, ishte e integruar në shoqërinë osmane dhe ndjente siguri brenda saj. Jeta në një perandori të madhe, në të cilën prona, besimi dhe jeta ishin të garantuara nga administrata e një shteti të fuqishëm, ishte për një kohë të gjatë mjaft komode. Nuk është këtu fjala për jetë në harmoni e idilike ndërmjet shqiptarëve e turqve, apo shqiptarëve dhe të tjerëve, po për sigurinë që ofronte shteti me fuqinë e vet, edhe për shtetasit shqiptarë, që ishin pothuajse në periferi të perandorisë. Rritja demografike dhe zgjerimi i shqiptarëve në territoret ballkanike, në shekujt e sundimit osman, është një tregues i fuqishëm i kësaj sigurie.
Arritja e ngulimeve shqiptare deri në Nish e në Beograd, duke përthekuar Krushevcin, Leskocin e Vranjën, nuk mund të realizohej pa atë siguri të shtetit dhe pa atë stimulim prej tij. Derisa zgjasnin ato favore, shqiptarët nuk kishin motiv për ngjizjen e një ideologjie nacionaliste, e cila do të bëhej bartëse e kërkesave të reja për një formacion tjetër shtetëror. Nga pozicioni i sotëm mund të spekulohet se a ka qenë kjo një qasje e gabueshme ose jo, se a ka qenë vonesë e arsyeshme ose jo, por ata që kanë respekt për gjendjen e gjërave në realitetin e asaj kohe, e kanë të qartë se akomodimi i shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane ka krijuar sigurinë në raport me pretendimet grabitqare të fqinjëve ballkanikë, serbëve, grekëve dhe bullgarëve dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore e ndjenjës së sigurisë brenda atij shteti multietnik. Në aspektin social dhe kulturor, shqiptarët kishin një status të nderuar dhe ishin të integruar në jetën shoqërore, fetare e kulturore osmane:
“Shkupi ishte aq i vjetër dhe aq turk, saqë fjalët e reja, sendet e reja, madje këngët e reja që vinin nga Stambolli dhe Selaniku, i konsideronin allafranga. (…) Siç nuk e dallon dot peshku ujin, edhe Shkupi s’e dallonte turkllëkun e vet, prandaj, si të gjitha qytetet turke, e quante veten vetëm musliman. Ndërkaq, pranë kishte vëllezërit shqiptarë që u thoshin arnautë. Në vitet e fundit të Rumelisë, shqiptarët respektoheshin nga vendas e të huaj. Sulltan Abdylhamiti i donte shqiptarët, ua pranonte nazet, i respektonte. Në atë kohë, këta bij të zgjedhur të popullit trajtoheshin në Shkup si nga qeveria, ashtu edhe nga populli, me privilegjet që trajtoheshin evropianët”. Edhe nga ky përshkrim i shkrimtarit të famshëm turk, Jahja Kemalit, i cili kishte lindur dhe ishte rritur në Shkup, pra edhe në mesin e shqiptarëve, dëshmon se ata kishin siguri brenda Perandorisë Osmane, kur e kur ishin edhe të privilegjuar. Ata do të rebeloheshin kundër Perandorisë Osmane kur do të fillonin reformat e Tanzimatit, të cilat pikërisht atë status sigurie dhe atë shkallë integrimi të tyre do ta sfidonin në mënyrë dramatike. Megjithatë, fillet e vërteta të nacionalizmit shqiptar janë të lidhura pikërisht me ndjenjën e rrezikut në rritje nga pretendimet e fqinjëve ballkanikë, të cilët po fitonin favore brenda Portës së Lartë dhe në atë mënyrë po forcoheshin e po bëheshin rrezik për sigurinë e shqiptarëve: “Të drejtat e gjera që i sollën Reformat e Tanzimatit elementit jomysliman të perandorisë, ishin shkak i mjaftueshëm për shfaqjen e tendencave nacionaliste-separatiste”.
Prandaj, fillet e nacionalizmit shqiptar duhet të kërko
hen pikërisht te pakënaqësia e shumicës shqiptare muslimane me favoret që po u jepeshin komuniteteve të krishtera ballkanike, të cilat po faktorizoheshin edhe në raport me shqiptarët muslimanë. Në këtë mes, pakënaqësia më e madhe po adresohej ndaj grekëve dhe shqehëve (serbëve), gjë që është e thënë taksativisht edhe në veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”: “Qëllim’ i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohetë prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigave t’armikëvet të tyre e të ndalojnë të përhapurit’ e gjuhëvet e të mendimeve të greqet e te shqehet, të cilatë po i rëmojnë themeletë e po i nxjerinë rënjët Shqipërisë e shiptarërisë”.12 Referimi i shqetësimit të Samiut ka të bëjë edhe me pozitën e shqiptarëve në Perandorinë Osmane, por në rend të parë ai i referohet rrezikut që po vinte nga ndikimi në rritje i gjuhëve greke e serbe dhe mendimit që vinte me to, të cilat autori i llogariste si rrezik për ekzistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarësisë.
“Hegjemonia politike e kulturore e Patriarkanës Ortodokse të Stambollit mbi shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut nga njëra anë dhe aktiviteti intensiv politik dhe kulturor i Italisë, Austrisë dhe Francës mbi shqiptarët katolikë të Shqipërisë së Veriut nga ana tjetër, ndarjen fetare që ekzistonte mes shqiptarëve po e orientonin drejt një ndarjeje politike. Kësaj tendence iu shtuan edhe përpjekjet e serbëve që kishin hyrë në rrugën për të krijuar shtetin e tyre të pavarur ngjitur me trojet shqiptare. Të gjitha këto zhvillime të marra së bashku, e futën Shqipërinë në një proces shumë kritik, i cili vuri në lëvizje intelektualët shqiptarë. Objektivi i parë i kësaj shtrese të arsimuar, me përvojë në burokracinë shtetërore dhe njohëse shumë e mirë e karakterit, traditave dhe kulturës shqiptare, ishte shpëtimi i Shqipërisë nga hegjemonia politike dhe kulturore në dukje fetare e shteteve të krishtera dhe krijimi i një njësie të vetme kulturore”.
Prandaj, leximi korrekt i këtyre mendimeve ka rëndësi të madhe për ta kuptuar natyrën e nacionalizmit shqiptar në fillesën e tij, kur ai ishte i orientuar për mobilizimin e shqiptarëve, në një rezistencë të fortë kundër manipulimeve me ortodoksët e me katolikët nga ana e disa shteteve europiane dhe nga rreziku që paraqisnin veçmas nacionalizmat serbë e grekë. Pa ofertën zemërgjerë të ideologëve si Pashko Vasa, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, etj., dhe përgjithësisht të tolerancës së shumicës muslimane ndaj bashkëkombasve ortodoksë e katolikë, zhvillimet mund të merrnin të tjera drejtime, duke sjellë edhe rrezikun e ndarjes në vija fetare. Këtë gjë pseudonacionalistët e sotëm përpiqen ta fshehin ose së paku ta injorojnë, sepse duan të paraqesin shumicën muslimane si intolerante dhe pasive në procesin e krijimit të kombit e të shtetit shqiptar, por e vërteta është se pikërisht maturia dhe toleranca e manifestuar në Lidhjen e Prizrenit e më vonë në publicistikën e Rilindjes Kombëtare, janë shndërruar në amalgamën e kombformimit shqiptar.
Nëse kjo e vërtetë shmanget nga vëmendja, çdo analizë dhe çdo vlerësim për nacionalizmin shqiptar dhe rrugën e kombformimit shqiptar do të dalë e pasaktë. Rrugën e ndasive fetare të nxitura edhe nga disa prej shteteve europiane që ushtronin ndërhyrjet politike në Shqipëri në bazë të Kultusprotektoratit, faktikisht e mbyllën idetë e Komitetit të Stambollit, Lidhja e Prizrenit dhe projekti i Sami Frashërit për mënyrën e ndërtimit të shtetit shqiptar. Natyrisht, vepra e Samiut ka edhe shtresime të tjera, duke përfshirë edhe problemet e shqiptarëve në gjirin e Perandorisë Osmane, por këto ishin si pasojë e asaj që ajo perandori po bëhej gjithnjë e më e paaftë që të ofronte siguri për shqiptarët. Me një fjalë, në raport me Perandorinë Osmane, nacionalizmi shqiptar nuk lindi si kontestim ndaj legjitimitetit të saj, po si reagim ndaj dobësive të saj, ku binin edhe favoret që ajo po ua ofronte të krishterëve, në dëm të muslimanëve, dobësi që po e ekspozonin kombin shqiptar dhe veçmas shumicën muslimane ndaj pretendimeve grabitqare të fqinjëve ballkanikë.
Natyrisht, këtu binin edhe pasojat e politikës së reformave të Tanzimatit, të cilat kishin ndryshuar statusin social e ekonomik të shqiptarëve: “Shqipëtarëtë, ç’ishin mësuarë të mos paguajnë gjë, tani janë futurë nën’aqë të rënda pagesa, sa s’mundinë të ngrenë krye. Tyrqitë, që janë zotërinjt’ e tyre që pesëqint vjet e tëhu, s’u kanë mësuar shqiptarëve as punë, as mjeshtëri e dituri, po i kanë mësuarë të lëftonj’ e të rrëmbejnë, tani përnjëherë duanë t’u marënë armët e u thonë: paguani! E ku të gjejnë të gjorët që të paguajnë? S’kanë të hanë vetë. Ata shqipëtarë, që pak kohë më parë ishin të veshurë me rroba t’arta e të farkuarë me armë t’ergjënta, e të lara, ata a të bijt’ e tyre janë sot lakuriq me një këmishë, që s’ka ku ta zërë qeni!”.
Alternimi i gjendjes së mjerë si pasojë e reformave dhe i gjendjes para tyre (kur shqiptarët i kishin armët të lara në argjend), bën të qartë se nacionalizmi shqiptar që u trupëzua në këtë vepër, në raport me Perandorinë Osmane nuk ishte ideologjik, po më shumë me motive politike, shoqërore e ekonomike. Ndërsa, në raport me rrezikun e fqinjëve ballkanikë, ky nacionalizëm ishte edhe ideologjik…marrë nga libri: “NACIONALIZMI SHQIPTAR”.